Poezi nga libri "Puthja e fundit''
| Wednesday, 08.20.2008, 10:43 PM |  

puthja e fundit

 

Ti nuk do që t’na braktisësh,

në sytë e tu rrjedh një lot.

Ke dashuri pafund për jetën,

por midis nesh s’të mbajmë dot!

 

Po ikën, po shuhesh ngadalë,

gjithë lutjet e mia shkuan kot!

Zoti po të rrëmben prej nesh,

nuk kam më kujt t’i besoj.

 

Ky lotth, që ta fshij me dorë

përpara se të mbërrish atje,

mban gjithë dashurinë tënde

për ne të tria, vetëm për ne.

 

“Nënë, shpirt!”, pëshpëritim,

por ti po tretesh ngadalë.

S’çel dot as sytë, s’na dëgjon,

dhe kjo është hera e parë...

 

Veç buzët e tua në një puthje

i mbledh kur të vijmë pranë.

Sa ndjenjë ke brenda teje,

as vdekja s’mundet ta marrë!

 

Puthja më e ngrohtë, e pafaj,

ndonëse po largohesh nga ne.

E fundit... kujtim i dridhshëm

përpara se të mbërrish atje.

 

Zëra të largët të thërrasin,

vetëm hijet të presin tani...

Po ikën, askush s’të mban dot

dhe shpirti im bashkë me ty!

 

 

Besoja te mrekullitë

 

Dhe kur trupi yt ishte i ftohtë,

kur duart ishin mbledhur kryq,

kur buzëqeshja jote kish ngrirë,

unë ende besoja në mrekullitë.

 

S’të kisha parë kurrë të heshtur,

çliruar nga shqetësimet për ne.

Pa lëvizur, buzëqeshja e paqtë

në fytyrën e bukur zinte vend.

 

Të prekja, të puthja mijëra herë,

dilja pak dhe kthehesha sërish.

Ti, rrethuar nga kurorat me lule,

e pavdekshme ngjaje, si perëndi...

 

Ato çaste mendoja se, papritur

do ngriheshe dhe: “E gjitha kjo, -

do t’na thoshe duke buzëqeshur, -

s’ishte gjë tjetër veç një lojë!”.

 

Dhe kur trupi yt ishte i ftohtë,

kur duart ishin mbledhur kryq,

kur buzëqeshja jote kish ngrirë,

unë ende besoja në mrekullitë.

 

Një fije jete

 

Dallgët e zemëruara përplasen në breg,

shndërrohen në hiç - shkumë të bardhë.

Unë flas me heshtjen. Plot muaj që pres,

asnjë sinjal prej teje jo, nuk kam marrë.

 

Asnjë zë, pëshpërimë, prekje apo puthje,

megjithëse jam vënë e tëra në përgjim.

Kërkoj gjithandej me sytë nga qielli, ajri

çdo gjë është një boshllëk pa mbarim...

 

Nëse shpirti yt nga trupi do t’ishte ndarë,

nëse një fije jete do t’kishte atje përtej,

Nënë, ti që na deshe sa e gjithë bota,

një çast të vetëm do t’vije midis nesh!

 

Doja të t’thosha

 

Doja të t’thosha: “Atë ditë ishe

siç të kisha njohur në jetë.

Largimi yt - mbushur dhimbje,

Ti - e bukur, e qeshur e qetë!”

 

Doja të t’thosha se, tani që s’je,

ma kanë shkëputur forcërisht

dëshirën për të jetuar, për t’prekur

ëndrrat thellë në shpirtit tim.

 

Doja të t’besoja një sekret:

ndihem xheloze, çuditërisht,

për të gjithë ata që jetojnë

shumë, shumë më tepër se ti!

 

Doja të t’tregoja biseda të vogla,

pasiguri që fshihen ende tek unë.

Që kur ike, asgjë s’ka ndryshuar,

zhgënjimet e mia s’kanë fund!

 

Por ti je larg, je shumë thellë,

zëri im nuk mbërrin dot tek ti.

Në botën e paqtë ku tani jeton,

thërrmohen tingull, zë e dritë.

 

Doja të t’thosha...

 

 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •