Daut Demaku: Për librin e jetës dhe iniciativën e mrekullueshme
| Sunday, 08.10.2008, 05:53 PM |  

PËR LIBRIN E JETËS
DHE
INICIATIVËN E MREKULLUESHME

(Përkitazi me librin publicistik të Faruk Tashollit „Afaristë shqiptarë në Gjermani“, Prishtinë, 2008)

Nga Daut Demaku

Në traditën tonë kulturore dhe kombëtare – dokumentariteti – nuk ka pasë ndonjë vlerë. Kjo, si të thuash, për shkakun jetësor: nuk kemi pasë kohë as mundësi të mendojmë për gjërat qenësore që lidheshin me jetën, me ekzistëncën fizike, nuk e dinim a po na errë nata dhe a po na gdhinë drita, prandaj edhe nuk kemi pasë mundësi të mendojmë për vlerat e larta të njëmijë e një veprimeve të tjera që i bëjnë njerëzit në botën e civilizuar. Në kuadër të kësaj jete (“si lepuri nëpër qen”), nuk janë të pakta mungesat tona. E tash, në rrethana krejtësisht të reja, në një realitet të ri politik e kombëtar, mund të mendojmë dhe mund të veprojmë shumë më ndryshe dhe në mënyrë shumë më përmbajtësore dhe më domethënëse.
 Libri i Faruk Tashollit “Afaristët shqiptarë në Gjermani” për mua ishte një lajm, një shenjë se në rrugën e rritës sonë kulturore e kombëtare - po ndodh diçka e mirë, siç thashë: përmbajtësore dhe domethënëse.
  Për njerëzit që bashkëjetojnë me dhembjet dhe vuajtjet e popullit të vet në rrugën e gjatë e të mundimshme për krijimin e ndërtimin e KOMBIT ME PRESTIGJ, ky libër është lajm i mrekullueshëm, është iniciativë mahnitëse që dhuron gëzime konkrete. Pse?
 Përvojat e kombeve të tjera, që e kanë ndërtuar deri në perfeksion, rrugën e bërjës së kombit të suksesshëm, flasin qartë e saktë: derisa nuk ndërtohet bashkëpunimi i vërtetë i aristokracisë ekonomike dhe aristokracisë kulturore – dy shtyllat kryesore që e bëjnë kombin të jetë i suksesshëm – nuk mund të ketë rritë e zhvillim normal dhe funksional të asnjë vendi, të asnjë populli dhe të asnjë shteti.
 Sa herë flas për përvojat e të tjerëve, gjithnjë kam parasysh hebrenjtë, populli më i organizuar dhe më i vetëdijshëm në planetin TOKË. Për këtë popull që nuk janë as dhjetë milionë banorë në tërë botën nuk dua të flas më shumë përveç këtyre të dhënave: E para:  mbi 50 përqind e nobelistëve vijnë nga dhjetë milionë banorët e këtij populli, kurse 50 përqindshin tjetër e përbëjnë të gjashtë miliardë banorët e tjerë të botës. E dyta: emrat më të mëdhenj në botë nga lëmi i shkencës, ekonomisë dhe kulturës vijnë pikërisht nga ky popull. Tre: sot pjesëtarët e këtij populli komandojnë kapitalin e botës. (Me humor thuhet: kur lëviz një gisht i hebreut  të organizuar në Amerikë – tronditen të gjitha berzat e bankat në botë!)
 E qysh e arritën këtë mrekulli hebrenjtë?  Përgjigja është aq e thjeshtë sa gjason me një përrallë për fëmijë, por një PËRRALLË-FARË, që ka domethënien dhe vlerën e miliona jetëve.
 Në kohën e rrezikut të madh kombëtar për hebrenjtë, atëherë kur i hodhën në det dhe nuk kishin asnjë copë tokë për varre – atëherë paria e tyre e bëri betimin: u betuan në qiell e tokë, në Zot, në flamur e në komb se të gjithë pjesëtarët e këtij kombi tërë jetën do të punojnë për VIKTORINË. Dhe ky betim do të përcillet me vendosmëri – brez pas brezi. E ç’është viktoria? Viktoria (shqip: fitorja) janë dy gishtat e ngritur në formën e gërmës “V”, që me aq dashuri i ngrisnim edhe na në fillim të viteve nëtëdhjetë. Kjo germë formohej prej dy vijave: vija e parë: DITURIA dhe vija e dytë: PASURIA. Paria hebreite e dinte se kur bashkohen dituria dhe pasuria – nuk ka më fuqi në botë që mund ta pengojë rrugën e realizimit të qëllimeve politike, ekonomike dhe kombëtare.
 U tha, u bë. Dhe sot e kësaj dite viktoria është yll prijetar i këtij kombi me prestigj të lartë në gjithë botën e civilizuar.
 Prandaj edhe thashë në fillim se pa bashkëpunimin e thellë e të sinqertë të aristokracisë kulturore dhe ekonomike – nuk mund të arrihet asgjë. Këtë nuk e them unë, e thotë përvoja e atyre që vërtet dinë dhe kanë ditur ta kalojnë e ndërtojnë me shumë sukses rrugën e ndërtimit të kombit.
 Në këtë aspekt, prandaj, këtë libër e shoh si FARË e vogël, që po hidhet në tokë të plleshme dhe prej saj, nesër e më vonë, do të bëhet një bjeshkë e madhe dhe krenare.
 Momenti tjetër, që më shkakton kënaqësi të madhe e që lidhet me këtë libër, është ky: në përvojën time mbi njëzetëvjeçare të studimit të literaturës inspirative, kam nënvizuar disa momente, prej të cilave për këtë rast po i ndaj dy.
E para: shkolla e VUAJTJES është shkolla më e fuqishme në botë, sepse vuajtja njëherë të jep mësimin, pastaj provimin. Të gjitha familjet e mëdha europiane, që nuk i kanë lejuar fëmijët të hyjnë në vuajtje, madje as të hanë e të vishen vetë, që të gjitha kanë prodhuar debilla, njerëz të paaftë për jetë. Fëmijët e tyre, në momentin e parë kur janë përballë më ndonjë pengesë, atypëraty janë dorëzuar dhe kanë hequr dorë nga përpjekjet.
 Në këtë kontest: kush janë afaristët shqipatarë në vendet europiane? Ata janë njerëz që me shumë sukses e kanë përfunduar shkollën e vuajtjes dhe, prandaj, atyre iu takon ardhmëria. Kur t’i lexosh me vëmendje rrëfimet e tyre, kur t’i analizosh fillimet dhe vështërsitë e fillimeve, tek secili do ta takosh vuajtjen dhe vetëm vuajtjen. Të gjithë si një kanë hapur rrugën e jetës me përpjekje mbinjerëzore, me punë të madhe, me vendosmëri të paparë dhe, natyrisht, suksesin e kanë pasë të garantuar. Suksesi i kësaj rruge është i ëmbël dhe ta finikëron shijen.
 Nga ky kënd duhet parë edhe përvojën e të tjerëve: mbi njëzet qytete të botës arabe mbajnë emrat: Jetim Filani, Jetim Fisteku, sepse jetimët, duke qenë përjetues realë të vuajtjes, kanë arritur ta ndërtojnë jetën e suksesshme dhe kanë bërë edhe qytete të tëra.
 E shihni, prandaj, sa e madhe dhe domethënëse është iniciative për bërjën e këtij libri të mrekullueshëm.
 E dyta: e kam një kujtim timin, familjar, që më duhet ta them me këtë rast: stërgjyshi im, kur i mbushë të tetëdhjetat, i thonë djemtë: mos puno më, mjaft ke punuar, rri në kullë dhe prit mysafirë. Plaku pajtohjet me një kusht: të ma  lëvroni bahçen e kullës, sepse mysafirët nuk rrinë ditë të tëra me mua, e unë mërzitem pa punë. Djemtë e dëgjojnë. Bahçja e kullës ishte e vogël, as pesë ari vend. E lavrojnë djemtë, e plehëron plaku dhe e mbjell duhan. Me punë, plehërim, ujitje e kujdes, duhani, thonë, bëhej dy metra. E përpunonte ngadalë e më kujdes dhe, një Kurtaj i katundit tim, vinte shpesh dhe e merrte nga një okë duhan të grirë. Kështu një kohë të gjatë, dhe një ditë, ai burrë i Kurtajve i thotë: - Mixha Arif, u banë 48 okë duhan, nëse m’i jep edhe dy okë – po t’i jap Logjet e Abrisë.
Stërgjyshi im i thotë: jo, bre bir, nëse m’i jep Logjet po t’i japë edhe 52 okë duhan. Dhe kështu edhe ndodh… Logje quheshin livadhet në mes të dy Abriave, toka më e mirë që edhe në verën më të thatë – ta shtrëmbëron hambarin.
                Dhe kështu, nga puna e një plaku tetëdhjetëvjeçar, unë brezi i katërt e kam një arë të mirë në ato logje…Dhe pikërisht ajo tokë na ka mbajtë që të mos i nështrohemi kurrë pushtetit.
                 Pse e thashë këtë tregim të vogël? Një: që nga puna e vogël lindin rezultate të mëdha dhe dy: nuk e di çka do të jepja sot po ta kisha VETËM NJË FOTOGRAFI të atij stërgjyshi të mirë, që me punën e ndershme, në moshë gati të perënduar, me dorën e punëtorit të urtë, na la trashëgimi (tash gati 15 familjeve) një burim të të ardhurave të pastërta.
 Emrat që prezentohen në këtë libër, duhet të shoqërohen me fotografi, me të dhëna jetësore, që i kishte sitemuar autori në mënyrë të mrekullueshme, por në asnjë mënyrë kjo punë të MOS NDALET. Imagjinoni nipat e stërnipat e të prezentuarëve me këtë libër në dorë. A ka krenari dhe investim më të mirë dhe më domethënës.
 Kjo do të jetë edhe një dëshmi, një pasqyrë dhe një dokument se Kosova gjithnjë prodhon njerëz të suksesshëm. Dhe, në përmbyllje do të them këtë: njerëzit e suksesshëm janë shkollë e vërtetë prej të cilëve MËSOJNË SHUMË DHE MËSOJNË MIRË të gjitha brezat. Këta njerëz e kemi për detyrë t’i ngrisim sa më lartë, sepse: ata i përngjajnë diellit, sa më lart të ngriten, aq më shumë dritë e ngrohtësi dhurojnë. Sot kjo punë duket e vogël, por nga fara rritën lisat e lartë.
 Uroj që ky fillim i mbarë të ketë edhe rezultate të pastërta.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30