Cikël poetik nga përmbledhja ''Ehu'' (Lirika me frymë mistike)
| Saturday, 01.10.2009, 08:00 PM |  

Poet i nemur

 

E nemi Dum Dumi. Trusakati

DoktorZiu. Buça e Katundit.

Nusja me pashterkë të kuqe

Këlyshi me zgjebe. Dhe, Hadumi.

 

E nemën. Po, kush nuk e nemi?!

Mikja i dha gji. Fuqi për luftë.

Thonë: të zë vetëm nëma e Nënës...

 

I  DIMËR I MADH NË DHOMË

 

Qytet i rremë në

         agim Dimri

 

Jetë qeni. Fundekrye Ferrparajsë

Bërlloku kur lulëzon në rrugë. Gjirizi.

Asfalt nën këmbë. Beton mbi kokë

Vapë që të djeg si saç mbi kësulë.

Furrë zjarri, që t’i ndez me dru trutë.

Macja ku s’jeton më mirë se një poet.

 

Jetë qeni. Fundekrye Ferrparajsë

Qytet i rremë në agim Dimri...

 

Zogu dridhej në Dimër

 

Dëbora bie sa mundet në Kopsht

Çuka me kësulë të bardhë. Lisat.

Pemët me degë prekin tokën

Fëmijët në kasolla pas sheqerkave.

 

Çafka mbi portë e ka veshur ferexhen

Dëborë bie. Zogu dridhej në Dimër...

 

Dikush zvarritet

    nëpër dëborë

 

Dimër. Matanë kopshtit Dordoleci

E ka rrasur si armë fshisën në brez.

Kusinë në kokë si Bajlozi i Zi

Dhe, ka dalë nga Deti me ushtri.

 

Natë. Matanë kopshtit Dordoleci

Dikush tinëz zvarritet nëpër dëborë...

 

Kotnasikoti Unë

  isha bërë akull

 

Nata që iku më hodhi në shtrat

Mes një Gruaje dhe zjarrit në oxhak.

Flakë u dogja gjithë Natën

Në mëngjes isha shua nën hi.

 

Gruaja u frynte thëngjijve në oxhak

Kotnasikoti. Unë isha bërë akull...

 

Qyqja ime e borës

             i fry zjarrit

 

Natë. Në lëmë turret lakuriqi

Zogu i Keq këndon mbi çati.

Hëna e plotë është varë në lis

Qeni im besnik leh në iriq.

 

Natë. Terri na i ka lidhur sytë

Qyqja ime e borës i fry zjarrit...

 

Poeti nuk ka besë

 

Grua e hijshme! Njëzetekatër liqesh

Poetit mos i beso në dashuri. Poezi.

Është i pabesë kur të rrëzon në shtrat

Besën e shet  lirë edhe për një varg.

 

Grua e hijshme! Njëzetekatër liqesh

Poeti në dashuri di shpesh të hiqet.

Dhe, i do gjithë gratë e botës. Miket...

 

Dhe vajzat plaka

presin një puthje

 

Natë. Terri troket në xham

Matanë Kopshtit Hëna nuse.

E sheh veten te Bunari Seferit

Burrave ku ua praptuan Koçinë

Dhëndrri fle në grazhd të kalit.

 

Pasmesnate. Edhe dy krisma pushke

E hap dritaren. Në Kopsht Kukubeci.

Dhe, vajzat plaka që presin një puthje...

 

 

Edhe zogu e ka

       Miken e vet

 

Jeta dhe Vdekja janë gra

Burra jemi ne të shkretët.

Që sa herë t’u teket na hedhin në krah

Shtrat. Dhe, me ne i shuajnë epshet.

 

Pasmesnate, kur del Hëna e plotë

Unë e hap dritaren krah më krah.

Them: Edhe zogu e ka Miken e vet...

 

Tashtimë di të dua

                dhe urrej

 

Shtambaverë kam rrokullisur në dhomë

Mike. Edhe Veten sukull nëpër shtrat.

Hënës plotë ia kam hapur dritaren

Pasmesnate e kam lënë shtatzënë.

 

Tri Zana më kanë dhënë gji në Baba Tomor

Duartrokitje! Tashtimë, di të dua dhe urrej...

 

Nesër kur ai të ikë prapë

        te Unë do vish vetë

 

Më fal! Poezia është Grua xheloze

Dhe, e di kam faj. Më bëri për vete.

Nuk duron grua tjetër. Shemër

Shkak ky, që ike nga Unë me një tjetër.

 

Megjithatë. Unë jam Ujk me nëntë plagë

Edhe vera shpesh më ka ikur me natë.

Dhe, është kthyer të nesërmen në shtrat.

 

Kur ai të ikë, prapë te Unë do vish vetë...

 

Shpirt i saj rebel

       ndez zjrrarre

 

Thanë: shpirt i saj ndez zjarre

Dhe, Unë u nisa një natë akull.

I trokita në zemër... Dritare

U hapë dera. Eca nëpër varre.

 

Oxhaku. Dhe, Ajo i frynte malit

Digjem. Kush do ma shuaj zjarrin?!...

 

Flutur nate që ngjizet

           në fener - faqe

 

I hap krahët. Turresh pas fenerdritës

Vallëzon. E heq një valle kombëtare.

E nuk e di se digjesh. Ringjallesh

Mureve që të kanë burgosur të gjallë.

 

Kujdes, oj flutur! Kujdes, mos digjesh

Rrezik! Edhe Unë jam një fener nate...

 

Te Përroni i Thanës

          uluroja si Ujk

 

Male përreth. Dhe, plot lisa pleq

Matanë, Çifligu i Xha Derallës.

Dardhat gorrice. Delet nën hije

Qeni im gjuhën jashtë nga vapa

Dhe, Unë me kusi mjel dhentë.

 

Ogiçi im me brirë atje, ishte mbret

Askush nuk ia cenonte territorin.

Unë te Përroni Thanës uluroja si Ujk...

 

Unë i dua gratë

   e afta për burrë

 

Shpesh më sillet rrotull një rrunzë Qyteti

Bereqetmadhe. Nëntë burra s’e bëjnë zap.

Dhe, më thotë: Unë jam e rrezikshme

Burrin dua ta kem për çdo ditë. Natë.

Shtatë herë me të, të bëj seks në shtrat

Në mëngjes ta hedh si leckë për dritare.

 

Qesh me këtë asgane. Nuk e di qyqja, se:

Zoti ende s‘më ka dërguar një të tillë grua

Njëzetekatër orë Unë ta rrokullis në shtrat.

 

Dhe, Unë i dua gratë e afta për burrë!...

 

Çafka në shelg

      hiqet poete

 

Majë shelgu, përpara Shtëpisë

Çafka po këndon këngë erotike.

Papagallja recezente në libër

U bie duarve: Poete me famë!

 

Çafka kjo pjellë e Kurvës Parti

Që, vargjet i ushqen me gjiriz.

Çirret në shelg si zonjë e poezisë...

 

Ti akull e ftohtë qyqe

       Unë zjarr i shuar

 

Dhoma na merr në grusht. Terri

Qiriri jep shpirt mbi tavolinë.

Shtambaverat rrokullisen nëpër dhomë

Nata e çmendur. Ti edhe më e çmendur.

 

Pasmesnate, më vdes në duar. Shtrat

Ti akull e ftohtë, qyqe. Unë zjarr i shuar...

 

Grua tjetër u fry me gojë

       thëngjijve që u fikën

 

Dëborë e madhe më ka rënë në dhomë

E mbuloi shtratin. E shuajti zjarrin.

Dritaret nuk hapen nga akulli. Figurat

Ftonit në Kopsht i dridhen këmbët

Sorra në çerdhen e lejlekut bëhet Nuse.

 

Dëborë e madhe më ka rënë në dhomë

E mbuloi shtratin. E shuajti zjarrin.

Grua tjetër u fry thëngjijve që u fikën...

 

Një tufëz xixash

 turret përjashta

 

Zjarri me flakë ndizet në oxhak

Mikja ime, dikur i hodhi dru lisi.

Flaka të mos shuhet brez pas brezi

Oxhaku ta ngrej lartë tymin në qiell.

Dimër të mos ketë në Shtëpi. Akull.

 

Zjarri me flakë ndizet në oxhak

Një tufëz xixash turret përjashta...

 

II  NATA HEDH FEREXHEN KRAHËVE

 

Shtegu im i vetmuar

          një natë Dimri

 

Edhe sa shtamba me verë duhet t’i zbraz

Që, të hipi në Baba Tomor. Tyrbe?!

Edhe sa Zana duhet të më japin gji. Fuqi

Gjokut t’i kërcej në shpinë, të dal kaçak?!

Lisat t’i bëj kokë më kokë. Yjet në Qiell

Hënën e plotë ta zbres Nuse në Kopsht.

 

E dini, Unë moti kam dalur kaçak maleve

E kam pi lumin. Liqenin. Detin. Oqeanin.

Tri Zana më japin gji nën Rrap. Fuqi për luftë

Nëntë sahat larg, pas maleve ta fluk vargun.

 

Krismë. Shtegu im i vetmuar një natë Dimri...

 

Vajzat dikur pas meje

             janë çmendur

 

Ehu! Rrapi përpara “Bozhurit“, në Prishtinë

Dhe, Unë në pusi me mauzerr për harushë.

E Ajo dilte nga Tokëbahçja  lepurushkë.

Luftë i thonin asaj dikur. Fushëbetejë.

Gratë asgane kur binin dëshmore në shtrat.

 

Edhe sot si dikur moti në pusi me mauzerr

Luftë të madhe bëj me harusha. Lepurushka.

Zjaaarr! Vajzat dikur pas meje janë çmendur...

 

Dashuria në Tavernë

       përzihet me verë

 

Tavernat e Shkupit vërtetë janë fushëbeteja

Kështjella, ku duhet bërë luftë me verën.

Dhe, gratë. Që, aq lehtë nuk i dorëzojnë armët

Pasmesnate, pa i harxhuar të gjithë fishekët.

 

Heret në mëngjes, dikur pak para agimit

Flamuri i bardhë ngritet lartë në shtrat.

Dashuria në Tavernë përzihet me verë...

 

Deri më sot askushi

   s’më zuri rob lufte

 

Pusi në çdo anë. Shkrepje armësh zjarri

Shtinë trusakatët. Këlyshët me zgjebe.

Vetëm, plumbat e grave përpak më vranë

Shpallin hero lufte te Parku i dëshmorëve.

 

Vërtetë qenë burrënesha, ia dinin rendin luftës

Në krahasim me burrat e soçëm me pashterka.

Që, nuk më dilnin në mejdan, ballë për ballë

Po, tinëz shtinin nga pusia. Ferra pas shpine.

 

Dhe, deri më sot askushi s’më zuri rob lufte...

 

Nata grua kur e hedhë

        ferexhen krahëve

 

Errët. Hëna e plotë është varë në lis

Dritë na bënë në dhomë. Shtrat.

Shtambaverat të zgjuara. Qiriri në gjumë

Këmbëkryq e pres agimin. Ditën Nuse.

 

Diell mbi Çelëvjollcë. Rreze në xhama

E hap dritaren. Dikur, fluturoj në Qiell.

Nata grua, kur hedhë ferexhen krahëve...

 

Pemë e zhveshur gjethesh

 

Një Grua vite e vite më hy në poezi

E m’i bën vargjet lëmsh në libra.

Herë në ballinë, në kopertinën e fundit

Lexuesve ua bën me sy. Vetulla.

Dhe, Qyqja lidhë e zgjidhë vargje.

 

Një Grua vite e vite më hy në poezi

Nuk di si ta përzë, lidh me një varg.

Zgjidh. Pemë e zhveshur gjethesh...

 

Hëna më tha të pushoj

        te dera e Kopshtit

 

I lodhur jam. Edhe Nata. Edhe Dita

Duar më duar më hedhin mbi çatia.

Majë lisave. Te Përroni i Thanës

Tri Zana më japin gji. Fuqi për luftë.

Gjokut t’i kërcej në shpinë, marr malet.

 

Majëmalet larg. Baba Tomori edhe më larg

Hëna më tha të pushoj te dera e Kopshtit...



(Votes: 20 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •