CIKËL FABULASH PËR FËMIJË
| Sunday, 02.22.2009, 04:24 PM |  

 

       (Për ujkun dhe dhelprën)

 

DHELPRA DHE BILBILI

 

Një bilbili në degë

Ëmbël i qeshte fytyra,

I këndonte këngët

Që ia ka dhuruar natyra.

 

Dhelpra dinake

Në degë atë e hetoi,

Iu afrua dashamirësi

Nga zemra e përgëzoi:

 

- Në kokën tënde të mençur

Ka shumë tru - me okë.

- Sikur të zbresësh, i tha

E të këndosh në tokë!…

 

- Po fort mirë - i tha ajo.

Bishtin duke e ndrydhur.

- A di ta këndosh këngën

Edhe me sy mbyllur?…

 

- Po si s'e di këngën -

I tha asaj bilbili.

Dhe pa një, pa dy

Ai sytë i mbylli.

 

Dhe, pa ia filluar

Fare të këndojë,

Dhelpra e rrëmbeu

Dhe e futi në gojë.

 

- Ah, zonja dhelpër! - i tha.

Pa iu ndie fare brima:

- Hape pakëz gojën

Se po më zihet fryma!

 

Dhelpra e hapi gojën

Të kuqe si shegë.

Me shpejtësi rrufeje

Ai fluturoi në degë.

 

"Ku më mashtroi - tha.

Ky kopuk mistrec…"

- Eja e luti prapë

Se këtu s'e ke keq!

 

Po bilbili nga dega

Iu përgjigj pa u mburrë:

- Në tokë dhe symbyllas

Më s'do të këndoj kurrë!…

 

Gusht 2005

 

 

DHELPRA DHE KORBI

 

Korbi me një copë mishi në gojë

Po mendonte në degë vetë më veti,

Iu afrua dhelpra sikurse në lojë

Me përzemërsi ajo e përshëndeti:

 

- Tungjatjeta zotëri korb! -

Këngëtar si ti kund nuk ka,

Të gjitha punët i ndërpreva

Erdha ta dëgjoj vetëm atë za.

 

- Zëri yt sikurse zë bilbili -

Të gjitha shpesët i ka habitë,

Goja jote prej trëndafili

Të gjithë ne na ka mahnitë.

 

Nga këto lajka korb budallai

U dalldis si të kishte pirë verë,

E hapi  gojën që të këndojë,

Mishi në tokë i ra menjëherë.

 

Sapo mishin dhelpra e gëlltiti

Iu drejtua korbit dhe i tha:

- E kam ditur mirë që zë nuk ke

Po s'e kam ditur që je kaq budalla!

 

"Mirë e gjata - tha korbi këtë herë,

Se lajka kurrë s'duhet të pranosh,

Kush i pranon ato pa kriter

Do të mbetet si unë me gojë bosh".

 

(2001)

 

DHELPRA E RRUSHI

 

I thanë shoqet dhelprës

Të skuqura prush:

- Sa kalaveshë sivjet

I ke ngrënë me rrush?

 

- Më keni ngushtuar

Sa  s’më ka ngushtuar askush,

Po të kisha ngrënë

Do të më kishte parë ndokush.

 

Po shpejt gënjeshtra

I doli në shesh -

U zu prapë në vresht

Me një kalavesh.

 

-Përcjelljen tuaj

Tash e mora vesh,

Po ju lutem si shoqeve

Mos më qitni në shesh.

 

- Në kalaveshë rrushi

Më s’do të bëj yrysh,

Fjalën e dhënë para jush

Nuk do ta bëj dysh.

 

Dhelpra e bëri prapë

Një zotim të brishtë,

Kinse u betua

Në kokë e në bisht.

 

(2001)

 

DHELPRA DHE GJERAQINA

 

Njëherë kishin vendosur

Të jetonin në fqinjësi,

Dhelpra me gjeraqinën

Dhe u lidhën me miqësi.

 

Por, ato prapëseprapë

Njëra-tjetrës s'i besonin,

Dhe vendosën në heshtje

Si larg të qëndronin…

 

Gjeraqina në lis të lartë

Të bukur fole ndërtoi,

Të vegjlit e dhelprës

Kënaqeshin poshtë në lojë.

 

Por ato miqësinë e tyre

E prishën brenda një nate,

Gjeraqina ia rrëmbeu këlyshët

Sikurse të ishte lugate…

 

Edhe pse kështu gjeraqina

S'e mbajti dot premtimin,

Nuk shkoi edhe aq gjatë

Për këtë e pagoi dënimin.

 

Folenë e gjeraqinës

E kaploi keq zjarri,

Të gjithë zogjtë ranë

Në tokë atypari…

 

Dhelpra e gëzueshme

Zogjtë në tokë ia priti,

Fët e fët një nga një

Shpejt ia gëlltiti.

 

Kështu atyre në miqësi

U kishte hyrë ligësia,

E pësuan me dhembje

Pabesinë që të dyja…

 

(2001)

 

 

DHELPRA TE DENTISTI

 

Dhelprës dinake në pyll

T'i dhemb dhëmbi ia nisi,

Vendosi ta marrë rrugën

Për në qytet te dentisti.

 

- Ulu në karrige -

I tha dentist mjeku,

Sa çel e mbyll sytë

Unë dhëmbët t'i hjeku.*

 

- Hape - i tha gojën

E shiko pak përpjetë,

Mos u frikëso hiq

E kam dorën e le(h)të.

 

Ia vuri dorën në gojë

Së bashku me darë,

Asaj fët e fët shpejt

Ia hoqi një dhëmballë.

 

- Pse kështu? - i tha ajo,

T'i, or lum kumbara,

Mua po më dhemb dhëmbi

E s'po më dhemb dhëmballa.

 

- Më falë pash nderën! -

Kështu i tha mjeku,

Tash menjëherë shpejt

Edhe dhëmbët t'i hjeku.

 

Dhe ashtu përsëriste,

Duke i thënë: "Më falë!"

Derisa ia nxori tërë

Dhembë e dhëmballë.

 

 - Më nuk të dhembin

Mund të jesh e qetë,

Po edhe ne flemë rehat

Se pulat më nuk i nget.

____________

*) t'i hjeku = t'i heqë, t'i nxjerrë, t'i shkuli etj.

 

(1986)

 

UJKU E DHELPRA

 

Një herë dhelpra

Si shumë herë më parë,

E zuri prapë ujkun

Për mik e kumbarë.

 

Si i thoshte ajo

Ai ashtu vepronte,

Poshtë e lart atë

Me dinakëri e çonte.

 

Një ditë të acartë,

E çoi deri në hulli,

E priti budallain

Sa bishti iu ngri.

 

Kur e pa ujkun

Nga andej që s'del,

I thirri gjuetarët

Që ishin në zabel.

 

- Ja, u tha atyre ujku

Po ua prishë hullinë,

Zdapeni mirë me dru

Se po ua ha bagëtinë.

 

Ashtu dhelpra ujkun

Aq shumë e tuti -

I dha me sa fuqi pati

Bishtin fët e këputi.

 

Iu lëshua dhelprës

Prapa si gjeraqinë,

Por ajo shpejt i iku

Dhe u fut në jazbinë.*

 

Në këmbë arriti

Atë që ta kafshojë,

Po prapë budallain

Me lajka e mashtroi.

 

 

 

- Ha, ha, ha  - i tha,

E ke kapur krëndën,

Lëshoje atë shpejt

E kape këmbën.

 

Fët ujk torollaku

Këmbën e lëshoi,

Dhe prapë qyqarit

Gishti i mbet në gojë.

 _____________

*) jazbinë – shpellë, zgavër

 

(2001)

 

PANGOPËSIA

 

Dhelpra dhe ujku

E përdorën dredhinë,

Në vathë të dhenve natën

E hapën një vrimë.

 

Po dhelpra dinake

E përdori urtësinë,

E mendonte daljen

Prapë nëpër vrimë.

 

- Mos ha shumë kumbarë,

Po vetëm sa e ka hakun.

Se po ngrëne tepër

Mund ta frysh stomakun.

 

- Unë ha gjithnjë

Për tri a katër ditë. -

I tha torollaku

Fare pa u mërzitë.

 

Kur arriti koha e ikjes

Dhelpra doli lehtë e para,

Po nga barku i fryrë

S'mund të dilte kumbara.

 

- Aman dhelpra ndrikull

Ma bëjë disi një hall.

- Hape si të mundesh vrimën

Që nga këndej të dalë…

 

- Kur të hysh ndokund

Është urtësi e parë,

Ta mendosh mënyrën

Se si duhet dalë…

 

 - Fajin krejt për këtë

Kumbarë e ke vet':

- Unë ika nga këtu

Ti mbetesh me shëndet!

 

Kështu budallai

Që s'mblodhi mend kurrë,

Pangopësinë e vet

E pagoi me lëkurë…

 

Gusht 2005

 

HOROSKOPI DËSHMITAR

 

Një ditë qeni

e përdori dredhinë,

e zuri dhelprën

me pula në shpinë.

 

Tok me dhelpër

dorë për dore,

e dërgoi atë

në gjykatore.

 

Për t’i vënë

dredhisë kapak,

e paditi

ta ariu plak.

 

- Sot, i tha qeni

herët në mëngjes,

e zura dhelprën

me pula në thes.

 

- Për mashtrimet

që shpesh po i bën,

kërkoj dënimin

sa më të rëndë.

 

- Po, tha ariu

pa e çuar gjatë,

t’ia caktojmë

një avokat.

 

- Jo, u tha dhelpra

nuk ka nevojë,

mundem vetën

disi ta mbroj.

 

- Sa për qenin

s’kam kundërshti,

e drejta është

në anën e tij.

 

- Edhe pse unë

s’e kam kollaj,

do të bindeni

se jam pa faj.

 

- Po të veproni

me drejtesi si loti,

faji do gjendet

te horoskopi.

 

- Po jua them

sytë mbushur lot,

ja ç’parashikojnë

për mua yjtë sot:

 

- Do të jesh sot

si shkresat pa vula,

do të të zënë

me një thes plot pula.

 

- Por për këtë

në gjykatore,

do të binden

se nuk je fajtore.

 

- Në gjykatore

shumë s’do ta zgjatin,

jemi ne ata

që ua caktojmë fatin.

 

- Siç po e shihni

s’e ndali dot vajin,

për këtë yjtë

e kanë fajin.

 

- Ja edhe për ju

gjykatësi jonë,

dëgjoje për sot

yjtë se ç’thonë:

 

- Ke mirë kujdes

gjykatës në vendime

se lehtë sot

mund të bësh gabime!

 

- Çfarëdo vendimi

sado të vështirë,

mos e merr sot

pa e shoshitur mirë.

 

- Se po u ngute

e dhe farë dënimi,

gjatë tërë jetës

do të përcjell mallkimi.

 

- Ngrihuni të gjithë

ju në gjykatore,

për sot dhelpra

nuk shpallet fajtore.

 

- Kjo sot vetëm

e ka ushtruar zanatin,

ashtu si yjtë

ia kanë caktuar fatin.

 

- Qofsh i nderuar

zotëri gjykatës ari,

e kam ditur mirë

që punon me drejtësi.

 

Ndërsa më vete – tha,

tërë shend e verë:

“Fort mirë shpëtova

unë edhe këtë herë”.

 

Qershor 2006

 

DHELPRA “GAZETARE”

(Fabul për fëmijë)

 

Vendosi një ditë

zonja skile,

dy intervista

t'i bëjë kastile.

 

Laps e fletore

përpara i qiti,

pyetje të rënda

u përgatiti.

 

Shkoi së pari

te ariu plak,

që ta intervistojë

atë fare pak.

 

Me ca pyetje

ia dha listën,

të përgatitura

për intervistën.

 

Ende ariu

pa e shtrirë dorën,

ajo e nxori

lapsin e fletoren.

 

Ariu u përgjigj

në pyetjet e para:

- Kam dëshirë, tha

të ha shumë dardha…

 

- Po për mjaltin

edhe për bletën,

jam i gatshëm

ta flijoj jetën.

 

- Ndërsa peshqit

kudo në lumë,

si të të them

m'i ka ënda shumë.

 

Pas kësaj interviste

skilja e përshëndeti,

u nis që të shkojë

te luan mbreti.

 

Ariu skiles

ia zbuloi sekretin,

që të ketë kujdes

me luan mbretin.

 

- Me te s'të del

sikur me mua,

kujdesu mirë

se çka i thua.

 

- Për këtë  fare

t'i mos ke kasavet,

di ta intervistoj

luanin mbret…

 

E mori rrugën

për te luan mbreti,

afër savanesh

një tigër zateti.

 

- Për ku kështu

zonja dhelpër,

që je përgatitur

si asnjëherë tjetër?

 

 

 

 

- Unë te mbreti

në fron po shkoj,

ia bëj mendjen

ta intervistoj.

 

- Mos shko te ai

ti do si do,

po ke kujdes

e mos e zemëro!

 

- Se po u zemërua

ai me fjalë,

nuk ka forcë

që mund e ndalë.

 

- Sa për këtë

ti rri i lirë,

di ta marrë unë

atë me të mirë.

 

Në një oazë

lau fytyrën e qafën,

në anën tjetër

e takoi gjirafën.

 

- Ku je nisur kështu

dhelpër gazmore,

me laps në dorë

e me fletore?…

 

Me nderim

e përshëndeti,

për intervistë, i tha

jam nisur te mbreti.

 

- Të kesh kujdes

me marifet  shko,

me pyetje të rënda

mos e ngarko!…

 

Mos ke frikë -

i tha duke qeshë,

të gjitha pyetjet

i kam me peshë.

 

Sapo hyri

në pallat te mbreti,

me përulje

e përshëndeti.

 

- Tungjatjeta

Lartmadhëri!

Për intervistë

kam ardhur te ti .

 

- Gjithnjë në jetë

Ju priftë shëndeti,

jam e nderuar

që erdha te mbreti.

 

Nga këto fjalë

të buta pa "nyje",

luan mbreti

u ngashërye.

 

- Intervista, tha,

unë s'kam dhënë,

për arsye

se kam qenë i zënë.

 

- Por kësaj radhe

do të bëj përjashtim,

pasi je mysafire

në pallatin tim.

 

- Lartmadhëri

kam ardhur këtu,

do të fillojmë

kur të thoni Ju.

 

- Mirë - i tha mbreti

shumë mos u vono,

me pyetje të para

menjëherë fillo!

 

- Tash që jemi

në prag të Vitit të Ri,

si po shkojnë punët

këtu në mbretëri?…

 

- Edhe pse - tha

kjo është intime,

kudo kemi

mjaft përparime.

 

- Kështu të gjithë

janë kyçur në rrjedha,

shumë më mirë

se herëve të tjera.

 

- Më vjen shumë mirë

për këto përparime,

me afsh të shpirtit

ju shpreh urime!

 

 

 

 

- Me lejen Tuaj,

po pa zemërime,

do t'ua bëj ca pyetje

pak më intime…

 

- Ti mbreti ynë

na rrofsh sa malet,

po vdekja është e tillë

që s'mund të ndalet.

 

- Pra në këtë botë

çdo fillim,

do ta ketë

edhe një përfundim.

 

- Andaj hirësi

nëse mund të thoni,

pas vdekjes suaj

kujt i takon froni?

 

- Po shpesh mendoj

se ky "kor gazmor",

pas vdekjes sime

t'më quajnë diktator!

 

- Unë që përpara

fronin trashëgim,

do t'ia lë patjetër

sugarit tim…

 

- Po deshët arsye

për këtë vendim,

po ua tregoj

qëndrimin tim.

 

- Se po t'ua lë këtyre

zgjedhjen kësi heri,

kam frikë mes tyre

do të pëlcas sherri.

 

- Dhe po më tallën

mua sado pak,

sugari im këtyre

do t'u vijë hak.

 

- Lartmadhëri

Ti e gëzofsh jetën,

po unë skilja

ku po mbetëm?

 

Me ëmbëlsi

mbreti i qeshë,

prapë do të mbetesh

sekretaresh…

 

U gëzua skilja

sa s'fluturoi,

shtazët unë prapë

do t'i vej në lojë.

 

Janar - 2005

 



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •