ATË DIMËR !
| Friday, 11.07.2008, 03:41 PM |  


Kishte kohë që shiu nuk pushonte, moti ishte shumë i
keq ato ditë janari, era e ftohtë dhe thëllimi i atij viti do të
mbahen mend si rrallë herë tjetër! Një acar i vërtetë. Ishin
mbushur përrenjtë që nga mali dhe lumi kishte arritur
nivelin maksimal, gati sa të përmbyste fushën, e cila ishte e
mbushur me pemë frutore. Deti për muaj të tëra uturinte
me tërbim dhe egërsi, dallgët e tij të larta, të shpejta e të
turbullta si të marra, binin mbi shkëmbijtë, duke nxjerrë
një si gjëmim të nëndheshëm ndjellakeq !
Suferina dhe era e ftohtë ktheheshin në një acar, thëllimi
të merrte frymën !
Kishte tre ditë Agroni që priste të pushonte shiu për të
shkuar në mulli. Fëmijët ishin pa një gram miell. Mulliri
ishte gati katër pesë orë larg, moti dhe koha e keqe e kishte
penguar dy-tre ditë radhazi, por durimi mori fund, nevoja
e detyroi të rrëmbente mushkën, të ngarkonte atë pak
kallamboq dhe u nis.
I mbrojti mirë thasët nga shiu duke përdorur disa
mushama të vjetra, të ngelura qysh nga lufta e italianëve. I
vuri pak kashtë ziles së mushkës të mos dëgjohej nëpër
sokakët e gurtë.
I gjithë fshati kishte rënë në heshtje, as bagëtitë e imta
nuk ndiheshin. Të qullura ato rrinin nën strehën e hangarëve
dhe të konakëve, duke nxjerrë nga goja avuj të ngrohtë.
Agroni u vesh mirë, mbi kokë hodhi një llabane të leshtë,
të re dhe me një shkop në dorë iku nxituar në atë shi të

rrëmbyer. Mushka aty-aty gati sa nuk rrëshqiste nga patkojtë
e rinj, si edhe nga sipërfaqa e lëmuar e kalldrëmit, që në këtë
kohë ishte bërë akoma më i rrezikshëm nga lagështia e madhe.
Rrufetë dhe vetëtimat ishin të shpeshta dhe të llahtarshme.
E la fshatin qysh nga ora pesë e mëngjesit dhe, sa doli
kundruall tij, u përpoq të ndizte çibukun, në gojë s’kishte
vënë asgjë. Saliheja, e shoqja, që ishte dhjetë vjet më e vogël
se ai, u përpoq ta ndalonte të mos nisej, bile ajo ju lut disa
herë duke i thënë, “aman, të lutem mos ikë në këtë qiamet.
Do bëjmë si do bëjmë. Ndoshta hapet pak koha, se tani
është e keqe. Dëgjomë, të lutem!” Po ku dëgjonte Agroni.
Kishte përqafuar të shoqen, kishte puthur edhe fëmijët në
gjumë që të tre dhe kish marrë rrugën.
Tani, që ndaloi pak hapin për të ndezur çibukun, në
atë erë të marrosur, kujtoi edhe një herë fjalët e Salihesë,
“mos u nis në këtë qiamet, more burrë, se do bëjmë si do
bëjmë”. Shiu vazhdonte rrëmbyeshëm dhe çibukun nuk e
ndezi dot nga era e fortë. Mushka kokë ulur gulçonte nga
malorja dhe me zor ecte, ngarkesa nuk ishte e rëndë për të,
por moti i merrte frymën edhe asaj.
- Hec Grivë, hec, të marrsha të keqen, - i thoshte më të
rrallë mushkës Agroni, - ja vajtëm dhe një copë herë kemi.
Atje në mulli edhe do thahemi, edhe do ngrohemi, e nga
mbasditja mbase hapet pak e shkreta, të çojmë miellin e t’u
bëjmë nga një kulaç të miturve se vajtën dy tre ditë me
gënjeshtra. As qumësht e as bukë s’kanë, nuk e shikon, o
Grivë, që na piu fukarallëku... Prit, prit pak të heq kashtën
nga zilja, të dëgjohemi edhe unë e ti, që luftojmë për të
jetuar. E ç’them edhe unë! - mërmëriste me vete sërish
Agroni. - E ku ka këmbë njeriu këndej! As çobanët s’kanë
dalë, kanë mbyllë bagëtitë brenda nëpër stane dhe as që
bëhet fjalë që t’i nxjerrin. Ja, unë e ti Grivë, kemi lerë që të
vuajmë e të heqim. Eh, kohë muti !

Dring, dring, dring, tringëllonte zilja e Grives, krrak,
krrak, kërr, kërr bënin patkonjtë.
- Ecë, moj ecë, hidhi këmbët - thëriste nën zë Agroni,
këmbët e të cilit lundronin nën shollët e trasha të opingave
me gomë makine. Poshtë supeve e deri në fund të këmbeve
ishte bërë krejt qull, mushka kullonte; aty këtu mbulesat e
thasëve prej fletë çadrash të ushtrisë së kapitulluar, lëviznin
ndërmjet litarëve që hepoheshin mbas samarit të vjëtër, ca
nga era e ca nga lgështia. Agroni here pas here, në ecje e
sipër mundohej t’i sistemonte ato, por pas disa sekondash
ato sërish valaviteshin si flamuj te grisur, me ngjyrat e ushtrisë
së mundur, një ngjyrë e gjelbert si ato gjethet vjeshtake ne
kafe të hapur. Nuk duroi dot më, ndaloi grivën, nxorri
çibukun, dhe me uruar në dorë u fut poshtë barkut të kafshës,
e cila edhe e qullur avullonte ngrohtësi nga sforcua
dhe shtrëngesa e rrugës dhe e ngarkesës. Shkrepi strrallin
disa herë dhe më në fund eshka mori, uli kokën gati përdhe
dhe thithi me plot frymë dhe etje. Griva priste sa i zoti të
mbaronte dufin, i cili doli nga poshtë barkut të kafshës, e
falëndëroi dhe i tha.
- Nisu a e varfër, nuk shikon, dhe duhani na duhet tani,
e flamosura!
Avash avash, të dy të vuajturit morën tatëpjetën, ku po
thuaj ishte gjysma e udhës deri ne mulli. Lumi tjetër përtej
malit kishte dalë buzë në buzë deri të shtrati. S’bëhej fjalë
që të hidheshin nga vahu në këtë kohë, kështu që rruga do
të zgjaste edhe një orë më tepër, sepse shënjat e vahut nuk
dukeshin kërkund. Agroni psherëtiu thellë në shpirt dhe i
tha grivës.
- U lodhe e varfër, u lodhe, po ja, halli i fëmijëve na solli
mua e ty në këtë qiamet!
Mushka, si gjë ë gjallë, e kuptoi psherëtimën shpirtërore
e therëse të tij, tundi kokën dhe zilja e saj u dëgjua më e

forte dhe i dha aprovim...Dringg dringg. Agroni ju qas dhe
i vuri dorën në ballë dhe e përkedheli.
Shiu ja dha edhe më keq, me më shtrëngesë dhe
intesitet... Vetëtimat të kallnin datkën, Agroni mallkoi me
zë motin që s’po pushonte...
- Bjerë a të lërofsha të tëmë, bjerë! Për sot e kishte
ruajtur, na more më qafë na more..!
Mëndja i shkoi tek e shoqja, e cila, duke parë kohën,
mallkonte veten që nuk këmbënguli më shumë ta
parandalonte të shoqin të mos nisej në këtë qiamet... “Mirë
më tha e varfëra, molloiste me vete qyqari, ku vete në këtë
kohë, ç’të thotë mëndja o derëzi? Po ku dëgjonte i ziu, nga
halli e kishte! Gjithë rrugës nuk pa këmbë njeriu, por as edhe
ndonjë qen apo bagëti. Vetëm Griva dhe Agroni çanin me
mundim këtë rrebesh. Fëmijët tani mund të ishin çuar e me
se mund t’i gënjente Saliheja! Në hambar të binte miu thyente
kokën, asgjë, asgjë! Kishin ngelur vetëm nja dy vargje me fiq
të thatë dhe nja dy si bukë me fiq, po edhe ato si të krimbura
nga koha. Këto e të tjera bluante ne kokë hallexhiu, ndërkohë
edhe thasët po kullonin. Mendoi se misri në to do hidhërohej
sa të lagej se ishte kokërr. Kur është miell, zë një si kore dhe
ujët nuk depërton brënda... pastaj, po qe i lagur, as mulliri
nuk e bluante dot. Mundet që Savua, mullixhiu dhe njeriu i
mire, si bamirës që ishte, mund t’ja ndërronte misrin e lagur
dhe rregulloheshin më pas, me gjithë që varfëria u kishte zënë
derën të gjithvë, që në kohë të Krishtit e tëMuhametit bashkë.
Luftërat e kishin katandisur keq gjëndjen, fukarallëk i
tejskajshëm, injorancë si në mesjetë aty këtu ndihej ndihma e
ndonjë zengjini, por edhe ata të epnin veresie e borxh me
interes, i gjithë fshati ishte i mbytur ne këto borxhe, nuk të
linin të ngrije kokën, fëmijët rriteshin me të keq.
Edhe Agroni ishte një i tillë, regjistrat e dyqanit të
MeroAgajve ishin mbushur me borxhllinj, njerëzia nuk

kishte të kthente borxhin dhe MeroAgajt u mernin ullinjtë,
baçet, fikun, dardhën, tokën.. si detyrim. Kush të fal, ai që
ka do të ketë më shumë dhe nuk e beson fatzinë!
Mendimet ndiqnin njëri-tjetrin rrëmbyeshëm, të qullura
e të kokëlepsura si vetë rrebeshi që s’po pushonte dhe Agroni
ndofta për herë të parë mendoi se kishte gabuar në këtë
kuturisje në llohë e stuhi! Mushka, ndërkohë sikur të
kuptonte ç’ka mendonte i zoti, zgjidhte rrugën me kokë
ulur dhe nxitonte ritmin. Agroni për një çast mendoi ta
ndiste edhe një here llullën, por u bë pishman sepse edhe
mushka mund të mërzitej, por edhe vonohej, kishin goxha
rrugë akoma për të bërë.
Ju afruan lumit matanë malit dhe detyrimisht morën
rrugën e gjatë nga ura e drujtë. Vahu ishte mbuluar nga
trubullira, “ecë grivë ecë, më mire t’i biem gjatë, e të vemi
saktë, vazhdoi monolog-dialugun me kafshën. Lëre sot
vahun, po të shkosh mbi të fundosesh ti edhe unë bashkë...
Eh, po pushoi e ra pak niveli mbas dite, shomë e bëjmë, kur
të kthehemi, kismet! Hajde jepu këmbëve!
Mushka si një njeri ktheu koken pak nga udha e vahut,
ndaloi pak këmbët dhe aprovoi mendimin e të zotit...
Vazhdoi rrugen e gjatë, me një ritëm pak më të nxituar në
drejtim të urës... Agroni e kuptoi, i ra me një bacë tek bythët
duke i thenë:
- Po je e zgjuar, moj je e zgjuar, bravo të qoftë! Jepi pra
se fëmijët presin. Ja, e shikon, një herë e kam ndezur çibukun
edhe unë i ziu, po do ti, e ndez edhe një herë, unë s’të pengoj,
mbase u lodha pak, por ti je lodhur më shumë se je edhe e
ngarkuar. Po ja, ç’të bëjmë, fëmijët presin, apo jo moj grive?
Ata, s’kanë faj, duan të hanë!
Mushka menjëherë ndaloi, ktheu kokën nga i zoti, e i
dha të kuptojë që sërish ta ndizte çibukun, i cili do ta
qetësonte te paktën nga mendimet. U ul e u fut poshtë

barkut të saj, mblodhi me kujdes llabanen, fshiu dorën në
vënd të thatë, nga brenda dhe nxori uruarin me vështirësi.
Poshtë mushkës mbushi llullën dhe e ndezi sërish, këtë radhë
e ndezi më shpejt se herën e parë, vuri buzën në gaz e i tha:
- Rrofsh, moj grivë, se me kupton! Unë i varfëri, si të të
ndihmoj, po të të marr një anë të ngarkesës nuk do ecësh
drejt, do vaisësh e do të të marrë ana!
Mushka vuri “buzen” në gaz e hingëlliti gëzueshëm dhe
nxitoi më shumë.
Agroni i kënaqur e ndiente se dhe për pak kohë do të
arrinin të mbaronin hallin. Një mendje tjetër e friksonte e i
thoshte se ndofta Savua kishte kthyer vijën nga ujërat e
tepërta dhe nuk do bluante sot; një tjetër mendje i thoshte
se mos misëri qe lagur keq, po ajo që e mundonte më shumë
ishin fëmijët që mezi prisnin të hanin një kulaç nga vatra,
thatë, pa bulmet, pa djathë e gjellë.
- Ec, grivë, se ja arritëm, ecë! Të marrsha të keqen!
Ç’është ky kiamet sot! O perëndia ime, s’mbaruan kusuret
në këtë jetë, kush e di ç’bën edhe Saliheja, me se do t’i ketë
gënjyer sot të vegjëlit?
Mushka ecte me atë ritmin e saj të zakonshëm dhe jo
më nxituar! Siç duket edhe ajo e shkreta u lodh në këtë
kiamet, zilja e saj bënte tring tring tring dhe nga ndonjëherë
tingëllimë e ziles çakordohej, në kohën kur e shkreta mushkë
lëvizte kokën shpejt majtas e djathtas për të shkundur theket
nga ujët e tepërt. Ahere Agroni e qëllonte sërish me
pëllëmbën e dorës ne bythë me perkëdheli, e, me dorën
tjatër i shkundëte bishtin, punë që kafsha e bënte vetë në
çdo çast...! Kur afrohej Agroni më pranë saj, ujët që kullonte
nga bishti i saj e spërkasnin të tërin.
- Po tani e gjete moj e uruar, më bëre qull më bëre -
sikur ankohej ai.

Arritën aty afër drekës. Savua, mullixhiu, u çudit kur
dëgjoi të trokëlliturat e derës. Ai sa kishte marrë një sy gjumë
se nga moti i keq vetëm gjumë mund të bëje. As e mendonte
se në një ditë të tillë mund të kishte hallexhinj për bloje dhe
e kishte kthyer me të vërtetë vijën e mullirit nga meraku se
mos nga ujërat e tepërta shkatërrohej kanali i gurtë që ishte
tridhjetë e ca metra i gjatë larg mullirit.
E kishte vendosur dhe siguruar portën e drujtë, e cila e
kthente ujin në anën tjetër, jashtë mullirit, prej nga derdhej
në përrua e mandej në det.
- More njeriu i Perëndisë, more i uruar, ku e gjete këtë
ditë! Ç’të thotë mëndja, mirë nga shiu, po nga ndonjë
vetëtimë, nuk u trëmbe?! Hajde, fute kafshën në hajat, hajde
shpejt të të ndih edhe unë, shkarkoje, fute misërin brënda!
- i tha Savua të ardhurit.
Agroni, kur nuk dëgjoi gurët e mullirit të bënin gërr
gërr gërr, për një çast i humbi shpresat dhe ju drejtua
mullixhiut:
- Pse, nuk bluan sot?... Më more më qafë më more!
- Hajde, hajde brënda, lëri kuvëndimet se je bërë qull!
Ja të ndih edhe unë, - i tha Savua me të ëmbël.
Pasi kishin shkarkuar thasët, Agroni i hoqi samarin
kafshës, e fshiu me anën e brëndshme të llabanes dhe e futi
në hajat, i cili ishte i hapur nga të katra anët, por nga lart
ishte i mbuluar me fier. Ujët kullonte litarë. I hodhi kafshës
llabanen në kurriz. Ndërkohë Savua i hodhi pak hajë
mushkës, të cilën e vendosi në një kllapë të shtyllave mbajtëse
të hajatit dhe jo në shesh, se vëndi ishte qull.
- Ha pak, moj e uruar, se sot të piu e zeza.
Agroni u fut brënda në mulli i bërë plotësisht xurxull
nga shiu.
- Hidhi dru zjarrit e afroju se do marësh plevit. - i thosh

mullixhiu. - Hiqe atë buruc, mbaje në dorë të thahet, më
dëgjon?
Agroni ndënji për pak çaste si i hutuar, e kishte humbur
fare, sytë i kishte me lot, Savua, nuk po kuptonte.
- Hej, ty të flas, o njeri, lëviz se do ngrish kallkan! Afroju
zjarrit të them, s’e kuptoj, pse rri ashtu?
Tjetri s’po fliste.
- Po të pyes, përgjigju! – vazhdonte mullixhiu.
Me lot në sy e pa lëvizur nga vëndi, Agroni i thotë.
- Kam fëmijët pa bukë sot e tre ditë; të lutem ndihmomë
të bluaj.
- Ulu more aty, pa fëmijëve s’ke ç’u bën në këtë qiamet.
Thaju mirë e mirë, pa për bereqetin do rregullohemi. Kam
unë ca të bluar të mbarosh hallin, po prit të bjerë koha, se
mbase pushon e uruara dhe menjëherë të nisesh. Nuk të
mba njeri me zor. Ja, po pushoi shiu, do kthehesh me ditë!
Agroni nguroi të ulej afër zjarrit, të cilin e shikonte me
shumë dëshirë, por mendimi për fëmijët nuk e lejonte të
ulej qoftë edhe një minutë. Duhet të nxitonte, kjo ishte e
vetmja e sigurtë, se, po të priste të pushonte moti, kushedi
kur do mbërrinte në shtëpi .
- Jo! Të lutem, o xha Savo, nuk dua të vonoj. Bëmë
derman dhe duhet të iki, nuk më mba vëndi.
- Po prit more njeri, sa i pa duruar që je! Ja, më duket
sikur shiu po e ul ritmin. Ja, shko hap derën.
Agroni hapi derën e mullirit, kur ja dha një vetëtimë që
bëri flake gjithë vendin.
- Do të pushojë avash avash, - i tha Savua, - se vetëtimat
janë të shpeshta e të forta. Dëgjoi bubullimat, sa shkrep
dëgjohen ato, domethenë retë janë poshtë, do hapet koha
domosdo. Prit të pish një kupë me raki të mbledhësh veten.
Ja, të të krrej dhe dy koqe ullinj e një thërime djathë me pak
kulaç.

Zilja e grivës bënte tring tring dhe ngadonjëherë ajo
turfullinte frrrruuuu, duke shkundur kokën nga ujët.
- Besomë, xha Savo, nuk më mba vendi, më duhet të
nisem! Bëmë derman dhe duhet të iki urgjent, ç’më thua të
rri akoma! Kam fëmijët pa bukë, more, besomë, të lutem, ç’
t’u bëjë ime shoqe, s’ka një krothë në shtëpi! Peshoma, të
lutem, misërin dhe më jep ç’ke për të më dhënë e të iki të
thyej qafën. Ç’është kjo dreqo jëtë. Nuk shikon, as më hahet
e as më pihet. Ti qofsh i nderuar, të rruaçin fëmijët, më bëre
nder të madh më bëre. Unë kur pashë që s’po bluaje gati
më ra të fikët, thashë me vete do fle këtu sonte e nesër të iki.
Aman, të lutem, hajde peshomë misërin..!
- Leri ato muhabete, “peshomë misërin e peshomë
misërin” – i tha i miri Savo. - Mbushi thasët e ngarko
mushkën sa më shumë, te kesh për ca kohë, pa Savua këtu
është prapë. Kur të mos kesh, hajde se do rregullohemi.
Agronit, ashtu siç ishte, ende i pa tharë, i erdhi si një
rrënqethje ne trup dhe i kaluan të drithërima, teshëtiti nja
dy herë dhe tha:
- Më kë bërë nder të madh, të të lërë zoti fëmijët! Në
paça jetë, nuk do të rri pa ta shpërblyer këtë nder..!
Xha Savua e ndihmoi, ngarkuan mushkën dy herë më
rëndë se ç’solli, i dha edhe një torbë gati pesë okare ne duar
me ca arra, një kulaç misëri dhe gjysëm kile raki, duke i
thënë. Rrëkëlle nga pak udhës, të mbledhësh veten se, siç e
shikoj, do marrësh ndonjë plevit. Ngaje mushkën shpejt, se
do hapet koha, mbasditja, do bëjë mire! Dëgjomë mua,
ujërat do kullojnë shpejt, por sidoqoftë, ti mos mba nga
vahu, se të gënjen nga ndonjëhërë, ai i shkretë..!
U pershendet dhe u përqafuan me xha Savon, e u nis
për udhë. Xha Savua me një xhaketë të vjetër mbi kokë,
shkoi dhe kontrolloi edhe një herë vijën e mullirit e cila
kishte ulur dukshëm nivelin e ujrave.
- Ecë e mos u trëmb se do hapet koha - i foli me zë
Agronit, i cili ktheu kokën duke e falënderuar..!
- Ecë, grivë, se ja, vajtëm! Fëmijët do gëzohen, se do ju
çojmë bukë, xha Savua na dha gjithë të mirat!
Griva shkundi ujin qe kishte mbi zverk, tundi kokën
dhe nxitoi ritmin, zilja bënte tring, tring, me ritualin e
zakonshëm. Mushka, sikur të ishte njeri, e kuptonte hallin
dhe ecte me shpejt e nxituar !
Shiu, ashtu siç tha edhe Savua, i cili dallohej si njohës i
kohës, gati po pushonte, vetëtimat u rralluan dhe nuk
vonuan as një ore e Agroni me mushkën ju afruan vahut.
Mbasditja po thyente, një rreze dielli u duk përmes
reve. Agronit ju çel fytyra, shpresa i zgjoi ëndrrat. Duke
mërmëritur me vete dhe duke kujtuar se pas dy-tre orësh
do ishte në mes të fëmijëve me thasët plot, nxori shishen me
raki dhe rrëkelleu një gllënkë, ndofta mos ngrohej sadopak.
I foli grivës të ndalonte pak hapin dhe nxorri çibukun, e
mbushi dhe e ndezi. Era ishte e qetë dhe jo e ftohtë..!
Sikur ujërat të kishin rënë e të shkonte nga vahu, do
përfitonte gati dy orë kohë. Vahu s’ishte as një kilometër
larg. Po të shkonte deri aty dhe të kthehej, do humbiste gati
gjysëm ore kohë që të dilte në rrugën e urës së drujtë, e cila
donte kohë që të mbrije..
Punët i kishin vajtur mirë deri aty, por tani nuk dinte
çfarë të vendoste. Mushka në mënyrë instiktive dhe si një
njeri, kur mbritën tek kryqëzimi, ndaloi plotësisht këmbët,
ktheu kokën nga i zoti, i cili e kuptoi e i tha:
- Hë, moj grivë, ç’thua! Të mbamë nga vahu, apo të
nisemi udhës së perëndisë, se Fjala thotë: që udha e shkurtër
të bie më gjatë! Mushka, ngriti kokën përpjetë, zgjati veshët,
tundi bishtin majtas e djathtas disa herë sikur i dha të kuptojë
të zotit se nuk kishte ç’të thoshte !
- E di, moj e di, se nuk di ç’të më thuash, por më duket

se, siç shikoj nga larg, edhe mund të kalohet, se ujërat sa po
venë e bien poshtë e më poshtë! Hajde, pra, mbajmë më
shkurt, e mbase kemi fat se na presin fëmijët, e ata janë të
pa ngrënë!
Mushka hezitoi një copë herë dhe nguli këmbët..
- Hë, ç’më thua, nuk do?! Hajde kthehemi, pra, si të
duash, ti je ngarkuar dhe, po qe se vahu ka më shumë ujë se
deri tek barku yt, bëj mbrapa dhe kthehemi sërish. Po të
nxitojmë pak, e kapim kohën. Ecë, pra, griva ime e dashur,
ecë, - i tha Agroni dhe e qëlloi me pëllëmbë në vithe.
Me çibukun ndezur e duke nxjerrë shtëllunga tymi, i
zoti nxitoi pak kafshën të përfitonin kohën. Moti pothuaj
ishte kthjelluar, vetëtimat binin shumë rrallë, shiu dhe era
kishin pushuar plotësisht.
Lumi dhe përrenjtë në ato anë ishin aq të rrmbyeshëm,
sa bënin kërdinë kur koha ishte e keqe, ama po ashtu, kur
shiu pushonte dhe moti qetësohej, nivelet e ujrave brënda
orës binin dhe çdo gjë normalizohej, sepse vëndi ishte i tëri
i gurtë dh kullonte shpejt.
Kishte tre ditë e tre net që nuk pushoi, kurse tani, si i
zoti edhe kafsha, ecnin me qejf drejt vahut.
Kur u afruan në breg, Agroni ndaloi, vrojtoi mirë ë
mirë rrjedhën, mori disa gurë e i hodhi në mes te vahut dhe
afër bregut tjetër që të kuptonte se mos, nga gërryerja e
këtyre ditëve, Vahu kishte pësuar thellim apo ndonjë guvë,
që nga vorbulla e ujit bëhej e rrezikshme. Ai e njihte mirë
vahun, se ishte rritur atje dhe e kishte kaluar me qindra
herë.
Kafsha vrojtonte të zotin dhe kishte ngritur kokën lart
si e ngrirë. Veshët i kishte tejzgajtur dhe turfullonte, bishtin
e dridhte dëndur. Agroni, pasi u bind se mund të kalohej, i
thotë.
- Po pse ke frikë, moj e uruar, pse bën sikur e ke për të

parën herë?!. Mos u trëmb, moj xhane, ja, do futem unë i
pari, megjithëse kafshët shkojnë para e i zoti mbrapa. Ti e di
fort mirë këtë, po, me që e ke me frikë, do ta bëjmë ndryshe.
Hajde tani, mos humb kohë, fëmijët na presin!
Mushka përsëri s’lëvizi nga vendi, rrotulloi sytë nga qielli,
duke i dhënë të zotit të kuptonte se nuk i pëlqente kjo punë.
- Hajde de, mos bëj naze, fëmijët na presin!
Kapi dhe çliroi kapistrën nga samari, e tërhoqi mushkën
drejt shtegut, por ajo nguli këmbët dhe nuk lëvizi nga vendi.
Si njeri, ajo filloi të dridhej!
Agroni lëshoi kapistrën dhe deshi t’i tregonte asaj se
vahu nuk qe i thellë. U zhyt brënda në lumë dhe vajti gjer
afër mesit. Uji arriti deri mbi brez të tij; me pak vështirësi,
dhe u kthye të merrte kafshën, e cila e shikonte e hutuar.
Ujët ishte komplet trubullirë dhe i ftohtë.
Nuk besoj të jetë matanë më thellë se këtej, mendoi me
vete Agroni. Sidoqoftë do ndihmojmë njeri-tjetrin. Kapi
kapistrën dhe nxorri nga milli thikën që në çdo rast rreziku,
të priste rripin e madh të nënbarkut të kafshës, të rrëzonte
samarin dhe ngarkesën që të lëvizte më lirshëm me mushkën.
Ishte një kuturisje me zarar, me gjithë që e kuptoi se mushka
nuk ishte dakort. Kur ky e kaloi mesin e lumit, në kthim,
vajti ndonjëqind metra më poshtë rrjedhjës, se ashtu e ka
vahu, niset dhe del poshte shumë poshtë, nga vëndi ku nisej.
U bind më së fundi e shkreta mushkë dhe duke e ditur
hallin e madh të të zot, ju nënështrua e bindur qëllimit..!
- Hajde grivë, - e puthi në ballë, dhe tërhoqi kapistrën.
Në dhembë mbante thikën, trastën që kishte në duar ja
ngarkoi mushkës, e cila urtë, me kujdes dhe e bindur u fut
ne ujë. Një pamje e llahtarëshme kur po kalonin mesin.
Agroni u fut i tëri dhe u mbulua me ujë, u shtrëngua mbas
kapistre, por kapistra i shpëtoi nga duart. Mushka e
llahtarisur u çorientua, filloi të turfullonte, u shkëput nga

zhavori dhe filloi të notonte me të katra. Thellësia e ujit
ishte e madhe në drejtim të të zotit, i cili nuk po dukej në
sipërfaqe. Ajo vazhdonte te notonte dhe disa herë barra e
rrotullonte nën vërshimin e ujit, duke bërë kollotumba.
Agroni nuk po dukej, mushka luftonte me lumin, i cili, si
tek vahu, por edhe më poshtë, ishte i thellë e nuk po i zinin
këmbët. Ajo kërkonte në drejtim të Agronit, t’i afrohej, po
ku ta gjënte?
Luftoi gjatë edhe mushka e shkretë me vdekjen. Gjysëm
e gjallë e gjysëm e vdekur mbas gjysëm ore kishte dalë në
breg të detit, nja pesë kilometra poshtë vahut.
Si një njeri priste mos shikonte të zotin shumë orë pas
ngjarjes. Lumi sillte vetëm kucura dhe trubullirë të kuqe,
që i lëshonte në breg.
Nga mesi i natës, ndërsa fshati kishte dalë i tëri të mëdhej
e të vegjël, me fenerë e me dru zjarri të ndezura në duar, në
drejtim të mullirit, gjetën mushkën tek kthehej vetëm, pa
të zotin. Zilja e saj u dëgjua që nga larg. Fshatarët vrapuan
drejt saj.
Fëmijëve atë mbrëmje u erdhi buka, por nuk u erdhi
kurrë babai.
E gjetën mbas dhjetë ditësh të mbytur në një rrëzë
konopice, kur lumi po thuaj kishte shteruar plotesisht ! Ishte
i mbuluar me llum.. Thikën e kishte ende ne gojë..! Nuk
kishte mundur të priste dot as rripin e samarit të kafshës..
Kjo mund edhe ta shpëtonte.
U mbyt Agroni i shkretë, me merakun e bukës për fëmijë..
Ngjarja mori dhenë, ai u varros me të gjitha nderet, në
varim të tij mori pjesë edhe mullixhiu Savo, i cili rrefeu për të.
Mbas disa muaj edhe mushka ndërroi jetë. Qysh kur u
mbyt i zoti, ajo nuk futi gjë në gojë..
 

mars 2008

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •