Romeo patjetër duhet të vdesë - II. PËRGJIGJE VETES
| Thursday, 11.20.2008, 07:42 PM |  

II. PËRGJIGJE VETES

 

 

I kam borxh korbit

Kështjella e Kafkës

Hon

Loja pas Apokalipsit

Pjesa ime e ajrit

Dëshira

Rrokullisje

Prometheu i lagjes sime

Udha drejt detit

Pa koment

Udhëtim

Uni - sundimtari im i përmotshëm

Qielli i sorrave

Një përgjigje vetes

Kështjella e tabuve

Roja e vdekjes së fundit

Dreqit vendës          

 

I KAM BORXH KORBIT

 

Ecja drejt tempullit ku ishte parathënë e ardhmja ime. Dëshira për t’u prehur në velat ”e amshueshme të këna­qësisë“ sakaq u bë burg ndjenjash, u bë derë e kafazit të shpirtit tim, ku era, si hajneshë, hynte e dilte pa lënë gjurmë grilave të tij.

Unë i burgosur. Unë... biri i perëndive... Tiktakun e pëshpëritjeve të mia e mësuan përmendësh poetët e verbër, të përndalur udhëkryqeve të botës. I hidhëruar dhe me shumë blasfeme rrija mbështetur në jastëkun e ligësisë. Kaloi muaji, viti, jeta e tërë... dhe unë u gjenda nën kam­xhikun e xhelatit të pamëshirshëm. Murgjit piskatnin si minj. Unë ende thurja urata (dëshmi të heshtura) që ta qetësoja detin e tërbuar. I kisha borxh korbit që s’ia zbardha pendlat. Brenda meje ziente një inat i verbër. Inatosesha me plogështinë time. Lutesha për një dëshirë: "krijoni një mumi dhe më mbani të pavdekshëm“... Ju lutem...

 

KËSHTJELLA E KAFKËS

 

Teksa sorrollatesha varrezave të shkretuara të mendjes sime m’erdhi një lajm nga kufijtë e vetëdijes. Si trokitje e rebeluar ne derën e të panjohurës m’u kujtua “kështjella e Kafkës “... që më mbante të kurthëruar në pikëllim. Tulet e saj të rënduar me tetuazhe burgu shembë­llenin në mozaiqe arabeskash, piktura imazhesh, arkitekturë e ngritur nga spektër ngjyrash. Brenda mureve të gjalla qorrazi udhëtonte mëshira, zhdukej jeta, pasqyrohej vdekja. Gjersa hëna e lodhur fshinte me dorë përfitimet e kontro­lluara prisja të zbulohet fshehtësia e jetës, prisja shpëtimin nga vdekja e përnjëmendtë..., prisja një rilindje çudie. Mër­mërova diç në frymëmarrjen time dhe ndjeva se isha i burgosur në botë misteresh....

Jetëvdekja që pasqyrohej mureve të mishta të  “kësh­tjellës” ishte një kanalizim fëlliqësirash, litani dështimesh, magji shtrigash... Mund të jetosh dhe të vetëvritesh kudo dhe kurdo...

 

HON...

 

Nuk kishte zbardhur dita kur ai u zgjua i lemerisur dhe i mbytur në djersë nga një frikë e panjohur.

I qe bërë sikur binte me mijëra herë në një hon i rrokullisur nga shkulm ere, ngritur përgjysmë mbi shtrat, megjithëse ishte zgjuar. Ishte e pamundur të dilte në rrugë. Shkulmat e erës fshiheshin pas çdo gjëje.

Atë mëngjes pasditeje, gjëmimi i furtunës qe kthyer në vërshëllimë ere dhe ajri u freskua. Ai u çudit dhe e shprehu çudinë me anë të një heshtjeje të shkurtër. Atëherë u shtri. Vajtën minuta të tërë, pa ditur si të qetësohej nga ajo brengë e madhe misteri në shpirt dhe atë frikën e rrokullisjes në hon, që po ia helmonte gjakun.

 

LOJA PAS APOKALIPSIT

 

Jetojmë botërave  përjetësisht të vjetra... aq  të vjetra sa kanë zënë krimba... Në to ngriten shumë ura të rreme ylberësh që në fillim të joshim me kurrizet e tyre shumë­ngjyrësh, e më pas të vërvisin kushedi se ku... Në to ka lule të mrekullueshme bore që të tundojnë më shumë se çdo sirenë, por që e kanë aq të lartë çmimin e këputjes dhe grumbullimit në tufë. Koha e harroi kaltërsinë... përplasej andej-këndej si grua e çmendur në epsh. Përrenjtë dukeshin si shtretër bashkëshortësh të braktisur. Kudo shihen kështje­lla të ndërtuara me kafka artistësh të dënuar, nga të cilat dilnin klithma dhe vaje qyqesh. Atë peisazh, dikur të pis­pillosur me gjelbërim,  sot e kanë mbuluar varrezat, gurët e të cilëve lartësohen deri në qiell. Mbi ato gurë-lapidarë varrezash rrinte një zog. Ortiqet e mnershme që i pjellte klithma e tij tregonin se kishte marë fund çdo gjë... Kishte mbetur vetëm ambalazhi-etiketa shekullore.

Skllavi më tragjik i këtij iluzioni, i damkosur nga vula e poshtërsisë hidhte “valle ujqërish”. Gjymtyrët i dridheshin si degë të thyera. Fati i tij qe strukur në një thes të arnuar mëkatesh.  Por, ai vazhdimisht luante, luante.

Ai vetëm luante, madje vëmendshëm lojën post­apo­ka­liptike...

 

PJESA IME E AJRIT...

 

Ajri s’i bëri mirë, ndërsa gjithçka përreth tij gatuante me marifete alkimie, një ankth të tmerrshëm, i cili nga çasti që iu ngjiz, vendosi ta vriste. Në fraksion të sekondës, i kishte ndryshuar brendësia, diafragma provonte një si tërmet, zemra e zmadhuar kishte fituar tepër peshë, kishte rënë në fund të këmbëve..., ndërsa rropullitë tjera  kishin marrë arratinë. Lente dyer e dritare hapur, me shpresë se diçka e papritur dhe e rastësishme do të hynte në jetën pa të papritura, që ta shpëtonte. Nuk ndodhi asgjë. Ideja e ngulur se do mbaronte po të dilte jashtë e të vinte në kontakt me ajrin e huaj qe një reaksion i tmerrshëm papajtueshmërie. Vetëm. I krijoi sërish lidhjet me sendet që i kishte sjellë nga vendlindja, nëpërmjet aromës së tyre ta thyente vetminë. Ankthi e la të qetë, atëherë si shenjë të fitores së tij, engjulli i Fatit ia plotësoi dëshirën për pjesën e vet të ajrit...

DËSHIRA...

 

Më shfaqen njerëz pa fytyra dhe fytyra të maskuara që prishin bukurinë e pasqyruar në sipërfaqen e ujit të një pusi. Mbeta  në thellësinë tënde dëborë, ti ëndërr e çmendur që dikur aq netë më mundove zemrën me lumturi false, e tani si fantom deti më kërcënohesh edhe në ditë të bardhë.

Nata ngryset, ndërsa ti nuk heq dorë nga loja e fëlliqur dhe munduese.  Herë më mbulohesh me çarçafin pis të nxirë, e herë shpalohesh dhe qeshesh me të madhe si e dalur mendsh.

Ti dëshiron që dhe unë të të ngjasoj ty, e di, këtë dëshiron, të bëhem shoku yt. Jo, besomë,  ti s’do të bëhesh asnjëherë mikja ime, ajo do të jetë zana e malit me vellon e bardhë që e thërrasin shpresë e që bredh botës dhe hedh stërkala jete.

 

RROKULLISJE

 

Mbi kohën me mjegull rrëshqasin fatkeqësitë. Lu­menj­të e mendimeve rrotullohen në pëlhurën e meri­mangave, formuar nga vitet e pritjes. Ulur në stolin prej druri, poshtë gjetheve të zverdhura të parkut vetmitar, ai sodit këtë botë të plagosur ku lexohet shqetësimi.

Era e ftohtë dhe vuajtja nga moskuptimet e bënë  ta kujtojë vdekjen. Nuk i besohej dot se koha kish mundur të shkaktonte rrënime të tilla. Tërë horizonti qe mbështjellur me dritë pasigurie. Liqeni pupuriqej si oqean i turfulluar dhe një erë rrëmujëtare i trembi pulëbardhat dhe i plasi përtokë si gjethet e fundit të drurit.

Ai pati ndjesinë e një rrokullisjeje të pafund nëpër katet e botës së poshtme deri te pellgu i vdekjes...

 

PROMETHEU I LAGJES SIME...

 

Për supin e kohës mbështeta kokën dhe s’dremita. Asnjë mendim s’më qeshi e asnjë puhi s’e lëmoi kurmin tim. Dëshirova të më rrethojë hareja atëherë kjo botë do të ishte dashuria e parë për mua. Por, papritmas zbritën në rrugë hijet,  si klithje të pafuqisë. U shkrinë në vrushkuj e nata rëndë pikoi nga klithjet e dhimshme që i la “Prometheu i lagjes sime” në çdo prag dere. Atë e ndjekte një zë, si vdekjen hija. Ia fillonte një tregimi që s’ka as fill as fund. Vetëm me ëndrra e shpresa të sfilitura kërkonte veten n’errësirë.

Ndaj fatit të keq s’vlen qëndrueshmëria. Por, ai thosh­te me vete: unë akoma do të luftoj me këtë det dhimb­jesh, e skamjesh, kryelartë e i mërzitur,  i mbyllur nga retë dhe nga smira...

Të nesërmen, te lulet, u shfaq dielli e perëndoi. Por, hëna u duk si e helmuar. Errëra të ndezura vinin mbi kurmin e tij të vdekur... Ahet që mjerimi i sjell ngrijnë dhe era larg i shpie.

Nata përsëri bëri protestë sociale...

 

UDHA DREJT DETIT

 

Ai i shembëllen cigares mes buzëve, që zvogëlohet, rrudhet e soset qetësisht, pa fjalë, në vetmi... Ecën bregut të detit të pikëllimit, i përhumbur dhe me ndjenjë trishtimi  për t’u futur. Imazhi i zbehtë për jetën i ishte vulosur që moti. Ngre me vështirësi roletat e syve dhe shikon ombrellën vigane të qiellit, këmishat e çara të reve, vetminë e diellit dhe... ul kokën i zhgënjyer...

Kërkëllima e blindimit të zemrës ia prish gjakun dhe niset drejt detit..., shkon drejt thellësive të pamatura, e të frikshme, me shpresë se nën valët e detit jeton JETA E QETË E MENDJES...

Trupi i shkëputet nga vetja dhe del mbi sipërfaqe, shpirti i varroset në qiell...

 

PA KOMENT...

 

Brejtësit veshmëdhenj e bishtgjatë, pas shumë kon­sul­timesh, u përgatitën për të sulmuar. E organizuar mirë ushtria e përhime filloi të bëjë ugar mbi shpirtërat...

Shtëpitë u shndërruan në çerdhe ahengu. Kur iknin lenin enë të përmbysura, gota e shishe të thyera. E gjithë kjo i ngjante një mizërie e cila për pak kohë do të lente të vdekur gjithçka të gjallë.

Në anën tjetër macet filluan micërrimin e  hartimeve të planeve në pjatat e tyre. Betejat me hardhitë e minjve dhe obligimet tjera morale që populli minor ua ngarkoi në shpinë së shpejti i bëri macet skllavë të minjve dhe i vuri ndër pranga.

 

UDHËTIM...

 

Vraponte rrugës pa e ditur se në ç’drejtim ishte nisur. Shihte vetëm mjegull. Përpara kalojnë  silueta me forma të ndryshme, me gjymtyrë të lëvarura anësh, sikur të mos ishin pjesë të përbashkëta të një trupi.

Kafka të zverdhura e të roitura dilnin nga gropat; kokalla të ngrëna të përziera me kocka ujqërish; kuaj të dehur që përpiqeshin t’u hypnin skeleteve të njerëzve; lëfetarë qefinësh që valëviteshin si flamuj pa stemë,  në betejë për nxjerrjen e përmbajtjes së trurit...

Por, ai s’pushonte së vrapuari, e në çdo pjesë të trupit ndjente frikën. Pengohet dikund. Rrëzohet. Ngrihet dhe përsëri vazhdon rrugën për në zemër të mjegullës. Nata s’e ka verbuar, jo.

Më në fund me sytë e plagosur nga stërmundimi i zgurdullimit pa ca drita që binin si meteorë të një qielli shtatori dhe zbulonin konturet e kështjellës... (Atje ku edhe qe nisur!). Ajo ishe afër, por kjo afërsi ishte shumë larg tij...  E ndjeu veten të rimëkëmbur nga iluzionet, nga përjetimet e imagjinuara në halucinacione të natës dhe të errësirës me kombinime të ëndërruara, prej nga ishte nisur dhe ku kishte arritur pas gjithë atyre bredhjeve jo të kota, por të mundim­shme...

 

UNI – SUNDIMTARI IM I PËRMOTSHËM

 

U humba në perëndimin e diellit vjeshtor. Më verbuan me ngjyrën e kobit, më skalitën latë-latë në fasadën e gdhendur nga dhimbjet e botës. Më nxorën nga Labirinthi i quajtur JETË dhe më futën në një kohë të humbur, në një BOTË PËRHIME..., në një vend më afër Ferrit se sa Parajsës. Këmbët e mia shkelnin  urnë, eshtra, djersë dhe gjakun e përtharë të të munduarve.  Dëgjoheshin klithma, sokëllima dhe lutje korale të robërve të shkretëtirës, refrenet e të cilave m’u shndërruan në ninulla. Nganjëherë shpirti lëkundës lutej  për përvoja të pakëndshme. Padashje fillova ekzistencën – ëndrrën e monologut dhe dialogut pole­mizues. Fillova me vdekjen, mbarova me lindjen Njeri. Por, i mbijetova të gjitha, kokëfortë si hithra, duke ma arnuar jetën sadopak Uni im – sundimtari i përmotshëm...

 

QIELLI I SORRAVE...

 

Era shpërndau flokët e mjegullave pas qafës së malit dhe në vend të tyre solli ca sorra të fëlliqura. Ai muzg me lule gjaku u njollos me pllanga të zeza, të zeza sterrë që pillnin tmerr si në pikturat ekspresioniste. Qielli ku fluturonin lirshëm fluturat e shpirtit u mbulua me re sorrash që paralajmëronin ndarje, ethe, vetmi...

Më rëndoi një gravitacion i çuditshëm shpirtëror. Dhimbja e cila më stërpiku me ngjyrën më të zymtë të pikëllimit më solli në vete. Mbase ndjeva nevojë për prehje vetmashtruese, mendja ime sikur dezertoi dhe nga skena e tillë morbide u nis drejt shtegut utopist. Tani nuk do më vinte çudi sikur nga ai qiell të shfaqet vet djalli... dhe ai u shfaq,  në formën më konkrete të njeriut. U takuam si dy re në shtrëngatë shiu. Edhe pse të dy NJERËZ, dalloheshim, ishim krejtësisht të kundërt. Elektricitetet shpirtërore na sollën menjëherë afrimin dhe vetëtimat...

Me majën e shpatës së DEMOKLEUT grisa qiellin e sorrave,  prej nga hyri dritë e diellit. Djalli u verbua. Ai nuk e do dritën, është mësuar në terr të mpiksur... Ua dorëzova sorrave me idenë e moskthimit...

 

NJË PËRGJIGJE VETES

 

Të gjithë presin kiametin eventual... ndjenjën e hum­bjes së çdo gjëje. Entusiazmi s’ka kapak, të gjithë luajnë me dramën e fatit, sot dëshëprimi ka përmasa kozmike...

Në udhëkryqet e historisë shiten klithma poetësh, që me infuzione ëndrrash mezi mbahen në jetë...,  a nuk meritoj asnjë varg në histori?!

E panjohura e misterit personal e cila ngritej nga hiri i utopisë më pyeti pse isha i përthekuar nga ndjenja e fata­lizmit. Nuk e di! - iu përgjigja me qetësinë e një mumije. Fillova të bëj dialogje dinamike me vetveten, të cilat kishin një fuqi më shumë se sa ngulfatëse .

Isha mbledhur në vete si thelbi i arës nën lëvozhgë. Trupin e kisha fushëbetejë ku luftonin pyetjet dhe për­gjigjet. Pse “lumturia e njeriut qëndroka në fatin e për­caktuar“?...

Në këtë vend shekujt e mllefit s’ndryshken kurrë, këtu kolovitet e mira dhe e keqja... Frikohem nga të papërjetuarat dhe të paprovuarat në jetë,  ku është strukur stina ku ne do e njohim vetveten?!... Le të ma tregojë dikush udhën fluide drejt shpëtimit..., apo të pres ende atë “RILINDJE ÇUDE“ që ta ndryshojë skenarin e jetës... Eh, sa do të doja?!

Në ndërkohë m’u kujtuan ca vargje të një poezie: “Mos kërko dritë nga yjet, diellin tënd në pëllëmbët tua e ke... Duart në xhepa s’kanë të nesërme"... e kështu me rradhë. Le të mbetet kjo përgjigja e kërkuar...

 

KËSHTJELLA E TABUVE

 

Bëja luftë karrikaturash me vetveten. E folmja rrugore e cila blegëriste histerikisht kur shihte kaos, më dha ide ta pikturoja “KËSHTJELLËN E TABUVE “ – kompleksin ku afirmoheshin kurvëritë. Valët e përziera të mendimit me një magji eterne lenin gjurmë në pikturë. Festoja triumfin e marrëzisë kur shihja në pëlhurë  kurme të ngrirë se si mundoheshin të mësonin “artizanatin” e SEKSIT TË ANTIKËS... Një mori figurash të sjellin ndërmend njerëzit e lindur për dashuri fizike, të cilët kur gjenden nën fusha të forcave erotike, me një instinkt të pagabueshëm i nuhasit të gjitha mundësitë e erotizmit. Aty nuk mungojnë as sjelljet  e kurtizanave të regjura nga tërbimi emocional. Lakmia e madhe dhe nevoja pothuajse e sëmurë për t’u argëtuar po përqëndrohet haptazi... ky vazhdim  tabloshë flet më shumë se mijëra gjykime tjera, këto janë vetëm njolla  në pikturën e pakryer...

 

 

ROJA E VDEKJES SË FUNDIT

 

Përmes grilave të qelisë shikoja errësirën dhe dëgjoja klithjet e valëve të detit.

Ai më doli përpara, nuk m’a dorëzoi shpirtin, nuk më liroi nga pranga shekullore, nga burgu abstrakt. Mbeta mby­llur në retinën e horizontit, kohës. Çdo grimcë e imët e pluhurit rrëfente figurën e tij. E shikoja mu tek tehu i briskut. Ishte i hollë... Më vra – i thashë, dhe mbylle atë libër lutjesh që e ke paluar në vetvete, më lejo të mbetem POEZIA E FUNDIT ETERNE e gdhendur  mbi kufomat e të munduarve tjerë...

Ai po qëndronte në qoshet e papërcaktuara të qelisë sime, statik, i qetë, serioz e misterioz. Më habit diskrecioni i tij kur e dija se ka trashëgim mllefin e maskuar të skeptikut, ka dinakëritë si të racionalistëve dhe  çiltërsi të zjarrtë si të një ateisti. Gjithë këto iluzione endnin pëlhura të trasha dyshimi në vetëdijen time. Qëndroja brenda  vetes, si guri në rërë, dhe si hije m’u shfaq ANUJI... dhe më shkroi në mur dyzimin e tij prej avokati. Sa arrita të kuptoj, unë nesër do gjykohem, edhe atë me vdekje... Tmerr! O Zot, ndih­momë, Utnapishtim më jep barin që ia dhe Gilgameshit, shpëtomëni, ju lutem... Me mish e me shpirt dhembjet kërkuan t’u jepja fund. Erdhi VDEKJA E FUNDIT...

 

DREQIT VENDËS

 

Me anije pa timon erdhi nga antika, si sfinks i gjallë. E di, erdhi t’ma turbullojë detin e mëngjesit të qetësisë dhe t’m’i  përzë stinët me ngjyra ylberi. Sikteriset  shpirti, bota vritet, krijohen industri që prodhojnë të keqen, njeriu humb vetveten, jeta bëhet arenë ku verifikohet forca e dhimbjes... Fobia e topitur shpërthen me egërsi zëbreshke kur sheh njerëz që i bien në sexhde Iblisit... Arsyeja është strukur në një labirinth të mosdijes se çdo të sjellë e nesërmja. E nesërmja nuk më mëshiron, ajo nuk duhet t’i ngjajë të djeshmes. Si ta maskoj hutimin? Në cilin shekull të futem?...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •