Begzad Baliu: Botimet e autoreve nga Kosova ne Shqiperi gjate komunizmit
| Sunday, 06.08.2008, 12:27 PM |  

Botimet e autoreve nga Kosova ne Shqiperi gjate komunizmit

MBI KOMUNIKIMIN TONË

Nga Begzad Baliu

Rinjohja!

Viteve të fundit (2003, v.j.) po vazhdon të përsëritet diskutimi mbi mosbotimin e disa prej autorëve të Kosovës në Shqipëri. Fjala është për një diskutim të filluar menjëherë pas vitit 1989-90, kur gazetarë dhe krijues të caktuar nga Kosova filluan ta vizitonin Shqipërinë dhe të kontaktojnë me bartës të kulturës e të shkencës në institucionet e mëparshme, me bartës të zhgënjyer dhe me disidentë të vjetër të tyre, me ata që vazhdonin të mbronin konceptet e mundësisë së botimit të letërsisë së Kosovës dhe me ata që bënin vërejtje për kriteret e botimit të saj.
Vizitorët e asaj kohe patën zbuluar me bujë mosnjohjen tonë në shumë fusha të jetës, për të cilat mund të kishim mirëkuptim, por ishte vështirë të kuptoje se si, ne që lexonim çdo ditë letërsinë e shkruar dhe të botuar në Shqipëri, vetë nuk ishim të pranishëm atje, ose ishim të pranishëm vetëm për një periudhë të caktuar, vitet ’70-‘90, dhe për më keq, letërsia që krijohej në Kosovë, jo vetëm nuk perceptohej si tërësi e saj, por vazhdonte të mos vlerësohej as si pjesë e saj.

Përpjekja për ndarje

Nga këto shkrime, kishim mësuar se në Shqipëri letërsia shqipe kishte filluar të botohej vetëm në vitin 1970, në kolanën Letërsi e autorëve nga Kosova ( e kjo nënkuptonte letërsinë e autorëve që krijonin brenda kufijve të ish-Jugosllavisë, nga Struga (Agim Vinca) deri në Zarë (Josip Rela). Ky koncept ishte krijuar jo vetëm në botimet e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, por edhe në ligjërimin e saj në Universitetin e Tiranës. Shtypi i atëhershëm qe marrë shumë me problemin e këtij identifikimi të domosdoshëm “Letërsi e Kosovës”. Në të vërtetë, përpjekje për ndarjen e letërsisë së Kosovës nga ajo e Shqipërisë, në dekadën e shtatë, ka pasur edhe në qarqet jugosllave, por ajo ishte kundërshtuar nga studiues dhe institucione të Kosovës. Vështirësi për mbrojtjen e saj, pra të tërësisë sonë letrare, kishte sidomos gjatë orvatjes së përfaqësimit të saj në librat shkollorë, në emër të “Planeve unike! ”, sipas të cilave letërsia e Kosovës duhej të fillonte me Pjetër Bogdanin dhe të mbaronte me krijuesit më të ri të letërsisë që krijohej brenda kufijve shtetërorë. Mbrojtja që iu bë atëherë trashëgimisë dhe tërësisë së letërsisë shqipe ka qenë e jashtëzakonshme dhe me pasoja për individë e institucione. Nëse ndarja e saj në librat shkollorë në Tiranë ishte përligjur në gjysmën e dytë të shekullit XX (koha e socrealizimit në letërsi), politika e Beogradit këtë ndarje përpiqej ta përligjte në vetë fillimet e saj (Buzukun).
Nga shtypi i Prishtinës gjithashtu patëm mësuar dy përgjigje të kundërta për ndarjen e letërsisë së Kosovës nga botimet shqipe në shtëpitë botuese në Shqipëri dhe për ndarjen e ligjërimit të saj në Universitetin e Tiranës, dhe kjo përgjigje pati ardhur pothuajse nga i njëjti burim:
- e para, që kishte konotacion politik: letërsia e Kosovës ishte ndarë si lëndë në Universitetin e Tiranës, me qëllim të përligjjes së ndarjes sonë jo vetëm kulturore por edhe politike, dhe
- e dyta, se kjo kishte ndodhur madje krejt rastësisht: me qëllimin më të mirë, që letërsia e Kosovës të njihej dhe të mësohej sa më gjerësisht.

Pa dashur që të merremi me komente të gjera, këtu po e sjellim bibliografinë, e botimeve të Letërsisë së autorëve kosovarë nga fillimi (viti 1970) deri në vitin 1990.

Antologjitë: Poezi, prozë, studime

• Për ty, poezi nga Kosova, përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970, f. 124.
• Rrëfimi i njeriut me samar, tregime nga Kosova, 1970.
• E di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova. Redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972, f. 264.
• Toka e përgjakur, shkrimtar nga Kosova, tregime, 1972.
• Letrat dhe gjethet, tregime nga shkrimtarë të Kosovës, 1976.
• Heshtja e një kohe, poezi nga Kosova, 1976.
• Vendlindja ime, vjersha të poetëve nga Kosova, 1980, f. 135.
• Qëndresa e emrit, poezi nga Kosova, 1981, f. 190 .
• Djepi i lashtë, tregime nga Kosova, 1981, f. 390.
• Reja e zezë mbi kullën e bardhë, tregime nga Kosova, 1981, f. 126.
• Me xhaketën kuq e zi, vjersha për fëmijë, 1982, f. 154.
• Djaloshi trim, vjersha e tregime nga Kosova, 1983, f. 166.
• Përmendore, tregime nga Kosova, 1984, f. 353.
• Kur buzëqesh nëna ime, poezi nga Kosova, 1984, f. 155.
• Studime dhe kritikë letrare, nga autorë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi. Mblodhi dhe përgatiti për shtyp Ramadan Vozga, 1983, f. 500.

Poezi

• Ali Podrimja, Thirrje, 1972 dhe Poezi, 1986, f. 287.
• Din Mehmeti, Mallkimi i gjakut”, 1972; dhe Poezi, 1985, f. 222.
• Azem Shkreli, Poezi, 1972; Poezi, 1982, f. 215.
• Rrahman Dedaj, Nuk e kam thirrur shiun, 1975, f. 94; Poezi, 1989, f. 282.
• Agim Vinca, Në vend të biografisë, 1977, 95 f; Poezi, 1984, f. 71.
• Enver Gjerqeku, Gjurmëve të jetës, 1972, Poezi, 1986, f. 202.
• Fahredin Gunga, Flaka e fjalës, 1976; Poezi, 1986.
• Rexhep Hoxha, Lulet le të dalin, 1975; Mbi krahët e fluturës 1989, f. 119.
• Vehbi Kikaj, Gurrat, 1977, f. 57; Shtëpia ime ka sy, 1988, f. 117.
• Qerim Ujkani, Gjaku im, 1980.
• Edi Shukriu, Poezi, 1980.
• Jusuf Gërvalla, Bekimi i nënës, 1983, f. 86.
• Sabri Hamiti, Lind një fjalë, 1986, f. 111.
• Abdulaziz Islami, Yjet e vendlindjes, 1987, f. 166.
• Flora Brovina, Luleborë, 1988, f. 97.
• Jakup Ceraja, Kur dhemb zemra, 1976, f. 126.
• Eqrem Basha, Poezi, 1990, f. 190.
• Agim Deva, Ankohet çanta e vogël, 1986, f. 75.
• Mehmedali Hoxha, Një brez livadh, 1990, f. 86 (e ilustruar)
• Ali Huruglica, Dreri me yll në ballë, 1988, f. 107.
• Gani Xhafolli, Zogjtë fluturojnë mbi lule, 1984, f. 82.
• Hasan Hasani, Mici e topi, 1981, f. 66.
• Mark Krasniqi, Poezi, 198?.
Proza: tregimi, novela, romani
• Nazmi Rrahmani, Malsorja, 1970, f. 256; Toka e përgjakur, 1975, f. 422; Rruga e shtëpisë sime, 1980, f. 356.
• Daut Demaku, Plisat e kuq, 1971, f. 104.
• Hivzi Sulejmani, Njerëzit, 1973, f. 328; Fëmijët e lumit tim, 1972, f. 213.
• Ramiz Kelmendi, Heshtja e armëve, 1973, f. 183.
• Jusuf Buxhovi, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, 1985, f. 165. Libri i të mallkuarve, 1991, f. 382;
• Murat Isaku, Rreckajt, Plagët.
• Arif Demolli, Ballkonet e një qyteze, 1980, f. 134; Pëllumbat e kujtimeve, 1984, f. 113.
• Rifat Kukaj, Minaku i përhimët, 1975, f. 108; Shkrepi i diellit, 1977, f. 108; Droja, 1981, f. 188; Qafa e Ulkonjës, 1987, f. 249; Bardhi e Mirusha, 1982, f. 184.
• Sefedin Fetiu, Në humbëtirat e kohës, 1985, f. 125.
• Zejnullah Rrahmani, Sheshi i unazës, 1985, f. 213.
• Rexhai Surroi, Orteku, 1986, f. 307.
• Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, 1986, f. 270.
• Mehmet Kraja, Udhëzime për kapërcimin e detit, 1991.
• Nebil Duraki, Shtrojera.
• Jusuf Gërvalla, Rrotull, 1983, f. 125.
• Nerimane Kamberi, Anejsi dhe shtatë pikturat, 1990, f. 159.
• Rushit Ramabaja, Gjergj Elez Alia, 1983, f. 96.
• Qamil Batalli, Zogu që bisedoi me Afërditën, 1989, f. 282
• Ibrahim Kadriu, Pas kthimit, 1985, f. 110.
• Abdyl Bunjaku, Kërriqi i pikëlluar, 1983, f. 91.
• Hajro Ulqinaku, Ligji i detit, 1986, f. 72.

Drama

• Josip Rela, Nita, 1973, f. 95.
• Kristë Berisha, Drama.
• Ekrem Kryeziu, Epoka para gjyqit, 1987, f. 71.
• Sabri Hamiti, Futa, 1991.
• Rexhep Qosja, Vdekja e mbretëreshës, 1991
• Jusuf Gërvalla, Procesi, dorëshkrim i planifikuar për teatër, por që nuk u shfaq, më 1991.
Studime dhe kritika
• Mark Krasniqi, Gjurmë e gjurmime, 1978.
• Rexhep Qosja, Panteoni i rralluar, 1988, f. 660; Porosia e madhe, 1990, f. 443.
• Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, 1990

 


Në gjuhën greke

Dramatizimi
Prej informatave të ndërmjetme dhe vetjake të zhvillimeve kulturore në Tiranë, dimë se disa nga këto vepra ishin dramatizuar e ekranizuar. Pra, ishin botuar jo vetëm vepra letrare për një rreth lexuesish, por edhe për një rreth më të gjerë interesimesh. Le të shohim disa shembuj të dramatizimit të tyre nga Radio Tirana: romani i Nazmi Rrahmanit “Rruga e shtëpisë sime”, i dramatizuar me titull “Tokë e ndezur”, romani i Jusuf Buxhovit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, me titullin “Qyteti i dënuar me vdekje”, ndërsa romani tjetër i tij “Libri i të mallkuarve”, është lexuar në emisionin Radio revista letrare-artistike; novela e Rifat Kukajt “Qafa e Ulkonjës”, romani i Rushit Ramabajsës “Gjergj Elez Alia”, romani i Ibrahim Kadriut “Pas kthimit”, drama e Ekrem Kryeziut “Epoka para gjyqit” etj.

Vepra që ishin planifikuar apo pritnin radhën në shtyp

Nga bashkëbisedues të afërt me institucionet kulturore, në mesin e të cilëve ishte më i merituari z. Pandeli Koçi, mësonim se në shtyp, apo në radhën e botimeve të planifikuara gjendeshin edhe nga një vepër e këtyre autorëve: Rexhep Qosjes, Ali Hadrit (zgjedhje), Mehmet Krajës (Net bizantine), Anton Pashkut (Tregime), Beqir Musliut (Poezi), Ymer Shkrelit (një roman), Ramiz Kelmendit (tregime), Abdullah Konushevcit (poezi) etj.

Letërsia e vonuar!
Në këtë rrjedhë kërkimi është vështirë të përligjet koha, që u desh të pritej për botimin e letërsisë së Kosovës. Nëse Esat Mekuli, Hivzi Sulejmani etj., nuk mund të botoheshin, sepse në jetën kulturore, arsimore dhe shkencore në ish-Jugosllavi, ishin edhe bartës të drejtpërdrejtë të politikës kulturore dhe shkencore në Kosovë, si të shpjegohet mosbotimi i veprës së Adem Demaçit, i cili si me veprën ashtu edhe me jetën identifikohej me Tiranën zyrtare. Vepra e tij nuk ka qenë e panjohur për drejtuesit politikë dhe kulturorë të Tiranës, pasi ajo ishte e botuar para rënies së tij të parë në burg. Gjithashtu dihet se vepra e tij, me të gjithë përbërësit letrarë e estetikë, ka qenë dhe ka mbetur një vepër që ka shënuar vlera të rëndësishme në letërsinë tonë.
Përjashtimin e palejuar, për të cilin sot nuk mund të diskutohet, e bënë vetë studiuesit shqiptarë. Në kohën kur në Prishtinë botoheshin jo vetëm veprat e veçanta, por edhe veprat e plota të autorëve, të cilët këtë ende nuk e kishin bërë në Tiranë (Sterio Spasse, Petro Marko, Ismail Kadare) dhe i përcillnin ato me kritika në faqet e kulturës, me studime në revistat shkencore dhe madje me projekte të institucioneve shkencore, përjashtimi i letërsisë që krijohej në Kosovë nga Historia e letërsisë bashkëkohore, na duket i panatyrshëm dhe i paarsyeshëm.
Në interes të krijimit të një pasqyre sa më të plotë, dhe të nivelit të njohjes së kësaj letërsie e të konceptimit të botimit të saj në Tiranë, këtu po sjellim edhe disa elemente të rëndësishme, me të cilat përshkohen këto botime:
Për ty. Poezi nga Kosova, përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970, f. 124. Përmbledhja hapet me hyrjen “Dy fjalë“, f. 3-5 dhe më pas përfshihen poetët sipas kësaj radhe: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Esat Mekuli dhe Nebih Muriqi. (!)
E di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova. Redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972, f. 264. Përmbajtja: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Fahredin Gunga, Ibrahim Kadriu, Jakup Ceraja, Latif Berisha, Muhamet Kërveshi, Milaim Berisha, Nexhat Pustina, Qerim Ujkani, Rrahman Dedaj, Rahmi Tuda, Rifat Kukaj dhe Shime Dëshpali.
Po të vazhdonim të sillnim përmbajtjen e plotë të antologjive me poezi dhe me prozë, do të kuptonim veç tjerash, se në këto vëllime gjenden edhe disa shkrimtarë, të cilët as kanë qenë dhe as nuk besojmë se do të jenë ndonjëherë në listën e botimeve antologjike të letërsisë së krijuesve nga Kosova.



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •