NUK QENKA SHTRENJTË, BIRI IM...
| Sunday, 12.21.2008, 08:32 PM |  

 

(Skicë për tregim)

 

Ishte pranverë me shi e vitit një mijë e nëntëqind e dyzet e shtatë. Ai po i rrafshonte pesëmbëdhjetë pranvera të plota të jetës së vet. Ishte viti i skamjes së madhe të bukës, kur me një petë qiteshin e piqeshin lakrorë e lakrorë...

Një mbrëmjeje, pasi ngrënën darkë, darkë i thënçin, me ato pak uthulla, të përziera me një lugë miell misri e me gjalpë, Shkëmb Malësori, e ftoi të birin pranë, duke i thënë:

- Që nga kjo e shtunë, ti biri im, do të shkosh pa mua në treg për ta shitur ndonjë qengj a dele se babai është plakur... Me ato të holla do të shkosh në treg të drithit dhe do t’i blesh shtune për shtune nga 7 okë misër. Duhet të kursejmë, biro!... Një okë drithë e  kthyer në miell duhet të na dalë për njëzet e katër orë për të gjithë anëtarët e familjes sonë.

- E qartë, biri im?...

- E qartë si loti, babë...

 

*     *    *

E shtuna e parë nuk i shkoi aq ters. Ishte i kënaqur me shitjen e deles së parë pa praninë e babait. Po, mbet i zhgënjyer nga çmimi i lartë i shatë okëve misër. Në mbrëmje, pas darkës së rëndomtë, babai e pyeti:

- Si të eci puna sot, biri im?...

- Mirë, babë, mirë për fillim.

- Po okën e misrit nga sa e pagove, biro?...

- Mjaft shtrenjtë, babë, dhe ia tregoi edhe çmimin.

- Nuk qenka  shtrenjtë, biri im...

Ai u habit me një përfundim të tillë të babait, po nuk e foli asnjë fjalë...

Të shtunën e katërt shkonte rrugës për në qytet i tretur në mendime: “Ç’është me babanë për çdo të shtunë drithi shtrenjtohet njëqind për qind, madje ngandonjëherë edhe më shumë, kurse ai në mbrëmje më thotë “nuk qenka shtrenjtë, biri im”. Sonte po më tha prapë kështu do ta pyes se pse babë po thua “nuk qenka shtrenjtë...”, kur për çdo të shtunë çmimi po i dyfishohet. Ai di diçka, që ndoshta unë s’e di dhe as nuk kam ide për te...” - i përfundoi mendimet me të hipur në shkallë të trenit, të cilin atëherë e tërhiqte lokomotiva me avull.

Babai asaj mbrëmjeje e vërejti të birin që u kthye në shtëpi pa shtatë okët e drithit në duq. U kujdes që të mos e hetonte i biri që erdh pa drithë. Pas një darke tejet të varfër, babai iu drejtua të birit:

- U lodhe sot, biri im?...

- Jo edhe aq, babë...

- Po tregtia si të eci sot?...

- Shitja disi, kurse blerja?!...

- Po sa shkoi oka e drithit sot, o bir?...

- Sot, babë, s’patë drithë fare në treg... 

Ai ofshani thellë, duke shtuar:

- Eh, biri im i miri, sot paska qenë drithi shtrenjtë...

- E si sot shtrenjtë, babë, kur nuk pat drithë fare në treg?...

- Po, bir, e kuptova se sot s’paska pasur drithë fare në treg. Mu për këtë sot për herë të parë paska qenë shtrenjtë. Sepse sa kishte drithë në treg, sado që të kushtonte, nuk ishte aq shtrenjtë, sa të mos... E kur nuk ka si sot drithë fare në treg është jo vetëm shtrenjtë, po tepër shtrenjtë...

- Vetëm tash, babë, e kuptova atë shprehjen tënde: “Nuk qenka shtrenjtë, bir im...”

Heshtën për një kohë. Secili bluante diçka jo edhe aq të këndshme në mendjen e vet. I biri duke e shikuar vjedhurazi babin me bisht të syrit vërejti pikla shelgu lotues që i endeshin nëpër bebëzat gjysmë të shterura. E kafshoi buzën e poshtme me dhëmbë sa gati e çeli në gjak. “Kurrë s’ia kam parë babait sytë e njomësuar si sonte edhe kur ka kaluar nëpër katrahurat më të rënda. E sonte?...” Pasi mori frymë thellë, me ndrojtje e pyeti të atin:

- Ç’ke babë?... Ke kaluar nëpër labirintet e jetës e kurrë askush nuk t’i ka vërejtur sytë e njomësuar... E sonte?...

- ?!...

- Pleqëria bir i ka fajet... Ama lotët që m’i paske vërejtur nëpër këta sy të shterur e tërë rrudha-rrudha, nuk janë lot të mi, biri  im. Janë lotët e arave bukanike, në të ardhmen, gjithandej trojeve tona. Arat, bir, po lotojnë përmes syve të mi. Ato e donë  vetëm farën e zgjedhur brenda për ta dhënë bukën e re... Frikësohem se nuk do të jetë aq e largët dita kur  atyre do t’u zihet fryma e nuk do të mund të japin frutat tyre sa e si duhet, që... Pa frutat e bollshme të tyre, bir, paraja, edhe prej ari qoftë, nuk e ka asnjë vlerë... Vlera e parasë, biri im, matet vetëm me prodhimin frutor të arave bukanike. Përndryshe...


(1995)

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •