Libri i parë (1995) - ERË E VENDLINDJES
| Thursday, 10.16.2008, 10:16 PM |  

ERË E VENDLINDJES

Libri i parë (1995)

 

FJALA E BUKUR

 

Një puhizë e lehtë

Tinëz shket e shket

Polenin e zemrës

Larg e larg e tret

Mizëri shkronjash

Radhiten si ushtarë

Hyjnë me radhë në letër

Hyjnë në vargun e bardhë.

 

Ecin krah për krah

Shkronja, fjalë e vargje

Bëhen strofa e vjersha

Pastaj libri i ri

Hapen horizontet

Shtohen dituritë

Fëmijët tanë të bukur

Kanë gëzim e krenari.

 

ZEMRAT TONA

 

Zemrat tona nuk e durojnë hidhërimin

Zemrat tona nuk e durojnë përçmimin

Zemrat tona nuk e durojnë trishtimin

Zemrat tona kërkojnë përqafim të përzemërt.

 

 Ç`THA NJË PLAK NË KARADAK

 

Një plak

Në një odë në Karadak

Drodhi mustakun

Foli pa i bërë zemra lak

 

-Këtu në Karadak

Është i bardhë

Një zambak

Është një cak

Kah ai ngjitemi

Pak nga pak!...

 

PLEPAT NË RUGOVË

 

Në Rugovë

Etërit tanë-paganë

Këngës ia thonë

Pagëzimit i besojnë.

 

Në çdo oborr  mbjellin plepa

Rritën e çdo plepi

Me rritën e bijve e përcjellin

Dhe jetën vazhdojnë.

 

Sa herë morti

Zemrat na i rëndon

Qan pikëllueshëm oborri

Një plep aty mungon.

 

Po kur vjen në këtë botë

Një njomëzak i ri

Shpirtëzohet shtëpia

Plepi gjethon përsëri.

 

 ME VËLLA JAM TRIM

 

Hape zemrën e bardhë

Vëllai im

Me ty jam dy herë më i fortë

Në lojë e në kushtrim.

 

Kur ti më shtrëngon

Pa hile më do si vëllai-vëllanë

Unë ndihem i pavdekshëm si Anteu

Armiqtë frikën na e kanë.

 

Sa herë ti vëlla më mungon

Krahu i djathtë s`më punon.

 

E gjithë Arbëria

Jemi ne vëllazëria.

 

ZEMRA E HËNËS

 

Një kozmonaut i vogël

Me satelit

Ra mbi qepallë të Hënës

Në zemrën e saj u ngjit.

 

Ai çapkën

Me zë tenori

Zemrën e Hënës

E deshi dhe e mori.

 

Edhe Hëna pati faj

E ka dehur

Me bukurinë e saj.

 

 ATJE

 

Atje ku erërat lozin

Me barin e njomë

Vajzat shpleksin gërshetat

E barinjtë me dele

Në fusha vërshojnë

Si nuse me duvak

Pishat e bleruara kundrojnë…

 

Kundruall kalaja ilire

legjendë e histori

avujt e tokës bukanike

kah maja e shkëmbinjve nxitojnë

qiellin lakmojnë…

 

Një vogëlushe luan me valëzën e bardhë

Në livadhin përskaj tjetra bën kurorë

Vrapojnë pastaj nën atë dardhë

Dhe marrin ABETAREN në dorë.

 

KROI

 

Një ah me kurorë të gjerë

Plot me degë e fletë

Mbi të bilbilat këngëtarë

Nën të vocat margaritarë

 

Ahu madhështor

Me atë të lavdishmen kurorë

Nën të mbretëron freski

Gurgullon kroi flori…

 

Nga arat zbresin korrëtarë

Me rend ulen me hijen plot bar

Pranë kroi gurëbardhë

 

BISHTUKU

 

Plafoni

Është i  nxirë

e i përlyer

Dhe duket i kërrusur

Si gjyshja ime e mirë

 

Bishtuku vajguror

Nxjerr tym dhe nxin tavanin

Nëna qep këmishën

Nëna thur xhamadanin

 

Atje ku s`ka tela elektriku

Bishtukët vajgurorë

E shtrijnë mbretërinë

Dhe duken mbretër

Në bjeshkët plot halorë.

 

MES DALLGËVE TË JETËS

 

Babai im Meti

Dhe nëna ime Lulja

Thonë një ditë u përqafuan

Një ditë maji të blertë me lule bliri

Unë farë e barrës mbeta

Fryt i nënës “mëkatares”

Fryt babait ledhatar

Nëna që kurrë s`kishte dëgjuar

Për fjalën maternitet

As për fjalën mami

Më lindi në një kthinë

Thurur me thupra thane

Askënd nuk pati përbri

Më mbështollën në do mënela

Unë ferishte mëkat i ri

Sa një gërdhele

Mbeta edhe pa nënën

Që mbeti si mumie e gjallë-gurësi

Lotët ia digjnin fytyrën

Në zemër kallkane erë-dimër i zi

Pastaj më dërguan në ofiqari

Ofiqari bëri telefon

-Foshnja atin kërkon!

Në foshnjore e strehimore

U bëra burrë

Sot që jam bërë baba

E marr birin tim në prehër

E puth dhe e përkëdhel

I them:

-Në dallgët që më rrahën mua s`të lë jo kurrë!

 

KOSTARËT

 

Në vijë të agimit

I mprehin kosat

Livadhit ia heqin mjekrën e gjelbër

Rrasat në dhe tingëllojnë

Kudhra e çekanë gjëmojnë

Kosat fishkëllejnë

Bari stivë-stivë

Si gërshet vashe

Lehtësisht përtokë e lëshojnë

Djersa shkon curril

Dielli djeg

Muskujt ua pjek

Kosarët janë vënë në gara

Dhe fëmijët pas fluturave me lara…

 

FABRIKË E SHTËPI

 

Kënga praron

Punën e bën flori

Jeta nuk ka të ndarë

Nga fabrika në shtëpi

 

Fëmijët nuk ankohen

Kur etërit shpesh u mungojnë

Ata përditë tufë lulesh

Në zemra mbëltojnë

 

Kënga rrit dhe grurin

Punën e bën flori

I vogël është ndryshimi

Fabrikë e shtëpi.

 

 MOLLË QË QAN

 

Një mollë degëgjerë

Në mes të arës

Rigon lot shiu

Sa kokrra e arrës.

 

-Dje disa fëmijë

Shkaku im, o Mal

I dogji zjarrmia

Dhe u shtruan në spital

Hall i madh

Hall i madh!

 

Pemë të papjekura

Duke shkuar në shkollë

Hëngrën këta fëmijë

Tash i kapi ngërçi

Tash kanë zjarrmi

E qan ajo mollë

E qan ajo mollë.

  

MALISHTA IME

 

Malishta ime

Me misër si mal

Kur lind dielli

Buzëqesh

Malin ka përskaj

Si frizurë me flokë.

 

Ushtarët kunguj

Ia ruajnë bukurinë…

 

Malishta ime

Më e mira arë

Çdo vit mbush plot

Kosh e hambar.

 

Malishta ime

Më e mira arë

Fëmijët s`m`i lë pa bukë

Unë s`e lë pa farë…

 

BISTEKËT E HËNËS

 

Fytyrën e vogël e rrumbullake

E ka Hana e klasës së parë

Dy bistëke i lodrojnë në shpinë

Si dy atllarë jelebardhë.

 

I shkëlqejnë në diell

Bistekët ngjyrë ari

Një kordele e kuqe mes tyre

Si në pranverë lule behari.

 

Në vijë të agimit zgjohet Hana

N`gurrë të bardhë lan faqet mollë

Bëhet gati, thërret shoqet, niset

Rrugës së dritës-në shkollë.

 

KUSH ËSHTË NË ÇUBË

 

-Kush është në çubë?

-Një çupëz.

-Çfarë bën?

-Gjyrmishek ka nisur

Ta var në qafë

Për t`u stolisur.

 

-Kush është në shtëpi?

-Një çupëz si flutur.

-Ç`bën aty,

Ç`bën brenda në shtëpi?

-Për vëllanë Fidanin

Me gjyrmishek

I bën gati gjerdanin.

 

Po, po

Sot është dita e Shëngjergjit

Dhe si bota nga gëzimi

Dehet çupa prej gjyrmishekut.

 

PISHË E GJELBËR

 

Kush mund të matet

Me gjysh Urtakun

Nëntë pash n`Lug të Dardhave

E hedh mëzdrakun

Në ballin e tij plot rrudha

Mrrolët nuk kanë vend

Më larg se mëzdraku

I shkon fjala n`kuvend

 

Gjysh Urtakun paqësor

Mes fëmijëve-pishë e gjelbër me kurorë.

 

HALLAT TONA

 

Netëve të gjata

Dëgjojmë përralla

Sa e dashur

Na bëhet halla.

 

Hallat tona

libra të trashë

me shumë fletë

përrallat s`i harrojnë

I kanë gjetur vetë.

 

Hallat tona

Gojësherbet

Rrëfejnë përralla

Ne fëmijët

I dëgjojmë

Sa çaste të rralla.

 

 

 

MIQËSIA

 

Një mace e larme dhe një e zezë

Njëra-tjetrës i afrohen

Merren ngrykë me këmbë të vockla

Dhe ngrohtësisht përqafohen.

 

Leci i vogël i thotë nënës

Me zë të butë me kërshëri

-Mami, mami, shiko macet

Si u dashkan, sa çudi!

 

-Po, bir, po e përkëdheli nëna

Kështu duhen edhe njerëzia

Pemën e paqes gjithnjë e mbjellin

Ata që dinë se ç`është miqësia…

  

E DI LUGA ÇKA KA VEGSHI

 

E di luga çka ka vegshi

Mos u ngut ta futësh n`gojë

Ndodh gjella është e njelmët

Ta djeg gjuhën

Mos bën lojë!

Ndodh gjella nuk ka kripë

Ndodh dikush me pahir

E ka future ndonjë këmbë dhie

Ndonjë spec djegës

Që t`i çan hundët

E është prishur gjella

Nuk ka shije

Po e di luga çka ka vegshi

Moti kanë lidhur miqësi

Luga malësorçe

Vegshi i zi

E zbardhin sofrën

Me bujari.

 

 LARASKA

 

Ra laraska

N`çarranik

S`la bulmet

As la furrik.

 

Ra laraska

Mbi plevicë

Zogjtë e pulës

U bënë gorricë.

 

Fëmijët një ditë

U betuan:

-Mbi Perlaskë

Sot e tutje

S`do të fluturojë

Asnjë laraskë!

 

NJË KOTELE

 

Në fshatin zezelinë

Tërë ditën një kotele

Hipur në fultere

Mjau-maju

Mjaullin

E thërret

E bërtet

E kërkon nënën e vet.

 

Kjo kotele

Sa një tenxhere

Tërë ditën ha qull

Në fultere

Po mjaullimën nuk e ndal

Mjau-mjau

Mjaullin

Nënën e kërkon

Peshë e çon shtëpinë…

 

Kur e ëma nga tavani

Zbret në tokë pa parashutë

Kotelen e hip në shkëmb

Pinë ujë bashkë

Me tas llap-llap

Llapashitën

Ia pastron pahiri

Mustaqet bërë me qull

Pastaj dalin në rreze

Kotelja më s`bërtet

Po lëpihet, lëpin gëzofin e vet

Sytë si gaca i shkëndijojnë…

 

NJË KËRMILL CULLAK

 

Në fshatin Vitak

Një kërmill cullak

Pa këmishë e pa tëlina

Pa çorapë e pa opinga

Doli rrugës nëpër verra

Dhe u fut në ferra.

Kërmilli cullak

Që kish udhëtimin në gjak

Pasi i ra tërthor Vitakut

U rras n`shelgje

E n`mes t`batakut…

Një lejlek hipur n`gingala

Që kish qafën shtatë pëllëmbë

Tre bërçikë sqepin e mprehtë

E qortoi kërmill cullakun

Nga Vitaku:

-Pse ke dalë pa këmishë të gjatë

brekët e shkurta pse i ke zhveshur

S`të vjen turp nga buburrecat

Brumbulli, breshka, thëllëzë e qeshur?!

Lejleku fierak

Me kërmillin cullak

Fluturoi mbi Vitak

Ra tej mbi lisin plak

Për të bërë edhe një konak…

 

TRIM MBI TRIMA TALE BUDALINA

 

Trim mbi trima

Tale Budalina

Shtatë gurra uji

I shteri n`rudina

Shtatë bukë thekre

I futi në tarçuk

Hëngri dardha t`ëmbla

Katër-pesë buçukë…

Trim mbi trima

Tale Budalina

Këmbët ka mbështjellë

Me shtatë palë rrogzina

Ka lidhur opingën

Me shtatë sixhima

Qimet e mjekrës

Si tel çeliku

Shtatë rrojtarë me brisqe rroje

S`ia hoqën lum miku.

Trim mbi trima

Tale Budalina

Me thonj i lëroi

Treqind lëndina

Shtatëdhjetë e shtatë lisa

I bëri pinla-pinla

Shtatë gardhiqe i thuri

Në malin e bërë arë

Shtatë karricë me grurë

I hodhi n`hambar.

 

Shtatëdhjetë e shtatë shigjeta

I lidhi me gurë

Mbyti shtatëdhjetë ujq e arinj

Dhe i poqi në furrë

Trim mbi trima

Tale Budalina.

 

 TALE BUDALINA NË QYTET

 

Tale Budalina

Një ditë

Kur hyri në qytet

Hyri në një ëmbëltore

Hëngri dyqind akullore

Dhe piu dhjetë fuçi bozë bore

I hëngri në një shitore

Tre thasë plot me çokolata

Më të ëmbla se mjalta…

Pastaj hyri në teatër

U ul në trembëdhjetë karrige

Regjisori kur e pa

Heroit të motit

I ofroi rolin e Don Kishotit

Ia gjeti shtizë e mburojë

Njëqind paruka në kokë

Në këmbë këpucë me numër 77

Dhe e futi në skenë-lojë

Trim mbi trima

Tale Budalina

Nga gremina e errët

Pa vinç e pa fener

Nxori katër buldozerë

U ul në oborr të fabrikës së duhanit

Dhe piu dhjetë pako cigare me filtër

Pasi piu edhe tri okë me llullë

Duke nxjerrë nga goja e hunda

Shtëllungë tymi

Si oxhaku në kullë

Tale Budalina

I njohur në 77 krahina

Me tre hapa hyri në Rezallë

Shkoi te Avdyl Dina

Pushoi rehatshëm

Si ndër zingjina

 

Trim mbi trima

Tale Budalina.

 

MOLLA E KUQE

 

JETA

 

Nëntë plagë i more

Nëntë vjet u dergje

Nëntë hordhi të shkelën

Moj e bekuar!

 

Sërish u ngrite

Sërish mblodhe fuqi

Me nëntë dragonj në krye

Me nëntë diej në ballë.

  

BASHKIMI

 

Ore, të bashkuar

I mihim më shpejt arat

Grurin e fusim në hambarë

I vjelim mollët e dardhat.

 

Ore, të bashkuar

I murosim më shpejt shtëpitë

I lyejmë e gëlqerosim dhomat

I bëjmë të kuqëlojnë çatitë.

 

Ore, të bashkuar

E forcojmë më shumë miqësinë

Dashurinë e bëjmë më të sinqertë

Rrugën më të sigurt për lirinë!...

 

EMRI I GJAKUT TIM

 

Emri i gjakut tim

Është emri i vocërrakut barkthatë

Është emër që dallgët e rrebeshet e moteve

E shqyen nëpër shekujt me natë…

 

Gjaku im dashurohet në lule në arat bukanike

Në galeritë e punëtorëve

Gjaku im sfidon bajonetën cinike

Nga ky jak

Do të lindin shumë zambakë.

 

NË KRAJË

 

Nga Kraja

Një ditë korriku

Më grishi

Nikë miku.

 

-Eja në Krajë, më tha

-ta shuajmë mallin

Tash piqen fiqtë

Eja ta ndajmë gëzimin

Fëmijët nga Amerika kthehen

Nga Shkodra na vijnë miqtë.

 

Shkova në Krajë te Niku

Shkova se e kam mik

E kam mik të shpirtit

E jo për fik!

 

SHOSHAT

 

Shoshat i kemi për të shoshitur

Ta ndajmë grurin nga egjra

Që të mos na merren mendtë…

Kemi shosha të mëdha e të vogla

Kemi shosha të rralla e të shpeshta

Po folëm me gjuhën e zemrës

Po i shoshitëm mirë fjalët pa prova

Asnjëherë nuk do të skuqemi

Kurrë s`do të themi “gabova”!

 

 LETRA ME ERË VENDLINDJEJE

 

Letrës tënde

Që më erdhi nga vendlindja

I vjen erë ftoi

Erë buke mbrume

Që nëna e gatoi.

 

Sërish e lexoj

Sërish flas me ty

Më freskon erë e vendlindjes

Më djeg mall i fëmijërisë…

 

LULJA NË PËRRUA

 

Mbi bregalec të Sokolit

Aty buzë përroit

Një lule çeli

Një lule me aromë.

 

Si një vashë e turpshme

Aromën kur ia fal malit

Valëza e kroit e puth

Mu në mes të ballit.

 

Lulja me qeshje të sheqertë

Zemrat rinore i çon peshë.

 

MOLLA E KUQE

 

Na ishte një mollëkuqe

Veç sherbet

Atje afër Leskovcit.

 

Atje burrat e Arbërit

Me plisa të bardhë në shteg të ballit

Mustaqet vesh më vesh

Jataganin ngjeshur në brez

Fjala e tyre peshonte sa Mali i Tomorit

 

Sa herë shkruaj për atdheun

Në varg më hyn edhe Molla e Kuqe.

 

LETËR NGA LARG

 

Po ta shkruaj këtë letër

Xhaxha

Unë mbesa jote

Jepja Artës

Që dorën e vizatuar

Të ma shtrëngojë…

 

Po ta shkruaj letrën

Nuk di t`i vë pikë

A thua a ka pikë stacioni i mallit

Arta në Kosovë

Unë në Amerikë.

 

GJYSH SI DUKET KOSOVA

 

E pyesin mbesat e vogla

Vjollca e Brikena

Që kanë sytë shkëndijë:

 

-Gjysh si duket Kosova,

Që ka gjithë atë nam,

Që ka gjithë atë bardhësi?

 

-Kosova, vendi më i dashur,

I shenjtë për jetë e mot,

Kosova, jeta dhe dashuria jonë

Është gjaku që s`falet dot!


Pergatiti z. Halil Xani

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •