Romeo patjetër duhet të vdesë - III. TAKIMI
| Thursday, 11.20.2008, 07:41 PM |  

III. TAKIMI

 

Takimi

Vetmi fiktive

Largësi të urritura

Një fragment jete

Univers dritash

Telefonatë zemrash

 

TAKIMI...

 

...nuk e njoh. Dhe nuk më njeh. As emrin nuk ia di. As ajo – jam i bindur – nuk ma di. A do ta takoj?... Duhet ta shoh. Të gjitha gjasat janë. Dhe mezi pres: as gjumin gjum se bëj, as jetën jetë. Njerëzit takohen kurdoqoftë. Ka njerëz që duan dhe që s’duan të takohen mes veti. Dhe, për çudi, takohen të fundit. Vazhdimisht gjenden pika ku domosdo do të ngjeshen. Ku do ta takoj?... Besoj se do ta takoj diku: brenda a jashtë, në ndonjë skutë a shesh, kudo në këtë qytet. Kujtoj se nuk ka rëndësi vendi, më e rëndësishme është se do ta takoj. Ndoshta në kafene, ulur pranë tavolinës, tek pi çajin a kafene, e vetmuar apo të vetmuar vetëm për disa çaste... Sytë e saj do i qepen shikimit tim gjurmues. Në orvatje sakaq të marrë ikën, po si mund të largohet kur vështrimi im i zgjatur heshte saora e ngujon në karrige...  Mund ta takoj rrugës, pikërisht rrugës kryesore, duke bërë shëtitjen e paraditës apo parambrëmjes, tek numëron hapat, me lëvizje të shkujdesura nga mejtimet e brengat e ditës, kthen kokën  nga e djathta, a nga e majta, përshëndet ndonjë të njohur  a kalimtar, pastaj ndalet dhe befas i shkrep një mendim, i zgjohet ndonjë kujtim ose ia beh ndonjë për­fytyrim dhe vazhdon rrugën e matur me shikim dhe me një ritëm monoton hapash, që mbase ia përkujtojnë përfitimin e kohës dhe pakthimin e jetës... Tash për tash veç mund ta marr me mend se kush është apo mund të jetë ajo. Si do ta takoj?... S’ka gjë mbi tokë  që do më pengonte ta njoh, sikur aq shumë kam dëshiruar të njihëm me të. Asgjë në jetë sdo më frenonte  ta takoj, thuajse me padurim e pres takimin tonë. Padyshim duhet të ketë diçka karakteristike, që i jep njëfarë vule shprehjes së fytyrës së dashuruar, në mos kështu më bëhet mua përderisa sorollatem ta përfityroj. Jam i sigurtë se do e pikas me shqisën time të veçantë. O Zot, a do ta shoh të atillë siç mendoj e dëshiroj kaq vite me rradhë?  Tek rropatem  ta skicoj fizikun e saj të paparë, portreti tretet si re në lëvizje që nuk duron kornizën. Nuk do doja ta takoj, fjala vjen të verbër. Si të veproj atëherë, ç’të ndërmirrja... Nuk është larg mendjes të qëllojë edhe e shurdhër. Po po,  gjasat janë fare të ndryshme. Atëherë ç’peshojnë të gjithë këto shestime, të paktën të më dëgjojë kur të flas, të kthehet kah unë, të njihemi për të parën herë, sy më sy, ta demisti­fi­kojmë njëri-tjetrin..., ky do ishte efekti i detyrës më të rëndë e më të shtrenjtë të jetës. Supozimet janë supozime e hamendjet hamendje. Kur do ta takoj?... U muar vesh, unë e dëshiroj këtë sa më parë,  ndoshta që tash, menjë­herë. Pyetja „kur“?... porsi sqep më qukitej në kokë më së shumti e më së shpeshti. Edhe koha më e papërcaktuar do të duhej të ketë njëfarë kufiri. Jo vetëm që s’më pritej, ishte një pritje e gjatë. E unë – zemrën top se top e mendjen qykë se qykë! Në qoftë se e takoj në stinën kur vapa pik nga balli si frutat e pjekur, mund të ishte ndonjë mëkat i madh. Ah,  m’u kujtua. Muzgu. Muzgu është i mirëseardhur për dash­norët. Në momentin vendimtar, dua ta shoh qartë, sikundër mendoj të më shohë edhe ajo mua, të jemi afër njëri-tjetrit, t'i thyejmë shigjetat  e helmta të shikimeve, të na fërgëllejë  trupi, të na çohen flokët përpjetë, të bindemi më në fund se më ngushtë s’ka ku shkon, se të gjithë ikjet kanë marrë fund. Pse ta takoj?... më shponte veshët ky refren tek buronte thellë nga qenia ime. Kjo ndodhte sidomos netëve të ftohta e të gjata të dimrit, kur grindeshin ndjenjat dhe instinktet, gjatë persiat­jeve të mia të paskaj e të pafund. Vërshima e pse-hëve ndikoi që të mos hiqja dorë. Qëllimi i shndërruar në obsesion ishte motiv i mjaftueshëm për jetesën time. Megji­thatë, ia kam krijuar portretin me hamendje, në bazë të vijave, shenjave, tipareve të shprehjes së imagjinuar. Largë­sia nuk m’i ka mjegulluar sytë. Ndjenja nuk është ajo që më mashtron, mendimi nuk më ngatërrohet, kujtesa i rreziston vulës së pamëshirshme të harresës. Do ta dëgjoj zërin e ndjenjës, do ta ndjek hapin e arsyes, në mos tjetër, për hir të vetvetes, sepse jam i dënuar për ta dashuruar atë që më parë. Kështu mundësia e përjetimit të diçkaje të panjo­hur ishte më e madhe, e fuqia asociative më e vrullshme. Nëse (fare) s’e takoj?... se si më shkrepi ky mendim, a mund të ngjajë që  mos ta takoj?! E di mirëfilli se ende është e gjallë, frymon si edhe unë, se merret me mua si dhe unë me të. E shoh hijen e saj tek sorollatet poshtë e përpjetë, i ndjej gjurmët e saja në trotuar tek i bëjnë ballë fshisës, ujit e erës. Vallë ka ngjarë që ta kem takuar e të mos e kem ndjerë praninë e saj, të mos ketë reaguar shqisa ime e fshehtë, të mos më jenë terratisur sytë e mi sogjetar. A thua është frenuar parandjenja ime e sigurt, në mos kemi kaluar pranë njëri-tjetrit lirisht e indiferentë, në mos ku jam ndalur unë – ajo ka vazhduar rrugën, në mos kur kam hyrë unë diku ajo ka dalë... Nuk besoj të jemi ballafaquar pa u kundruar sy më sy, t’ia kemi kthyer shpinën njëri-tjetrit pa fjalë. Po të kisha shkelur gjurmëve të saj do të kisha hetuar në vetvete ndryshimin, diçka të parëndomtë, që therr e djeg... Çka, kë, cilin ta takoj?... mund të them se në dukje, si figura  njoh shumë. Por, ajo dallohet, si delja e bardhë prej të zezave. Ajo është fati im i paracaktuar. Nuri i saj më tërheq me një kapistër të paparë, si karemi peshkun, duke më ndjellur me një forcë të pakundërshtueshme. Më grish pa fjalë, më josh me një buzëgaz enigmatik si të Mona Lizës. Kjo lidhje e fshehtë, e vetëdijshme dhe  e pashpjegueshme ishte lidhur nyje në dy skaje të papuqura. Tashti le të mos ndjekim kronologji... prologu odiseik vazhdoi deri kur nyjet u afruan e hypën njëra mbi tjetrën, u bë një nyje për dy vetë ... qe ky takimi i shumëpritur...

 

VETMI FIKTIVE

 

Rrija i shtrirë, me sytë hapur, i uritur mendoja t’u jepja fund dhimbjeve, ëndërrimeve, ekzistimit tim, trupit të pane­voj­shëm... dhe doja të kërkoj lirinë, lirinë që më përkiste, që e meritoja, dëshiroja ta shëroj plagën e padukshme.

Ndjeja ligështi dhe assesi s’mundja t’i harroj sytë që më shikonin kur rrija pezull në botën e ftohtë të transit delirik.

Sytë i shkëlqenin, por shkëlqimi aspak nuk më ofronte kënaqësi, përkundrazi në brendësi të syve të saj shihja pikën më të lartë të çmendurisë. Kur të shoh përsëri sytë e mi nxjerrin pamje fantastike. Por edhe kur nuk të shoh duart e mia të prekin. Nëse edhe duart e mia nuk të prekin instinktet e mia të krijojnë. Dashuria është një murgeshë e zbehtë që bart mëkatet e botës mbi supet e vet të molisur. Largësitë janë buzë të mbyllura që krijojnë preludin e dashurisë ku lodrojnë hijet. Blana e krahërorit më hapej papritur dhe zbulonte një plagë të thellë, si shegë e çarë që derdhte gjak zemre. Vallë mos rridhte e tërë kjo pamje dhe ngjarje nga çmenduria që po më afrohej, apo isha bërë armik i trupit tim. E kisha vështirë të kërkoj diçka të cilën nuk dija ta emëroj, por isha i bindur se ekzistonte. Edhe pse isha i ri, dija fare mirë t’i kufizoj ndjenjat e shqetësuara dhe rrija gjakftohtë, sidomos buzëmbrëmjeve kur qëndroja në dritaren e dhomës sime.

Rrija në dhomën e errët nën dritën majuce të qiriut e cila shndriste natën dhe e mundte terrin.

Frynte erë e ftohtë, sikur donte të m’i shkul flokët e shprishura. Qetësi. Frika m’i thente eshtrat e duarve. Për­pjekja për të zhdukur atë frikë do t’i ngjante udhëtimit të imagjinatës nëpër labirinthet e errët të trurit. Jetë delirante plot vetmi. Magji e tmerrshme e jetës lavire. Jetë me shumë pak, apo aspak art...

 

LARGËSI TË URRITURA

 

Një sy dhe një vështrim, pastaj një heshtje me mijëra fjalë. Vështrime që të zhveshin, të çarmatosin si një kurm të ngrirë. Sy të butë, që rrëzohen ngadalë, si refreni i ndjenjave të brishta  njerëzore. Flokë që anojnë kah ngjyra e verdhë. Fytyra femërore me tipare të freskëta njomështie... Natyra me siguri ka qenë në kulmin e fantazisë kur ka krijuar këtë krijesë.

Një instinkt i brendshëm më shtynte ta njihja këtë vajzë. Një ndjenjë krejt e pakuptimtë më pushtonte.

Trupi i saj ishte përbërë nga fllade dhe zjarre. Ishte e shkathtë, çapkëne, lozonjare dhe mbi të gjitha kishte një gërshetim të tipareve me intelektin po aq të plotë. Rrallë bashkohet bukuria dhe zgjuarsia. Te kjo vajzë unë i gjeta të gërshetuara. Kishte një intuitë të pagabueshme. Ajo e kuptoi atë luhatje të imët që më mbante mbërthyer në verigat e një mburoje apokaliptike. E kjo zbehtësi dhe ky shqetësim e kishin burimin diku nga thellësia e shpirtit të saj, të atij shpirti që s’po arrija ta kuptoj. Mos isha unë që u largova nga kjo krijesë ku mëshi­rohej zjarrmia, ëmbëlsia e pse jo edhe feminiteti deri në tejngopje. Ajo më është kthyer në imazh, në dhembje, në vetrevoltë malli e mungese.

Pazgjithshmëria më mundon përthellë.

Ecja drejt një enigme të hidhur dhe përjetuese. Hori­zonti pa mëshirë përpintë ecjen endacake. Hap i dhimbshëm sa një plagë. Plagët matin ecjen me jetë­gjatësinë e tij.

Se ishe e bukur s’mund ta haroj, se ishte e ëmbël pa mos e shijuar,  andaj ndej dhimbje. Është dhimbje e dashu­risë, pasojë e vështrimit të parë. Kërkoja përsëri ngrohtësinë e trupit të saj, njomështinë, freskinë, çdo gjë të sajën kërkoja... kërkoja...

 

NJË FRAGMENT JETE

 

U takuam në pakohësi dhe ti më dhe dritën që kër­ko­va. Mbase vetëm vendi i takimit kishte qenë rastësi, gjithçka tjetër ishte shkak i kërkimit të vazhdueshëm. Ndje­ja dëshirë të papërthyeshme që këtë njeri ta mbaj afër, shumë afër. Sikur të kisha pritur 1001 netë për këtë takim, sikur kisha ëndëruarr për këtë çast... Sado që njohjet, afri­met e shpesh­ta, premtimet e lehta, kishin diçka dome­thë­nëse, diçka shpre­së­dhënëse. Biseda filloi të shndërrohet  në rrjedhë freskuese të lumit pranveror. Kur e shihja në sytë e saj smeralde kisha etje për t’u zhveshur nga gjithçka egoiste dhe këmbëzbathur të shkelja mbi dashurinë, sepse pas kësaj arratie të trupit vinte ajo që nuk e kishim përjetuar. Në fakt ç’ishte ajo që duhej ta përjetonim?, nuk isha në gjendje të dalloj çka po provoj; keqardhje apo dashuri të dështuar.

Ajri, si të ishte i përbërë nga grimca qetësie, lëvizte nëpër rrugët e ngushta të shtruara me gurë, në pragjet e dyerve, në dritaret e mbyllura po lajmëronte se dita po mbaron. Na kishte mbetur edhe pak kohë për t’u ndarë, si dy ishuj, kurse mua s’më pritej deri nesër sepse nuk besoj në të nesërmen.

Muzgu që lëshohej ngadalë të lente përshtypjen e një trëndafili të madh që mbulonte qiellin. Dielli që po perën­donte prapa shpatullave, rreth flokëve formoi një aoreolë. Kishte po atë portret që e kanë shenjtoret – engjujtë. Pata frikë se do të ngjitet drejt qiellit dhe pavetëdije e shtrëngova ashtu si shtrëngojmë diçka që të mos na ikë. Nga kjo sjellje idiotike bëra një grimasë neverie në fytyrë dhe me vështirësi përtypa lëmshin e turpit. Por,... sytë e saj nuk më dhanë as qortimin më të vogël. Përkundrazi një e papritur lexohej në to. Papritmas flokët e saj më fishkëlluan fytyrën me butë­sinë e tyre. Prisja nga çasti në çast të më rrihnin krahët e erës dhe të shpërthente kënaqësia, isha në lektisje që të përhumb e të ronit. Ndjehej erë intime. Në atë moment imazhi ngritej si një flamur triumfi, por vështrimet e fosforta që më frynin në shpirt dhe më zhveshnin harenë deri në lakuriqësi më detyronin të ngrej flamurin e bardhë. Po kapitulloja para vetvetes, zemra rrihte e hutuar dhe s’pyeste mendjen. Rrija ende i alivanosur nga hashashi erotik sa s’mundja të merrja me mend ato flugerë dhimbjesh të buzëve të puthura dy­pa­lësh. Në këtë botë të mbushur me arromën e virgjër të misterit të natës sikur po “tradhëtonin“ me pavetëdije njëri-­tjetrin duke provuar një kënaqësi të panjohur që na e jepte shkrirja e vështrimeve, apo ishte një “tradhëti“e brendshme që ridhte nga tundimi i natyrës. Ajo ishte natyrë, kishte bukurinë dhe vetminë e natyrës. Ishte prej ajri,  prej toke, prej uji, prej dielli e qielli, prej Jete dhe vdekjeje,...

Qetësia që kishte mbështjellë vreshtat dhe shtëpitë të shtynte të mbështesje ballin mbi ndonjë xham dhe të men­doje për jetën e cila me shkurtësinë e saj të mohon shumë gjëra që njeriu nuk duhej ti lë pa i provuar. Ishim në një stinë të papërsëritshme kur provonim DASHURINË– fragmentin më të gjërë të jetës...

 

 

UNIVERS DRITASH

 

Ecja natën nëpër gurët e kalldërmit të vjetër e të latuar nga nallçat e mijëra kepucarëve dhe rrotave të qerreve që shkrepnin plot gjallëri stralli. Tufa dritash të bakërta e të qelibarta që dilnin nga dritaret e dyqaneve feksonin një garë të çuditshme, të heshtur, të pashpallur...

Një dritëz më ndiqte parreshtur. Nën pushtetin e saj të papërballueshëm, ngado që të sorrollatej, koka i lëvizte me shprehinë e fytyrës së lulediellit. Me forcën e vet çuditërisht shkëlqyese ia kalonte asaj të yjeve, matej me atë të hënës, i afrohej asaj të diellit në zenit, kishte diçka nga magjia çudibërëse e llambës së Alajdinit. Herë-herë bënte repriza të një reflektimi hyjnor, nganjëherë shkëlqimi i saj lëshonte një vetëtimë të hollë, të shkurtër që përplasej tërbueshëm mbi mua. Gjithkund dhe gjithnjë me të.  Nga këto vezullime marramendëse gjurmoja nëpër dritare, shikoja edhe pas grilave të tyre, hipja edhe mbi çati. Shkoja andej nga më çonte ajo. Ajo dritëz më rrëmbeu si pendël zogu n’ajri. Nganjëherë ikte si bishë e ndjekur malit dhe unë vazhdoja me ngulm gjurmimin sikur të kisha humbur diçka të çmuar e të dhembshme. Tek e prisja me të pesë shqisat ajo befas shqiptoi emrin tim, ngadalë, e me zë...! Emri im... më ushtoi në veshë si jehonë e harruar dhe e largët. Akulli  i ftohtë i valëve të fjalës  më preu përgjysëm nga brenda. Një çekan i rëndë mbi kokë po ngulte si në tokë gozhdën e dyshimit dhe habisë. Preka kokën me dorë, ndjeva një të rënë të topitur por jo edhe dhimbje. Ndjenjë instinktive m’i shtriu duart përpara,  drejt saj... dhe ajo u lëshua si perde prapa së cilës fshihej një femër. Ajo tash nuk ishte dritëz e mekur që me turfullonte mendjen duke më endur rrugicave të errëta të botës, ajo tash kishtë trup dhe mish të një femreje të për­kryer. E ndjeja se ishte tmerrësisht vështirë ta njihja si DRITËZ dhe aq më shumë të hyja në atë univers të ndrit­shëm, të turbullt, të qelqtë që quhej FEMËR.  Vendtakimi qe në varre të cilat të humneruar në valët e epshit lëvrinin në vend si barkat në detin e tërbuar. Më robëroi vilania dhe pash veten të shtrirë gjërë e gjatë përdhe. Ndjeva se si diçka e ftohtë, e zjarrtë më therr trupin gjer në palcë.

M’u duk vetja se e gjithë kjo ishte  vetëm sajesë e iluzioneve të mia. Po, po ashtu është...

 

TELEFONATË ZEMRASH

 

Dikush, nuk më kujtohet se kush dhe në çfarë momenti të saktë të ditës më tha se ajo qe kthyer. Ajo ditë edhe ashtu qe e rrëmujshme dhe ndjehesha i lodhur sa s’thuhet. U shtriva në krevat, me kokë të boshatisur nga mendimet. Një shkëndijë e beftë ma ndriçoi kujtesën: Ajo qe kthyer! Më pas kujtesa vazhdonte, sikur ajo ka jetuar e vetmuar dhe e mbyllur në shtëpinë e saj dhe e vetmja lidhje me botën time ishte telefoni, kur më merrte nganjëherë. Nga xhepi nxora një copë letër ku qe shënuar një numër. E ndjeva që tërë trupi m’u drithërua, se qe i saji. Mblodha veten dhe bëra ta formoj numrin. Prita ca sekonda dhe zilja u formua mirë. Ajo! O Zot, zëri i saj, o Perëndi! Zëri, të cilin unë e kisha e harruar. Pata frikë se mos... dhe mbylla telefonin.

Të nesërmen, shpejtova të kaloj nga shtëpia e saj që  ndodhej në një rrugicë qorre mes shumë rrugicash tjera. U ngula përballë saj në një largësi jo shumë të madhe dhe prita. Kaluan më shumë se dy orë, por askush s’doli e s’hyri...

E kuptova se i qesh futur një loje të kotë dhe vendosa të harroj gjithçka. Lëviza këmbët duke i qëndruar besnik harrimit me një lloj kënaqësie të çuditshme që qarkullonte nëpër eshtrat e mia si lëndë magjike.  Ajo kishte qenë e para për mua..., deri kur një dikush qe futur  edhe në intimitetin e saj, atje ku unë s’arrija dot. Pesha e mllefit që mbaja ma rrëmbente dhunshëm gjysmën time. Unë s’mund ta mbaj më peshën e saj kozmike pasi tërë hapësirën e kishte mbu­shur me kujtime... Më duhet afërsia e asaj. Dikur ishim të dy rreze që konvergjonin në një pikë – dhe dashuria qe pika. Atëherë mundohesha të bëhem një më shumë se ç’isha.  Por, ajo s’e kuptonte...

U ktheva në shtëpi me shpirt në thembra. Provova edhe një herë telefonin. Kujtesa këndonte numrin e saj...

Jam unë thashë zëdredhur. Të njoha, si je? Mirë, vazhdova unë. Po ti? Mirë...

Pra, Zot-o! Ne u pajtuam. Ajo më njohu, bile më quajti serish “i dashur“...

Vitet kalonin e ne të dy takoheshim dhe ritakoheshim duke u munduar ta gjenim atë që nuk ekzistonte, që e kishte tretur koha me mokrat e  veta. Telefoni më kish vënë përballë ndërgjegjes e më kishte bërë të flisja me të, pa mos e takuar asnjëherë...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •