Xheladin Hamza: Ngjyrat e shkëlqimit
| Saturday, 01.10.2009, 06:10 PM |  

NGJYRAT

E SHKËLQIMIT

Botues:

Erpoprint – Gjakovë

 

Redaktor:

Miftar KRYEZIU

 

Recensentë:

Prof. Dr. Sabahajdin CENA

Agim METBALA

Fahredin SHEHU - DADUSH

 

Përkujdesja artistike në kopertina:

Shkëlzen REXHA

 

 

XHELADIN HAMZA

 

 NGJYRAT E SHKËLQIMIT

 

P o e z i

 

2008

 

Parathënie

 

          Nga Miftar Kryeziu

 

Në qoftë se krijimi i poezisë i ngjan një odisejade, siç do të thoshte studiuesi ynë i mirëfilltë i poezisë bashkëkohore shqipe Agim Vinca, kurse odisejada është, siç dihet, një udhëtim i gjatë dhe i përcjellur me shumë peripeti, atëherë poeti është ai që kërkon atdheun e tij, njësoj si heroi legjendar i Homerit – Odiseu,  që kërkoi Itakën.

Po cila është Itaka e çdo poeti?

Pa asnjë mëdyshje do të them; është bota shpirtërore e tij, që lehtë mund të ngacmohet nga një zhurmë, e cila prapa lë një gjurmë, madje, sado e vogël të jetë ajo, qoftë dhe vetëm një fishkëllimë, megjithatë, tejzat në thellësinë e tij, padyshim e detyrojnë atë, që ta shpalosë aty vetveten, e të përpiqet të zbërthejë perceptimin e rrjedhjes së saj, gjithnjë në kërkim të sublimes. Aty, mbi të gjitha, ai më së miri gatitë fuqinë e fjalës, sepse e njeh deri në rrënjë “Itakën e tij”.

Kështu, gjatë një udhëtimi odisejadesk nëpër botën e tij shpirtërore, edhe poeti ynë tanimë i njohur Xheladin Hamza, na solli para nesh librin e dytë poetik me titull mjaft domethënës “Ngjyrat e shkëlqimit”.

Përse ky titull? Apo, mos vallë poetit i erdhë nga një burim hyjnor?

 Po, - do të pëshpëriste ai – atëherë kur:

 

“Fillimin dhe mbarimin e jetës

i përputha në një pikë

     porsi një semazem...”

 

Semazeni - është personi i cili e ekzekuton apo praktikon Semanë, si teknikë mjaft e ndërlikuar.

Semaja është manifestim i lëvizjes së trupave qiellor, ku udhëheqësi i Semasë, mentori; simbolizon diellin ose aksin e sistemit dinamik të Galaktikës, kurse semazenët, të inicuarit, në lëvizje rrethore, simbolizojnë planetet, pra kemi të bëjmë me një valle kosmike, për unifikim me kozmosin”. – thotë njohësi më i mirëfilltë dhe autokton i këtij riti tek ne, Fahredin Shehu.

 

Madje, derisa Rumiu për Semanë shkruan se:

“Shoh ujërat që vrushkullojnë nga gurrat e tyre
 Degët, lisat që vallëzojnë si penduesit
 Gjethet që me duar rrahin si muzikantë...”

 

..., vargjet e sipërtheksuara të tij, janë ndoshta një pasqyrim simetrik dhe plotësisht i përputhen një ritmi që  reflekton afinitet inercioni, vargjeve të shkëputura të poetit Xheladin Hamza:

 

“Shpirtbardhët i merr me lehtësi
të përcjellur me muzikën hyjnore të semas
e të mbështjellur me aromë lulesh

 të këputura nga kopshti i Edenit...”

           

..., andaj, thekson se:

“Tërë jetën dëshirova të bëhem semazen

        kërcimtar i paepshëm i semas në shpirt të jem...”

 

            ..., sepse, poeti ynë është udhëtar i dëshirave të tija, të cilat ashtu si i shfaqen në mugëtirën e shtratit shpirtëror, ashtu të tilla ia do edhe zemra. Dhe se:

 

“butësisht si fëmijë do kapemi për dore

në sexhde bijmë para të Madhit Zot

     se jemi udhëtarë të amshimit...”

 

            Kjo lë të kuptojmë se Uni i poetit Hamza është shumë stabil dhe se në çfardo ndërrim kondite, ai prap është i lidhur shumë fortë me Universin Hyjnor – Perëndinë:

 

“aty ku engjëjt pa ndërprerë

zëshëm këndojnë

     TEKBIRIN...!”

 

          Duke shfletuar me kujdes faqet e librit dhe duke i medituar vargjet e shkruara nëpër to, do të na shpirtëzohet një ndjenjë lakmuese, brenda së cilës shtrihet dashuria, si maksimë më universale, e që shkëndijat e saja depërtojnë deri në thellësi dhe, shpeshherë, bëhen pjesë intime e jetës njerëzore, në këtë mes edhe të krijuesit.

Në këto shtigje edhe bota intime e poetit Xheladin Hamza, është e fshehur thellë, madje, do të thoja, shumë e thellë dhe jo rrallëherë atë e ndrydhë, për ta shpalosur ndonjëherë vetëm nëpër ëndrra, siç shprehet në poezinë; “Ëndrrat e mia”:

 

“Lëri në qetësinë e shpirtit tim

se janë vetëm ëndrrat e mia

     pjesë e jetës sime...”

 

 

            Këto ëndrra janë valë të dashurisë njerëzore. Dhe meqë atyre nuk mund t’i ketë ikur askush, as poeti nuk do të tentojë ta provojë këtë, andaj ai i hap rrugë të dashurës së tij, duke i thënë: 

 

“Bëhu e lirë

dhe lundro kah do

se shpirtin e kam

det të hapur

    vetëm për ty...”

 

..., ndërsa zemra e tij për të është  F o l e j a  ku ajo me ëndje zbret dhe gjen prehje.

Megjithatë kur poeti disi vjedhurazi kthehet në vitet e hershme të rinisë, atë e mbështjellë një nostalgji, e cila thuajse ia vjelë ngadalë dhe një nga një gjethet e një kohe dikur të njomë. Ndonëse e di fort mirë se nga askush nuk do të merr ndonjë përgjigje, ai nuk heziton t’i bëjë pyetje vetes me një stili retorik:

                       

      “- Përse flokët më janë zbardhë?

         - Ku ikën vitet e mia?...”

 

            Pothuajse, si gjithë krijuesit shqiptarë, ashtu edhe poetin Xheladin Hamza, fati i Kosovës në zymtësinë e harkut më të errët të historisë, e kishte lidhur përherë me të, mirëpo, përveç në poezinë “Terri i ballkanit”që kemi ca motive të stilit elegjiak, dy poezitë e tjera (Pavarësia dhe Luan Haradinaj), rrafshi motivor i tyre ka nota lirie e krenarie, dhe me një optimizëm guximtar, madje, do të thoja deri në gatitje për kushtrim të ri:

 

“Jeton Kosova, feston Shqipëria, gatitet Çamëria, hej...!”

 

Ndonëse, duke qenë i vetëdijshëm se opusi poetik i këtij vëllimi poezish ka dimensione edhe me të theksuara, si në aspektin motivor, ashtu edhe në atë meditativ, megjithatë në ketë recension (sigurisht sipërfaqësor), jam përpjekur i nderuari lexues, që sado pak të jap një pasqyrë, ku paraprakisht do të mund të orientohesh nëpër rrjedhën e valëve poetike që burojnë nga Itaka” e poetit tonë Xheladin Hamza.

Ju merreni e shijoni si të doni, se tani e tutje janë tuajat!

 

 

Rahovec, tetor 2008.                              



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •