http://letersia.zemrashqiptare.net/
LETERSIA SHQIPTARE

Anisa Proda “rrëmben” çmimin të parë në konkursin letrar për të verbrit
| Monday, 09.22.2008, 05:28 PM |

Anisa Proda ka “rrëmbyer” mes 20 autorëve çmimin e parë, dje në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku u organizua konkursi kombëtar letrar për krijuesit e verbër “Me sytë e shpirtit”. Në konkurs merrnin pjesë poetë e shkrimtarë shqiptarë të verbër, të cilët me pasionin e tyre kanë shkruar pavarësisht rrethanave dhe fatkeqësive ku i hodhi rrjedha e fatit në këtë jetë. Ky komunitet sipas organizatorëve është ende i panjohur dhe i papromovuar mirë për opinionin ndaj ka nevojë për mbështetje dhe inkurajim në mënyrë që të ecë para. Qëllimi i aktivitetit, sipas koordinatores Eriola Cullufe, ka qenë pikërisht inkurajimi i këtyre krijuesve të verbër, për të vijuar më tej punën e tyre letrare. Bashkëorganizatore e kësaj nisme të Qendrës Kombëtare të Rehabilitimit të të Verbërve ka qenë Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”. Çmimet e ndara për autorët më të mirë janë gjykuar nga një juri profesionistësh. Siç thamë dhe më lart, fituesja e konkursit me çmimin e parë u shpall poetja Anisa Proda, më pas fitues të tjerë kanë qenë Mehmet Gocia, Kristaq Xhaho e Blerina Shalari. Gjithashtu, Lazër Preka dhe Krok Gjikaola janë vlerësuar me çmime të treta, për të kaluar te çmimet inkurajuese që u morën nga Klementina Lapi e Bukurie Maloku dhe çmim karriere për Preng Cublleshin. Përsa i përket poeteshës së talentuar, fituese e çmimit të parë në konkursin kombëtar letrar për të verbrit, Anisa Proda, ajo vazhdon shkollimin e lartë në Fakultetin e Shkencave Sociale. Në të kaluarën Proda ka botuar librin “Absurdi nis nga unë”, me 60 poezi e skica të shkruara nga autorja qysh në moshën 13-vjeçare.

G. Albania