Daim Miftari: Tingujt e heshtjes (Cikël poetik)
| Saturday, 02.14.2009, 01:00 PM |  

Daim MIFTARI

TINGUJT E HESHTJES

Recensues: Ali Aliu
Nehas Sopaj

Lektor: Rukije Bekteshi

Vargjet poetike në dorëshkrim – Tingujt  e heshtjes, dëshmojnë talentin e autorit të tyre. Nga një vëllim me poezi si ky, mjafton që, një dëshmi e tillë të vijë vetëm nga disa poezi, për të mos thënë vetëm nga disa vargje, që lexuesi i kujdesshëm ta vërejë prirjen e krijuesit të ri, Daim Miftari, siç pata kënaqësinë edhe unë…
Vargjet, bie fjala, të poezive Shtëpia, Udhëkryqe pa semaforë, Si në ëndërr, Urbane, Trimi…, vijnë të pjekura nga një dorë e sigurt. Vetëm përmes nëntë vargjeve, te e para – shtëpia,  ”rrëfehet” një jetë, një rrugë e ecur, një botë, një portret…Te poezia si në ëndërr artikulohen të ngjeshura pritja, malli, ndarja - ndarja pa kthim, pa takim, siç fundja ndodh në jetën e njeriut…
Daim Miftari, me këtë vëllim, po vjen i sigurt në artikulimin e ndjenjës dhe vizionit ngasës të shqetësimeve krijuese. Kam besim se do të ketë të nesërme si poet, do të veçohet nga shumësia, kryesisht e patalentuar e kësaj periferie letrare shqipe.

Akademik Ali Aliu


NË VJESHTËN E VONË

shpirti i shqetësuar
i ngjan një bulevardi
në vjeshtën e vonë
me plot gjethe trotuareve
me mace e qen endacakë
me lypës që zgjatin dorën
para kalimtarëve shurdhmemecë

i ngjan turmës së njerëzve
që fatin kërkon bastoreve sportive

i ngjan të varfrit
që bie në gjumë me një brengë
për ditën e nesërme

i ngjan pasqyrës
që assesi nuk e tregon
fytyrën e vërtetë

vjeshta e vonë
dridhet para acarit të parë

ndërkaq atje në bulevard
një shpirt
një mace
një qen
pëshpëritin lutje
për pranverën
e hershme

(Shkup, 11 nëntor 2005)

SHTËPIA

një herë moti kishte ngrohtësi
rafte përplot libra
dhe përralla të gjyshes

pak më vonë pati
vetmi e mërzi
dhe një derë mbyllur me dry

sot e rrah harresa
nga pak e miklon kujtesa

është shtëpia ime

(Shkup, 7 janar 2006)

UDHËKRYQE PA SEMAFORË

në bebëzën e syrit tim
qytetin e vura në gjumë

në agun e parë
syri më lotoi

shi binte
mbi qytetin tim

mbi një letër
të bardhë
jetësohej përmbajtja
e dhembjes
që endej
udhëkryqeve
pa semaforë

(Shkup, 28 janar 2006)

MË LODHI DYSHIMI

si e si më bren dyshimi
për vendndodhjen e zemrës

rrahjet e dobëta
i ndjej diku tjetër

në kujtimet
që më ndjekin pas

viteve që ikën pa i diktuar
në kohët që vijnë plot enigma

më lodhi dyshimi
kur i shikoj fotografitë
e të dashurve që s’janë më

m’i kanë marrë edhe rrahjet e zemrës
që paralajmëronin ardhjen e gëzimeve

(Gostivar, 19 janar 2004)

NJË DITË PAS SHUMË VJETËSH

nëse sërish ndjen mall
dil te pema jonë
ku ylberit i vidhnim ngjyrat

do të më gjesh aty diku
sapo të shpalosh kujtimet e harruara

jam ai i njëjti
që ëndërroja kthimin
një ditë pas shumë vjetësh

jam ai i njëjti që të thashë
nëse s’kthehem ma ruaj kujtimin
pranë pemës sonë

(Shkup, 16 maj 2004)

TINGUJT E HESHTJES

le të rrjedhin këto vargje
lumit të kthjellët
pranë grepave të peshkatarëve
ujëvarave piktoreske
nën urat që bashkojnë brigje
le të rrjedhin
deri te vasha
që nën hijen e pemës
pret ushtarin e lirisë
le të rrjedhin këto vargje
bashkë me tingujt
e heshtjes

(Shkup, 2004)

IKJE

nuk i ndjej më hapat
që vinin drejt meje

do të shkoj atje
ku lodhin netët e gjata
ku rrugëve pa fund
të përcjell vetëm hija

nuk i ndjej hapat më
as cijatjen e derës
që hapej rëndë
pas netëve
plot ankth

(Shkup, 10 maj 2004)

KOHA

të gjallët po vdesin
të vdekurit ringjallen
akrepat e orës
s’tregojnë kohën
as të lindjeve
e as të vdekjeve

çfarë po ndodh
në këtë kohë
që ikën nga ngjyrat
e piktorit

(Shkup, 9 qershor)

DUART QË NGROHIN

më shtrëngon
me atë ngrohtësi

ndjej sa dashuri
aq edhe frikë

duar të lodhura
nga vitet që s’kthehen më

një ditë do të mbeten
kujtim i përhershëm

zgjaten drejt meje
më shtrëngojnë butë
më ngrohin

edhe sa kohë
o Zot përse shenjat
tregojnë vdekjen

(Shkup, 8 maj 2005)

PRITJE

pritje vetëm pritje
një kopsht me shpresa
me pranverën amshim

mos i beso fundit
se pritja nuk ka pikë

(2002)

DHIMBJE PA LOT

koha të vërtetën
s’e thotë që s’e thotë

m’i pret këmbët
si sharra drurin e thatë
dhimbja pa lot

(Shkup, 3 prill 2005)

ORË GJEOGRAFIE

në majë të gjilpërës
rrotullohet bota
me të mbarë
me politikanë
me të dështuar
me artistë
shkencëtarë
me të mjerë
dijetarë
me të vetmuar
të dashuruar
rrotullohet bota
në majë të gjilpërës

përfundoi ora e gjeografisë

dëgjoj tek thotë një zë
i lodhur nga kjo botë

(Shkup, 19 nëntor 2002)

FJALA

një fjalë e pa thënë
e pa shkruar
më duhet

më duhet një fjalë
që ta rrëfejë të bukur
të vërtetë

një fjalë që tund ligësinë
që jep jetë

një fjalë
që do të më shoqërojë
rrugëve të jetës

më duhet në fjalë
që s’do të më tradhtojë
në kohët pabesi

një fjalë
vetëm një fjalë
që t’i futem në gji
si foshnja në djep
dhe të fle të fle të fle

(Shkup, 18 maj 2003)

1 JANAR

ishte një vit
i zakonshëm
si vitet tjerë

një vit që ma largon rininë
dhe ma afron pleqërinë

(Shkup, 1 janar 2006)

EPITAF

njëzet e shtatë pranvera pa ty
ti pa njëzet e shtatë pranvera

vuajtja si plaçkë shtrydh dhembjen

njëzet e shtatë pranvera lulet çelin pa ty

ti pa njëzet e shtatë pranvera
ke mbetur lule e kujtimeve

(Shkup, 26 mars 2006)

SI NË ËNDËRR

të pashë krejt papritur
në fundin e një tuneli pa shtegdalje

që atëherë të pres në fillim të tunelit
as t’i kthehesh
as unë shkoj

(Shkup, 1 maj 2006)

NATYRË E VDEKUR

lule në vazo
vazo në pikturë
varur në mur

pikë loti ujit
gjethet e lules

përtej dritares
pamje e mbuluar
me errësirë

FJALA E FUNDIT

ika
kjo është fjala e fundit
përmbajtje e letrës
pa adresë

ika

SI DIKUR

hapet dera
dhe vjen ti

si dikur

më zgjon
bashkë me mëngjesin

jashtë të mbetet hija
me akrepat e orës
që kërkojnë
kohën e humbur
si dikur

EPILOG

mes nesh
një ndarje
një kujtim

një derë
as e hapur
as e mbyllur

herë jetonim
herë vdisnim
për njëri-tjetrin

e dashur
a ka mbetur diçka
nga të pathënat tona

LINDJE

mes kufomave të gjalla
jeta kafshon buzët
shtrëngon dhëmbët
si në lindjet e rënda

KOHË DJALLI

është harruar fillimi
fundi s’shihet askund

kohë e ligë
me shumë të panjohura

me gjemba
e zezë
e tërbuar
kohë djalli

AMSHIMI

fjalë
fjalë
dhe vetëm fjalë
midis jetës
dhe vdekjes

pastaj sërish fjalë
që tregojnë për jetën
vdekjen

fjalë pas fjale
thuren rrëfimet
për sjellësin e lirisë
që mbetet atje
në amshim

fjala s’vdes

PIKËPYETJE

sy e veshë
janë bërë kufomat
e gjalla
në tregun
ku asgjë s’ka çmim

mallkim
trishtim
s’ka çmim

falas mund ta merrni
dhe ta emëroni si të doni

TRIMI

zë i pafshehur
i popullit

kishte thënë
veç një herë do të vdes

kujtimi për të
pushtoi amshimin

(2001)

URBANE

bulevarde të qeta
njerëz të heshtur

dritat e ndezura
ndriçojnë shtegun
ku këmba jote s’shkel

veç pastruesit e rrugës
zhdukin gjurmët e dhembjes

(Shkup, 2006)

LAPIDAR

varreza
lot akull
ca fjalë kujtimi
trimërie

emra në mermer

lavdi
e nder

NË FILLIM ISHTE FJALA

një mall
pa pushim vdes
në ankthin pambarim

vdes dhe nuk vdes
në vargje frymon
dhe i pret fjalët
që sërish do t’i hapin
shtigjet
për dhembjen
e dashurinë

në fillim ishte fjala
pastaj...

TAVOLINA

mbi të
është projektuar
dhembja
dashuria
dhe portreti i lirisë

net pagjumësie
qëndronin mbi katër këmbë

takoheshim sa herë
që binte heshtja në
dhomën e vetmisë

ÇERDHE

aty është strehuar diçka
që cicërin
nuk e kuptoj atë gjuhë

veç zemra
rreh më shpejt
sa herë që ajo cicërimë
bëhet imazh
i kujtimeve

STACIONET E PRITJES

fytyrë e zbehtë në autobus
pastaj një trup akull
një pritje që udhëton
andej nga mbyllet
shtegu i dhembjes

vetëm ankthet
zbresin e hipin
në stacionet e pritjes

FRAGMENT

shi vjeshte
mbi kopsht

në kujtime
vasha ujit saksinë
me lot pritjeje

shi
lot

vjeshtë
në dhomë

LUFTË

peshk
në zall

bimë
në acar

luftë për jetë
a vdekje

KURORË

orëve të vona të natës
vargjet dalin nga thellësitë
aq dhembshëm
aq frikshëm

dalin dhe zhduken
në botën e vetmisë

të pathënat
s’kanë fund
e dashur

të dhembshme
të frikshme
janë vargjet
që vetmisë
i thurin
kurorë

TI EC NJË RRUGË EC

ti ec një rrugë ec
pa e ditur ku të shpie
ëndrron ndryshe nga ata
që jeta i ka izoluar
harron rrënjët
në kërkim të shtigjeve të panjohura
një tjetër fat një tjetër jetë
nga paraardhësit
e shkelur e mohuar shekujve
dhe ec e ec
derisa një ditë pa e kuptuar
ndjen se je bërë i huaj
mes atyre që u linde
copën e bukës e ndave
me kujtimin që të djeg në gji
më shumë se sa një vajzë
që e ke dashur dikur
dhe padashje e ke tradhëtuar

ti megjithatë ec…

Shkup, 6 gusht 2007

PA TY

bishë e egër është bërë dhoma

mërzia ka marrë fuqinë në duar
loz me mua
njerkë me jetimë

shpresë
pritje
vetmi
çdo mbrëmje
agim

Shkup, 18 maj 2007

KËMBËT E GJYSHES

këmbët e gjyshes u ndalën
ato këmbë që dikur
vraponin vetëtimë
rritën jetimë

tani me shkop ecin ngadalë
vetëm nëpër dhomë
ku filikat jeton gjyshja

dridhen trerët e shtëpisë
kur nis e vajton gjyshja
këmbët e veta

do të jetojë ende gjyshja

Shkup, 25 janar 2007

DHOMA

po bie nata

terri ngjitet dritares
perde e zezë teatri

një këngë e vjetër në radio
përplas kujtimet
mureve të vetmisë

dhomë e zemër
mbushur trishtim

Shkup, 21 janar 2007

E URREJ

e urrej frymëzimin shpesh
letrat e bardha
stilolapsin
kompjutorin…

hartë gjeografike e bërë copë-copë
të shpalos shpirtin

fjalëve të më rrjedh dëshpërimi

e urrej

Shkup, 30 qershor 2007

NA ISHTE NJË NJERI

na ishte një njeri
se ç’kërkonte shpirti i tij
se kuptoi njeri

i lodhur nga balta e ndyrë urbane
doli të jetoj me male

e kur e pyet malin
ai i thotë:
tek unë do të gjejsh prehjen

e kur e pyet qiellin
ai i thotë:
do të lëshoj një rrëmujë
të shkatëroj çdo gjë mbi tokë

e kur e pyet tokën
ajo i thotë:
vetëm vdekjen mund të ta fal

Shkup, 1 korrik 2007

TË KISHA HARRUAR

të kisha harruar i ziu
më qortoi mali rrugës për ty

unë ula kokën
fëmijë i zënë në faj
pikëllimi tërkuzë në fyt m’u lidh

qielli u nxi e nuk e fshehu hidhërimin

nuk më lanë pa qortuar
as lumi
as gurët e vjetër të fshatit
ku kam vrarë këmbët fëmijë

i ziu unë
as që e dija
që aq shumë të kisha harruar

Shkup, 4 korrik 2007



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •