BURRI ME ZEMËR TË MADHE
| Monday, 06.16.2008, 09:00 PM |  

-skice-

          Ajo ditë shtatori më ka ngelur fort në mendje. Treni elektrik Omonia-Kifisia ishte plot e përplot. Edhe pse ende s’ishte gdhirë, në vagon bënte shumë vapë. Aty pranë meje, një burrë rreth 35 vjeç, duke biseduar me dy gra në shqip, befas bie për tokë. Gratë filluan ulërimat. Në stacionin e parë e zbritën dhe e mbështetën në mur. Sa hapi sytë burri tha:

          -Oh, duhet të shkoj në punë, më shkoi vonë-dhe bëri të ngrihej, por s’kishte fuqi.

          -Kë të lajmërojmë, si mund të të ndihmojmë akoma?-e pyetën dy gratë.

          -Faleminderit, por unë duhet të shkoj pa tjetër në punë. Po humba sot ditën nuk i dihet nesër, pronari mund të më zboi nga puna.

          -Ju ndodh shpesh kështu?-pyeti njëra nga gratë.

          -Oh, kam disa muaj që nuk ndjehem mirë. Vuaj nga astma dhe tensioni. Mjekët më kanë thenë që të mos punoj, por …-sytë iu mbushën me lotë.

          -Po gruaja nuk punon?-e pyeti njëra nga gratë.

          Burri psherëtiu dhe uli kokën.

          -Më duket se të rënduam me pyetje, por duam të të ndihmojmë.

          -Kam dy muaj që jam martuar, ose më mire, që bashkëjetoj me gruan. E kam nga fshati, s’i ka mbushur akoma të tetëmbëdhjetat, kurse unë jam tridhjetë e pesë. Në shtëpi ka  babanë dhe tre motra të tjera. Nëna i ka vdekur. Jemi komshinj. Motrën e madhe e gënjyen dhe përfundoi në “parajsën e pistë” të prostitucionit në Itali. Sa here shkoja në shtëpi, me delte para i jati i tyre dhe më thoshte: “E humba vajzën Spiro, e humba!”. Më dhimbte shpirti nga ato fjalë. Nuk dija si ta ndihmoja. Hëna, gruaja ime, është motra e dytë. Hodhi edhe ajo shtat sa hyri në planin e atyre që dijnë të gjuajnë vajza. Një ditë i jati i Hënës më tha:

          -Spiro, jemi komshinj. Njeri të afërt nuk kam. Kjo jetë më ka lënë të zhveshur, s’kam as vëllezër e as djem. Hëna është rritur. Unë s’e mbaj dot siç kanë ardhur kohët. Do më ndodhë ndonjë gjëmë. Kam edhe dy të tjera që po rriten. Po të pëlqen martohu me Hënën, ose merre me vete në Greqi. Vetëm te ti kam besim. Nuk dua ta shfrytëzojnë të tjerët. –dhe qau.

          -Po unë jam i madh në moshë, pastaj edhe nga shëndeti-por ai ma preu fjalën.

          -S’ka gjë, ti do dish si do të bësh me të. Nuk do ta shfrytëzosh e nuk do ta hedhësh në rrugë.

          Nuk dija ç’t’i thoshja. Atë moment nuk i ktheva përgjigje. U mendova mirë e mire. Natën e tretë i shkova në shtëpi. Ç’të shihja? Një fukarallëk i frikshëm. Dy vajzave të vogla u çova nga një kokakola e nga një çokollatë. U gëzuan sikur iu dhurova qiejt. Ato sa i morrën shkuan nga dhoma tjetër. Babe e bijë më shihnin në sy. Deri në ato momente nuk kisha vendosur. Hodha sytë mbi Hënën. E bukur si hëna në pragmbremje. O Zot, ç’të bëja me atë bukuri?!

          -Dakord, nesër pa gdhirë, unë e Hëna do të nisemi!

          Erdhëm në Athinë. Dy muaj kështu, si të martuar, por në fakt nuk kam fjetur asnjë natë me të.    falni që po flas kështu, por ju them një të vërtetë. As e kam puthur. Si ta kem vajzën time. Arsyeja, deri tani, ka fituar mbi ndjenjën. Tani që ka hyrë pak në greqishten dua mos i gjej një punë, si gjithë vajzat e mira shqiptare. Një punë që të fitojë dhe të ndihmojë edhe familjen e varfër në Shqipëri. Prandaj ju lutem të më ndihmoni për një punë për Hënën.

          -Do të të ndihmojmë-i thanë të dyja grate në një gojë. Që nesër do t’i japim nga një ditë pune nga tonat. Telefin keni në shtëpi?

          -Jo-tha ai si i zënë në faj.

          -Atëhere na shkruaj adresën të vijmë sonte.

          Ai buzëqeshi me zor dhe u shkroi adresën.

          -Çfar të bëjmë? Na vajti vonë edhe për punë.

          -Ma lini mua këtë njeri të mirë-u thashë dy grave.

          Ato u larguan duke thenë:

          -Në darkë na ke në shtëpi, Hënën do ta ndihmojmë.

          Ai, i gëzuar, buzëqeshi…



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •