RRËKE LOTI NËPËR FAQE
| Saturday, 01.31.2009, 01:13 PM |  

RRËKE LOTI
NËPËR FAQE

Nën këtë dritë
Që lëshon dielli,
Në hapësirën
Pa kufi,
Nata e dita
Prej fillimi
Bëjnë gara
Për mbretëri.

Me orekse
E pangopësi
Shtrirë në tokë
E shtrirë në det,
Jo veç në tokë
Edhe në univers
Nata thotë:
- Unë jam mbret.

Toka e deti
Një lëmsh pa fije
Sillet e mbështillet
Për një qëllim.
-O dritë e diellit
-Lutet dita,
Ngrohma pak.
Trupin tim.

Ngrohma pak
Me atë ngrohtësi
Që nga zemra
të buron e dlirë,
Kur të bjerë terri
Shndrite hënën
Të duket nata
Më e mirë.

Përkundër lutjeve
Për miratim
Nata e dita
Thele-thele,
Për do teke,
Për do huqe,
Njera ujk
E tjetra dele.

Skuqen fytyrat
E kreshpërohen
Me rragama
E nëpër tyta
- E dua dritën!
Thotë e para;
- E dua terrin!
Thotë e dyta.

- S’e dua dritën,
E dua terrin!
- S’e dua terrin,
E dua ditën!
Ngrihet pluhur
Deri në qiell
E gllabëron
Të bardhën, dritën.

Dëgjohen fjalët
Edhe zhurmat
Si ogure
Në tru nguliten
Zvogëlohen të mirat,
Të këqijat rriten.
-Ditë për ditë
Përsëriten...

Edhe ofshamat
Zënë shëtiten,
Drejt në shpirt
Vendin zënë,
Këngë e moçme
E mërzitshme
Me jehona
Anë e mbanë.

Pse kështu?
- Thotë urtaku,
Këto sjellje
S’i dua pranë,
- Pse dhe mollën
Më të mirë
Në degë të vet
Krimbat e hanë.

Pse dhe pse,
Vetëm pse
- Pse kështu
E bëre emër
- Gjeje lisin
Më të madh,
Sëmundjen e ka
M’u në zemër.


Lisi i vogël
Nën hije të të madhit
Kërkon dritë,
Hapësirë rrite
Nga i madhi
Gllabërohet
Jo veç natën
-Në pikë dite.


Kurrë në jetë
S’iu gjet shërimi,
Kësaj të keqeje
Që shëtit,
Kurrë në jetë
S’u bë pajtimi,
I kësaj grindjeje
Që drobit.

Luftë e ashpër
E pa mbarim,
Fyta – fytas
Në log ligësie,
Rrëke loti
Nëpër faqe,
Nëpër faqe
Të një fëmije.

Edhe nëna
E tmerruar
Nga e keqja
Që sheh me sy;
- Kudo që të jesh
Në këtë planet,
-Në mbrojtje të të mirës
Të thërret edhe ty.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •