MEGJITHATË PORTRETI NUK U PËRDHOS...
| Monday, 09.01.2008, 08:38 PM |  

U nisën në ora tre pa pesë minuta të mëngjesit nga qyteti... në drejtim të fshatit... Kolona përbëhej nga një mori automjetesh të llojeve të ndryshme. Madje kishte edhe automjete të blinduara. Ishin të pajisur me armatim të lehtë dhe gjysmë të rëndë... Ishin aq shumë, sa po t’i shikoje të linin   përshtypjen se nuk po shkonin për ta rrethuar një shtëpi fshati, por...  Derisa e lëshoi asfaltin e zi kolona rrëshqiste si breva mbi bari të thatë, duke bërë zigzage nëpër kthesa, që nuk ishin të pakta. Diku në kilometrin e katër a të pestë kolona... e lëshoi asfaltin dhe hyri rrugës së rrëpirët me kthesa të një pas njëshme. Milicët, në të shumtën, ishin të hareshëm thua se po shkonin në ndonjë dasmë. Vetëm një pjesë e pakët e tyre linin përshtypjen se po shkonin në ndonjë... Jo nga frika, por nga dhembja e detyrimi për një veprim të tillë. Ata gazmorët kishin pirë nga një dublim raki për ta mundur frikën...

Njëmbëdhjetë minuta përpara orës katër milici A., të cilit iu kishte besuar trokitja,  trokiti në dyer të oborrit të axhës K. Nuk u dëgjua asnjë zë nga brenda. Pas trokitjes së dytë u hap dera e odës. Në dritë të llambës me vaj guri u duk portreti i axhës K, ku i dalloheshin edhe mustakët kaprec përpjetë, i cili u kollit rëndë-rëndë, duke pyetur pa iu dridhur zëri:

- A trokiti kush në dyer?...

- Hapeni se jeni të rrethuar! - i tha inspektori H.

S’vonoi shumë dhe u hapën dyert e oborrit.

- Urdhëroni brenda! - u dëgjua zëri prej basi i axhës K.

- Keni dhjetë minuta kohë t’i zgjoni fëmijët e t’i vishni. Pas dhjetë minutash hyjmë brenda.

Axha K. e kapi porosinë në gjuhë të mëmës përmes metaforës së dhjetë minutave për t’i veshur fëmijët dhe nxitoi në kryerjen e “urdhrit”.

Derisa kalonin dhjetë minutat e paraparë, inspektori H. u tretë në mendime: “Për këta dhjetë minuta ma thotë mendja se mund t’i fshehin gjësendet, që duhen fshehur nga syri ynë... Po munda me anë të mimikës ta kuptoj nga cila anë janë gjërat, që nuk duhen të bien në duar tona, nga ajo anë do të shkoj vetë me milicin A., që e kam shok të besës. Edhe po gjetëm diç do ta heshtim... Po arrita ta përmbushi sado pak këtë që po mendoj në..., do ta konsideroj si përmbushje të një obligimi së pari njerëzor e pastaj, pse jo, edhe... Këtë ia kemi borxh këtij populli të shumëvuajtur, të cilit, një pjesë nga ne këtu, i takojmë pa marrë parasysh se ku na ka caktuar fati të punojmë... Trokitja në derë të oborrit nuk qe aq frikësuese. Shpresoj se nuk u  shkaktua panik te gratë e të fëmijët se burrat janë të pjekur dhe janë kalitur me trokitje të këtilla. Ata janë rrahur në vaj e uthull, siç thotë populli...” - i përfundoi mendimet inspektori H., duke ofsha thellë.

Në anën e tij të majtë qëndronte inspektori tjetër, i cili, herë pas here, kuiste me dhëmbë sikur miu kur brenë një gjësend të fortë. “Ah, si nuk jam vetë udhëheqës i kësaj ekspeditës!... Do të kisha ditur si të sillem me këta rebelë të pa përmirësuar. Por edhe nga kjo pozitë s’e kam aq keq. Unë jam ai që e drejtoj ekspeditën nga prapaskena. Zaten inspektori H. vetëm e bartë këmborën në qafë, kurse rrahjen e saj e bëjmë ne sipas nevojës e rastit. Këtë e kemi në ballë vetëm si mburojë, në një anë dhe sa për t’i ndërsyer njërin kundër tjetrit, në anën tjetër. Për çfarëdo që të ndodhi veprimin e kryejmë ne, kurse përgjegjësinë e bart ky kalavesh në vesh. Sa po më kruhen duart që t’i shtijë në dorë ashtu si di e dëshiroj vetë. S’do të kursej asgjë për ta shfryrë mllefin mbi ta që m’u ka bërë lëmsh ja këtu... Do të sjell mbi ta ashtu... sikur fshatarët kur shtypnin misrin. Gjëma e kuja e tyre do të më sjellë kënaqësinë më sublime... Po, ç’janë këta njerëz kështu që as nuk lëshojnë kujë, as gjëmë?... Madje as fëmijët nuk ndihen fare... Do t’ju bëjmë që ta merrni kujën he...!” - i përfundoi mendimet inspektori J., duke shtrënguar dhëmbët, që i krisën si kur the lajthia.

.     .     .

Edhe pse me kohë pothuajse gjithçka ishte kryer, arritën për “dhjetë minutat e veshjes së fëmijëve” të largonin edhe diçka... Ndërkohë i vishen  edhe fëmijët.

Ishin të ushtruar...

- Pas meje! - u tha inspektori H. në gjuhën “zyrtare”.

- Prij axha K! Së pari në odë...

Hyrën brenda. Shumica duke u kërmitur si fëmijët rreth torte. Një milic trashullak e i pa gdhendur iu vërsul portretit të madh të Azem Bejtës të varur në muri. E hoqi me rrëmbim, duke mërmëritur diç nëpër dhëmbë, që nuk u kuptua a ishte e sharë apo... Pa arritur ta përplasi për toke, ia rrëmbeu nga dora axha K. me vrullin e një kreshniku legjende, sikur kur ishte i ri, duke i shtrënguar nofullat. Dhe, në zemërim e sipër i tha:

- Këtë pa më vrarë mua s’e përdhos dot!... E shtrëngoi portretin e Azem Bejtës  për trupi si nëna fëmijën e hasretit.

Sapo e dëgjoi rrëmujën u kthye inspektori H.

- Ç’është axhë?... - e pyeti.

- Këtë nuk lejoj të ma përdhos askush. - i tha inspektorit H., duke e shtrënguar edhe më portretin...

- Jepja axhë! Po u përdhos përgjigjem unë.

Axha K. i besoi inspektorit dhe ia dha portretin atij milicit trashullak.

- Vare në muri aty ku ka qenë. Mund vetëm të largohesh tre-katër hapa dhe ta përshëndesësh. Ai ka qenë një tribun popullor, andaj s’të takon ty të merresh me portretin e tij. - i tha inspektori H., në gjuhën “zyrtare”.

Ai e vari aty ku kishte qenë më parë portretin e Azem Bejtës. E ktheu kokën në anën tjetër me neveri. Mërmëriti prapë diç nëpër dhëmbë dhe u largua, duke turfulluar. Inspektori H., e përcillte me bisht të syrit, po s’e ngau më tutje. “Mjafton që e shpëtuam nga përdhosja portretin...” - mendoi më vete. Në të njëjtën kohë ngjarjen e përcillte edhe inspektori J., i cili nuk foli, po më vete mendoi: “Do të të vijë radha edhe ty... Shtrenjtë do ta paguash zbutjen ndaj këtyre irredentisteve të pa përmirësuar. Të gjitha sjelljet tua jam duke i përcjellë me vëmendje dhe në mbrëmje do t’i shënoj në notesin tim ditor, që do të jetë baza e dosjes sate që po të hapet. Do të të rëndojë edhe me të dhëna shtesë ashtu si më thotë mendja e më pranon zemra...”

U larguan në ora pesë të mëngjesit, duke lënë një rrëmujë pas, po jo si herët tjera. Më vete morën një pre të pakët, që nuk çonte aq peshë në kandar...

*  *   *

Axha K. u ul mbi trapazan. E shikonte herë odën e bërë rrëmujë me cergë grumbull përpara oxhaku, herë portretin e Azem Bejt Galicës, që iu duk sikur i buzëqeshi. “Të shpëtova pa të përdhosur ai zuzari... Kështu do të veproj sa të jam gjallë. Rri i qetë dhe të të mos bëjë syri bëëëërr. Ç”po flas edhe unë kështu? E kur i ka bërë syri bëëëërr këtij soj burri?!... Ky është përleshur me një ushtri të tërë e nuk është trembur e po trembet nga një zuzar barkaçok... Ç’është e vërteta sot më doli krah ai inspektori shqiptar... I yti edhe nëse bëhet “gjarpër” nuk të kafshon. Po edhe nëse është i detyruar që të të kafshoj, ruhet e nuk të helmon...” - tha më vete me pikla shelgu lotues në sy nga ngashërimi. Ishte hera e parë që po i endeshin nëpër ata sy të rrudhur pikla të tilla. “Eh pleqëri, pleqëri!... Djemtë si ai inspektori shqiptar, pa marrë parasysh se ku e çka punojnë, janë nderi i kombit. Sa më shumë që të kemi të tillë më lehtë do ta kemi. Po ka ende si ai kameleoni i vitit të kaluar, që...” - tha më vete gati me zë.

Pas një copë here iu drejtua së shoqes:

- Plakë, mori, a po më dëgjon?!...

- Hë, njeri! - iu gjegj ajo.

- Pa eja njëherë në odë!...

- Ja menjëherë po vij...

Ajo hyri në odë ballë lart si Shotë Galica në ditët e veta.

- Urdhëro, njeri! - i tha sapo hyri në odë.

- T’i rehatoni fëmijët që ta vazhdojnë gjumin, kurse ne të gjithë së toku t’i rregullojmë të gjitha më mirë se ç’kanë qenë përpara. Nga shkelësi i trojeve tona më mirë nuk pritet. Të na shpëtojë djali që është në duar të tyre se të tjerat kalohen më lehtë...

- Dashtë Zoti e i ndihmoftë me gjithë shokë atje ku qoftë! Ai është sokol mali e di  se mund t’i përballojë të gjitha. Është i ri e i riu ka forcë të përballet me çfarëdo rrebeshi. Ndërsa fëmijët i kemi rehatuar, po ende nuk po i zë gjumi... - tha ajo.

(1989) 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •