Ejup CERAJA: HAJKU TË MBËSHTJELLA ME TIS METAFORIK
| Tuesday, 08.12.2008, 07:19 PM |  

Recension

HAJKU TË MBËSHTJELLA ME TIS METAFORIK

Kujtim AGALLIU: “RRËKEZA TË HAZDISURA” – HAIKU, Egnatia, Tiranë – 2005

Nga Ejup CERAJA

Në vend të hyrjes

E rilexova me përkushtim dhe me interesim të shtuar librin “Rrëkeza të hazdisura” të poetit Kujtim Agalliu. Dhe, m’u përforcua edhe më bindja nga leximi i parë se kisha para vete një libër të mirë dhe me përmbajtje cilësore të poezisë haiku. Që në fillim do theksuar se Kujtimi është një njohës i mirë i poezisë haiku në dy rrafshe përnjëherë: në rrafshin tematik e motivues dhe në rrafshin teorik. Kujtimi në këtë përmbledhje me poezi haiku edhe di, edhe ka aftësi t’i “saldojë” mirë brenda tre vargut të hajkut të këtushmen me të tanishmen, duke iu përmbajtur porosisë së poetit të madh japonez me famë botërore Basho-it, i cili, cituar sipas Milianov Kallupit, thoshte: “Gjithçka që shkruhet brenda kuadrit të tre vargjeve duhet domosdoshmërisht të jetë e këtushme dhe e tanishme”.

Fuqizimi i poezisë haiku përmes shprehjes metaforike  

Kujtimi nëpërmes poezive të haikut të kësaj përmbledhjeje, duke kënduar për lulet, barin, pemët, perimet, shpendët e të të gjitha llojeve, kafshët qoftë shtëpiake, qoftë të egra, florën dhe faunën të vendlindjes dhe të atdheut, pothuaj se nuk ka lënë sferë të jetës përreth pa e kënduar herë me zë bilbili, kur poezitë shprehin anët më të bukura të jetës, e herën tjetër me zë ca më të mekur, kur poezitë simbolizojnë anët e kundërta të asaj që e shprehem më lart. Kështu Kujtimi kur është optimist dhe kur këndon për anët e bukura të jetës nga mendja, përmes penës së tij, rrjedh vetëm mjaltë nga hojet krijuese. Por, kur këndon për anën e zymtë të jetës, që është pjesë përbërëse e patjetërsueshme e saj, mjalti, nga hojet krijuese, sikur del, të themi kushtimisht,  më pak i kristaltë, që edhe nga kjo anë vërtetohet ajo që shprehet përmes poezive të tilla të haikut... 

Për t’i dalë poezitë e haikut sa më të mbrujtura, Kujtimi, te këto poezi, soditë me vëmendje të koncentruar objektet e natyrës, që e rrethojnë dhe mrekullitë e dukshme dhe të padukshme  të tyre, duke i tabanuar ato në imagjinatën e vet krijuese. Të gjitha ato që janë të dukshme, të prekshme e reale, në një anë, por edhe ato që mund të merren me mend si dhe dramat që mund të ndodhin brenda tyre, në anën tjetër janë pjesë të pandashme të temave e motiveve për poezitë haiku të tij. Pra, të gjitha këto Kujtimit i shërbejnë që t’i zbukurojë dhe t’i gjallërojë vetvetiu poezitë për t’i dalë sa më të fuqishme tematikisht dhe sa më të mbrujtura artistikisht. Kujtimi, të themi shprehimisht se në këto poezi të haikut e përjeton me shpirt natyrën, duke  e bartur atë në çdo poezi të haikut të vet. Dhe, për t’i dalë poezitë e haikut sa më të natyrshme, Kujtimi, len përshtypjen se bëhet njësh me sendet e gjërat që ia ofron natyra. Sepse nëpërmes poezive të tilla është vetë shpirti i tij prej artisti krijues... Është uni e tij prej poeti...

Siç e theksuam në mes titull edhe te Kujtimi, si te çdo poet tjetër i mirëfilltë i poezisë haiku, për ta shprehur sa më fuqishëm brendinë e tre vargut të haikut sikur nuk i mjafton vetëm e këtushmja dhe e tanishmja, pa një mbështetje të fortë metaforike. Për ta bërë sa më bindës këtë konstatim  po e ilustrojmë me dy-tri poezi haiku drejtpërdrejt dhe me ca fragmente haiku të tjera, që të hetohet bukuria e haikut edhe nga ky rrafsh: “Syri i diellit,/ bar i harlisur i lindjes./ Shtatzëni e verës”. Secili nga tre vargjet e këtij haiku bart në vete një metaforë kuptimi. “Syri” në vargun e parë është metaforë e bukur e këtij vargu për emrin pasues “dielli”. I tërë vargu i dytë është një lokucion metaforik. Kurse fjala “shtatzënë” e vargut të tretë është një metaforë e qëlluar për emrin “verë”, që përfaqëson stinën më të ngrohtë të vitit, kur zhvillohet e bymehet çdo gjë në natyrë, për ta marrë formën përfundimtare..., ose “Breshëri/ me plumba të akullt qëlloi. Luleshtrydhet vdiqën”. Sa bukur e fuqishëm tingëllon mes vargu i këtij haiku. Kështu krijohet një haiku i arrirë. Edhe te vargjet e fragmenteve: “xhepat e flatrave”, “Pjeshkëzës së gjoksit”, “gjuhën e zjarrtë”, “zë/ kujtime dashurie” etj., etj., gjejmë haiku me shprehje të fuqishme e të qëndrueshme metaforike... Nga shembujt e zënë ngoje Kujtimi del vërtet mjeshtër i vargut në rrafshin metaforik, që e bënë poezinë, në përgjithësi e poezinë e haikut, në veçanti më të fuqishme shprehimisht dhe më të mbrujtur artistikisht.

 Në këtë përmbledhje me haiku të Kujtimit gjejmë, pra, motive të llojllojshme të trajtuara me përkushtim, me dashuri, por edhe me dhembje, kur kanë për temë të metat tona si shoqëri... Të  gjitha ngjarjet me peshë si në atdheun e poetit, ashtu edhe në Kosovën e martirizuar, veçanërisht në dekadën e fundit të shekullit që sapo e kemi lënë pas sikur janë tabanuar në kujtesën e poetit dhe ia ngacmojnë herë pas here unin e tij krijues prej poeti...

Një vend jo edhe aq të parëndësishëm në haikut e Kujtimit zë edhe kurbeti, kjo plagë e vjetër e jona, që na u ngjit si tutkalli në dru e nuk na u nda nëpër shekuj, se: ”Shtegtim zogjsh drejt perëndimit./ Në xhepat e flatrave,/ pasaporta pa viza”.

Në këtë përmbledhje të bukur me haiku, Kujtimi, si çdo poet tjetër i ri apo i moshuar qoftë ai, nuk e lë pas dore edhe anën e hareshme e të gëzueshme të jetës që na rrethon, e cila sjell harmoni e lumturi gjithandej trojeve tona - temën e preferuar, që është e vjetër sa edhe vetë jeta, e që është bukuria vetë - dashurinë së paku në dy rrafshe përnjëherë: në rrafshin e atdhedashurisë dhe në rrafshin e një idili kuptimplotë. Të motivuara nga rrafshi i dytë janë haikut: “Pjeshkëzës së gjoksit tënd,/ me gjuhën e zjarrtë/ ia heq pushin.”, ose “Hedh tojën në liqen, /zë/ kujtime dashurie...”, etj.

Por edhe vendlindja poetin e ngacmon hera-herës, duke ia xigiluar kujtimet, se: “Vendlindja./ Mbi zallin e lumit/ lexoj kujtimet.”

Te haiku: “Jeta ime/ lindi pa diell,/ po perëndon me muzg”, hetohet një lloj pesimizmi i lehtë, nëse mund ta quajmë kështu. Por, kur të kihen parasysh koha e lindjes dhe koha e rinisë së poetit...

Përfundim

Poezitë, përkatësisht haikut e Kujtimit në këtë vëllim kanë reflektimin, qartësinë e kthjelltësinë e ujit të një liqeni malor. Sa për mendimet e shprehura në to, po  aq edhe për përshkrimin me besnikëri të fenomeneve të natyrës përreth, në një anë dhe simbolikën e tyre, në anën tjetër...


Janar 2008

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •