Lulekuqe-lulegjake
| Friday, 06.27.2008, 05:41 PM |  

(Një lulekuqe  që mbiu pa pyetur në zonën e ndaluar

      të oborrit të burgut e shkuli policia popullore…)

 

Lulekuqe-lulegjake

(që kur nuk të kam pare!)

Qysh mbive ti në atë lehë  me hije të lagësht të mbuluar?

Lulekuqet sikur përlqejnë më shumë gërmadhat

Dhe arat me grurë…

Qysh gjen lëng jete ti

në atë lehë për jetën të ndaluar?.....

Lulekuqe-lulegjake,

I kujt është ai gjak që të ndez faqet?

Po sytë e zinj të pikëlluar?

Motërzat e tua në grurë

E mbajnë kryet ulur si për nusërinë…

Ku e gjen forcën kërcelli yt i brishtë

Që nuk di të përkulet?

Kush ta jep , moj nusezë , krenarinë?

 

Në atë lehëzë të ndaluar

Kam këputur më të çelur

fletë e lule tërfili,

Kam këputur me gaz

Edhe një miturake blu si bebez vogëlushi,

Po ty vetëm të përshëndes

Me nderim e zemër të rënduar:

Dëgjoj një ligjërim të thellë nga ajo gojë e kuqe

Një ligjërim me gjak të shkruar…..

 

…..

Me atë mall që kam për fëmininë,

Dua të mbledh edhe lulekuqe

por…

këtë krenari të gjallë gjaku

që mbiu duke grisur hijen e murit,

që s’ pyeti vdekjen për të lulëzuar,

vetëm e përshëndes

dhe ligjërimi i saj pa fjalë

gjakut m’i jep vrrull për të kënduar!….

 

Sot në mëngjes nuk të përshëndeta dot

e gjakta lulekuqe!

(Ç’u bëre që të shkulën me rrënjë?!)

Qëndroj përpara vendit ku krenaroje ti

Si përpara një varri të hapur…

dhe ligjërojnë prapë syt e tu të zinj

fytyra jote e përflakur:

”…rrënjët që kam në zemëra

Nuk kanë fuqi të m’i shkulin rrënjëngrënët nga frika,

Ata që lehën e vdekjes

E kanë arë buke!”….

 

Burrel, 12. 08. 1981



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •