LETRA...
| Friday, 08.22.2008, 05:46 PM |  

Dhe, më në fund, Bardhi ishte detyruar të dilte në një cep të kryqëzimit të rrugëve për t’i shitur ata pak libra të bibliotekës personale, që me mund e shpirt nën dhëmbë, siç i thonë një fjale, e kishte krijuar, duke ndarë nga kafshata e tij dhe e fëmijëve, nga rroga edhe ashtu e vogël e profesorit. I kishte nxjerr Bardhi “në treg” çdo ditë pune titujt e librave, sipas radhës, për t’i shitur sa për t’u blerë fëmijëve e veti bukë edhe thatë qoftë. Dhe, sa herë që i ishte shitur ndonjë libër më vete kishte menduar: “S’paskam bërë edhe krejt investime të kota në këta libra, kur ndaja nga kafshata e gojës...” Po...  Atëherë kishte pak libra... Ndërsa blerës të tyre...

Aso kohe blerës i rregullt i librave të Bardhit, për çdo ditë pune, ishte profesori F. Dy ditët e para Bardhi ishte i kënaqur me profesorin F., po ditën e tretë ishte  zhgënjyer shpirtërisht në te.  Nga i kishte lindur zhgënjimi Bardhit? Ditën e tretë profesori F. iu kishte afruar Bardhit si rëndom. Ia kishte kërkuar një libër dhe ia kishte paguar sipas çmimit. Po, për habinë e tij, ai ia kishte kthyer librin, që e kishte blerë ditën e parë. Bardhi, nga një veprim i tillë i profesor F., ishte çuditur. Po hëpërhë s’ia kishte thënë asnjë fjalë. Vetëm pasi ishte larguar ai me librin e blerë nën sqetull, Bardhi ishte kredhur në mendime: “Ku t’i marrë të hollat e t’ia jepi për librin që ma ktheu? I kam shpenzuar. Si s’ia ktheva paret për librin që e mori në vend të atij?... Ta thërras që t’i marrë të hollat për librin që ma pagoi...” E kishte kthyer kokën që ta thërriste, por atë s’e kishte parë askund. “Shpejt qenka tretur”. – kishte shtuar më vete.

Edhe të nesërmen ishte përsëritur e njëjta skenë. Prapë Bardhi  nga hutia kishte ngecur  pa folur asnjë fjalë. Pasi ishte çliruar pakëz nga ajo huti edhe jo aq e papritur, kishte menduar më vete: “Ç’është me këtë njeri kështu?... Së pari e blen librin. M’i jep të hollat për te, pastaj e kthen librin pararendës, pa m’i kërkuar t’ia kthej të hollat. Sigurisht i lë për t’i marrë tubë. E po ku t’i marr unë që t’ia jepi të gjitha tubë, kur unë brenda ditës i shpenzoj për bukë e për ca gjëra tjera më se të nevojshme?!... Hajde dje që më ra në befasi e u hutova, po sot?!... Më nuk do t’i jepi libër pa u sqaruar njëherë...”

Ditën tjetër profesor F. u interesua për “Don Kishotin e Manços” të Miguel de Servantesit Saavedrës.

Bardhi kishte rënë në hall. Si të vepronte?... Pas një hamendjeje i kishte thënë troç:

- Jo F., nuk mund të ta jepi.

F. e kishte pritur një reagim të tillë të Bardhit dhe i kishte shkuar buza pakëz si në gaz, po më shumë iu kishte dridhur si në vaj nga ngashërimi. Pas pak iu kishte drejtuar Bardhit:

- E përse?...

Bardhi ishte zënë ngushtë. “Ç’t’i them tash?...” – kishte menduar më vete kif e kif. Pas ca hamendjesh i kishte thënë:

- Sepse nuk kam nga t’i tuboj e t’i kthej paratë për librat që po m’i kthen.

Profesorin F. e kishin tradhtuar lotët. Nuk kishte mundur të  përmbahej. Ishte  kthyer në anën tjetër dhe i kishte fshirë lotët me shpinën e dorës së djathtë. Dhe, duke u kthyer nga Bardhi i kishte thënë me turpin e njeriut të zënë në një faj të madh:

- Jo Bardh. Kthimin e librave e paske kuptuar gabim. Këtë kthim të librave do ta kuptosh nga letra, të  cilën e ke brenda kapakëve të librit që ta ktheva. Letër që duhet të mbes mes meje e teje... Nesër do të bisedojmë për këtë.

Në mbrëmje, pas darkesh, Bardhi kishte lexuar:

“I dashur vëlla Bardh! Nuk mund ta marrësh me mend sa ngushtë e ndiej vetën kur po të afrohem për ta blerë ndonjë libër tëndin. E marrë me mend se shitja e tyre të rëndon tunxh në shpirt e të gërryen përbrenda si krimbi drurin e thatë. Po më bëhet sikur pjesë e fajit të detyrimit të shitjes së librave tua jam edhe unë. Edhe pse e di që ti e din se nuk është dhe nuk mund të jetë kështu. Sado që e njoh mirë karakterin tënd të fortë e të pathyeshëm, prapëseprapë diç më gërryen nga brenda... Por, e di fort mirë e di, që ti kurrë s’ke ecur në jetë kurriz kërrusur, as nuk do të ecish tash e tutje. Sepse në gjunjë mbesin vetëm ata që janë të dobët. Ata që janë me karakter të luhatshëm. Kurse të fortit, ata me karakter si burrat e dikurshëm të viseve tona epike, edhe nëse u vihet ndonjë ndërskamcë e rrëzohen për një çast, tubojnë forcë e energji të mjaftueshme për t’u ngritur e për të bërë rrugëtimin në jetë vertikal. Madje të drejtë si selvi. Ti përballë fatit njerkë për momentin, ke tubuar energji shtesë të mjaftueshme për ta sfiduar atë. Kështu të do vëllai. Dhe, e di se kështu do të jesh tërë jetën. E di edhe këtë se kjo furtunë do të kalojë. Ty dhe të tjerëve si ti kjo furtunë do t’ju dridhi ca, por nuk do t’ju gjunjëzojë, s’do t’ju përkulë.

Besoj se do të më kuptosh si vëllai-vëllain. Unë nuk po t’i kthej librat për t’i marrë prapë të hollat e mia. E çfarë kuptimi atëherë do të kishte pasur për ty blerja e librave nga unë, nëse ato t’i kthej sapo t’i lexoj?... Unë librat që po i blej nga ti po i mbaj dy deri në tri ditë. Po i lexoj dhe po t’i kthej prapë. Por jo për të m’i kthyer paratë prapa, por për t’i shitur ti ato prapë ose për t’i kthyer në bibliotekën tënde aty ku e kanë edhe vendin. Unë, të ta them të drejtën, shumicën e librave që po i blej nga ti i kam në bibliotekën time modeste. Por për të mos e kuptuar ti ndihmën time modeste si lëmoshë, po ta blej nga një libër për ta kthyer prapë, që ti ta shesësh sërish, ose, siç të thash, ta kthesh në bibliotekën tënde. Unë jam në punë dhe e marrë një rrogë, sado e vogël qoftë ajo. Kurse ti?!... Andaj këtë veprim timin, të lutem, mos e kupto si lëmoshë, po si shtrirje dore të vëllait për vëllain në momente të caktuara nëpër të cilat ngandonjëherë na e cakton fati të kalojmë qoftë si individ, qoftë si entitet.  Unë për aq kohë sa ti do të shesësh libra në këtë cep të rrugës për çdo ditë do ta blej nga një libër, do ta lexojë dhe do ta kthej prapë. A s’do të kishe vepruar edhe ti kështu?!...”

- Më falë vëlla!... – i kishte thënë Bardhi të nesërmen.      

Shkurt 2007 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •