Kalosh Çeliku: Engjëlli im është Grua
| Saturday, 01.10.2009, 06:51 PM |  

Kalosh Çeliku
Kalosh Çeliku

KALOSH ÇELIKU

 

Engjëlli im është Grua

(Lirika me Hënë)

 

Asdreni

Shkup, 2007 

 

Biblioteka

MUZA

 

Redaktor letrar

GANI XHAFOLLI

 

Redaktor gjuhësor

Dr. ARBËR ÇELIKU

 

Redaktore artistike

FITORE DERALLA

                 

 

Engjëllit tim Grua. Që, edhe një herë më doli zot, më mori në mbrojtje në Qafë Thanë. Dhe, «Vendin e Vdekjes« , që nga ajo ditë e pagëzoi Vendi i Lindjes…

Kalosh Çeliku

Në vend të parathënies

ËNDRRA MIDIS LUMTURISË DHE FATKEQËSISË

 

Nga Dr. Lutfi TURKESHI

 

Opusin krijues të Kalosh Çelikut e begaton edhe një përmbledhje. “Vdekja më deshi më pak se Ti” është vijimësi poetike ku e reja, siç nënvizon me titullin poeti, është se heroi e ka kapërcyer çastin e rëndë të historisë. Ai është ringjallur si degët në mur nga dy shtambat me verë që i ruan Cuca Boheme e murosur si Rozafa pas rrënimit të ngrehinës së ëndrrave të dikurshme. Ai nuk vdiq, siç prisnin armiqtë e tij të përjetshëm shuajtësit e ëndrrave. Është realizuar ajo që kishte parashikuar në vëllimet e tij të mëparshme kur thoshte se: “Në mesnatë, kur diku pas malit dielli fshihet si shigjeta e drejtuar nga qielli, e hëna është varur në një lis, kur qentë lehin gjithë natën, e çizmet dëgjoheshin në rrugë, poetin se zë gjumi”... Frymëzimi si litar i thurur me fijet e shpirtit të trazuar, sikur e fut brenda laringut… Jo se i shtrëngon fytin, po i plas gjoksin. Terrina e natës i duket sikur hap një dritare kah dielli. E lyp me sy dhe s’e sheh, prandaj thërret: “Diellit ia kanë lidhur sytë thirrni rrufetë!”. Me këtë ai thotë, unë jam i pavdekshëm përderisa s’kam vdekur edhe pse vdekja më deshi… Dhe, me këtë e kemi thënë të gjithë, nuk është vetvetja, por heroi i tij… Ajo dega e Rrapit që pushton kalanë. Natyrisht ai ende kotet sa për të mundur gjumin se “diku mbi tjegulla lëviz një dreq nuseje me peshterkë të kuqe. Poeti ndjen me tërë qenien e tij nusen që lufton nusërinë, gardhin e ndërtuar me brezat e ndalimit, e vendos të ndjek rreshtin e të parëve të tij: të dalë “kaçak”, por në vend të pushkës merr penën e në vend të kollanëve me fishekë, mbështjellë trupin me vargje poezish dhe prita e parë i vjen natën kur: “Bie shi këtë natë, bie në xham vonë, dikush troket, hap dritaren - errësirëVallë, mos je ti Doruntinë?!... Natyrisht ende ndihet mërzia dhe vetmia, ndjehet edhe dëshpërimi se në “një vend të pështirë, mbahet një fjalim, ndërsa poshtë qentë thërrasin “urraaa”, bushtrat tundin bishtin, burrat rrospi kanë vënë kollare dhe bisedojnë si xhentëlmenë…” Sërish degëve të Rrapit pa të cilat s’ka jetë… Është fitorja e madhe e njeriut të ri, asaj qenie që ka përfaqësuar gjithnjë Çeliku. Ende e brishtë, ende me horizonte të gjalla… Poetit asgjë nuk i bëjnë dot sharjet, shpifjet e goditjet, bile qesh e argëtohet me to… Ai thotë: me shpresa të kota s’jetohet dhe një gllënjkë verë si Khajami nga shtambat i zhytur në “sy të dëlirë” shprehet: “E plakim ditën në tavernë, me vargje e verë, në mbrëmje kthehemi vonë… për ta çmendur natën…” Kështu noton me barkën e kujtimeve herë në detin e halleve, pastaj në liqenin e pastër të dashurive, poeti. Janë këto kujtime, që marrin frymë me kohën, që i puth qielli dhe rrufeshëm lëshon mesazhin në shumëllojshmërinë e trajtimit të njeriut në metaforën e gurit ose të Rrapit si pelegrin me hajmalinë e Babashehut, vigjilues me Cucën Boheme nën Rrap ose trusakatët që shtrëngojnë jo flamujt e kombit por ato partiakë… Pra, jeta ec me shumëllojshmërinë e vet dhe asgjë nuk përsëritet, veç vdekjes… Ndaj realiteti dhe ëndrra pranë vihen gjithnjë si kontrast, si pamundësi…S’është fantazma ëndërr njerëzore, mjaft normale për ta mbajtur shpirtin gjallë në kohë të vështira… Edhe gëzimi edhe vuajtja si veti të unit poetik, janë plot tendenca filozofike, kur përkrahen sjellin kënaqësi, ndërsa kur pengohen sjellin dhimbje, ose kur kjo dhimbje nuk shkarkohet kalon në urrejtjen si nëntekst. Në pikëpamje funksionale ajo shtrohet në shumë poezi dhe është si funksion i ngarkesës të unit dhe realitetit të jashtëm ose të brendshëm.

             Raportet psikologjike, të mbështetura te tradita nuk bëhen të gjitha sipas një skeme të njëjtë apo formulimit ideor, por sipas një mbrese që lëviz në gërshetë duke iu përshtatur problemeve ideore të përjetuara në veçanti dhe varësisht nga mentaliteti i psikologjisë, subjekteve të poetit të vëna në bashkëpunim të drejtpërdrejtë.

        Edhe diagnoza edhe terapia shprehen bashkë, në këtë rast poeti është një figurë me emër që e bën për vete lexuesin me emocionet e fuqishme.

        Lakmia për kënaqësitë dashurore është pothuajse e fortë. Përdor mjete figurative për lidhjen e marrëdhënieve dashurore në sajë të një përjetimi, në kuptimin altruist vepron me mirëkuptim të fortë spektri motivor që është i ndërrueshëm dhe në mënyrë të konsiderueshme, lehtësisht cikloid, duke kaluar nga dhimbja në gëzim, nga pesimizmi në optimizëm… Kur shijet për jetën janë shumë të forta në ndjenja, poeti shprehet: “Rrapin e kam Tyrbe, vera nën të rrjedh lumë…” Lumi i jetës, që rrjedh me moral… ec përpara me shije jete të forta tek qëndrimi, ndjeshmëria dhe mosdurimi, ku qëndrimi i personalitetit poetik shtrohet me një ambicie të konsiderueshme. Në poezinë “Gjithë natën do të të mbaj zgjuar nën dritën e një qiriri…” ndjeshmëria në sektorin e ndërgjegjes është me vetëdisiplinë, gjallëri dhe shumëllojshmëri të shtytjeve psikike që hetohen e pëlqehen nga lexuesi, ndaj poeti shprehet: “…Unë do të blej zinxhirë e do të lidhi për shtrati me një poezi…” dhe mosdurimi që vjen si sythe e vrullit të zakonshëm ideor i shton murmurimën poetit, ndaj ai atëherë plot vrer thërret: “Mbylleni gojën! Heshtni! Kurrsesi nuk mund t’ju kuptojDje, sot e nesër “patriotë”… Dje komunistë trusakatë, sotballistë” trusakatë, nesër…?! – Megjithatë poeti e din se mrekullitë nuk lindin vetvetiu sikur me shkopin magjik në përralla dhe nuk mund të zhduken ndjenjat armiqësore midis njerëzve, prandaj poeti duke iu drejtuar Cucës Boheme Di thekson ”… nën Rrap ndjej fuqinë ta vazhdoj luftën me penë…” dhe “…mbi varrin e Babashehut do t’i përzë xhindet…” Me këtë optimizëm poeti synon në veprimin e virtyteve dhe mangësive që shpesh janë të vogla por me një xixë të shpërthejnë, sepse konstaton poeti pjesa më e madhe e njerëzve vuan për mirëkuptim dhe për mirësi… Në këtë rreth, poeti heziton midis dualizmit të botës së gjallë dhe dilemave a mund të prodhojmë jetësi dhe a do të mundemi ndonjëherë?! A është ky pretendim brenda kufijve të mundësisë njerëzore? Kështu poeti në këto hezitime të një heshtje të madhe pasmesnate thotë: “kur të gjithë flenë, vetëm unë e një melaqe, rrimë zgjuar, presim muzën…” Pra, poeti në relacionin material gjen përgjigjen se jetën mund ta prodhojmë, po qe se e kuptojmë dhe nëse vërtet e kuptojmë. Sepse biologjia nuk është shkencë për esencën e jetës, por për fenomenin e jetës, për atë masë për sa na është dhënë si objekt, për atë masë për sa është prodhim ajo… Dhe, poeti i ngopur në heshtje mediton. “Ti, më tha je hermetik. Qesha., jo. Unë jam enigmë. Ujk. Të gjithë më mohuan. Edhe unë të gjithë i mohova…” Pra, midis këtyre meditimeve poetike të Kalosh Çelikut, entropinë si nocion thelbësor të përkufizimit të jetës e personifikon me Shavën, Cucën Boheme që e ringjalli dhe e “ngriti nga varri…” Janë këto pikëpamje të shëndosha poetike filozofike të K. Çelikut që nënvizojnë ligjshmëritë të reduktuara në entropy, që do të thotë në ç’organizimin universal në rënien e sistemit te shkalla më e ulët e rendit dhe energjisë dhe anasjelltas. Vetia elementare e jetës së gjallë, brenda së cilës reduktohen të gjitha të tjerat është kundërvënia ndaj kësaj entropie në një shkallë më të lartë të energjisë e kjo energji është dashuria që “tretë brymën që djeg pemët… lulet” amëson magjitë e krijon lumturi në “Lojën e syve” te Rrapi.

        Pra, mesazhi poetik në “ Vdekja më deshi më pak se Ti” është se kjo jetë është e shtrenjtë dhe nuk shitet për të ngrënë e për të pirë, poeti më mirë pajtohet të jetë i varfër, i lirë e i pasur në dashuri se sa të jetojë nën madhërinë e rreme.

        Këto vrojtime filozofike ndjehen në frymëzimin poetik ku muza poetike vjen spontanisht tek poeti ndaj ato janë të shpalosura në çdo varg të përmbledhjes së tij ku Cuca Boheme është shndërruar në emblemë të dashurisë dhe jetës, që zgjon kureshtjen për deshifrimin metaforik të vargut plot motive e lajtmotive të një rrjedhe që si spektër reflekton prej vargut të parë deri atë të fundit. Janë këto figura që përherë e më tepër bëhen elemente mbizotëruese të një sistemi metaforik, simbolik e mitik siç ndodh me ibrikët e varur në natë, me shtambat e Shën Gjergjit ose gjuhën e zinxhirkës në qafë… Janë këto lëvizje poetike që figurën e kanë jo si prodhim tabloje por si prodhim të kompleksit intelektual - emocional në një moment kohor të veçantë të shtrirjes ideore. Në këto vargje pra shprehet qëndrimi i personalitetit midis shtytjeve të egos dhe altruizmit. Në kuptimin altruist vepron një bujari e konsiderueshme që rrjedh jetë nën Rrapin që është Tyrbe”… Zbret nga qielli Cuca Boheme me dy shtamba verë, më kthen në jetë…”  dhe “Ringjalli poezinë që e kam grua e Cucën Boheme dashnorenën Rrap”. Ndaj, “nëse lisi romantik i Mjedës (kreckë e bre përie me lisa) është për mërgimtarin “shej i mallëngjyeshëm”, në qoftë se lisi mrizues i Fishtës është me degë praruar, tek “Rrapi tyrbe“ i Kalosh Çelikut ku mrekullohen muzat, është sosje në vetëdije.

        Ndërkaq, në kuptimin egoist vepron një teprim i ndjeshëm i prirjes për t’u imponuar të tjerëve prirjen e lehtë për të vënë në plan të parë rehatinë e vet me verë, dashuri dhe vetmi nën Rrap. Një ndjenjë, e cila i jep personalitetit qoftë edhe midis luhatjeve mjaft të gjëra që ndodhin midis shqiptarëve një orientim të përgjithshëm për kthesa si në të mirën subjektive ashtu edhe në të mirë të të tjerëve. Kështu synon pikërisht me shmangien e shpërbërjes në gjendje inerte të ekuilibrit, ku jeta tregohet e mistershme ndaj ndërgjegjja duhet të jetë e çiltër… Me një peshë e vlerë të veçantë dhe konceptim krijues kuptimor K. Çeliku kërkon mirëqenien e botës shqiptare kudo që janë, vargun e tij e cilëson një tingëllimë e veçantë, mesazhi brengosës: “Qyteti është i vdekur… Rrapi merr frymë… Edhe Ti pasmesnate ringjallesh e zgjon poezinë… e ne edhe pse armët e luftës që moti i kemi varë në degë, pusi kemi vënë nën Rrap. Verë e dimër i kemi dalë zot Rrapit. Atdheut…” Këto janë shqetësimet dhe ritmet e tij… Pra në themel të përmbledhjes “Vdekja më deshi më pak se Ti” është Rrapi mitik që çon të ringjallurën dhe Cuca Boheme që çmend netët dhe qirinjtë i ndez mbi kokë.

       Analizimi i sistemit shprehës poetik i përmbledhjes ka veçoritë e veta: Kalosh Çeliku në këtë përmbledhje me mjeshtri zgjedh objektin që trajton (Rrapin) dhe transponomi është i ngritur mirë. Edhe gjuha është plot ngjyrime, stili i kapshëm dhe me variacione të shumësisë kuptimore ndaj mesazhi është i kapshëm… Dialogjimi me “Rrapin” është figurativ, është i ëmbël në fjalë i përvuajtur në vetmi dhe i dhimbshëm në shpirt për Cucën Boheme”… Që i ndez vargjet… Qytetin e ngre më këmbëLuftën se ndal, përderisa lirinë nuk na e sjell në shtëpi…”   

      Ka këtu një shqiptim poetik me ritëm të ngadalësuar, ku pauzat midis fjalëve japin nëntekstin simbolik, ku poeti s’është vetëm shpikës frazash artistike të shprehura bukur, asociacioni i të cilave lidhet me interesin e përgjithshëm. Por, në “universin” e hijes së Rrapit ai lidh një hierarki poetike ku përshtresohen besimi, dashuria dhe atdhedashuria në udhë fatesh me imazhin e depozitimit të mbjelljes dhe të lulimit të motiveve, ku shtegtojnë dhe paradigmojnë filozofinë e kësaj udhe andej e këndej Rrapit dhe hijes së tij dhe shtegtimeve poetike udhë e hije që kthehet në frymë dhe shpirt hapësirë, metaforë dashurie, lirie, gjeografi poetike mbarëkombëtare: “Rrugët me ferra, gjarpri me dy kokë, kulaç rrezitet në diell. Unë e kam vetëm penën. Armë me të cilën bëj udhë për në ParajsëE nxjerr gjuhën vjell helm… E vras. E hap shtegun drejt Teje…” Sajimi i mitit për gjarprin me dy koka me një kuptim të tërthortë dhe një të drejtpërdrejtë përbën një poetikë të veçantë mitiko - reale. Triumfi ndaj gjarprit vdekjeprurës intonon vrullin shpërthyes të ndjenjave. Që siç nënvizon Visar Zhiti në parathënien e përmbledhjes thotë: ‘…Poeti krijon kultin e lirisë, dhe asnjë kult tjetër, për të qenë ai që do, mundësisht i gëzuar, i dashuruar vazhdimisht dhe pa ndërprerje, qoftë edhe me çmimin e të veçimit nga të tjerët, një vetmi e detyruar pa u shqetësuar për filozofinë e saj dhe kështu ai i beson me lehtësi të përditshmes se vet, jetës dhe vdekjes, se edhe vdekja është vazhdim, ku sipas poetit do ta vazhdojë dashurinë pse jo edhe gotën me verë, miken tjetër kështu, që nga koha e Homerit e Khajamit e përkëtej në posmortumin e pafundmë…”

       Kalosh Çeliku, pra ka një vijimësi të pandërprerë poetike plot plagë e emocione, është mbrojtës i vlerave njerëzore, i fjalës dhe sinqeritetit edhe kur bëhet fjalë për atdhedashuri, ose dashuri, të mitizuara si Mikja ose Cucë Bohemja, në epitetin e të cilave fshihet femra shqiptare dhe hiret e saj ose Rrapi, që është epitet i Atdheut me rrudha kohe ose pa to… Këto janë thuktë si motive të ngjeshura në përmbledhjen më të re të K. Çelikut, që njëherit janë oguri më i mirë që autori u jep lexuesve të tij të pasionuar.

 

Kalosh Çeliku, Krijimtaria: Ketu



(Votes: 4 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •