Cikël poetik nga Ibrahim Ibishi
| Tuesday, 12.30.2008, 04:03 PM |  

URNË PËR DASHURINË

 

( Më lejo të të them

se lufta dhe dashuria

krijuar janë nga zjarri

dhe po me zjarr fashiten

 

Më pastaj mbetet vetëm hiri )

 

Më lerë të futem

vetëm një herë brenda teje

Ta ndiej sa e vogël është bota

e sa e ngrohtë nata e parë

dhe e fundit e varrit tim

sa i ëmbël është gjumi

nën hije palme

dhe sa e nxehtë rëra

në plazh ndër grushta thërmuar

 

Më lerë brenda teje

të shëtis rrugëve të pashkelura

në gjunglën e hirësisë sate

që botën ta shoh aq të vogël

Luftën pastaj të ngjizur ta kem

me dashurinë se i lidh zjarri

Dhe hiri tek e fundit dëshmi

le të jetë – luftë për dashurinë

 

Më lejo atëherë

brenda teje të futem

Në urnë hiri të shndërrohem

E ti paqja e përjetshme

në mua të flesh

të flesh

të flesh

e të shpërthesh

 

 

IMAZHE NGA DRITARJA E MBYLLUR

 

Djali shikon nga dritarja e autobusit

Petalet e trëndafilave tek rrëzohen

Në kopshtin e zverdhur

Dhe vashen tek grimos çerpikët

Me nektarin e harrimit

E mbi degët e plepave pezull rri dielli

Ndanë rrugës që kurrë nuk përfundon

 

Ndonjë zog flatëron krahët e rënduar

Nga fluturimi shko e eja

Ndërsa djaloshi kthehet në vendlindje

Si dikur moti po me të  njëjtin tren

Me kupetë e grisura nga dorë e zhgënjyer

Nga koha që nuk ndalet në asnjë stacion

 

E koha ecën ecën ecën

E koha ecën

 

Mbi shilarëz dita thërret

Bilbilin me violinë

Tek gris zemrën me gjembat e trëndafilit

Plot aromë djalërie në ledinë

 

E dita ecën me mëngjesin

E nuk e di kur do të soset

rrugëtimi rrakadyl nëpër pluhurat e planetit

që ha njerëzit e vet

 

E koha ecën me vrapin e hamshorit

E koha ecën ecën ecën

Ndërsa vajza pret fundin

E bredhjes nëpër ëndrra

Djali kurrë të zbret nga autobusi urban

 

E koha shkon

Ku e di nga shkon

 

 

KUR GJUMI NUK VJEN

 

E di se kënga ime të tremb

Kur e vetmuar

Natën

Ëndërrën kryeneçe herrë

 

E gjumi nuk vjen

E gjumi nuk vjen

 

Në mes të natës

Mundohesh të më hudhësh

Nga dritarja që nuk hapet

E unë kthehem nga dera

Hapur e harruar

Me shekuj e hapur

E ti me ndjenjen e braktisjes

Fytafyt

 

Kur gjumi nuk vjen

Kur gjumi nuk vjen

 

 

KUR HIDHËROHET HËNA

 

Sonte hëna me mua nuk doli

As shi nuk ra

Pasha t’madhin zot

 

Pranë rivierës u ndala

Mu në breg të dhembjes

Sonte hëna më mashtroi

As shi nuk pikëloi

 

I zbrazët ika

Të sodis thashë nga kepi

I zhveshur lakuriq qëndrova

Mes ëndrrës dhe vdekjes

 

E hëna nuk doli

As ti goca ime

 

Sonte romantika u gjet

Në pyllin e egër të gjelozisë

Me tingujt e karadyzenit nga veranda

Një turk i thinjur mëngjesin e blertë e thirri

Tërë natën e lume

E hëna nuk doli

As shiu se deshi shushurimën e vet

 

Sonte unë ika ti mbete

Të kujtojmë thashë ditët e verdha

Në egërsinë e këtij planeti të shkretë

Hëna nuk doli

As idili nuk ndodhi

 

 

NJË DITË S’DO TË KETË ËNDRRA

 

Një ditë nuk do të ketë fare

Dritë elektrike as diell

As ujë

Të zbutim etjen

As fjalë jermi për dashurinë

 

Një natë s’do të ketë as ëndrra

As fantazma s’do të ketë

As për syrin ekzotikë

 

Një ditë as unë nuk do të jem

Pos në gjumin e gjatë

Rrugëve qorre duke të kërkuar

Nëpër natë

 

Por nuk do të vdes

Ose vetëm njëri sy nuk do të mbyllet

Teknikisht

Lart nga qielli do të vigjilojë

Çdo ditë çdo natë

Mbretërinë tënde do ta lakmojë

 

 

SHËN VALENTINI

 

Dhembja e shpirtit s’mund të jetë

Veç një pëshpëritje e shurdhër

 

Një karafil një ëmbëlsirë një ofshamë

Dhe një kartolinë me intimen e rebeluar

Qiellin e shenjt mund ta lëpijnë

Atje ku është foleja e gjakuar

Atje ku është dhembja e ëmbël

Shën Valentin

 

 

VEÇ LOT SHIU

 

Ky mëngjes i pikëlluar

Veç lot shiu derdh

 

E unë e ndjell si bletën

Shi shi shi ooooo shi

Kur vdes në ëndrrën time

Të çuditshme

E nuk pikëlon e nuk pikëlon

 

Sot ky shi i pikëlluar

Përbiruar nëpër ashtin tim të ndezur

Veç lot shiu derdh derdh derdh

 

 

E TI KALËRON MBI GJUMIN TIM

 

Në të gjitha kafeteritë e qytetit

Të kërkova deri në Karagaç

 

E ti nuk ndodhesh

Në asnjë qytet të botës

Në asnjë stacion treni

Në asnjë bar caffe

 

Taksisë që më end

Nëpër ëndrrat e humbura

I kërkoj këngën HELLOU

Kur ti nuk ndodhesh

Në asnjë lulishte në asnjë morg qyteti

 

E çka mund t’i them asaj vajzës në FELLINI

Tek kapet për fillin e ëndrrës së zhdukur

Dhe pret përgjigjen se kur ka filluar

Dhembja e kësaj nate me shi

Kur ti kalëron mbi gjumin tim

Kur unë të kërkoj të kërkoj të kërkoj

 

 

SHI MBI ÇATI

 

Shi i mëngjesit

Gjarpërinj të lagësht nga çatia

Në vetminë time

 

Sitet ngeshëm

Qiellit teposhtë

Lirikë e ëndërrt shkallimi

E më mban peng në dritare

 

Shi o shi

Puthje të lagura

Mbi çati



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •