TESTAMENT
| Friday, 11.28.2008, 09:35 PM |  

Pasardhës të dashur, këtë amanet munda t´jua lë edhe me fjalë, por më mirë po jua lë si testament olografik, sepse kam frikë që mund të harroni ose të shtoni ndonjë fjalë. Megjithatë, nuk ka rëndësi nëse e harroni; sepse, që në fillim më duket se do t´ju dëshpëroj e mërzise.

Kush çan kokë për skeletin tim, çfarë rëndësie ka se kujt i takon ndonjë pjesë e tërë kësaj pasurie të vetme që po e lë unë? Sot njerëzit kanë halle edhe më të mëdha, apo jo?

S´ka nevojë ta lexoni testamentin të gjithë ju; këtë mund ta lexojë vetëm njëri, e ai njëri le të jetë kush lexon më bukur; ai që duke e lexuar, jep edhe tonin e testamentit si rrëfim. Pra ky testament mund të jetë edhe rrëfim apo tregim.

Kjo më bën të habitem me vete se si testamenti mund të bëhet tregim?

Po pra, testamenti mund të bëhet edhe tregim.

Pa, a mos janë tregimet e tjera më të mira ?

Në përcjellje, trashëgimtar të mi të urtë e të nderuar, mund të vijnë edhe ata që, kur takoheshim, i vareshim në qafë njëri-tjetrit, edhe ata që nuk më kanë thënë kurrë mirëdita, kur jemi takuar.

Edhe ata që më kanë dashur, edhe ata që më kanë urrejtur.

Le të vijnë të gjithë, le të vijë edhe profesori. Do të vijë edhe ai, po të dëgjojë për mua se, edhe pse më ka lënë për riprovim, ai nuk pati faj; po edhe unë nuk u dëshpërova fare, sepse një herë shkova gati i papërgatitur në provim, kurse herën e dytë, s´di se di më doli nga mendja përgjigjja e pyetjes së parë, që ishte një ndër më të lehtat.

Pse po habiteni!? S´ka rëndësi pse profesori im është doktor shkence, ai di se ç´´bën, më ka dashur shumë...

Jo, ai nuk ka ditur se unë shkruaj, po edhe kjo s´ka rëndësi, sepse, edhe ju mund të shkruani. Të gjithë mund të shkruajnë. Bile, një shkrimtar i kohës sime, të cilin kritika i vlerësonte lart shkrimet e tij, intimisht po ju them, më ka thënë me gojën e vet se nuk e di as larg e as afër drejtshkrimin e gjuhës në të cilën shkruan.

Si?!

Po si, si?!!!

Pse ne kemi lektorë, redaktorë e të tjerë?

Është me rëndësi ta gjesh temën dhe të diktosh në manjetofon e pastaj këtë punë krijuese e rregullojnë daktilografët. Po të janë ata të arsimuar, nuk ka rëndësi fare fakulteti; lektorët, redaktorët e të tjerët janë të panevojshëm ose janë vetëm formalisht...

Dhe, trashëgimtarë të mi të dashur, kur hyni në Lagjen e të Vdekurve, kini kujdes e mos shkelni në varre, se ua lëndoni eshtrat rahmetlinjve...

Jo, atyre nuk u bëni gjë, më falni - atyre as nuk ua lëndoni eshtrat e as nuk i dhemb trupi kur ju i shkelni. Mirëpo, s´ka lezet të shkelet njeriu i vdekur ose skeleti i tij. Më në fund, ata janë thellë në dhe; por, një njeri i madh ka pas thënë: “Për ta ditur se sa vlen një njeri, pyetni të vdekurin”!

Po, po, vërtet ata s´flasin, por...

Për nekrolog, kush të dojë le ta lexojë, edhe ky s´ka rëndësi, mund të mos ta lexoni fare...

Pune e madhe!

Mund të habitet edhe vetë i vdekuri për fjalët e mëdha të nerkologut, që kurrën e kurrës nuk i ka dëgjuar për vetveten, derisa ishte i gjallë.

Pastaj punët e tjera le të shkojnë si për të tjerët, sepse edhe unë jam si ata, edhe si ju që do të vini pas nesh; dhe do të vini që të gjithë, s´ka dyshim.

Unë nuk e di se e sata pjesë e skeletit tim ju takon, sa për mua mund ta ndani nga sa herë të doni.

Po si?

Ja kështu: e ndani një herë; pastaj, në qoftë se nuk jeni të kënaqur, përzieni prapë, mandej e ndani për së dyti, pastaj për së treti e kështu me radhë ... është puna juaj, por, do t`ju lutja që të mos ia hani hakun njëri-tjetrit se pastaj do të hidhërohem, pse dikush të shesë mend me eshtrat e skeletit tim.?

Më mirë po e ndaj vetë.

Krahët dhe koka, pjesa e epërme, tash s´di se cila është e epërme e cila e poshtme, le të mbetet për mua, ndoshta prapë më nevojiten!

Po shpreh dëshirën e fundit që këmbët dhe të gjithë gishtërinjtë e këmbëve të ngelin për autorin e këtyre rreshtave, se, më besoni, e kam pasur mikun më të dashur, edhe pse e kam urrejtur më së tepërmi.

E çka po pritni ju të tjerët? A nuk e shihni se s´mbeti gjë prej gjëje prej trupit tim?

Po pritni më kot, të gjitha këto që i pata i ndava.

*

* *

Ju, trashëgimtar të urtë të shekullit që vjen, që duke gropuar tokën për të ngritur pallate shumëkatëshe qendra atomike, ose qendra diellore për t´i shndërruar rrezet e diellit në elektrik ose... do të gjeni skeletin tim dhe skeletet e brezit tim, ju lutemi, kini kujdes për skeletet tona, se pikërisht me eshtrat e duarve tona, të gishtërinjve tanë, ju kemi ndihmuar sa mundëm e ditëm për atë çka do të ndërtoni ju në kohën tuaj.

 

* * *


P. S.

Është më mirë t´i lini aty ku janë eshtrat e skeletit tim, sepse as mua nuk më duhen...

E çfarë nevoje keni ju për ta.

 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •