Cikel nga Jusuf Zenunaj
| Sunday, 02.22.2009, 04:27 PM |  

KUR BIE SHI

Kur bie shi
dua të të shoh të lagur qull,
ajrin që thithë ta sodis
mes buzëve tua
tek përvidhet nëpër fjalë.
Kur bie shi
dua të nxehem në gjoksin tënd valë.
Në zjarrin e duarve tua
më pëlqen të digjem ,
në trupin tënd të piqem.
14 janar 2006


EJA T’Ë SHKOJMË TE BURIMI

Të dalim në fushë,
lule të mbledhim në livadhe,
tek Burimi të ngjitemi bashkë
me flladin e Ujëvares
të rrimë deri në mesnatë.
Eja të shkojmë te Burimi,
sytë t’i lajmë me ujë Drini.
Zogjtë nëpër lisa
këngën s’e pushojnë dot,
tê rrahurat e zemres
dua të t’i dëgjoj sot.


TRËNDAFILAT E BERATIT

Kur bie borë
në Veri bën acar,
në janar
shkoj për ty
në Berat,
trendafila të çelur
të marr.
Bruksel, prill 2004


LULET NË SAKSI

Lulet e kopshtit i pashë në saksi,
tashmë ishin rrudhur s’kishin bukuri,
dielli më s ‘i nxeh ,
kopshtorja që i pati mbjellur dikur
për fatin e luleve nuk mendoi kurrë !
Me lule në duar shëtit nëpër qytet,
që janë vyshkur e di edhe vet.
Kur të kalojë mjegullen
rreth kopshtit do të sillet,
po lulet nuk rimbillen......
Bruksel, 3 qershor 2002


LULJA E HELMUAR

Në kopshtin e mbjellur
me lule manushaqe,
një flutur pas shiut
erdhi fluturim,
në lule lëshoi helm
dhe iku me nxitim,
lulen më të bukur
e zbehu në kopshtin tim.
Bruksel, 11 mars 2002


KUR DOLI DIELLI NË MAJE

Kudo nëpër fusha
buzë lumit edhe në mal
pyeta zogjtë në pranverë,
në cilin vend të kanë parë.
Edhe në shpellë kam shkuar
të gjeja nëpër mure
emrin tënd të shkruar,
porosita edhe erën
kur t’i pushtojë bjeshkët
të më tregojë në ç’vend
gjurmët tua mbetën.
Të kërkova edhe natën,
kur e pashë hënën
pyeta në mos nëna
ta ka bërë gjemën!
Kur zbardhi dita
me duar preka faqet
s’e dija a kishte rënë vesa,
apo unë kam qarë natën.
Kur doli dielli në maje, në këngën e fëmijëve
kishe hyr si çlirimtare.
Bruksel, prill 2004


MJEGULLA

Pos ditën edhe natën vonë
ujku do mjegull thonë,
unë flas me mjegull
as vonë as herët,
i kërkoj ta marrë dhembjen time
që tjerret si në borë ashtu në diell,
droj mos i trazon zogjtë në qiell.
Dhembja shkrin edhe gurin në lumë,
pa ty, atë s’e mundi unë.
Bruksel, tetor 2005


MALLI

Si dielli peshkun në zall
në shpirt më djeg një mall,
t’i shoh të bukrit sy
me qerpikët sikur rrush,
buzët tua të më kallin
me të ëmblin prush.


PËR TY DO TË ZIHESHIN PERËNDITË

A ia more dritën hënës;
ngrohtësinë mos ta dha dielli? Kur u ndërruan nata me ditën
kengën ta dhuroi bilbili.
Flokët kur t’i shpupurish era
lëkunden si dallendyshet buzë detit,
dhëmbët të shkëlqejnë si kristal
e bukura, e mira pulbardhë.
Edhe heshtja jote flet,
kur me sy numron yjet
dikush përballë teje thotë:
„Për ty do të ziheshin perënditë”


DJEGIA NËN GËRSHETIN TËND

Në gërshetin tënd yjet lëshojnë dritë,
hija e lisave prej syve tu ikën,
era e flokëve më rrëmben si vullkan,
robi yt bëhem, s’e di ku jam!
Nuk di ç’flas tek Shkëmbi i bardhë,
s’e di a jam në ëndërr, i zgjuar, apo në përrallë.
Ndoshta je zanë, tash luan me mua,
s’e shoh dot hënën, as ujë s’pi në krua..
C’duan xixëllonjat mbi krahë që të pushojnë.
Të m’i vërbojnë sytë, pastaj të fluturojnë?
S’e di a jam buzë lumit, buzë detit, apo në fushë!
Gërsheti yt më djeg, më bën prush.
Bruksel, maj 2005


Kaçurrelat

Kur i kujtoj kaçurrelet tua në duart e mia,
më kapin të dridhurat, skuqem në fytyrë
si një fëmijë i padalë kurrë në diell.
Balli më është rritur
sikur t’i kish rënë fshesë babadimri,
vitet kalojnë nuk plaket kujtimi-
takimi i parë;
ti ishe gocë , unë djalë.
Kaçurrelat që kishe
të janë drejtuar si fije bari të njomë,
s’e kanë humbur freskinë,
kanë po atë aromë.
Bruksel, 24 janar 2006


PYES VETEN

Pse shikimi yt
fjalët m’i ngrin në buzë,
në fytyrën time bëhet diell përvëlues,
kur ti shkon pyes veten,
memec e i verbër përpara saj
deri kur do të mbetem!?


KRAHARORI YT I NGROHTË

Edhe lulja në moshë ndryshon
siç ke ndërruar ti,
kraharori yt është i ngrohtë,
kur bie borë, apo shi,
i zjarrtë është edhe natën,
kur rrugët janë me akull.


KËNGA SHKRIN EDHE HEKUR

Hënë, diell apo dritërimë
si do të të thërras?
Je kënga ime,
je dhembje e së djeshmes.
Mos u bë sëmundje e së nesërmes!?
Nuk dua të na lëndojë loti yt,
jeta shpeshherë ka mjegull,
kënga e zemrës
shkrin edhe hekur.


VJEDHJA E LULEVE

Dy lule rriteshin në një kopsht,
rrethuar me gjelbërim
edhe vashat ma të bukura
do t’ua kishin zilinë,
kur nuk do tê mundnin
s’paku në duar t’i marrin
t’ua shijojnë aromën
sikur bleta nektarin,
çudia një ditë ndodhi
pa ikur pranvera
në kopsht i vodhi
ajo që vet mbolli!
Bruksel, prill 2002


TË THURIM BASHKË NJË KËNGË

Kujt s’i mungon diçka?
Mua më mungon kënga,
që nuk e ka kënduar askush,
as në opera, as kur mbushej oda me krushq.
Emrin e këngës nuk e di,
të thurim një tjetër
për dashurinë e vjetër.


MELODIA E KËNGËVE TUA

Kush e kupton këngën e erës në pyll
pos zogjve me çerdhe të thyer?
Ata presin diellin e fshehur nën re
e ti ku je?
Nuk e dëgjon zërin tim as kur del hëna,
të thirra kur fryu era edhe kur doli dielli,
këngën e zogjve s’e përcolle,
më është ndryshkur fyelli.
Do të ngjitem lart në male
të marr gjethe në drunj,
t’i vë në buzë
si në flautë të luaj,
meloditë e këngëve tua t’i ruaj.


TI DHE VARGU IM

ç’kujtime të kanë rrëmbyer
që i fale shikimet qiellit,
në mesditë të fundjanarit
nuk të nxejnë rrezet e diellit,
lotin në faqe s’ta ngrin acari,
as mjegulla që vjen prej malit
nuk ta zbeh bukurinë,
po fjalët s’kanë kuptim !
Vargu im i këputur
rëndohet nga trishtimi,
ai do të ushqehet në buzëqeshjen tënde sot
apo do të tretet në lotë?
Bruksel, 31 janar 2006


KALIMI I YLBERIT

Dua të zhytem në ujëvarë
të pyes Drinin e Bardhë
sa vasha i ka parë,
në breg t’i kenë ardhur,
në flladin e tij të jenë kallur-
ylberin ta kalojnë.


MË S’E DI NGA IKE

Në ëndërr më ikje kaluar
me kalë e fustan të bardhë,
pas unë të ndiqja
në fushë e në arë,
as zhurma e qytetit
s’mundi të më ndalë.
Tek lumi më prite,
kur t’u afrova
zogu ia nisi këngës
më s’di nga ike.
Bruksel, prill 2004



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •