Shkrimi i Zeqos shkon në Amerikë
| Sunday, 08.31.2008, 12:51 PM |  

Moikom Zeqo
Shkruan: Ben Andoni

Lajmi i fundit, që ka lidhje me të, është i thjeshtë. Ka botuar “Gjumashët e Efesit”. Një përmbledhje rrëfenjash për dervishët, filozofinë e tyre, mistikën...jetën. E ka pritur me padurim. Prej nga shumë javë të shkuara ka jetuar me botuesin, tipografët, që mundoheshin të vendosnin rregull në rendin e dervishëve të tij. Është botuar. Një fund i ri. Por nuk i ka mjaftuar sërish. Sepse jashtë tij, jeta lëviz në një kah që e lodh. Gjithsesi ka vendosur të institucionalizojë veprën e tij. Ku i dihet? Le të jenë, shprehet. Vetëm se ato janë shumë. Janë sigluar dhjetëra krijime. Shumë botime në shumë zhanre. Objekt, që i mbetet kritikës që t’i hulumtojë. Por, ajo s’bëzan. Më shumë merret me sipërfaqen. Të gjitha kanë pak rëndësi. Ai vetë, si njeri i letrave, ka kohë që është kapluar nga pamundësia nga bjerrja e vazhdueshme e vlerave të bashkatdhetarëve të tij. Nuk është më ndershmëria. Po ashtu edhe mirënjohja. Kjo e fundit, si një element që do t’i bënte make-up shqiptarëve, nuk ka mjaftuar.
Ka qenë një spostim në vitet ’70, që e hoqi përkohësisht nga botimi, por i dha mundësi të ndiqte një rrugë tjetër- arkeologjinë. Befas arkeologjia e pasionit të tij i shërbeu dhe poezisë, ashtu si shpesh kjo e fundit në vitet në vijim do t’i vlente pasionit të tij të gjallë për arkeologjinë. Ndërkohë, Moikom Zeqo, ka kohë që boton korpusin e poezisë së tij. Së shpejti është në shtyp Mischellaneos V. Një korpus poetik, që ka filluar që kohë më parë dhe që ka vijuar deri në ditët tona. Po pastaj? Ku i dihet. Pse duhet të dihet? Në fakt elementët e tij të sistemit figurativ janë të plotësuara me surrealizmin, “kurse substanca e poezisë nuk është kaq surrealiste, është një poezi tepër sociale dhe universale për nga tematika dhe ndijimet që unë kam për botën dhe universin”, shprehet ai..
Moikom Zeqo është i beftë. Por, jo në krijim. Sepse në metaforën e vështirë të tij arrihet përmes një sintezë, që nuk mund të plazmohet aty-për-aty. Por është i beftë në ide. Jo shumë kohë të shkuara, ndërsa Tirana hapërdahej pa fund në mugullirën politike ai do të shkonte në një qendër paraburgimi dhe do të dhuronte libra. 600 syresh. Një ditë do të jenë të lirë dhe libri do t’i qetësojë shpirtrat e tyre të trazuar, u tha gazetarëve, që kërkonin të dinin objektivin e largët e tij.
Në fakt, koncepti i tij, është shmangur shumë nga tradita poetike e ngurtë me të cilën e kanonizojmë shqipen. Ka një ndikim të autorëve bashkëkohorë, por edhe e mendimit sintetik të kohës. Për shumë njerëz, që marrin Miscellanous-in e tij, poezia duket e afërt dhe se një njeri me talent mund të shkojë lirisht tek ajo. Në fakt, ndodh ndryshe. Për Moikom Zeqon “poezia është mekanizmi më i ndërlikuar i intelektit njerëzor. Jo më kot edhe estetët me fjalën poezi gjeneralizojnë edhe të gjitha artet e tjera. Është shumë e vështirë poezia, madje sot ky është një problem i ndërlikuar në të gjitha vendet. Proza zë vendin e parë në marketim dhe poezia ka më pak lexues” do të shprehej në një intervistë për KULT. Sepse, në fakt, poezia nuk mund të jetë privilegj i gjithkujt. Në vitet e fundit Zeqo ka lëvruar shumë publicistikën gazetareske, ku ka bërë shumë përqasje të personazheve të njohura dhe ideve të tyre me realitetin tonë. I radhës, por jo i fundit ka qenë, ky i ditëve të fundit- “Gjumashët...”, një nga veprat që ai e ka adhuruar në të gjithë kohët e fundit.
Në fakt pa një njohje të mirë të krijimtarisë së mirë të poezisë së huaj do ishte e vështirë për të ngritur atë sistem interesant metaforik të tij, ku është e vështirë që të shkohet. E gjitha është pasojë e një formimi kulturologjik të veçantë, ku në një kaleidoskop kanë lëvizur arkeologjia, piktura, historia, sporti...Udhë të ndryshme, por gjithsesi të bukura dhe të parrahura.

Në SHBA
“‘Nuk dua t’ju shastis me metafora’ kjo është thjesht një nga truket e shumta të veshura nga ky ëndërrimtar surrealist i ngecur në një vend plot burokraci shtypëse. Duke sjellë ndërmend poetë të tjerë rebelë që lulëzuan në mes-shekullin e XX-të nën hijen e Bashkimit Sovjetik (si Tomaz Salamum nga Sllovenia dhe polaku Piotr Sommer, poezitë e Zeqos reflektojnë një pikëpamje të hollësishme shqiptare. Çdo poezi e tij ecën më kërcëllimat e jetës. Kjo është një poezi e çliruar nga kufijtë e një ‘realizmi’ të imponuar dhe nëse ka raste që është e zjarrtë, në tërësi ngelet një kënaqësi”, shkruhet në një Review të revistës Weekly më 15 dhjetor të vitit 2007. Kënaqësia më e madhe dhe një shpërblim për vite të tëra krijimi të Zeqos, ka qenë botimi i një viti më parë të “The history of Ghost”. Historia e fantazmave duhet të ketë lindur, kur ai vetë doktoronte në Kolegjin e Oberlinit në SHBA. Një student, Wine Miller, tentoi të përkthente disa nga poezitë e poetit shqiptar. Pak kohë më vonë, ai bashkë me Aaron Page, në Washington. DC nisën përkthimin e “Meduzës”. Kësaj dyshe i shërbeu dhe bashkëpunimi me një grup studiuesish shqiptarë në SHBA. Në fund në N.Y, më 2 dhjetor, në Wall Street, në librarinë pranë Universitetit të N.Y, pastaj në Washington në Congress Library u lexuan pjesë të tij. Kjo ishte përpjekja e tij e radhës. Është e tillë, sepse ashtu si letërsia për të mbetet utopike, sepse dhe vetë procesi i rregullit mbetet i tillë. Nuk ka vendosur të dorëzohet lehtë dhe do të vazhdojë me të gjithë bateritë e tij.
Ka një mrekulli të vdekjes të saktë si ligjet/kur trupat tonë do të shpërbëhen në elementë/ ....të natyrës/ndoshta do të takohemi si ujëra nëntokësore,/si humus e kripëra te rrënjët e një bime,/ që ajo të lulëzojë e të hapi petale/e të mahnitë gjithçka me bukurinë anonime./...Ajme! Po shpirtrat vallë?/Si krijesa ajri do të enden nëpër re,/përherë të dy ndarë dhe asnjëherë një!, poezon diku ai...Pa përfunduar. Do botojë sërish.


R. MAPO

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •