Atje ku gjenden fjalët
| Friday, 03.02.2007, 12:49 PM |  

Asht mesi i verës dhe më kanë xanë ethet. Mërdhij si édhi dimnit. Duhet të jem shumë i smundun. Mjeku jem i lagjes nuk më ka dhanë asnjë shpresë, nuk ia ka idenë se çfarë lloj diagnozet mundet me më shkrue në kartelë. E shoh se si vuen tuj më pa kah dridhem si qen. Më jep një letër për mikun e tij, mjek i famshëm që punon në spitalin ushtarak. Nuk e di kah më vjen qetësia dhe humori por më vjen me qeshë me të. Asht aq i mërzitun sa më duket sikur po merr pjesë në vorrimin tem. Marr letrën dhe largohem pa trishtim tuj u dridhë si gjithnjë. Kujtohem për ethet e arit, dhe ato tropikale dhe kënaqem tuj u rrejtë se ndoshta mos më ka shkue në mend o mu e ba i pasun o me marrë pushimet në Afrikë. Por e di mirë nuk asht asnjena prej këtyne. Ethet janë të bezdisshme. Ma besoni, por jo gjithmonë, e rasti jem ban përjashtim. Ethet e mia më sjellin një lloj kënaqsie që ngjet shumë me orgazmën. Nuk asht hera e parë që më xanë këto lloj ethesh. Kajherë e shtyej vedin me mbërritë në gjendje të këtilla, sepse due me provue se sa arrij me mbajtë. Kurrkush ma mirë se unë nuk e din se çka kam. E shkyej letrën që kishte me marrë mjeku i famshëm në spitalin civil. E di mirë se kur mjeku jem i lagjes nuk ma gjen llojin e ethes, s’duhet me u shqetësue aspak..

Ky asht rasti me thanë se më kanë xanë ethet e fjalëve. Kam nevojë për doza fjlalësh pa të cilat ethet do të më vazhdojshin pa fund. Sa dal në rrugë e ndiej vedin ma mirë, temperatura bien, dridhjet nuk janë aq të shpeshta sa ma parë. Në rrugë ka shumë fjalë por jo të tana janë ato që më duhen mue. Gjej ndoj fjalë tek tuk, dhe nisem me shkue në klubin ku gjej miqtë e mij. Miqtë janë të rrallë, kjo nuk asht edhe aq e nevojshme me u kujtue, mandej me miqtë edhe duhet me ndërrue ndoj fjalë, se nuk shkohet me takue miqtë si nusja në dasëm. Rrin sa rrin me miqtë dhe nisesh prapë për rrugë, edhepse ethet vazhdojnë. Biblioteka asht një vend jo i keq, gjen fjalë sa të duesh, mundesh me kërkue dhe ka boll prej tyne. Libra të tanë të rreshtuem për bukuri nëpër rafte janë të mbushun me fjalë, por e ve re se as këtu nuk gjenden fjalët që kërkoj, e kam provue edhe me lexue katër pesë libra në ditë, nuk asht se ethet më kalojnë. Me fjetë në bibliotekë as më shkon ndër mend. Ndoshta pluhni i bibliotekës asht arsyeja. Ndoshta gazetat, që më krijojnë alergji. Pulla të mëdhja e të kuqe më dalin veç kur i shoh.

Fjalët e grave kajherë bajnë dobi, por më asht mësue trupi edhe me këto. Tash jam i ngopun dhe ethet nuk e hanë ma atë tek me u ngi me çdo gja. Ka raste që disa lloje fjalësh më kanë ba edhe reaksion të fortë. Edhe jam helmue. E kam hjekë të zitë e ullinit me e marrë vedin. Kështu e shoh se duhet me u hallakatë, me vjedhë ndoj fjalë të re, jo në kuptimin e fjalorit, por që xen vend, në boshllekun e krijuem prej të folunit të gjatë. Provoj çka të mundem, veç e veç me u ndie edhe një herë normal si të tanë. E ndiej se ethet nuk po duen me mu largue kët herë. Po kaqe shumë thue ta kem teprue tuj folë, sa këto dreq ethesh nuk po më dahen? Nuk duhet me folë kaq shumë! Jo, jo me folë nuk ka asgja të keqe por kajherë asht mirë mos e teprue si me alkoolin. Ban dam! E shof në trup temin, me të vërtetë në fillim asht e kandshme por mandej edhe orgazma që zgjat shumë fillon e bahet e zakonshme, në fund të fundit orgazma prandaj asht kaq e bukur se kryen shpejt.

Kësaj here e kam teprue fort. E shof se nuk kam rrugë tjetër!

E di se asht shumë e rrezikshme. Por jam randë! Nuk deshta me mbërritë deri këtu por asht e detyrueshme. Duhet me ndejë vetëm, pa folë. Krejt vetëm. Unë nuk jam jam edhe ndoj tip asocial, por kajherë ma don trupi, vjen një pikë kur ethet e fjalëve bahen të padurueshme sa më vjen me shkye ndokend në rrugë. Kështu sa me u kthye në një kriminel të zakonshëm, ndryhem. Nuk e çili gojën me më mbytë. Derisa ethet të më lëshojnë. Vetmia asht i vetmi ilaç. Asht vendi ku gjenden fjalët. Shof se si në vetmi fjalët më vijnë e të ulen në prehën si zogj të truem. Futen kadalë nën lëkurë dhe e ndiej se si ethet më dalin pakepak. Nuk ka gja ma të bukur se sa me u ndie edhe një herë normal. Mbushem mirë e mirë me këto fjalë të bukura, të mrekullueshme dhe jam gati me marrë malet. Ethet po thuej më kanë lëshue krejt. Fjalët që kanë mbetë jashtë nuk dinë çka me ba, nuk ka ma vend, shohin mirë e mirë mos ka mbetë ndoj cep ku me u fytë por të tjerat janë tregue ma të shkathta. I marr në dorë e i fus ndër flokë, nëpër xhepa, ku të mundem, vendi mbushet plot e përplot me fjalë. Shkoj poshtë ndër fqinjë dhe mundohem me i rrejtë me biseda të kota nësa fjlët xanë vend, gjithkund ndër shpi të huej. Hajt se kanë me iu dashtë tham me vedi. Ka kaq shumë fjalë o Zot, pa fund.

Jam tuj shkelë ndër fjalë, kam frikë se mbys ndojnjenen. Rri pa lëvizë. I heshtun, plot me fjalë që nuk mund t’ia tham kurrkujt. Çohem në kambë dhe shof se si boshsia që la mbushet meiherë. Jam i tmerruem, aq shumë fjalë më sillen rrotull. Filloj e flas! Përnjëçast pamja ndalet. Fjalët më shohin me dyshim nëse isha unë apo hyni ndoj fjlalë prej jashtë. Dhe fjalët e thanuna luftojnë kundër atyne të pathanuna, më kot. Lufta asht e pabarabartë. Prej frikës ia nisi me këndue me za të naltë, por prapë s’ka asnjë dobi. Prapë e kam teprue, kam tre vjet që rri vetëm pa folë dhe fjalët e pathanuna janë të panumërta. Dal me vrap jashtë në rrugë dhe gjej njeriun e parë e i tham njëmijë fjlaë përiherë, fjalët e pathanuna mbysin qytetarët e shkretë që shkojnë në punët e tyne, e më shohin të tanë si të marrë, derisa pushoj, përfundimisht, pushoj. Shof kërdinë që asht ba në piacë si me pasë kalue ndonjë tren me shtatëqind revolucione, gjak, të plagosun që thërrasin ndihmë, një fjalokaust, një fjalëhauzen, një ditë shën Bartolomeu e jashtëzanshme, e lodhshme, e përmortshme asht shtrie në piacë. Një varr gjigand ku fjalët vrasin si plumbat… Jo jo, asgja nuk ka ndodhë, mos u shqetësoni kot, nuk asht krejt kështu siç jua përshkruejta unë, unë gjithmonë e teproj, po deshët hidhni sytë në piacë, asgja nuk ka ndodhë të tanë vazhdojnë të shkojnë në punët e tyne, pa asnjë shqetësim. Si gjithmonë asht thjesht mesi i verës dhe njerëzit me çadra diellit shkojnë ndër shpia të veta e fjalët nuk duken kurrkund.

Qershor 2003



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •