VDEKJA MODERNE (Tregim)
| Sunday, 06.14.2009, 03:46 PM |  

Rrafsh një muaj në ndërdijen time të mjegullt më sillet rrëfimi i vashës, që ma rrëfeu në periferi të qytetit, pikërisht nën hijen e lisit të djegur nga reja, që ndodhej afër lumit të thellë, e që ecte me një shpejtësi përmbytëse… Rrëfimi i saj rrëfehej në mënyrë fantastike për udhëtimin e lemerishëm nëpër humnerën e fundit, ku e kishte përjetuar golgotën tmerruese…
    Dëshiroja që ky rrëfim të mbetej i pavdekshëm në kujtesën time, mirëpo, para se të inçizohej mirë m'u ngjall një zhurmë çmendëse nga zukama e mizave të tërbuara që bënin yrish në psikikën time të rënduar, sikur motosharrat në sharrimin e lisave, që të mbetet mali pa jetë. Kur më fanitej kjo shtrëngatë, menjëherë ikja larg qytetit për t'u shkarkuar nga katrahura e rëndë, që më shpiente në delirium magjepsës, saqë nuk dija në isha gjallë apo jo…!!
    Mbasandej thellohesha me tërë qenien time në bukurinë fascinuese të natyrës e sidomos në magjinë e lumit që më shlyente nga kujtesa zukamën e mizave, që sa më mirë të thellohem në dëgjimin e cicërimës së zogjve. Këtë cicërimë e kam dëgjuar atë ditë, kur u takova me vashën që e kishte braktisur atdheun…
    Atë ditë gushti, bënte vapë e madhe, saqë mezi përmbahej ndonjë njeri pa u freskuar me ndonjë pije freskuese. Isha mjaft i etur dhe çuditërisht sytë m’u ndeshën me shitësit e pijeve, që vinin në drejtim të caktuar me një siguri të madhe se do të merrja pije të ftohtë… Dhe, kështu ndodhi me shitësit e pijeve që më qëndronin afër, saqë ky qëndrim më ngjallte një dozë të madhe të nervozizmit… Mirëpo, pas pak në drejtim të shitësve u drejtuan dy vasha të reja. Njëra me bukurinë mahnitëse m'i kalli sytë e mi në shikim të parë, por nuk e dhash asnjë sinjal edhe pse u ndalën aty për të marrë pije të ftohta. U shikuam sy më sy, për t'i treguar ndjenjat pa e nxjerrë asnjë tingull dhe më në fund plasi gazi, kështu që mbetën të mahnitur shitësit me qeshjen tonë karakteristike. Pastaj nxora nga xhepi pakon e cigareve për t'u qetësuar, kështu që mezi pritën që t'u ofroj dhe përnjëherë të qeshurat u ndalën, por diçka e brendshme nga shpirti ndizej flakë… Shitësit e pijeve u larguan pasi i morën të hollat dhe menjëherë pasoi një bisedë e qetë dhe intime që mandej të zhytet vasha në rrëfimin tronditës edhe pse kur shikoheshim në sy vëreja një skuqje në faqet e saja, që i ngjanin reflektimit të diellit në agim. S'e di, ndoshta e kishte nga turpi, apo… Përnjime s'e di, pse skuqej në fytyrë vasha kur bisedonim?! Pse më përqafoi aq shpejt kur e shikova si ndonjë  skamnorë në bebëzat e syve që tregonin pastërti shpirtërore…?! Mandej, pse më qortoi kur u shkëputa nga përqafimi i saj?! "S'ka gjë të keqe…!!!", më tha me nxitim, pastaj heshti. U pendova nga naiviteti im, por ajo më kuptoi dhe prapë më përqafoi, sikur të isha ndonjë foshnje e rrëmbyer… Sytë e saj të zgurdulluar më bënin për vete, mirëpo, një forcë e brendshme më alarmonte që të kujdesem miqësisht dhe s'di…?! Përnjime s’di si më kuptoi kur belbëzova në heshtje që të përmbahem…!!
     -S'keni nevojë të përmbaheni. Me paramendim e bëj!
     -Të kuptoj…!,i thashë edhe pse s'e kuptoja as veten time. S'e di pse e doja marrëzisht, kur një fuqi magjike më tërheqte vërejtjen që të mos bëhem pre e epsheve…që kishin për qëllim të na çojnë në humnerë.
    -Jo, jo s'na çojnë në humnerë epshet, më tha me një shpejtësi.
    -Mirë, mirë… Tolerohet dashuria miqësore…!!, I thashë kështu, por pa menduar fare sikur të isha në ëndërr.
    -Po, por s'tolerohet dhunimi!!
    -Si…Edhe ty të ndodhi në…?!
    -Po, e përjetuam në udhëtimin e kobshëm, mirëpo unë shpëtova e vdekur…!!
    -Shpëtove e vdekur…?!
    Po,po… Ecnim të ngrirë sikur në heshtje mortore.  Të  rrethuar ishim nga tytat e automatikëve që na provokonin në çdo hap. E dinim se vdekja po afrohej shpejt, por shpresa prapë na mbante, edhe pse ecnim nëpër vrimë të gjilpërës, pa e ditur se ku po na dërgojnë edhe pse kishim frikë prej ushtarëve të çmendur… Kishim dëgjuar për dhunimin që na frikësonte shumë, por megjithatë ecnim me shpresë se ndoshta do të shpëtojmë nga ky ankth tmerrues. Dhe, më në fund ndodhi hataja. U dëgjua gjëma e njerëzve… Po i ndajnë vajzat e bukura nga kolona…", tha një plakë e zbehur në fytyrë. Më ra qielli mbi kokë, ndërsa këmbët më duket se nguliteshin në thellësinë e tokës së djegur… Vdekja ishte më e arsyeshme sesa shpëtimi nga "vdekja moderne". Fillova të dridhem e tëra nga ethet e nxehta përvëluese. Mendoja, si të shpëtoj..!? Më tepër më preokuponte nderi, morali dhe pamundësia për të shpëtuar nga ky mister i çuditshëm, që më brente trupin. Afër meje qëndronte një plak i moshuar, që po qante në heshtje… Kërkova një thikë për të bërë vetëvrasje, mirëpo, i shkreti duke e tundur kokën më tregoi se s'kishte, apo ndoshta s'deshti të ma japë. Duke imagjinuar për ndonjë zgjidhje tjetër, më tmerroi aq shumë një grua zemërplasur, kur bërtiti: "Oh… vajzat më të bukura po i merr shkjau…!", dhe u shtri për vdekje. S'mundëm kurrsesi që ta ndihmojmë të shkretën, ngase breshërima e automatikut nga dora e zezë e çetnikut na kaloi mbi kokë… Atje, larg neve u bë rrëmujë..!! Thanë: "Të mbytur, dy gra e një fëmijë..". Pastaj, u lajmërua një mesoburrë i dëshpëruar, që t'i shpëtojë vajzat nga dhunimi… Ushtarët e çmendur e përfillën propozimin e tij me një përbuzje cinike. Afër gjashtëdhjetë mijë  marka i dha  për t'i shpëtuar… U lajmëruan edhe dy vëllezër për ta shpëtuar moralin e motrave  nga  duart  e  kanibalëve..!! Të gjithë në atë çast të ndërlikuar e ëndërruam shpëtimin, mirëpo, ata i pushkatuan egërsisht të tre vullnetarët… Mandej,  të gjithëve na ra një hije mortore, saqë s'dinim çka të bëjmë mëtutje..?! Filloi prapë,  nxjerrja e vajzave të bukura nga kolona dhe s'di, pse thashë: "Unë a jam e bukur…!!" Mandej fillova të dridhem sikur  ndonjë zog i lagur në shi… Papritur, një plakë e moshuar në shpejtësi e zhdeshi mantelin dhe shallin që t'mi veshë mua, që në atë çast isha e vdekur, por e kuptoja pse kjo nënë e shqetësuar po më ndihmon..!! Më shtrëngoi me një ngrohtësi mbesa e saj, ngjashëm sikur të isha nëna e saj…
   -Ma kanë pushkatuar nënën…,më tha dhe filloi t'i dridhet buza e njomë…!
   -Si, ta pushkatuan…?!
   -Po po, ia përgjakën trupin… Kot përpiqesha që ta zgjoj…
   Më ra një hije e zezë mortore dhe pikërisht në atë çast kaluan ushtarët duke më shikuar dhelpërisht, por me siguri i përngjaja ndonjë gruaje të shëmtuar, ndërsa vajzat e bukura përpëliteshin duke dënesur në drejtim të humnerës…
  -Çelu tokë të hyjmë të gjallë… Tha plaka e tmerruar për vdekje, mandej breshërima e plumbave na shkonin mbi kokë… Kolona prapë ecte…, sikur të ishte zgjuar nga varri për në varr...


(Votes: 11 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •