Mbeten të trashëgueshëm
| Wednesday, 08.06.2008, 07:21 PM |  

Elsa Demo

Ndryshon ligji “Për të drejtën e autorit”. Rinjihet pronë intelektuale e trashëgueshme vepra e autorëve që nuk është paguar në periudhën 1968-1991. Edhe për 23 vjet e drejta mbi krijimtarinë e Migjenit, Poradecit apo Kutelit iu njihet pasardhësve
Pritej që vepra e Migjenit të bëhej pronë publike këtë gusht meqë mbushen 70 vjet nga vdekja e shkrimtarit shqiptar (1911-1938). Por ndryshimet në ligjin “Për të drejtën e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me të”, kanë përmbysur diçka brenda atyre që njihen si parime universale për administrimin e pronës intelektuale. Për rastin e Shqipërisë ndryshimet në këtë ligj lindën si nevojë për të korrigjuar atë trajtim që i ishte bërë nën diktaturë produktit intelektual të një grupi autorësh.

Më 26.06. 2008 është miratuar nga Komisioni i Ligjeve i ashtuquajturi “amendamenti Ceka”, tek i cili deputeti Neritan Ceka propozonte njohjen e të drejtës së autorit për një periudhë 23-vjeçare, duke mbajtur parasysh që ndërmjet viteve 1968-1991, kjo e drejtë iu është shkeluar autorëve nën diktaturë.

Ceka kishte argumentuar se njohja e të drejtës së autorit deri 70 vjet pas vdekjes, nuk mund të funksionojë në Shqipëri për disa shkrimtarë që kanë vdekur para apo gjatë periudhës 1968-1991. “Duhet që kjo periudhë të mos hyjë në llogaritjen e viteve”, propozonte Ceka. Migjeni ka qenë autori me të cilin ai e ka mbrojtur tezën për amendamentet. Millosh Gjergj Nikolla është ndarë nga jeta në vitin 1938, por “që nga viti 1968 familja e tij nuk mori asnjë honorar për të drejtën e autorit. Këtë vit mbushen 70 vjet nga vdekja dhe sipas ligjit të vitit 2005, pas vitit 2008 nuk funksionon më e drejta për këtë autor.”

Me miratimin e këtij ndryshimi në ligjin nr. 9380 datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me të”, “ngushëllohen” jo vetëm ata autorë që s’kanë lënë fëmijë, po edhe ata që kanë lënë trashëgimtarë të tjerë, si për shembull Lasgush Poradeci apo Mitrush Kuteli, të cilëve që nga viti 1968 deri më 1991 nuk iu është paguar ribotimi i veprave.

Kështu, rezulton që trashëgimia e veprës së Migjenit si pronë private të vlejë deri në vitin 2031. Për autorë të tjerë bëhet llogaritja sipas vitit kur ka vdekur autori. Për Lasgush Poradecin, e drejta e autorit duhet të paguhet deri në vitin 2050 dhe për Mitrush Kutelin deri në vitin 2053.

Sipas, Neshat Tozajt, drejtor i Albautorit, ky ndryshim në ligj refuzon njohjen në bllok për kohëzgjatjen e mbrojtjes së të drejtave të autorit, sepse Shqipëria është një vend që ka pasur specifikat e veta në këtë drejtim. Ai i quan të paargmentuara kundërshtitë që i janë bërë amendamenteve dy muaj më parë kur u diskutuan në Kuvendin e Shqipërisë. “Ligji nuk mund të veprojë njëlloj për të gjithë krijuesit. Atyre që kanë qenë të burgosur, të internuar, që iu është hequr e drejta, duhet t’iu kalkulohen këto vite dhe t’iu zbriten nga 70 vitet e njohjes së trashëgimisë intelektuale.

Në këtë mënyrë ligji zhvillon karakterin e tij humanist. Vullneti i ligjvënësit kërkon respekt për ata që vuajtën”,- thotë Tozaj i cili prej vitesh drejton një nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtës së autorit. “Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një individ po për një kategori sociale, prandaj miratimi i ndryshimeve në ligj duhet përshëndetur”.

Tozaj i përgjigjet argumenteve kundër amendamenteve, kundërshti që në fakt erdhën nga deputeti Besnik Mustafaj. Sipas këtij të fundit propozimi i Cekës ishte sjellë deri në Kuvend “për interesa të vogla dhe personale të zotit Ceka”. Mustafaj pohonte që shkrimtarë si Migjeni “nuk kanë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë... Pas dy vjetësh Fishta dhe Konica bëhen vepër publike dhe as këta nuk kanë lënë pasardhës. Ne po bëjmë një lojë me kohën për të shpërblyer trashëgimtarë shumë të largët që mund të ketë një autor. Kjo nuk është bërë në asnjë nga vendet e Lindjes. Nëse do të vazhdohet t’i merret e drejta e autorit Migjenit apo Konicës e Fishtës pas dy vjetësh, atëherë në mënyrë të pashmangshme kjo do të ndikojë në kufizimin e shpërndarjes së këtyre veprave.”

Po cilët autorë të tjerë do të përfitonin nga këto ndryshime në ligj?

Pra si do të bëhet klasifikimi i autorëve që iu është “ngrënë haka” dhe nuk janë paguar për 23 vjet? Çfarë kriteresh dhe rregullash do të hyjnë në lojë?

“Zbatimi i ligjit kërkon që të aprovohet njërregullore apo të vendosen kritere se cilët do të përfitojnë nga këto ndryshime, sepse duhet të kemi të qartë që kohëzgjatja e veprës konvertohet në para për trashëgimtarët edhe për 23 vjet”, thekson drejtori ekzekutiv i “Albautorit”, Neshat Tozaj.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka dekretuar ligjin që në fillim të muajit korrik dhe pritet të botohet së shpejti që në Fletoren Zyrtare. Pastaj hyn në fuqi.


Shekulli

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •