Cikël poetik nga Dhimitraq Papando
| Saturday, 12.06.2008, 11:45 PM |  

Vjesht’ e vonë

Fryn një frymë akujsh, fryn. Dridhet çurkëza në krua.
…Disa fletë, si pa kuptim, kanë mbetur lart në ftua.
Eh, kjo vjeshtë e nxituar, atje duket i harroi,
Një relike, a një brengë…varur degëzës tek ftoi.

I vështoj dhe qesh me vete…”Pse kjo vjeshtë prishka ligjet!?”
Gjethekuqet lodërtare, si një flakëzë që digjet,
Sipas tekave të erës që kalimthi i puth lehtë,
Dridhen, dridhen sikur thonë “Jemi zjarr e s’jemi fletë.

…Fryn një erë akujsh, fryn. Dielli i vjetër fle mbi mua.
Gjeth’ i kuq si pakuptim, paska mbetur lart në ftua.

Një thëllim përgjoj si shket i përtuar që nga retë,
Që prej qiellit të mufatur gjer tek degëza me fletë.
Cip’ e kroit ngriu prapë, ç’mu mblodh…zemra nën setër.
…Gjyshja plakë thur çorapë; unë gërma shtrij në letër.

Tani s’këndoj më vargje sarahoshi

Nuk them tani më këngë sarahoshësh,
Dhe zana pyllit më s’kërkoj të gjej.
Pas bregut, lumin ndjek si shkon drejt fushës
Dhe merr me vete hijen time tej.

Një vashëz buzë lumit, rri në lerë,
Ca mana shkon në thupër, i bën varg.
E vetme si një klithmë nëpër erë
Po vjen një dallëndyshe që nga larg.

Përhumbem pas një bregu faqezbehur,
Me fjerin fletëçjerrë në një skaj.
Un’ duart grric në ferrën e pakrehur.
Një lule blu më sheh e zën’ në faj.

Tani s’këndoj më vargje sarahoshi,
Dhe vasha s’kërkoj pyjeve të gjej.
Pas bregut, lumin ndjek, si lot mjeroshi
Që rrjedh dhe merr dhe hijen time tej.

Mikja sylarushe

Hënën e ndriçuar sa e zuri reja;
T’u skuq faqe e zeshkët, cipëkadifeja.
T’u drodh thelb i buzës, yjt’ e qiellit ranë.
…Erdh’ një ëngjëllushe më qëndroi pranë.

Erdh një flutur fushe diç më pati thënë.
Erdh’ një buzëprushe natën e pahënë…

Pse m’u lodh qerpiku dhe syrin më mbylli?
Mikja cipëhollë ç’u këput si ylli.
Mikja sylarushe ç’u këput si fleta.
Renda buzë fushe e mora, e gjeta.

E mora ndër duar, pas saj u harrova;
Zjarr më ndezi gjoksin…si s’u përvëlova!

Shpejt i piva lotin…Eh, ç’i njoma buzën,.
Klitha sa zë kisha, rreth…kërkova muzën.
…S’mblodha dot një dorë me fjalë të thëna.
Një greminë mbusha me yj’ e me hëna.
Veç një varg…me drithma, një det…me rënkime
Mike sylarushe...ç’deshe rrugës sime?

Në Urën “Bruklin” një mbrëmje

Ç’ siluetë po më fsheh hijen e dytë,
Tretur puthjesh që pa mend e patën lënë?
Buzën qeshur, si në faj, i ktheva sytë
Duke parë lart me kast hënën e ngrënë.

Fërshëlleja stonatura ashtu kot,
Tek largohesha prej urës; s’di se pse?
Keq u mpleksën si më parë edhe sot,
Për çudi, era e lashtë me të re.

Të mbështetur dhe më parë njëqind vjet,
Pas parmakëve jan’ puthur edhe ndarë;
Sipër…qiell e sigurisht poshtë ish det
Dhe midis…ura e lidhur me litarë.

Siluetë është kjo, a zjarr i marrë,
Në një urë keq mbërthyer me litarë?

Dhe bredh Olimpit

Mos më kërko…
                         dhe më mos eja ti, e marrë!
Jo! Jo, nuk dua tjetër ethe zjarr…rrëmbyer!
Me thonjt’ e mij mespërmes gjoksin kam çarë
Dhe zemrën therur në grusht e mbaj mbërthyer?

Si mjegull vere m’u ronit një breng’ e vluar,
Situr mbi lule plot kristale dritëngrithur.
Grushta me yje mbledh prej natës së nxiruar,
Por as një iskër nuk marr dot nga buz e dridhur.

Mos vallë duhet që të shuaj edhe zjarrin?
Dhe verën e kuqe, mos kërkon ti, që ta derdh?
…Më dredh një temp i krisur si të marrin…
Më jeshilon, më skuq, më zbeh, më zverdh.

Dhe bredh Olimpit…herë Zeus jam, i mjerë,
Herë Dionis i dehur…plot poterë.



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •