GJAKMERRËSI
| Wednesday, 06.04.2008, 05:33 PM |  

ISHIN NE GJAK.
Ishte agresiv fisi që kishte hyrë në gjak.
Nuk ishte fare tjetri.
Një dhe’ i rriste, një bukë, një ujë, një frymë.Një hije bënin prapa vetes.Një gjuhë, një zë. Një gaz, një  vaj.
Vitet shkonin.Shkonin dhe gjaku thahej.
Thahej, thahej, thahej.
Por…binte shi.
Tek këta, që gjaku paqtonte, kishte shumë djem.
Kishte edhe një plak.
Plaku kalonte të tetëdhjetat. Ura që e lidhte me jetën ishte ende e fortë. Ura nuk shëmbej.
Ç’të bënte?!
Nuk vdiste.
Nuk vdiste se binte edhe shi. Nuk vdiste se gjaku ç’ thahej. Se gjaku…
Djemtë vazhdonin jetën. Vazhdonin frymëtarinë…
Ç’ punë kishin me të djeshmen? Ç’ punë kishin me të ikurën? Gjakun s’e shikonin dot me sytë e gjakmarrjes.
Gjaksit s’ i urrenin dot.
Të gjithë të martuar. Pa kishin pjellë edhe fëmijë.
Pa ishin edhe fidanuarë. Pa ishin bërë dhe pyll.
Pa kishte dhe një këngë pylli.
Pa mateshin edhe me stuhitë drurët.
Por …prapë binte shi!... dhe gjaku…
Dhe plaku thirri nusen e të voglit.
Nusen e oxhakut. Nusen e trarit. Nusen e shtyllës.
Nusen e pragut. Nusen e gurit të shtëpisë. Se çdo shtëpi, ka gurin e vet.
Se çdo shtëpi është vetgur. Se çdo shtëpi është vetgjarpër, vetruan…
-  Nuse , dua që nga… ajo…familje, të më vjedhësh një djalë!
Po, po, të më vjedhësh një djalë!
Askush të mos e dijë. Unë, ti dhe varri.
Varri, ti dhe unë!
E kupton?
E dëgjon?
Nusja u flakërua në gjithë qënien. U bë prush i turpit. Po ndizej…
Po si ta bëj baba?
Po si ta bëj?
Po, po do ta bësh!
Vetëm varrit tregoja!
“ Thonë se edhe varri tregon”! – shkoi mendësh, ajo…
Dhe nusja shkoi në “ shtrat “ me djalin e gjaksit.
Dhe nusja, vodhi…
Dhe djali i hajdutosur, lindi.
Dhe plaku u gëzua.
Nuk e la në gji të s’ëmës. E pelenosi në gji të vetë.
Dhe po shtatej fëmija. Dhe u bë nishantar fëmija.Tre vjeç, lozte me sytë e pushkës.
Dhe djali mbushi shtatë vjeç. Dhe viti mbushi shtatë muaj.
Dhe …binte shi.
Dhe dolën në korije të tre. Djali, pushka, plaku.
A mban mend si të shënosh o bir? – Pyeti plaku.
Pyeti gjyshi.
Pyeti urëpaprishuri.
- Mbaj gjysh. Si nuk mbaj!
- Mirë.
A e sheh atë burrin në majë të asaj çatie, atë që është duke zënë pikatën e… gjakut?
- Ku gjysh?
- Ja, ja.
- Po e shoh, gjysh.
- Po a mund ta shënosh?
- Po, gjysh.
Dhe djali e shënoi.
- E shënova gjysh.
- Atëherë, shkrepe.
Dhe burri ra i vdekur nga çatia. Nga maja e shtëpisë. Nga maja e gjaktrimit. E ku ta dinte djali se gjyshi i kishte futur fishek në gojë armës?!
E ku ta dinte djali se kishte vrarë babanë?!...
Dhe në fshat u hap: Gjaku u mor.E mori shtatë vjeçari dhe viti shtatë muajsh.
E pritën djalin.
E vranë djalin.
U rigjakën.
Gjakosën, kur djali mbushi tetë vjeç dhe viti tetë muaj…
E ku ta dinin se vranë nipin e tyre “dy herë gjaksit” ?!
…Binte shi…

Fier, pranverë 2005



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •