“L’Harmattan” në Paris boton vëllimin poetik të Petraq Ristos
| Saturday, 03.14.2009, 02:45 PM |  

Shtëpia e njohur botuese franceze “L’Harmattan” boton vëllimin poetik “Mjalti i varreve është i hidhur” (“Amel est le miel des tombes”) i poetit tonë Petraq Risto.

Para disa ditësh, shtëpia e njohur botuese franceze “L’Harmattan”, botoi librin “Amel est le miel des tombes” (“Mjalti i varreve është i hidhur”), përkthyer me mjeshtri në frëngjisht nga Luan Rama dhe Solange d’Angely.

Në këtë libër me rreth 80 poezi të zgjedhura nga vetë autori dhe përkthyesit, poeti Petraq Risto shpërfaqet si përfaqësues origjinal i postmodenizmit.

Në kopertinën e dytë të librit shënohet:

“Nga vëllimi i parë poetik publikuar më 1976, poezia mbetet arena e ndeshjeve poetike të Petraq Ristos, e “momentit të së vërtetës”, e të zezës përballë të kuqes, e thirrjes romane publike, ku spektatorët e arenës i kërkojnë toreros gjithnjë fitoren. Kjo ndodh, sepse,  brenda tij, është poezia që digjet. Pikërisht ajo që ka zgjuar dhe revoltën e tij, duke e bërë këtë poezi më sociale, revoltë ndaj luftrave dhe vrasjes njerëzore, revoltë ndaj hipokrizisë, tradhtisë dhe shpirtit të korruptuar, ndaj atyre që shkelin dhe vrasin Paqen Njerëzore. Ai përgjon botën zhurmëmadhe, thirrjet homofobe dhe shpërthimet e largëta të luftrave, lajmet e dashurive dhe të vdekjeve, dhe rrugëton nëpër netë, si në delir, duke kërkuar agun e së nesërmes, ashtu siç e ëndërron ai: të paqtë, të shenjtë, me sy njerëzorë.

Poezia për të është dhe e kuqja e shegës së çarë, e shegës së pjekur për të bërë dashuri.”

Në parathënien që shoqëron vëllimin poetik, njëri nga përkthyesit, Luan Rama, mes të tjerash, thekson:

“Ndër poetët bashkëkohorë shqiptarë, ky poet na vjen me një mision të ri, ashtu siç vinte Rembo në kohën e tij me “letrat e Profetit” për të bërë një poezi moderne, krejt të re, për një kohë tjetër. Dhe për të bërë këtë, për të ndjekur shembullin e “letrave të Profetit”, Petraq Risto me vargjet e tij trazon oqeanet, zbret dhe ngrihet nga varret, duke pohuar me forcë dhe me zë të lartë atë që kërkonte dikur Rembo: “të jesh modern!” Dhe kjo, sepse jetojmë në një kohë moderne, brenda së cilës kërleshen halle tokësore, gëzime e tragjedi, apo ajo që shprehet nga ky poet brenda një neologjizmi të ri që zbërthen dhe tendencën e vërtetë të tij: “Hallelulja”. Një neologjizëm që formohet nga dy fjalë, “halle” (çka lidhet me dramën e përditëshme njerëzore) dhe “lulja”, (atë ç’ka të brishtë jeta, lumturia, miqësia dhe dashuria jonë)...”

Në këtë përmbledhje poetike autori ka përzgjedhur poezi nga disa vëllime të tij, veçanërisht nga “Lojë shahu në shekullin XXI”, “ Engjëlli me virus H5N1” dhe “Hallelulja”. Poezitë janë përkthyer me mjeshtëri dhe përcjellin te lexuesi frankofon emocionet dhe ndjesitë e një qytetari aktiv të këtij shekulli të ri, me një borxh të vjetër.

Shtëpia e njohur botuese “L’Harmattan” e ka përfshirë në vëllimin “Mjalti i varreve është i hidhur” në kolanën e njohur “Poetë nga pesë kontinentet”. Në libër gjen disa nga poezitë më të mira të autorit shqiptar.

Libri ka 100 faqe dhe kushton 11 euro.



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •