Poezi nga vëllimi i ri “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”
| Sunday, 12.14.2008, 03:54 PM |  

Sëmundja e çuditshme

 

Ai kish sëmundje të çuditshme: hapte guaskat e plazheve të botës

                                                  për të gjetur perla

mëngjeseve bridhte në të gjitha brigjet: jug-veri lindje-perëndim.

E njihnin detet, shkëmbinjtë, ranishtet, delfinët, pulëbardhat.

Hapte guaskat e plazheve të botës.

Mbrëmjeve kthehej në hotele, gjente të dashura të reja, dashurohej

Qante për guaskat e zbrazura

Ankohej: detrat e ndotur nuk krijojnë perla.

-Po perla jemi ne, thonin vajzat e puthura dhe e qeshura u hapte guaskat.

 

Ngrihej në agim hapte guaskat e një plazhi tjetër

Rrezja e diellit e bënte zhgënjimin të kuq

Sytë e tij me të bardhën e guaskave të zbrazura

- Po perla jemi ne...

Kështu me vite derisa zhgënjimi i madh ia preu damarët me një teh guaske

            Gjaku rrodhi në shkëmbin e lëmuar: gju femre

            këtu ku kalifi gjeti perlën më të madhe të globit

            Natyrisht të kuqe.

 

William Blake me të shoqen, të dy lakuriq,

recitojnë vargje nga “Parajsa e Humbur”1)

 

Ka humbur Gjyshe Parajsa: vuan nga amnezia

vërtitet udhëve pa identitet, duke u qeshur të gjithëve

duke u dhënë fëmijëve karamele e qershia

duke shtyrë në lumë një vajzë të zhgënjyer.

 

E gjetëm Parajsën të pluhurosur donim t’i kujtonim kush ishte: u zhveshëm lakuriq

Na mban mend jemi ne - dy të parët, po ajo qesh: kujtesa i është kthyer në hije.

Mban mend kur të martova me Ferrin, u ndjeve e kënaqur

Ty yjet të dukeshin qirinj torte, bashkëshortit Ferr: koleksion plagësh.

Ulu Gjyshe, na shih lakuriq, mos rrudh buzët nga trupat tanë të lodhur

Kristina ngjan me Evën: lëkurën prej zymbylash të sapo larë nga vesa

Kristina Kristina Kristina. Sytë prej jargavani.

Pubisi: ferrëz ku sapo u zgjua vjollca e parë. Kristina. Kristina.

 

... Gjyshe Parajsa nuk sheh, kalon mes nesh me hapa krizanteme

Pastaj shtrihet të fle në divanin e kuq ku para një ore dashurova Kristinën.

 

                                                                                           25 korrik 2008

 

1) “Parajsa e humbur”, vepër e Miltonit.

 

Ne u takuam në pasqyrë 1: 

           guralec te liqeni me bromur argjendi

 

Ti ishe në krahun tjetër të sallonit

Pasqyra e madhe u drodh: dashuria hodhi një guralec

                                          te liqeni me bromur argjendi

një krah pulëbardhe preku dallgën prej bromur argjendi.

Sytë e tu - zogj guzë mësuar me shoqërinë e valëve prej argjendi

vallëzuesit përreth pasqyra i shihte me një strabizëm të mëndafshtë.

U afruam në pasqyrë

- Çfarë pune bënë yt shoq, të pyeta

- Vrasës kuajsh të mplakur,  m’u përgjigje

dhe avulli i frymës tënde veshi lehtë pasqyrën

një trok i lodhur kuajsh kaloi në sfond.

 

Papritmas në pasqyrë u shfaq yt shoq i sapovrarë nga kuajt...

 

Gratë

 

Gratë përgjithësisht nuk duan të shiten, më shumë kërkojnë të blatohen

veç trungu ku ato mbështesin kokën shpesh rastis i gabuar.

 

                              Tehu është i njëjtë...

 

Lufta e verbër: dy lot të lidhur në një rrëfanë qershize

 

Lufta e verbër nisi natën kur lunatikja qershi tej dritares i psherëtinte hënës.

Ti më ktheve kurrizin dhe unë u ndjeva pasqyrë e oskiduar nga neveria.

Qava. Kështu qajnë të verbërit kur flitet për dritën.

Qershia tej dritares trokiti në xham: mos qaj, më tha

dhe në çast kuptova se qershitë flasin kur gratë qajnë.

 

Gratë qajnë dhe për faj të tyre dhe jo të gjithë burrat kanë ndjenja qershie...

 

Vij te ty me dy lotë të lidhur në një rrëfanë qershize dhe të them: më fal

Kthehu të ndjehem sërish pasqyrë e re e sapo blerë në tregun e zhgënjimit.

 

 

 

Ne u takuam në pasqyrë 7:

            Këpucët unë gjithnjë i lustroj natën

 

Këpucët unë gjithnjë i lustroj natën me bojë nate e xhelë hëne

këpucët gjithnjë i lustroj natën sepse ditën gjithnjë jam në punë.

Lustroj këpucët dhe iki në breglumin tim

ku e dashura ime prej nate

s’i vë re këpucët e lustruara.

Në breglum vallëzojmë

këpucët e mia të lustruara i bëjnë yjet të flenë përmbys.

Vallëzojmë aq sa lodhemi. I heqim këpucët, thotë ajo.

Ajo heq të bardhat e unë të zinjtë

ne shtrihemi brinjazi e puthemi

pak metra më tutje ndiejmë hapa

e s’mund ta besojmë: dhe këpucët dashurohen.

 

                                                                       24 maj 2008

 

Kalorësja e vdekur

 

Shpesh më ndodh: pas pyllit, pas shtegut më shfaqet ajo Kalorësja e vdekur

   pas pyllit pas shtegut

Më shfaqet ajo me flokët mbi krifën e kuqe mbështetur

e kuqja e kalit mban gjakun e fshehur.

   pas pyllit pas shtegut

Revani vazhdon pa kode legjendash, burimi thotë: jam i etur

e lehtë, kapriçioze si gjethja nga degët këputet ajo -

                                                   Kalorësja e vdekur.

Nuk do që të zbresë,

s’i shkon mendja për varr

me të kuqen e gjakut qirinjtë i mban ndezur

kurorat e pemëve i bëhen altar.

 

Shpesh më ndodh: pas pyllit pas shtegut

                          më shfaqet ajo Kalorësja e vdekur

                         ...pas pyllit pas shtegut.

Një trok një trok vë veshin në tokë, po toka habitet e mekur

Heq veshin nga toka lart qiellit shoh: Kalorësen e vdekur.

Nuk do që të zbresë,

s’i shkon mendja për varr

me të kuqen e gjakut yjet mban ndezur

Parajsën - thotë - zvarrë do ta marrë.

Dhe ikën, ku ikën askush nuk e di, e di veç ajo - më thotë lis i djegur

dhe kam një jetë që kur isha fëmijë, kërkoj s’e takoj: Kalorësen e vdekur

 

Një mik i Fishtës...

 

Një mik i Fishtës s’u bë prift se s’mbante dot sekretet

se bota veç sekrete kish: tabute amanetesh,

                                    tambure amanetesh.

 

Sekret: rrëfehu vajzë e njomë, rrëfehu grua në mëkat       

Unë ngrihem natën, flas me mollët dhe hëna më quan lugat.

 

S’u bë dot prift se ngrihej natën dhe natën ndodhin ngasjet

S’u bë dot prift se rraso e natës përgjaket nga vrasjet.

 

Një mik i Fishtës s’u bë prift se s’mbante dot sekretet...

 

Vrasja e fazanit

 

Nuk e di kush e vrau fazanin atë ylber me ngjyra të forta: sfidues ndaj Zotit

Nuk e di kush e vrau fazanin, po njeriun që nisi ta rripte padyshim e njoh.

            Ishte ai që e vrau fazanin.

 

Ishte ai që e vrau fazanin ia hoqi ngjyrat, pendët - penela perëndish

Bishtin e mrekullueshëm: erashkë për Afërditën.

            Ai e vrau fazanin.

 

Të gjitha pendët pikonin gjak: të kuq, të gjelbër, të zi, çiklamin, blu

Atë fazan: vitrazh kishe.

            Ishte ai që e vrau fazanin.

 

E rripte duke fishkëllyer një motiv të bitëllsave

Dhe ajri dukej i ngrirë: këllëf pa thikë fishkëllime.

            Ai e vrau fazanin.

 

Ditën kur ti erdhe

 

Këngë gazmore para dhembjes:

 

Dëbora lehonë me një manushaqe gëzon qiellin mbi të

Rrokullisja e lotit në faqe: hija e një orteku që s’u bë.

                                       ...hija e një orteku që s’u bë.

Ti ecje mes dëborës e lehtë si era mbi majën e barit

Gjurmët e bardha - lehe të reja në ëndrrat e marsit.

 

...lehonë e lehtë në lehe të reja

 

Ditën kur ti erdhe me fustanin ngjyrë plage,

                                                              ndjeva dhembjen e fjalës: Të dua!

Ditën kur manushaqet më thanë: jemi plagë,

                                                    dashurova ngjyrën violetë

dhe ndjeva se në lëkurën mbi zemër qe gërvishtur një tatuazh

                                                                               me klithma manushaqesh

ndjeva se mpiksja e gjakut projektonte heronjtë me psherëtima varrezash.

Muzgjet me plagë të mpiksura zhyteshin në narkozën e detit

vesa e mbrëmjes përzihej me jargët e kërmijve heronj

që shkruanin triumfin në papiruset e barit.

Ditën kur ti erdhe me fustanin ngjyrë plage,

                                                              ndjeva dhembjen e fjalës: Të dua!

 

Dëbora lehonë me një manushaqe gëzon qiellin mbi të...

                                                                                           

                                                                                           20 shkurt 2008

 

 

 

 

Aventurat e Orfeut në Ferr 1:

                           Skulpturë me brumë xixëllonjash

 

Në Ferr zbret majtas ndaj zemra rreh majtas unë majtas zbrita në Ferr

Ti ishe skulpturë me brumë xixëllonjash krijuar nga magjia Luçiferr.

Harrova Euridikan të preka, të putha: më digjeshin buzët nga yjet e ferrit

mëkataret mes zjarrit si gishta mbi harpë lehtë pëshpërisnin: Orfeu erdhi!

Orfeu erdhi: kështu vjen reja me vetëtima në gji,

kështu vjen mëzi i lehtë si era kur s’di ç’do të thotë frerë, yzengji.

 

Në Ferr zbret majtas ndaj zemra rreh majtas unë majtas zbrita në Ferr.

Poshtë kisha zbritur: papritur, tronditës, si çarja e kores së Tokës

muzika e harpës - zonjë e muzikës, për plagët ishte ilaçi shëronjës.

Në Ferr zbret majtas ndaj zemra rreh majtas unë majtas zbrita në Ferr

Ti ishe skulpturë me brum xixëllonjash krijuar nga magjia Luçiferr.

 

S’e dija që dhe xixëllonjat bënin dashuri dhe dashuria u kthehet në dritë.

Jemi xixëllonja

krijohemi nga fosfori i dashurisë,

baba kemi Luçiferrin

S’e dija që dhe xixëllonjat bënin dashuri dhe dashuria u kthehet në dritë.

Mbrëmjes kur putheshim bashkë e xixëllonjat habiteshin mbi supet tona

Ti më the: me njerëzit ngjajnë xixëllonjat, si njerëzit dashurohen xixëllonjat.

 

Ku është ky det? Dallgëzon si fryma në hovin e epshit, ku është ky det...

Pyetja ime: pasqyrë shkreptimash hutoi dhe Danten poet.

Ti ishe deti, lakuriq e tëra me dy vela gjinjsh të fryrë

dhe flokët e verdhë me njëmijë kaçurrela më joshnin si feneri stuhinë.

Ti ishe deti me shkëmbin e gjurit të gdhendur nga dallgët, rrebeshi

ti ishe deti limani i pubisit fashiti gjithë erërat që deshi.

Ku është ky det dallgëzon si fryma në hovin e epshit...

Orfeu erdhi: kështu vjen reja me vetëtima në gji,

kështu vjen mëzi i lehtë si era kur s’di ç’do të thotë frerë, yzengji.

 

 

Barbara me barbarosa Barbara

 

                                       Oratorio për prushin dhe hirin

 

1.

 

Trazoj prushin: Ati zjarr qan për të birin...

Me një mashë trazoj prushin duke ditur se shpejtoj hirëzimin

Drita e prushit më skuq të hirtën e syrit

Prushi më ngroh një çast, feksin pak xixa kujtimi: çasti kur zjarri bën harakiri.

Trazoj prushin dhe te pasqyra e thyer në krah shoh flokët ngjyrë hiri

Trazoj prushin: Ati zjarr qan për të birin...

 

Trazoj prushin dhe xixat përpiqen të bëhen TI

Feksesh magjishëm si gjithë qeniet prej zjarri para blatimit në hi.

 

2.

 

Barbara me barbarosa Barbara...

Shprushis prushin e kthyer në hi, nga hiri prushi s’bëhet përsëri

                                                               Feniksi thjesht: utopi.

Dielli pas mjegullës - gjethe panje

                                    apo femër nudo në avuj banje?...

                                   Ç’ nudo në avuj banje!

Barbara me barbarosa Barbara...

 

Shprushis prushin duke nxituar drejt hirit tragjik

Shoh Barbarën me mishin prej prushi me shpirtin prej hiri

të gjitha barabarosat festive shpallin luftë me qiellin.

Barbara me barbarosa Barbara...

                                   Ç’ nudo në avuj banje!

 

Trazoj prushin: Ati zjarr qan për të birin...

Barbara me barbarosa si të gjitha qeniet para blatimit.

 

Lexuesi i buzëve 8: E përzishme

 

Është një funeral i padukshëm: ajër i temjanisur

                                                   ku s’guxon të psherëtijë asnjë djall

përshembull ti me aureolën e engjëllit mbi krye krah një tjetri duke më tallur.

            Sepse dhe Princeshat Lulëkuqe mbajnë në gushë gjerdane të zinj.

Era e shfrenuar fryn e fyen akaciet e lulëzuara e lulet pikojnë faj

Akacie akacie si në lutje duart me mollëza petalesh prekin qiellin në maj

                                                                                   prekin qiellin në maj.

Sozia ime prej ere nisi të qaj

Kumuriet s’u trembën tundën pak degët duke pastruar pendët

Sozia ime prej ere i preku në hallkën e zezë të gushës:

                                                                         kumuriet u shkrehën në vaj.

Dhe pse kumuriet prej shekujsh mbajnë në gushë gjerdane të zinj

Është një funeral i padukshëm: ajër i temjanisur

                                                   ku s’guxon të psherëtijë asnjë djall

            Sepse dhe Princeshat Lulëkuqe mbajnë në gushë gjerdane të zinj.

 

                                                                                          10 dhjetor 2007

 

Kam një plagë të fshehtë ngjyrë xixëllonje...

 

Më humbi plaga: zog kafazi, plaga më humbi.

Më vinte turp ta kërkoja. Është një plagë ngjyrë xixëllonje, thoja.

Më humbi plaga. Në polici po të shkoja do kërkonin plumbin

Pastaj gëzhoja e natyrisht: autori. Plaga, plaga më humbi.

Hetuesit pasi të mos gjenin asnjë shenjë, asnjë alibi, madje asnjë plagë

Do dyshonin ekuilibrin tim e mund të më mbyllnin në spitalin ngjyrë dylli...

 

            Një plagë në formë tërfili...

 

Pa u ankuar nisa të kërkoj plagën time të humbur.

E kërkova te sytë e tu të kaltër,

poshtë hijes së qerpikëve e kërkova plagën: po aty nuk ish.

As në pishat buzëdetit nën qerpikët e halave s’e gjeta plagën, natyrisht.

Dikush më tha, mbase ti, mbase pishat e buzëdetit: plagën e ke të fshehtë

Më kish humbur plaga te fshehtësitë.

 

            Një plagë e fshehtë në formë tërfili...

 

Plaga qetësohej tek opiumi afgan e lulëkuqet e Amsterdamit:

                                                                         pak më e vogël

                                                                          se veshi i prerë i Van Gogut.

Një plagë e padukshme ngjyrë alarmi.

Më humbi plaga siç humb qeseja e gjyshes fshehur te gjiri:

                                                                 Plagë e fshehtë

                                                                 me tingëllimë floriri.

            Një plagë e fshehtë në formë tërfili...

 

                                                                                           20 nëntor, 2008

 

 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •