Cikël poetik nga Enertin Dheskali
| Saturday, 05.30.2009, 05:12 PM |  

-Shekull që fle në boshësi-

Kuturisen matrapazët e shekullit të ri
Nëpër dyqanet e mbushura me drita,
Në vend të zemrës kanë qymyr të zi,
Në vend të shpirtit, prona dhe makina.

Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës,
Male plehërash i flenë përbri,
Humbi ëndrra përtej honeve të skëterrës,
Ishim njerëz, u kthyem në ujq, lukuni…

Në vend të dijes skërmitet hipokrizia,
Bima Grande na mbiu në kokë,
Vdiqën idealet, të na rrojë djallëzia,
Mbretëresha e njerëzve të mjerë mbi tokë.

Shekulli i ri lundron mbi dallgët e kohës,
Dielli njerëzor u tret në pafundësi,
Paraja pështyn mbi kalldrëmet e jetës
Që mbart mbi shpinë veç boshësi…

08. 12. 2008

-Varfëria-

Këmbëzbathur endet rrugëve të përbaltura,
Mbytur në zhulin e kohës,
Tenton të ngopet me thërrime të thara,
Në tavolinat e pluhurosura
Të lëna nga nata mashtruese,
Aty ku minjtë vrisnin njëri – tjetrin
Si kanibalë,
Dhe përpiqen të mbijetojnë
Në xhunglën e jetës qënievrasëse.

Futur nëpër rrobat e arnosura
E të zbardhura nga koha dhe vuajtjet,
Dremit varfëria,
E heshtur, nën mërzi,
Me kokën zhytur në ëndrra,
E me stomak që krokëllin
            Në zbrazëti…

06. 01. 2008

-Përhumbje-

Copëza fletoresh më kanë mbetur në mendje,
Mbushur me skica dhe poezi,
E humbas vetveten sërish nëpër endje,
Ngatërrohem me vargjet nëpër shi.

Kaltërsia ka humbur përtej reve të rënda
Dhe koha më sjell vetëm vetmi,
Zgjuar jam, por tretem nëpër ëndrra,
Ngatërrohem me vargjet nëpër shi.

Në trungun e heshtjes e vara trishtimin,
Më dogji malli i etjes për ty,
Përloten shqisat e mia për frymëzimin.
Ngatërrohem me vargjet nëpër shi.

Dhe mendimet degdisen në të shkuarën,
Ndiej afshin e shtegtimeve në gji,
Puthen kujtimet e mia me vetëtimën,
Dhe unë ngatërrohem me vargjet nëpër shi…

26. 12. 2007

-Kosova ime-

Predhat na i pluguan trojet,
Na e nxorrën zemrën e dhimbjeve
Nga gurët e themeleve.
Pragjet na i përmbysën,
Djepet na i thyen,
Ëndrrat na i dogjën…

Era e vdekjes
Erdhi nga veriu
E na i shkërrmoqi gurët e varreve,
Ku flenë me njërin sy hapur,
Eshtrat e të parëve.

Mos ikni,
Mbajini këmbët,
Shkulini brinjët
E bëjini armë,
T’ja ngulim hasmit
Në fyt e në brinjë.
Zjarri na i dogji shpirtrat,
Por ne nuk ikim,
     Do presim lirinë…

1999

-Të dua nga larg-

I hapa kanatat e zemrës këtë mbrëmje
Dhe prita të më vinte një lajm nga ty,
Më erdhi nga larg zëri yt nëpër endje,
Kristale lotësh më vendosi mbi sy.

Je e vetmja që kam në këtë botë të fëlliqur,
Gjysmëshpirt i trupit të lodhur nga dhimbja,
Je puthja – trëndafil për buzën e rreshkur
Që më mungon në këtë burg vetmie.

Më shaj, e nëse s’më beson, copëtoma zemrën
Që tashmë gjysëm ka mbetur, pa jetë,
Unë nën psherëtima tentoj ta mbys dhimbjen,
Të dua – të them nën lotë që nga larg…

01. 07. 2008

-Dimër në dhomë-

Nëpër ajrin e kësaj dhome të ftohtë,
Lundrojnë miliona grimca dhimbjeje,
Që vrapojnë e më futen në shpirt
Dhe sjellin tek unë mijëra zgjime.

Pse vallë u tret heshtja jote,
Në ajrin – aisberg të kësaj dhome,
Ku buzët i puth një ëndërr – klithmë
Që fërgëllon si një refren?!

Përtej braktisjes ndjeva një varg
Që nxorri lot për këtë ndjenjë,
I ulur sot përmbi prag,
Trokas, por asnjë s’më dëgjon.

Dhe dhoma hesht porsi një varr,
Unë fle dhe zgjohem brenda saj,
Që atë çast që jemi ndarë,
Dhoma është kthyer në akullnajë…

27. 12. 2007

-Kështu do jetë përherë-

Kështu ka për të qenë përherë
Me ne të dy…
Unë do të mprehem sërish e sërish
Me qafën në kularin e dashurisë,
Do më ndizet zemra në gjoks
Sa herë të t’i shoh të magjishmit sy,
Do vdes e do rilind prapë,
Çdo mëngjes,
        Me diellin,
               Për ty…

10. 08. 2008

-Me ty nën ullinj-

I poqëm yjet sonte
Dhe i hëngrëm për darkë
Nën hijen e ullinjve.
Hëna mistrece kërkon të na prekë
Me duar drite,
Që ngatërrohen nëpër degët e ngarkuara
         Me gjelbërim.
Një qen kuis që larg,
Prish heshtjen e qiellit të kaltër
Dhe më kujton oshëtimën e viteve
Në shpirtin e vrarë.

I poqëm yjet sonte
Dhe i hëngrëm për darkë…

10. 08. 2008

-Shtëpia e vjetër-

Tek kokrrat e rrushit të zi
E gjeta shpirtin,
Në shtëpinë e vjetër të prindërve…
Era e karajfilave më vuri në gjumë,
Rrezet e diellit vallzonin në dritare,
Lulet e limonit që vinin tek unë,
Më sillnin në shpirt aromë dhe zjarre…

Eh, ajo shtëpi,
E vjetër, plitharë dhe baltë,
Kujtime fëmijërie futur në varre,
Në pragun tënd vdes nëpër ëndrra
E sërish nëpër ëndrra, ti më ngjalle…

Në kokrrat e rrushit të zi u bëra verë,
E rigjeta shpirtin
Në shtëpinë e vjetër të prindërve…

14. 08. 2008

-Burgosje-

Një ujk i bardhë e kapërceu natën
Dhe zbriti në qytet,
Bashkë me hënën e plotë
Dhe me pellgaçët e pistë
Që lajnë imazhet e kalimtarëve.

Ujku skërmitet i uritur, jetim,
Dhe qan për dhimbjen e lirisë
Që ia vranë
Brenda shpirtit tim…

09. 08. 2008

-Këngë shqiptarishte-

Ne jemi mësuar të këndojmë
Nëpër dasma e nëpër morte,
Kënga jonë
Është diell i ditëve të vrenjtura,
Është zjarr
Në odën e madhe të miqve,
Është bukë dhe kripë
Në sofër.
Kënga jonë është ëndërr lirie
Në gjumin e vrarë dhe të burgosur,
Është plumb
Mbi lumenjtë e djajve
Që kanë vërshuar përherë
Mbi tokën tonë të sakatosur.
Ne jemi mësuar të këndojmë
Mbi djep e mbi varr,
Kënga është pak nga gjaku ynë,
Pushkë dhe shpatë,
Ujë dhe zjarr…

13. 08. 2008

-Njerëzve të ndershëm-

O njerëz të ndershëm,
Nëse jeni të pastër, prisheni bardhësinë,
Nesër do të vdisni…
Më mirë të jeni të përbaltur
Nën tokën sterrë e baltë,
Sesa t’ju përbaltin të vdekurit
Me talljen e gjatë…

18. 05. 1999

-Udha e shpirtit- (Xhevahir Spahiut)

Ece bokërrimave të ëndrrës
Me buzë të etura
Për lumin e çartur
      Të metaforave të blerta.
Ece
Dhe fjalët tu gjakosën
Shkrepave të ashpra të vendlindjes,
Teksa bisedoje me vetëtimat
Dhe fluturoje me zoqtë e poezisë.
Ece
Dhe ndërtove “Udhën” e shpirtit
Drejt malit të përjetësisë…

04. 12. 2008

-Tabu-

Orfeu i fryu bulçitë e oqeaneve
Dhe i zbrazi në këngë për zota,
Të thjeshtët ngelën thjesht njerëz…

-Pse?!

Sepse e tillë është bota,
Ajo që i përket “të madhit”,
S’mund të jetë kurrë e imja dhe e jotja…

1996

-Hektori trojan-

Ti linde për tu bërë përjetësia e qëndresës
Nëpër mijëvjeçarë që ndjellin vetëm luftra,
Si skifter sypatrembur iu sule vdekjes,
Sepse besoje tek nderi dhe jeta…

Troja vdiq pas teje në flakë,
Si lapidar për kurmin tënd,
Pa ty, historia do kish një hero më pak
Dhe vuajtja do ish më e rëndë.

Shpirtin e fale nën tehun e shpatës,
Deri në vdekje mbete i lirë,
Akili mizor ta mori jetën,
Por s’ta shkuli dot përjetësinë…

25. 12. 2007

-Refleks jete-

Përmes dritares së kohës
Po shoh bardhësinë e pafund,
Ka mbuluar damarët e shpirtit të botës
Me imazhe që para syve tanë i tund.

Tutje, përtej, mbi shelgun e zvargur,
Bilbilat qajnë
Shoqëruar nga violina e erës,
Ka kohë që ëndrrat janë ndalur
Në vrapin e përhumbur të kohës.

Nëse vdekja më merr një ditë dimri,
Lërmëni të pavarrosur mbi kristalet e borës,
Që të këndojnë zoqtë mbi trupin tim,
Simfoninë pranverore të jetës…

11. 12. 2007

-Shpirtbardhë- (Fan S. Nolit)

E zezë ishte rrasoja jote,
I bardhë i ngrati shpirt,
Linde arbëror, jashtë kufijve
Dhe vdiqe rrugëve të botës si eremit.

Në kraharor zemra ilirike
Të ziente për liri dhe përparim,
Mbi gërmadhat orientale
Një tjetër godinë
    Tentove të ngrije,
Me gurë ëndrrash
Me një mal me ideale.

Por në botën e mbushur me vjetërsira,
Pakëkush arriti të të kuptonte,
Të ndoqën të shiturit dhe renegatët,
Ti ike, dhe zotit iu fale.

Dhe eshtrat kërruse mbi gjuhët e botës,
Zgjodhe për shqiptarët mendjet gjeniale,
Ndaj në vendin e shqiponjave
Idhull do të mbetesh,
               Imzot Noli,
Shkruar me shkronja kapitale…

10. 08. 2008

-Akuarel-

Një penel është harruar mbi buzën tënde,
Të qershinjta janë faqet,
       Djegin nga afshi i ndjenjave.

Sytë e gështenjtë me bisht
Luajnë me dritën
Dhe përcjellin grimca buzëqeshjesh
Që ndjellin ëndrrën.

Atij që të vizatoi kaq bukur,
     Ti i fale pranverën…

-Harromë më mirë-

E di që malli shumë të ka marrë,
Kur më kujton, lotë të zbresin faqeve,
E di, por harromë më mirë,
Nuk dua t’i kthehemi sërish ndarjeve.

Mos eja, një ditë dhimbjen do e mposhtësh,
Do dashurosh një tjetër, si mua tani,
Ndoshta do më harrosh pas disa vitesh,
Kur një tjetër djali t’i futesh në gji.

E di që më do, të dua edhe unë,
Vuajtja plagë ma bëri shpirtin e ngratë,
Por më mirë të mos kthehesh më kurrë,
Se sa ta bëjmë vuajtjen më të gjatë.

E di që malli shumë të ka marrë,
Kur më kujton, lotë të zbresin faqeve,
Qaj tani e dashur dhe nesër harromë
Lëre imazhin tim të humbasë tej endjeve…

11. 08. 2008

-Përtej ikjeve-

Nata e humbi yllin e fundit
Dhe hëna u mbyt në detin e errësirës,
Ti heshtjen ngarkove në shpirt dhe ike
Mespërmes pyjeve të harresës.

Ku vallë kërkon ta gjesh vetveten,
Në cilin shtrat pa ngrohtësi?!
Në gjoksin tim harrove ëndrrën,
Mbi arkivolin – dashuri.

Si diamantë që buzëqeshin
Të ndriçojnë ndjenjat nëpër qiell,
Mos kërko më kot një hënë
Kur po pështyn sot përmbi diell.

Me mijëra ikje do të ndjekin
Si meteorë në galaktika,
         Edhe lotët për ty do të qeshin,
Do luajë me ty vetë përjetësia…

2008

-Ora e kohës-

Shpatë tehmprehtë mbi shpirtrat tanë,
Tik – tak vrasës
Që ha ngadalë jetën
Dhe shton historinë
         Me gjurmë shekujsh.
Në bardhësinë e pashkelur të ëndrrës
Akrepat e rëndë rrokullisen plot zhurmë,
Si ortekë galaktikash
       Mbi orën e kohës…

05. 12. 2008



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •