Romeo patjetër duhet të vdesë - I. NË KËRKIM TË DASHURISË
| Thursday, 11.20.2008, 07:44 PM |  

I. NË KËRKIM TË DASHURISË

 

Hije-personazh

Sytë...

Zbulimi          

Prehje

Në kërkim të dashurisë      

Gjysmës sime...        

Provë e suksesshme

Ndarja

Gabimi

 

HIJE-PERSONAZH

 

Ngrihesh natën, vonë. Ulesh në karrige, merr një letër, hedh ca fjalë,  pastaj sheh letra tjera bosh. Ç’presin këto letra? Fjalë, fjalë. Ç’janë fjalët? Frymë, qenie. Kur të largohen ngritesh nga karrigja, i vjen rrotull, i kërkon me sytë e mendjes. Dikur të vjen ajo frymë. Shkruan. Pastaj ndalesh. Nganjëherë bërtet. Dhe përgjigjja s’vonon. Vjen si një hije dhe shkel mbi zërin tënd.

Të afrohet. Ti e sheh dhe s'bëlbëzon dot asnjë fjalë. Hija e gjatë lakohet nëpër terrin e natës. Duke u zgjatur lart dridhet e shkrihet me qiellin e errët të dhomës, përkulet mbi trupin tënd. Ti akoma s’bëzanë. Shikon me sy të stërhapur përqark: njerëz të ndryshëm dalin nga errësira e natës. Ti ua hap derën drejt boshësisë së letrave dhe ngjyros pa ngjyra bardhësinë e një tregimi ku hijet janë personazhë...

 

SYTË...

 

Deshi s’deshi, shtigjet e qytetit tashmë i njihte si vijat në shuplakën e vet të dorës. Ka kohë qyshkur e shqetësojnë dy sy të një femre. I heton ato kudo: në tokë, në ujë, në ajër madje edhe në qiell. I shfaqen si dy pasqyra të vogla në pikë të ditës, në sterrën e natës e jo rrallë në peizazhet e ëndrrës. E dinte mirrëfilli se feksi i tyre ishte nur i fatit të tij. Ngado që të vërtitej, si një glob rrotullues në vend, ajo ishte bërë nishani më tërheqës. Ishte një krijesë e brishtë dhe shumë e bukur. Flokët e verdhë i kishte të rëndë dhe të gjatë, derdhur poshtë supeve dhe vetëm në mes të shpatullave u bënte pritë një lidhkë e zezë. Krelat e lehta ia rrethonin fytyrën e qumësht dhe ovale, ku sytë e mrekullueshëm larushë përbënin pjesën më interesante.

I shihte diku gishtat e këmbëve të tij tek i vihen gjurmëve të thembrave të saj. Kur ia prek dorën, fillon të ndjehet fluid i papeshë. Duart i kthehen në flatra dhe fillon të shkëputet, të ikë... në ndarje ai përcillte rrugën ajrore të syve të saj xixëllues që lenin pas një kordhele, të dobët, e të tretur drite...

 

ZBULIMI

 

Me  grykësinë e njohjes së parë, ai filloi të zbulonte e të studionte gjithçka tek ajo, që nga jeta e përditshme, çastet e fikësuara, lëvizjet e zakonshme, ato që përsëriteshin dhe ato që shfaqeshin vetëm një herë. Ndërkohë ai nuk lodhej me zbulime. E kishte lënë veten në dorën e saj. Dashuria e tij ishte e lehtë dhe e avashtë, me një akord të përkryer që përsëritej e përsëritej...

Më në fund gishtërinjtë e tij prekën diçka të butë, si shpirti. Ai ndodhej fare pranë një zbulimi të Madh:

gjeti pranë syve të saj sytë e tij të bashkuar në një, që u shfaqën si një copëz e tallazuar oqeani...

 

PREHJE

 

Ai nisi të kërkonte prehjen, madje ankthshëm. Ishte e pamundur të gjindej. Endej i paqetë, si një pelegrin pa kompas, mendjeçartur, si një dashnor tragjik në kërkim të shkakut të tradhëtisë së lashtë. Dhe më në fund e gjeti..., tek një gushë  e bardhë dhe e zhveshur që lëbyrej nën dritën e hënës. U shtri mbi profilin e asaj gruaje me gushë të mavijosur nga plagë pasioni. Mendoi i çliruar më në fund, kish vendosur të jetonte në botën që i takonte vetëm atij dhe që nuk do e kthente kurrë tek Ajo. Kurrë…

 

NË KËRKIM TË DASHURISË

 

Ka kohë që në zemër ndjej një të rrahur dashurie të trishtë e kërcënuese. Mes heshtjes së mbytur, jermisë dhe ajrit të ngrirë, në shkretëtirën e jetës së heshtur, në vaj e dhimbje, buzëqeshja jote më del përpara...

Netët e pagjumë copëtohen nga goditjet e orës. Endem vetmisë si ai që nuk shpreson më asgjë. Jam vetë çmendia që mes rrrugicash të errëta ndjek yjet krahëvarur, si simbole shpresash të humbura. Valët e vajit tim lëpinë buzët e një burimi ku lajnë këmbët dhembjet e botës... Nata përtoket si një breshkë e çalë rëndë, si fryt i hoveve të mia rinore dhe jehonë e vuajtjeve të shpirtit tim. Po thehem nga fuqia e një vullneti. Si t’i frenoj hovet e zemrës së kryengritur?

Në çast kap vezullimin e një rrezeje shprese  përballë stuhisë që nuk pushon... Një harmoni plot ëmbëlsi m’i pajton ndjenjat me përkdheli. Buzëqeshja yte mbjell tokës visare të reja hareshë qiellore dhe unë sërish rend në kërkim të dashurisë...

 

GJYSMËS SIME...

 

Ndodhesha në një gjendje të papërckatuar për­humb­jeje. Nuk e di se ç’kisha..., ndoshta ishte veç pasioni që pulsonte dhe më ngjallte kujtesën për ty. Tretur në vorbullën e kujtesës, nuhata intuitivisht erën e lëkurës tënde dhe menjëherë më ra një shkulm i beftë emocionesh. Më dukej se të dy i shfaqnim shpirtërat lakuriq para njëri-tjetrit... Ishim të sinqertë deri në absurd. Unë isha gjysma yte, ti ishe gjysma ime. Të dy bënim një. Asgjë s’përgjasonte me ndar­jen përkundrazi, kohezioni shpirtëror portretonte ngjyrën e bashkimit. Gjithçka qe kredhur në një prehje të ëmbël. Dëgjohej vetëm protesta e heshtur e cila kumbonte në zemrat tona. Në sytë e saj shihja reflektimin e bukurisë sime...

Ajo ishte imazhi im. Më kot u mundova t’ia fiksoj impresionet me vija e vargje fluide... ajo qe qenia që më shumë se kushdo tjetër i ka trazuar ndjenjat e mia, ajo qe vajza së cilës i kishte fluturuar i tërë intimiteti.

 

PROVË E SUKSESSHME

 

E kisha humbur atë vështrim që më zinte për krahësh, tinzar dhe i fuqishëm; e kisha harruar mallin e çartur për sipërfaqet e ndera të ujit që burgosnin copëza qielli; nga kujtesa më qe fshirë muzgu dhe unë më nuk bridhja si i shkallmuar bregut të detit a liqenit. Sa kohë që e kisha humbur. Imazhi prej së largu më ngjante i huaj. Provova të vështroj dyshimtar vajzuken që e kisha përballë e që kishte zënë të përtypte një fije bari rrëzuar anash. Nuk e di pse më pëlqeu ta gënjeja dhe ta mbaja atje, mbërthyer pas pasionit të parë. “Gruaja që dashuron nuk ka asnjë të metë. Fillo ta urresh dhe shih sa të meta ka” - thotë një urti... 

 

NDARJA

 

Dy gjysmat që e kishin provuar vetëm për pak çaste magjinë e të qenit bashkë, ktheheshin përsëri në vetminë e tyre  torturonjëse e cfilitëse... Ajo urë-ylber i ëndërrt u rrëzua. Të dy, në të njëjtën kohë u gjendën përpara një muri me tavan që mbahej mrekullisht në këmbë... Të lodhur dhe të plakur. Pasionet e fillimit si kishin më. U përpoqën disa herë të sajonin ndonjë lojë ku të dy do të angazhoheshin që kënaqësia të ishte reciproke, siç bëjnë të porsadashuruarit. S’u mbeti gjë tjetër veç të shkëmbenin të puthurat e vjetra të ndarjes...

 

GABIMI

 

U mundua të kuptonte atë që s’po kuptonte dot. Nuk e pati të lehtë, se ato i vinin e i ngatërroheshin me dëshirat dhe ëndërrimet e saj që patën marrë formën e kujtimeve. Luftoi për të vënë rregull në to, derisa një ndriçim i beftë i mendjes e bëri të kuptonte gabimin e hatashëm; po përpiqej të hynte dhunshëm në një botë të huaj që refuzonte ta pranojë...

Dhe bota e huaj ia kishte kthyer përgjigjen e prerë: do t’i jepte vuajtje gjer në fund derisa ajo të mësonte të mos tërhiqej prej Tij...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •