TEODORA
| Tuesday, 12.30.2008, 04:01 PM |  

Një histori më ndryshe për Justinianin dhe luftën në Hipodrom kundër Hipatiosit

Në dhomën e veçantë, ku mblidheshin krerët e perandorisë në situate krize, në pallatin perandorak, rrinin Justiniani, perandoresha Teodora, ministrant dhe këshilltarët. Asnjëri nuk fliste. I kishte kapluar një amulli e trishtë, duke i fundosur secilën herë më tepër nga një dyshim tinëzar që u lexohej lehtë në fytyrat e zbehta, gati pa jetë. Jasht mureve të pallatit Hipatiosi me të vëllain dhe me atë turmë çuditërisht të llahtarshme njerëzish të pezmatuar rrënonin tempuj, ndërtesa të veçanta … Plaçkitnin pasurinë e perandorit.
Për të qenë edhe më poshtëruese, kjo mësyrje për çdo gjë, ose për vdekje, kryengritësit hapen burgjet, duke lëshuar në liri të gjithë kriminelët. Nga të gjitha anët gjëmonte thirrja e çjerrë, e llahtarshme, e çmendur: Nika! Nika! Bashkim deri në fitore, ishte parulla që trimëronte deri në çmendi popullin e nxitur në vetëvrasje.
Në një shesh të gjerë, mu para pallatit, populli dhe të gjelbërtit skizmatikë kurorëzuan perandor Hipatiosin. Turma që në maje të shpatave barte vdekjen, i afrohej portës së madhe.
Perandori ofshani dhe ia hodhi Teodorës një shikim mallëngjyes, sikur të ishte për të, ky, shikimi i fundit, para se t’i ndante vdekja që vinte me zhaurimë. Iu kujtua takimi i parë me bukurinë trullosëse të saj, me sharmin magjik që e bëri ta humbte arsyen …
Nuk mund ta kuptonte nëse ishte e vërtetë ajo që ai po shikonte, apo i dëftohej ndonjë hyjneshë. Në atë bukuri, që kishte verbuar Justinianin e ri, ishin skalitur të gjitha format dhe vijat më elegante që mund të kishte trupi i brishtë i një femre.
I shikoi thellë përmes një tisi të bruztë, si përmes të një mjegulle fantastike, fytyrën e zbehtë, gjakftohtë, plot vetëbesim, pastaj, shikimin e endi nëpër trupin e saj të gjatë përplot elasticitet, që nga diadema e praruar në dritësimin hyjnor të gurëve të çmuar, stolisjeve dhe qëndismave tjera, duke zbritur ngadalë nëpër tunikën perandorake të purpurt, të gjatë deri tek sandalet që ia merrnin sytë nga shkëlqimi ylberor i ngjyrave dhe i harmonisë së thonjve të lyer me purpur.
Ajo nuk deshi të kryqëzonte shikimet me perandorin. Nuk deshi të molepsej nga një ndjenjë e përulësisë ndjellakeqe që e kishte dëbuar vetëmohimin kryeneç nga shpirti i madh i perandorit Justinian, mbase vetëm për një çast.
Ajo e kapërceu shikimin e matur mbi kokat e të mëdhenjve të perandorisë, duke e përqëndruar diku në një pikë të papërcaktuar, në angështinë e athët që kishte mbuluar si saç qiellin mbi kryeqytet.
Brohoritjet që kërkonin jetëra e gjak bëheshin më të ashpra, më buçitëse.
E madhërishmja perandoreshë, ora e fundit e lumturisë sonë po afrohet. Unë mendoj se për së shpejti duhet të gjejmë mënyrën e arratisjes, tha Justiniani. Ajo nuk foli, ndërsa ministrant dhe këshilltarët miratuan fjalët e perandorit me një lëvizje koke, në drejtim poshtë-lart, duke shikuar vjedhurazi reagimin e Teodores. Ajo e hetoi atë druajtje, por nuk u dha. Shpirti i saj paqësor u trand. Një det valësh të tërbuara u zgjua në zemrën e saj. Në kraharor e shpoi diçka  si me ndonjë mjet me majë fort të mprehtë, po u durua pa e zbrazur mëllefin mbi ato figura të drunjta që rrinin si hije në një sfond ëndrre. Derisa po mundohej t’i bënte ballë atij tufani që kërkonte hapësirë për të shpërthyer jasht, në derë u duk roja personale e perandoreshës. Ajo e lajmëroi se një ushtarak i gardës kërkonte të takohej me të. Ajo pohoi me kokë dhe doli në sallën ku priste palët. Ishte Gaj Andi, një i dashur i dikurshëm i Teodorës, kur ajo ishte vajzushë. Ai i puthi këmbët dhe e dehu aroma e trupit të saj.
E madhërishme, foli ai mallëngjyeshëm, dëgjova se po arratiseni, prandaj nuk munda të mos Ju takoj edhe një herë.
Gaj Andi, unë jam e lidhur fort për perandorin, megjithëkëtë nuk do të arratisem. Më mirë të vdes këtu ku kam kaluar ditët më të mira të jetës sime. E çmoj lart dashurinë dhe shqetësimin tënd, por çka t’i bësh! Jemi takuar në orë të ligë, kur duhet të mendojmë për jetë a vdekje.
Vdekja, për dashurinë e vërtetë është vetëm lojë, Madhëri!
E di, Andi. Hajt, më puth këmbët dhe më thuaj: lamtumirë! Dashtë Zoti të takohemi në Parajsë, si në ditët më të mira të dashurisë sonë!
Madhëri, Hyjneshë, a mund të provoj të bëj diçka për Ju, për ty dhe perandorin?
Është tepër vonë, miku im i vjetër.
Madhëri, do të maskohem dhe do të mundohem ta nxit masën të futet në hipodrom e pastaj, njësitë e ushtrisë elitë të mbyllin portat dhe të bëjnë punën e tyre. Mos u arratisni, ju lus! Mua do të më mjaftojë që ti të frymosh në këtë qytet!- i tha duke i puthur këmbët dhe doli i tronditur. Perandoresha doli pas tij. i thirri: Andiii, provo atë që më the! Zoti të ndihmoftë!
Ushtaraku përshëndeti me përkulje të thellë dhe u zhduk në kthesat e pallatit, i përcjellur nga rojat.
Teodora u kthye më e re, më e kthjellët, më vitale dhe më optimiste. Nuk mundi më të duronte atë zymti servile që e neveriste shpirtin e saj të madh, po foli ende pa u ulur, në këmbë, me autoritet: “ Mbase nuk i takon një gruaje të flaës përpara burrave e t’u këshillojë kurajë frikacakëve! Porn ë këto kushte jashtëzakonisht të rrezikshme secili duhet të bashkëpunojë me të tëra forcat në dobi të interesit të përgjithshëm. Unë jam e bindur që në situatën aktuale, ne nuk kemi asnjë levërdi të arratisemi edhe sikur kjo të na shpëtonte jetën. Ne kemi lindur për të vdekur dhe, ai që ka veshur petkun e sovranit nuk duhet të jetojë më po ia hoqën. Zoti nuk do të më lejonte të hiqja dorë nga purpuri, të hiqja dorë nga titulli i perandoreshës. Ti Cezar, mund të arratisesh pot ë duash; ti ke para, anije, deti është afër. Po ta dish mirë që pot ë braktisësh pallatin, shpejt do ta humbësh edhe jetën. Sa për mua, unë mbështetem në maksimen e vjetër dhe të dashur: Purpuri është qefini më i bukur! “
E si do t’ia bëjmë, pra, perandoreshë e dashur!?- pyeti Justiniani i ngazëllyer.
Me një sharm të posaçëm, të lindur me vetë qenien e saj engjëllore, Teodora e shpjegoi  strategjinë e saj, duke ua bërë të qartë të gjithëve epërsinë taktike të luftës që do ta zhvillonin ushtarët trima e të regjur nëpër përleshje. Rebelët duke mos mundur t’i qëndrojnë epërsisë dhe këmbënguljes së ushtrisë sonë, do t’ia mbathin kah sytë, këmbët. E dashtë Zoti të futen në hipodrom, pastaj do t’ua mbyllim portat dhe do t’ i vrasim. Që nga mëngjesi kanë kërkuar vdekjen e Zoti është edhe i tyre! Mbase do t’ua plotësojë dëshirën, than ë fund perandoresha dhe u lëshua në fron praën perandorit.
Justinianit iu ul mbi buzën e poshtme një fije shprese, e cila e zgjoi nga ajo dremitja që e kishte mbërthyer në një rreth të ngushtë, të padepërtueshëm.
Pas kësaj urdhëri i perandorit jehoi si bubullimë: Belisar, urdhëro ushtrinë të sulmojë! Bëri kryqin, përmendi Krishtin dhe u afrua praën dritares që shikonte nga sheshi, prej nga rebelët kërkonin vdekjen e tij.
Ushtria perandorake u sul drejt turmave të frikësuara nga guximi i ushtarëve, të cilët për asnjë çast nuk përfillën epërsinë numerike të masës euforike. Trupat e njerëzve sharronin në shpatat e ushtarëve. Nëpër pluhurin e rrugëve rrëshqitnin gjarpërinj të hollë gjaku. Copa mishi që rënkonin dhembshëm, paloheshin mbi njëra tjetrën dhe dergjeshin në përqafimin e fundit.
Masakra zgjati tërë ditën për të përfunduar diku në zallin e hipodromit. Duhma e gjakut nxiti re pluhuri. Ai avull i purport ngjitej në qiell e kushedi ku do të binte, pastaj, shi i kuq, shi i urrejtjes dhe i dëshirës për hakmarrje.
Kur u vërtetua fundi i luftës, Justiniani dhe Teodora u përqafuan të dehur nga suksesi i ushtrisë. Në pallat, Teodora u shpall hyjni. U bë edhe më e dashur, më magjepsëse, më madhështore.
Në grumbullin e kufomave që pushonin përjetësisht në fushën e hipodromit, ishte edhe ajo e Gaj Andit. Kur e mori vesh Teodora, i therri zemra, por nuk ishte më ajo vajzusha e rinisë së hershme të bënte ndonjë budallallëk. Atë që mund tq bënte, për ta falënderuar për dashurinë e tij, e bëri. E kujtoi trupin e tij të bukur, krejt lakuriq. E rrotulloi në mendje, në të gjitha pamjet, si një fotograf i pasionuar. Pranë trupit të tij muskuloz e afroi edhe trupin e saj që ndiente etje. Në atë dremitje të lezetshme, të dy trupat e rreshkur nga dielli përcëllues i detit, digjeshin në një flakë që ngjitej përgjumshëm qiellit përpjetë.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •