Ejup CERAJA: POEZI NËN STREHËZËN ÇADRËS SI ÇATI
| Sunday, 02.22.2009, 04:23 PM |  

Ejup CERAJA

POEZI NËN STREHËZËN ÇADRËS SI ÇATI

Milianov KALLUPI: “ÇADËR PËR ROSAKUN”, vjersha për fëmijë EGNATIA – 2008

                                                           (Recension libri)

              Në vend të hyrjes

Se Milianov Kallupi është një poet i talentuar, me një vokacion të pasur e të shumanshëm thellësisht origjinal, veçan në lëmin e poezisë shqiptare të haikut, mjeshtër i së cilës vërtet është e kam ditur me kohë. Po se Milianovi është një poet për fëmijë, madje edhe në këtë rrafsh i talentuar me 8 libra të botuara, e kuptova mjaft vonë, pasi më ra në dorë libri ”Çadër për rosakun”, të cilin ma kishte dërguar përmes poetit Sabit Idrizi e për të cilin libër, në këtë recension, do të flasim. Se çfarë vlere si artistike, ashtu edhe përmbajtjesore kanë librat pararendës për fëmijë të këtij autori: Çelin lulet, Ç’ka dritarja që troket, Violinisti i vogël, Kali i bardhë i ujëvarës, Shkoj e vij si dallëndyshe, Pup këtu e pup atje dhe Zilkat pranverore unë nuk e di. Po qe se ato kanë në brenditë e tyre bukuri artistike e përmbajtjesore si ky libër, për të cilin po flasim, mund të konsiderohen libra mjaft të arrirë.

Çadra çati metaforike e rrëfimit poetik për fëmijë

Poeti Milianov Kallupi nuk i ndanë poezitë e këtij vëllimi në cikle, po i vë nën të njëjtën çati të gjitha pa marrë parasysh motivet e tematikën e tyre të ndryshme. Ai, si rilindësit tanë dikur, e fillon librin me vjershën “Gjuha shqipe”. Nëpërmes kësaj vjershe, që ngërthen në vete motive dyzash, që në fillim, i njofton fëmijët me shumësinë e shkronjave të mëdha e të vogla të alfabetit tonë, të cilat përfaqësojnë tingujt veç e veç. Për të vazhduar me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, se: “Ja kur themi L, M, E,/ kemi thënë Skënderbe”. Në vijim i njofton fëmijët me emrin e bukur të atdheut – Shqipërinë, se: “Ja kur themi Ç, D, I,/ formojmë fjalën Shqipëri”. Për të përfunduar natyrshëm: “Ja kur themi K, SH, U, R,/ shqipja s’do të harrohet kurrë”. Pra, janë dhënë nëpërmes strofave dy vargjesh anë domethënëse e me peshë, të cilat fëmijët që në këtë moshë duhet t’i dinë...

Poezia pasuese “Mali Tomor”  edhe pse është vetëm me dy strofa dyshe, ngërthen në vete madhështinë e Tomorit sa në pikëpamje fizike-gjeografike, aq edhe në pikëpamje të zhvillimeve historike. Sepse, siç shprehet vetë poeti, Tomori është historia vetë nëpër shekuj të popullit shqiptar dhe të atdheut të tij.

Me bukuri të rrallë poeti e jep, të themi kushtimisht, portretin e liqenit të Pogradecit nëpërmes llojeve të të gjitha atyre dukurive, që e përbëjnë jetën në dhe rreth tij me fjalët e emërtimet e tyre, si: bunaca, shtërgu, mjellma, kriveci, era, ojna, ujit si pasqyrë, varkë, peshku pikalosh etj., etj., se: “Të gjitha ti ia gjen,/  Pogradecit në liqen”. – thotë poeti në fund të vjershës “Pyet Ela”.

Në vazhdim poeti ka synuar me përkushtim që ta zgjojë e ta shtojë kërshërinë e fëmijëve në ndreqjen e ca gabimeve në vjershën “Rregullo gabimet”, po jo gabimet drejtshkrimore a gjuhësore, por gabimet logjike, që poeti qëllimisht i ka vënë fjalët aty ku s’e kanë vendin, si fjala vjen: “Qielli paska degë e fletë,/ nëpër pyll u shtrikan retë”.

Hënën fëmijët e duan shumë, veçanërisht në mbrëmje sapo bie muzgu, sepse ua ndriçon natyrën për rreth edhe për pak lojë e dëfrim. Këtë dëshirë poeti fëmijëve ua plotëson nëpërmes poezisë“Dil, moj hënë”. Janë retë, për momentin, që e fshehin hënën sipër tyre dhe ia pamundësojnë ndriçimin sa e si duhet. Po pas lutjes së fëmijës që hëna të dalë sërishmi për t’ia ndriçuar rrugën, përkatësisht siç shprehet vetë poeti për t’ia zbardhur rrugën, përfundon:

“Ja dhe hëna

më dëgjon,

rrugën gjithë

ma ndriçon.”

Poezia që zgjon kërshërinë e fëmijëve është ajo me titull” “Postieri”. Xhaxhi postieri është ai, që hera-herës i gëzon fëmijët, duke u sjellë gjëra me vlerë për ta, që qarkullojnë përmes postës. Ai në vjershë paraqitet i shpejtë edhe i papërtueshëm, se: “Shkon e vjen xhaxhi postier,/ si një zog i shpejtë në erë.”

Poeti në këtë përmbledhje nuk i ka harruar as stinët e vitit, që janë secila tërheqëse e interesante për fëmijët në mënyrën e vet. Po kësaj radhe është ndalur te poezia, që për  temë e ka pranverën të titulluar “Kjo pranverë e bukur”. Pranvera këtu është dhënë me ngjyra të gjalla dhe shumë tërheqëse për fëmijët e të gjitha grup moshave, se; “Dielli përmbi sup,/ ylberi na rri,/ lozim porsi zogj,/ oh, ç’bukuri!” – thotë poeti në njërën nga strofat e kësaj vjershe.

Në vazhdim poeti Milianov Kallupi do të shkruaj me përkushtim e shqetësim për një plagë tonën të dhimbshme - mërgimin qoftë si plagë shoqërore, qoftë si nevojë e momentit, që na përcolli si hija trupin në një ditë me diell nëpër dekada e shekuj së paku që nga Epoka e Mesme e Arbrit, pas vdekjes së heroit tonë kombëtar – Skënderbeut. Herë me intensitet më të shtuar, e herën tjetër me një ritëm ca më të ngadalshëm. Këtë anë kaq prekëse poeti e jep përmes vjershës “Babi refugjat”. 

Me përkushtim dhe me dashuri poeti në vijim shkruan për ketrit në pyll; për papagallin, që imiton fjalët si një fëmijë; për liqenin me ujë të kthjellët; për dacin Tom, i cili e kishte humbur adresën e shtëpisë së vet; për retë, që u rrinë bjeshkëve si çadër; për lëndina të shumta me flutura shumëngjyrëshe, që e zbukurojnë dhe e hijeshojnë natyrën. Këtë anë e jep nëpërmes “Lëndina me flutura”, ku mund të konstatojmë se Milianovi përpos që është adhurues i peizazhit, ai është edh mjeshtër i tij, të cilin e kultivon me pasion të shtuar. Këtë e dëshmon poezia në shqyrtim., se: “Flatrat larë me fije ari,/ ku shkëlqejnë ca fije bari.” Vjershën “Si balona”, që ngrihet lart në qiell, poeti e shfrytëzon edhe për t’i ritheksuar dy anë të rëndësishme për fëmijët, përkatësisht për t’ua përkujtuar fëmijëve edhe njëherë se në te do të shkruhet emri i bukur i atdheut të tyre SHQIPËRI, po edhe flamuri kuq e zi, që është simboli identifikues i kombit tonë...

Në ndonjëpoezi, si fjala vjen, në poezinë “Shi, shi, lagashi”, poeti Milianov Kallupi shfrytëzon elemente të poezisë popullore me temë, motive e përmbajtje për fëmijë. Kështu, duke e shfrytëzuar këtë element të poezisë popullore poeti e shkruan një poezi interesante e tërheqëse për fëmijë. Nëse “shiu” i këngës popullore lidhet me një plakë në mulli, e cila i pjek tre kuleç në hi..., “shiu” i vjershës së Milianovit “pikëlohet mbi çati” dhe “i nginj lulet në saksi...” E këndshme dhe tërheqëse për fëmijë është edhe poezia: “Po rosakut edhe rosës”, ku kërkohet një çadër për rosakun e rosën për t’i mbrojtur nga shiu, paçka se ata tërë kohën qullën në liqen.

Edhe poezitë tjera janë tërheqëse për fëmijë sa me përmbajtjen e tyre, aq me fjalët e zgjedhura. Përmes poezisë “Do të bëhem Skënderbe” jepet dëshira e një vogëlushi që të bëhet si Skënderbeu. Kurse përmes poezisë ”Yjet dhe xixëllonjat” jepet biseda imagjinuese e një vajze me qiellin plot me yje, ndërsa ajo ka në flok ca xixëllonja, që ia ndriçojnë rrugën natën. Nëpërmes poezisë vijuese “Flutura dhe bleta” jepet dashuria e fëmijëve për fluturën dhe bletën: fëmijët të parën e duan për shkak të bukurisë, kurse të dytën për shkak të ëmbëlsisë se jep mjaltë nga mbledhja e nektarit nëpër lule. Ndërsa nëpërmes poezisë “Merrmë, gjysh” jepen dy dëshira të një vogëlushi: të shëtiti në natyrën e virgjër dhe të thithi ajër të pastër, se: “Merrmë, gjysh, e tutje shpjermë,/ rrugët krejt t’i di,/ të mbushë gjoks e zemër bashkë/ plot me Shqipëri”. Ndërsa te poezia “Në shitore” rrëfimi merr një dinamizëm dhe ritmi është paksa më i shpejtuar për shkak të numërimit të gjësendeve që gjinden në shitore, se: “Hë, si thoni,/ ecët dot,/ kur ke çantën/ mbushur plot?” Përmes poezisë “Ngjyrat e ylberit” jepet kërkesa e një fëmije drejtuar një fluture, që t’ia uli ylberin për t’ia huajtur ngjyrat se do të bëhet piktor. Kurse përmes poezisë “Lutja e lules” jepet brenga e një luleje, që ka mbetur jashtë në ditë acari. Ajo lutet:

“- Futmë brenda, - lutet lulja, -

mos më lër kështu të mjerë,

do të vijë stina të çelem,

ta mbush dhomën plot me erë.” 

Edhe poezitë tjera janë interesante secila në mënyrën e vet. Po do t’i hynim në hak si poetit, ashtu edhe fëmijëve po s’u ndalëm për pak çaste te poezia “Dy motrat”. Poeti shkruan me përkushtim dhe me nderim për sjelljet e tyre, që mund të vlejnë si shembull për mirë edhe për fëmijët tjerë, se: “flasin, qeshin e këndojnë,/ krejt shtëpinë e zbukurojnë.” – thotë poeti në njërën nga strofat dyshe të kësaj poezie.

Poeti Milianov Kallupi e përmbyll këtë përmbledhje të bukur me poezinë mjaft domethënëse “Jam e vogël, porse nesër...”. Se çfarë vlere ka kjo poezi, t’ia “dhamë fjalën” një strofe të saj që të na rrëfejë vetë:

“Ju më shihni në karrocë,

ku lëvizi me këmbë e duar.

Nesër unë do të jem një gocë,

gati për të fluturuar...”

 

Përfundim

Milianovi në këtë përmbledhje, të themi kushtimisht, e matë peshën e hapit krijues me masën miligramike, që të mos e rëndojë më shumë se sa është nevoja fuqinë thithëse të fëmijëve gjatë leximit. Dhe, shikuar nga ky kënd, ai arrin të bëhet i tëri një fëmijë në këto krijime. Dhe, si i tillë, ia hap veti të gjitha portat e depërtimit në zemrat e fëmijëve të moshës për të cilët shkruan. Aty ai ia bën veti një vend të merituar, duke u bërë një emër i nderuar, i çmuar dhe i kërkuar nga lexuesit fëmijë...

 

Fund dhjetor 2008                                                          



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •