MERR UDHË ME DRININ
(Poetit Agim Vinca)
Mbi Dri të Zi
Larg Drinit të Bardhë
Farë poezie mbjell
Farë dashurie
Për shqiptarë
Nëpër vargje fryn
Frymë e Kosovës
Mbi Dri të Bardhë
Larg Drinit të Zi
Fëmijët seç i rrit
Ai shi në atë lirikë
Seç na djeg bukuria
Seç na përvëlon malli
Në orën letrare
Të orëve shqiptare
Zana e moçme
Ta reciton dashurinë
Aty ku bëhen një
Dy Drinat e Shqipërisë
STRUGA
Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund
Këto ura mbi Dri
Duar të shtrënguara në Iliri
Buzëqeshja e Pogradecit dhe syri yt
E përflakin Qafë-Thanën
Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund
Strugë
SËRISH MUNGON
Sërish mungon
Një pemë e plagosur në Tetovë
Një arë djerre në Preshevë
Shkrumbi i një libri në Kosovë
Mungon sërish vetmi e Malësisë
Një fjalë çame e një murane
Një vështrim arbëresh i mbytur në det
Në buzë të mëngjesit
Gjumë i vjetër na tradhton
Sërish mungon sërish mungon
DËBIMI
Ti lumë nuk je më Drin
Por shi mbi lehona mbi fëmijë
Ti hënë nuk je më hënë
As nuse në qiell
Nuk je më atje lart
Por poshtë në Liqen
Të kanë përzënë
Ti Liqen i Pogradecit
Nuk je më syri i Lasgush Poradecit
(Strugë, prill 1999)