Meditim për shqiptarët, Europën dhe Ballkanin
| Saturday, 07.04.2009, 10:30 AM |  

Bashkëbesëlidhësi im shqiptar më gëzoi sot, pasi edhe gjuha politike e një vendi të vogël si Shqipëria po dëgjohet nga Europa e përfaqësuar në Bruksel. Gjithashtu, edhe bashkëbesëlidhësja kryeparlamentare e Republikës së Shqipërisë gjatë vizitave të saj në Gjermani. Pra ka një hap të dukshëm përpara në krijimin e një klime reale për një vend të vogël si Shqipëria, por me histori të lashtë dhe autoktonë në tokën shqiptare që i përket Europës qindra milionëshe.  Pra hapat e ndërmarrë dëshmojnë se nuk janë më të tjerët që duan akoma të na përfaqësojnë atje me fjalimet dhe shënimet e tyre konfidenciale për „Shqipërinë e egër“, për ata „shqiptarë të pagdhendur“ „shqiptarë të çuditshëm“…Sidoqoftë, gjuha që po përdoret nga kushdoqoftë, më jep parandjenjën e kohës së gjatë që do na duhet, derisa evropianët ta quajnë edhe kombin tonë „evropian“. Megjithatë dua të kujtoj se një mik i imi shkrimtar i huaj, jo më kot është shprehur „Një njeri i urtë nuk e le veten ta sundojnë, ai as nuk kërkon të sundojë të tjerët; ai don që arsyeja të ushtrojë ndikimin e vet tek cilido, i madh apo i vogël qoftë, për jetë të jetëve“.

Në këtë shkrim nuk pretendoj të bëj një vlerësim të posaçëm dhe të hollësishëm lidhur me marrëdheniet e Shqipërise me Europën sot. Vetëm se si pjesëmarrës aktiv në tetë sesione të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apo edhe për çështje që kanë patur të bëjnë ndër të tjera me Europën, Shqipërinë dhe Ballkanin, në Gjenevë, Paris, Vjenë, Bruksel, Nairobi, Kajro, Rhodes, Limasol, Bazel, etj., mendoj të shpreh mendimet e mija modeste. Këto janë mendime personale, të cilat më angazhojnë vetëm mua, të mbledhura gjatë vitesh, por dhe të rifreskuara nga ecuria e marrëdhënieve të Shqipërisë aktuale me Europën dhe Ballkanin.

Me kalimin e moshës, kujtimet sikur ecin shumë më shpejt se koha. Shpesh herë u rikthehem atyre dhe ndjej një kënaqësi të veçantë, por edhe brengë për diçka që nuk është bërë si duhet. Megjithatë, e ngushëlloj veten, edhe me miq të mirë në Diasporë, dhe them se duke qënë të krishterë, apo myslimanë, për të folur me Zotin e Plotfuqishëm, Allahun, kur shkojmë dhe lutemi në kishë apo në xhami, si banorë të shoqërisë multietnike në Gjenevë : arabë të krishterë apo myslimanë, zviceranë, afrikanë, shqiptarë, boshnjakë, bullgarë, maqedonas, grekë, italianë, francezë, britanikë, amerikanë etj., duhet të jemi të pastër shpirtërisht. Por cila ka qënë ajo qënie njerëzore, që, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk ka gabuar? Kështu që edhe Zoti, besoj se na i bën „kabull“ disa gjynahe të bëra jo enkas. Prandaj, pa dashur të mbaj anën e ndokujt, nuk më pëlqen polemika midis bashkëbesëlidhësve qofshin këta në Shqipëri, Kosovë apo jashtë, në Diasporë. Pasi ajo çon sado pak ujë në mullirin e keqdashësit, që don t’i shohë Shqipërinë dhe shqiptarët jashtë Europës edhe për shumë vjet. Nuk më pëlqen tulatja e një pjese të intelektualëve të pavarur shqiptarë që diktatura e viteve 1944-1985, i ka lënë akoma në heshtje për këto probleme madhore të Kombit tonë, përkatësia në Europë. Këto radhë mund t’i lexojë edhe ai „qoftëlargu“, i pakët në numër kudo në Europë, që vegjeton dhe qesh pse grinden bashkëkombasit e tij dhe fërkon duart, pasi don që të kthehet një kohë e kaluar, megjithëse edhe ai po t’i ketë mbetur pak logjikë, e kupton se ajo kohë tanimë ka perënduar njëherë e përgjithmonë  Ajo nuk u kthye as në kombe të tjerë në Evropë, qoftë në Lindje, Perendim, Jug apo Veri…

Përsëris, hezitova shumë që t‘i shkruaj këto radhë për shqiptarët dhe Europën, pasi dikush mund të mendojë se nuk kemi të drejtë ne, në Diasporë, të shprehemi për Kombin tonë. Por një miku im i mirë më bindi se sado keq që të jenë shkruar ato, mund të përmbajnë një dritë të vërtete, që brezi i ri, mund t‘i vlerësojnë sadopak.  Pra i lejova vetes këtë luks për t‘iu rikthyer shënimeve të mija për Europën dhe përkatësinë e shqiptarëve në të. Të shkruash është një mënyrë të komunikuari, pa të ndalur njeri kur shpreh mendimet e tua. E dua akoma profesionin tim „jo të këndshëm“ që më lidh me gjuhën dhe tokën time amtare, me ecurinë e saj drejt Evropës, për të dhënë një mesazh modest. Ashtu, si ata marinarët që urrejnë stuhitë dhe trëngatat, por vazhdojnë të lundrojnë, edhe unë do të vazhdoj në udhën time të nisur prej katër dekadash…

Pra më lejoni, të nderuar lexues,  të përmend shkurt që më se njëherë kam biseduar çiltër me profesor Filip Braillard, drejtor e Institutit Europian të Universitetit te Gjenevës dhe ish profesor i imi për Historinë e Europës, i cili sëbashku me stafin e Institutit dhe kolegë shqiptarë punojnë për krijimin e një Instituti të vërtetë evropian në Tiranë. Pasuniversitarë shqiptarë që studjojne tani në këtë Institut dhe të tjerë që e kanë përfunduar atë me sukses do të përbëjnë bërthamen e tij, krahas profesorëve të tjerë të nderuar shqiptarë që punojnë prej kohësh që Shqipëria të përfshihet në Europë, si dhe në organizmat që e përbëjnë atë në Bruksel, Strasburg e forume të tjera evropiane.

Nuk mund të lë pa përmendur sidomos fjalët e këshilltares federale të Konfederatës Zvicerane, Ministre e Jashtme e Zvicrës, Michelinë Calmy-Rey, lidhur me angazhimin e Zvicrës në çështjet ndërkombëtare, por edhe për vendet e Ballkanit, në Europën Jugore, pra dhe Shqipërinë dhe Kosovën. Ja si shprehej ajo tek gazeta zvicerane « Le Monde », më 25 janar 2006 : « Si edhe Bashkimi Europian që ka përparuar në vlerat e pajtimit, të demokracisë, të lirisë individuale dhe të tolerancës, edhe Zvicra, është e vendosur të nxisë gjithçka që është thelbësore për paqen në Europë. Në fund të fundit, vetëm nëpërmjet solidaritetit, ne angazhohemi në favor të popullsive të lënduara të Ballkanit. Por ndërse ky angazhim është jetik për vendet që i përfitojnë, është edhe në interesin tonë, sepse kjo  kontribuon në sigurinë dhe në mbarësinë tonë të ardhshme. Prandaj, Zvicra ngulmon në përpjekjet e saj për stabilitetin në rajon dhe për pavarësinë e Kosovës ».

Më lejoni të shtoj edhe disa fjalë të zonjës së nderuar dhe kurajoze, Michelinë Calmy- Rey , botuar tek gazeta zvicerane « Le Temps » (Koha), më 25 nëntor 2005 : « Me mondializimin, ndikimi i një vendi varet nga angazhimi dhe pjesëmarja etij në shkallë ndërkombëtare. Zvicra ndjek një politikë të jashtme, të bazuar në universalitetin. Ajo është një aktore e besueshme, e parashikueshme dhe jo ithtare. Konkretisht, kjo do të thotë një neutralitet në shërbim të paqes, me qëllim që të parandalohen konfliktet që mund të kenë pasoja negative mbi vendin tonë. Prandaj me një politikë të neutralitetit aktiv dhe solidar, ne mbrojmë më mirë interesat tona.  Rasti i Ballkanit Perendimor është shembull. Dhjetë vjet pas marrëveshjes së Daytonit që i dhanë fund luftës në Bosnje dhe Herzegovinë dhe gjashtë vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Kosovë, në rajon ka një qetësi relative. Megjithatë, stabiliteti politik, ekonomik dhe social nuk është arritur në mënyrë të vazhdueshme Ndërkaq, ky rajon është nga ana gjeografike pranë Zvicrës. Bashkësia e shtetasve të huaj nga ish-Jugosllavia, i pranishëm në Zvicër- afro 400.000 vetë, nga të cilët 150 deri 200.000 nga Kosova- është më i madhi nga komunitetet e huaja tek ne. Këto lidhje të ngushta kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në fluksin migrator, të ligjshëm dhe të paligjshëm. Si rrjedhim, është në interesin tonë që të përkrahim paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet tona me Europën Juglindore dallohen nga një angazhim financiar të rëndësishëm të Zvicrës. Midis 1996 dhe 2004, ne kemi mbështetur këto vende me 1,5 miliard franga. Ndihma zvicerane ka marrë forma të ndryshme : koperim teknik, prani ushtarake në Kosovë dhe Bosnje, mbështetje vullnetare e refugjatëve, ndihmë humanitare, kontribut për Paktin e Stabilitetit. Në ballkan, veprimi ynë do të përqëndrohet këto vitet e ardhëshme në intensifikimin e marrëdhënieve politike, mbështetjen e reformave institucionale dhe ekonomike dhe promovimin e paqes. Është fjala që të mbështeten këto Shtete në përparimin e tyre drejt demokracisë, drejtësisë, prosperitetit. Në fund të fundit, këto vende do të integrohen në Bashkimin Europian, perspektivë që Brukseli ka hapur për të gjitha Shtetet e rajonit… »

Sjell në kujtesë edhe fjalët e fundit të invervistës së Ministres së Jashtme zvicerane tek gazeta « Koha » (Le Temps) e sipërpërmendur : « Bashkimi Europian mishëron qysh prej një gjysëm shekulli, vlera demokracie, tolerance, lirie. Rënia e murit të Berlinit lejoi që të integrohet Europa Qëndrore dhe Lindore. Sot Zvicra dhe komuniteti ndërkombëtar përpiqen që të bashkojnë popujt e Ballkanit Perendimor, me synimin e madh paqen ». (Micheline Calmy- Rey, Këshilltare Federale, Shefe e Departamentit federal të punëve të jashtme të Zvicrës).

A nuk na bëjnë të mendojmë mirë, këto fjalë të Ministres së nderuar të Jashtme zvicerane, një vendi të vogël, Zivcrës, si edhe Shqipëria, por që edhe pse nuk është në Bashkimi Europian, për arsye të zgjedhjes së përkohshme nga ana e vetë autoritetit të më lartë, popullit zviceran, thotë fjalën e vet hapur për përkatësinë europiane të vendeve të Ballkanit, apo edhe për interesin e këtyre vendeve për t’i parë një ditë të integruar edhe Shqipërinë, dhe vendet e tjera të Ballkanit ? A nuk duhet të mendohen mirë ata parlamentarë shqiptarë që akoma ngurojnë të afishojnë dëshirën e një populli të tërë shqiptar në Shqipëri dhe Diasporë, që i kanë zgjedhur me votën e tyre, se e mira e Shqipërisë dhe e bashkëbeslidhësve është në Europën e Brukselit, si dhe në Aleancën e Atlantikut verior, apo me SHBA dhe vendet e tjera mike të Shqipërisë dhe Kosovës ? Nuk duhet t’i vihen më gurë udhës së nisur nga demokracia shqiptare, edhe për « inat të sime vjehrre ».  Ky është shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit në këto çaste, duke lënë mënjanë mërirat e kaluara, mllefet personale. Kështu e ngrehim më lart figurën e shqiptarit trim, me karakter, të çiltër, mirënjohës, mikpritës, qoftë ai malësor, fshatar, intelektual, por që ka një aspiratë të madhe…

Nuk mund të harroj takimin e shkurtër, vite më parë, Presidentin e atëhershëm të Konfederatës zvicerane, të ndjerin dhe njerëzorin, zotin Zhan Paskal Delamura. Pasi më shtrëngoi dorën, më foli me respekt për popullin krenar të një vendi të vogël si Shqipëria, por me histori të pasur. M’u ngulitën në mendje fjalët e këtij burri shteti shumë popullor në Zvicër, sidomos në pjesën romande, pasi ai në çdo çast ka luftuar pa ndërprerje për afrimin e Zvicrës me Europën. Megjithatë, Zvicra ruan marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët e saj evropianë, si dhe ka marrëdhënie të veçanta  dhe me interes reciprok me të gjitha vendet evropiane. Konfederata zvicerane përbëhet nga 26 Shtete sovrane (kantone dhe gjysëm kantone) dhe çdonjeri nga këto shtete ka një numër komunash. Konfederata zvicerane është një shtet i vogël, prejardhja e të cilit fillon nga Mesjeta. Në shekullin e XIII, tri bashkësi malore vendosën të bashkohen për të krijuar një shoqatë të lirë kundër zotërimit të dukatëve rrethues. Kjo aleancë u konsolidua pak e nga pak duke përfshirë rreth vetes bashkësi të tjera të fshatit dhe komuna urbane, për t’u shndëruar në një konfederate të vërtetë shtetesh. Ajo mundi të sigurojë autonominë e vet, megjithë mosmarrëveshjet e brendshme. Pas luftës civile të Sonderburgut, më 1848, Konfederata e Shteteve u shndërrua në një Shtet Federal…

Lexova ne shtypin zviceran këto ditë një fakt interesant: nje shqiptar kishte gjetur nje portofol në rrugë dhe e kishte dorëzuar. Njeriu që e kishte humbur portofolin donte t'i jepte pak të holla për gjestin e tij, por shqiptari nuk kishte pranuar. Një shenjë e mirë për një popull që është punëtor dhe i ndershëm. Vetëm një pakicë „qoftëlargësh“, me keqdashje,  i vënë kapelen e  njerëzve që merren me drogë dhe nuk e di çfarë tjetër akoma. Sjellja e atij shqiptari në Zvicrën që kufizohet me vende që janë në Bashkimin Europian dhe Zvicra me to ka marrëdhënie të shkëlqyera, është një nxitje per ata qindra mijra shqiptarë që punojnë me nder në dhé te huaj. Gjithashtu ata ndihmojne edhe familjet e tyre atje ne Shqiperi, Kosovë, Maqedoni, Mal te Zi. Zvicra ka dhene mundësi që fëmijët tanë të mësojnë krahas frëngjishtes, gjermanishtes, anglishtes, italishtes, edhe gjuhën shqipe. Gjithashtu ata kanë të drejtë, falë mirëkuptimit të popullit dhe autoriteteve zvicerane, të kenë dyshtetësinë. Shqiptarët bashkëjetojnë me zviceranët, si shumë përfaqësues nga popuj dhe shtete të ndryshëm të botës, të cilët identitetin e tyre kombëtar e ruajnë me ligj. Mjerisht, në botë vazhdojnë padrejtesitë për këtë problem, por kam bindjen, bashkë me bashkëbiseduesit e mij, se e drejta do triumfojë dhe shqiptaret që janë vendosur në vende të ndryshme të botës do të gëzojnë të drejtën e identitetit të tyre.

Miqtë e shumtë të shqiptarëve, janë këtu në Zvicër, por edhe në Shqipëri, Amerikë, (Teksas, Nju Jork, Florida, Nju Xhersi etj), Kanada, Suedi, Greqi, Qipro, Turqi, Itali, Francë, Austri,  Britani e Madhe e deri në Argjentinë. Me ata shkëmbejmë këtu në Diasporë mesazhe të rregullta, edhe për përkatësinë europiane të Shqipërisë apo edhe të vendeve të Ballkanit, që na ngrohin zemrën. Mund ta quajmë edhe ne tani një « lob » të fortë dhe të besës, siç janë edhe lobet greke, sllave, çifute e kombeve të tjera në botë.

Përsëris : hezitova në fillim të hidhja në letër këto radhë. Por duhet ditur se dikujt mund t’i kujtohet, si shumë bashkëbeslidhësve tanë, se edhe Atdheu ynë dhe i autorit të këtyre rreshtave, Shqipëria, është edhe një atdhe vlerash. Mbi varrin e tim ati të ndjerë, gazetar i thjeshtë i një reviste për fëmijë, por që kishte nxjerrë me Jakov Xoxën « Përpjekjen e rinisë » qysh më 1943, apo si kryeredaktor i parë i « Sportit », shokët e tij të mirë që më ndihmuan edhe mua në jetë, vunë këtë mbishkrim nga një poezi e tij : « E dini pse nëna folenë në zemër e ka, sepse bashkë me qumështin e saj, dashurinë për Atdhenë m’a dha ».

Prandaj në këto çaste, shpreh bindjen, si shumica e bashkëbesëlidhësave shqiptarë në Shqipëri dhe në Diasporë se 27 shefat e Shteteve dhe të qeverive, ministrat, komisarët europianë, kur të mblidhen në Bruksel në të ardhmen e afërt, do të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të zgjeruar Bashkimin Europian, jo si gjest për Shqipërinë, por për të mirën e tyre. Ashtu siç kanë vepruar vite më parë për Spanjën që shpëtoi nga frankizmi, për Portugalinë që u shkëput nga diktatura në 1964, për Greqinë që është rindërtuar edhe në sajë të ndihmave europiane, për……..

Dihet se shteti i krijuar nga Skënderbeu u bë në kohën e vet faktor aktiv pozitiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai bëri përpjekje të krijojë një front të përbashkët europian kundër osmanllinjve. Ai u përpoq ta realizojë këtë edhe me Janosh Huniadin, gjeneralin e madh hungarez. A nuk pati Skënderbeu mbështetjen e fuqishme të Papës së Romës dhe Mbretërisë së Napolit? U përpoq të bashkëpunojë dhe me Republikën e Venetikut, por që nganjëherë haste ndesh për shkak të synimeve të atëhershme të Venetikut. Sot është krejt ndryshe. Europa apo Amerika nuk janë “armike” ndaj nesh apo që duan “të na sulmojnë”. Ka ikur koha e bunkerëve, në kohën që tashmë ka rënë edhe muri i kobshëm i Berlinit.

Edhe Shqipëria dhe vendet e Ballkanit mund të kontribuojnë në Bashkimin Europian qysh sot me përparimin e tyre kulturor, ekonomik dhe social. Përfaqësuesit e këtyre vendeve, si dhe media, kanë pohuar më se njëherë dëshirën e pohuar më se njëherë tek një numër burrash shteti, apo politikanësh, parlamentarë europianë. Afishimi i kësaj dëshire nga ana e autoriteteve aktuale më të larta të Shtetit shqiptar, për të marrë pjesë aktivisht në Komunitetin Politik, Ekonomik europian, është një shenjë e respektit të tyre për vendet europiane që e përbëjnë atë. Në të njëjtën kohë ajo është shenjë e kontributit që mund të japë Shqipëria me qënien « de jure » në gjirin e saj. Një bashkëpunim i tillë i ngushtë do të japë mundësi t’u sigurojë të gjithë qytetarëve në Europë, dhe jo vetëm disa të privilegjuarve, gëzimin e të gjitha të drejtave ekonomike, politike, sociale, kulturore, të njeriut, të daljes dhe hyrjes në Europë, dhe kthimit në vend pa kufizim. Kjo do t’i shërbejë tepër edhe Europës, edhe asaj të menduar nga Shumani, Denis de Rougemont dhe atyre që e aspironin atë. Më lejoni të përmend pak fjalët e Robert Shumanit të shprehura dekada më parë tek libri i tij, botuar edhe në shqip për Europën : « Kjo Europë nuk drejtohet kundër askujt ; ajo nuk ka asnjë synim agresioni, asnjë karakter egoist apo imperialist as përbrenda gjirit të vet dhe as ndaj vendeve të tjera. Ajo mbetet e hapur për këdo që dëshiron të antarësohet …Fryma e vërtetë europiane është ndërgjegjësimi për realitetet, mudnësitë dhe detyrat që na dalin të gjithëve, pavarësisht kufijve, përtej antagonizmave dhe mërive tona » (Robert Shuman, « Në emër të Europës »).

Rruga e demokracisë në Shqipëri , ashtu si dhe në vende të tjera që kanë kaluar stadin tonë, si fqinjët tanë italianë, apo ata grekë, spanjollët, austriakët, portugezët, gjermanët, francezët, australianët, britanikët, sllovenët, hungarezët, çekët etj., nuk është e lehtë. Është e vërtetë se shqiptarët e duan të renë, janë për Europën, por duket se është e vështirë që një pjesë e tyre, qoftë edhe e vogël, të shkëputen nga ato vite të diktaturës. Qeveria demokratike ka kohë pas kohe probleme, sidomos me nostalgjikët që nuk shohin më larg se drita e tyre e syrit. Harrojnë ata se u rropatën gjithë jetën për të patur një pension qesharak, ndërkohë që pinjollë të diktaturës shijnë me paratë e popullit dhe ndjellin armiqësi në shtypin shqiptar, gjë që ishte e pamundur në kohën e diktaturës, kur opozitarë të regjimit dhe demokratë, shkrimtarë, e pësuan thjesht për një fjalë të shprehur ashtu çiltër për ndryshime edhe në Shqipëri.

Njerëzit e thjeshtë mendonin se me ardhjen e demokracisë së brishtë, „parajsa“ do të vinte menjëherë. Por si edhe pas çdo fitoreje, duhet duruar, duhet pritur. Dëshira për ndryshim nuk është e njëjtë midis që gjithë aktorëve të jetës politike shqiptare, qofshin këta parlamentarë, opozitarë, pozitarë, në instancat rajonale, apo të komunave. Dihet se miqtë në Diasporë janë të shumtë që mbështesin demokracinë. Instituti i Diasporës dhe Drejtoria e Nismave në Ministrinë e Jashtme, stafi i tyre i përkushtuar, do të kenë shumë punë për të bërë, se çdo shqiptar është gati të japë qoftë edhe një ndihmesë modeste, jo vetëm për hir të qeverisë demokratike, të instaluar në bazë të votave të Supremit Popull, por edhe për qindramijë vëllezër dhe motra të tyre, bashkëatdhetarë në Shqipëri. Vetëm se është urgjente të rregullohet kuadri juridik që çdonjëri që bën një „donacion“ (dhuratë) të ketë mundësi t’i heqë ato nga taksat në fund të vitit…

Le të bëjmë një digresion. Nuk do ta harroj kurrë deri sa të kem jetën atë mbrëmje madhështore, në vitet 90-të, tek “Noga Hilton” në Gjenevë kur dha shfaqje Ansambli shqiptar. Këngët dhe vallet u pëlqyen shumë. Kishin ardhur shumë bashkëbesëlidhës edhe nga rajone të tjera të Zvicrës e jashtë saj, por edhe diplomatë dhe funksionarë të lartë të Kombeve të Bashkuara. Atë shfaqje e kishte sponsorizuar një intelektual i pavarur dhe i përkushtuar për çështjen kombëtare, në Diasporë, Imer Cacaj. Salla ngrihej peshë nga brohoritjet e të pranishmëve. E pashë atë funksionarin e lartë të atij organizmi ndërkombëtar, të cilin e kisha mik, që u skuq kur pas çdo kënge filluan thirrjet “Kosova Republikë”. Në pjesën e dytë i propozova, për të mos e vënë në pozitë të vështirë, ndaj ndonjerit që nuk i shkonte për hosh ajo thirrje, që të largohej, po të kishte dëshirë. Por duke buzëqeshur më tha: “Alfred, qëndro i qetë, pasi këto janë ndjenja të një populli të vuajtur dhe krenar”.

Më kujtohet si sot 17 shtatori 1991. Kisha shkuar në Bruksel, si i dërguar i Sekretariatit Ekzekutiv të Komisionit Ekonomik për Evropën të OKB-së, së bashku me sekretarin e Komisionit, Brian Duke, një britanik me përvojë shumë vjeçare me organizatat ndërkombëtare. Do ndiqnim punimet e mbledhjes së vendeve të Bashkësisë Evropiane, si edhe të grupit të 24-shes për ristrukturimin e ekonomisë në Shqipëri. Nga delegacioni shqiptar kishin ardhur një zëvëndëskryeministër, Profesor Gramoz Pashko, disa ministra dhe ambasadori shqiptar në Bruksel sëbashku me Agron Agalliun, shokun tim të Fakultetit, njeri serioz dhe tepër i mprehtë, njohës i disa gjuhëve të huaja, por edhe i ndjekjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ai ishte caktuar të punonte në ambasadën tonë në Bruksel, bashkë me bashkëshorten e tij, Ilirjanën, gazetare dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, përfshirë dhe portugalishten. U çmallën sëbashku. Mbledhja vazhdoi dy ditë dhe unë megjithëse isha në rolin e funksionarit ndërkombëtar, ndihmoja disi mbarëvajtjen e punës së delegacionit shqiptar. Mbledhja kaloi në përgjithësi mirë. Pjesëmarrësit vlerësuan disa hapa që janë bërë drejt demokracisë në Shqipëri, lidhur me pesë kërkesat politike dhe ekonomike kryesore: përparësia e së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, futja e multipartitizmit, organizimi i zgjedhjeve të para të lira dhe evolucioni drejt një sistemi të ekonomisë së tregut. Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së Brukselit, zëvëndëspresidenti i Komisionit të Bashkësisë Europiane, Frans Andriessen theksoi se Shqipëria ka disa avantazhe: procesi i reformave në këtë vend është shfaqur më vonë ( në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore-shënimi im) dhe përvoja e këtyre viteve të fundit në vendet e tjera ka qënë fitimprurëse; në radhë të dytë, Shqipëria e braktisi KNER-in qysh prej mëse 30 vitesh: ajo nuk ka qënë e detyruar të çlirohet nga ndarja e sforcuar ndërkombëtare e punës; në radhë të tretë, Shqipëria ka patur një zhvillim shumë të ngadalshëm, kështu që ajo mund të fillojë të ndërtojë pa qënë nevoja që të shkatërrojë; dhe më në fund, Shqipëria, duke ndjekur në të ardhmen një politikë të drejtë ekonomike, me një mbështetje të përshtatshme nga jashtë, do të mundë shumë shpejt të arrijë rezultate për të rivendosur besimin. Kur u zhvillua konsulta e Brukselit u hodh mendimi i një marrëveshjeve bashkëpunimi dhe të tregtisë midis Bashkësisë Evropiane dhe Shqipërisë.

Që nga ai shtator 1991 kanë kaluar 15 vjet. Gjithashtu po bëhen 15 vjet që më së fundi edhe Shqipëria u detyrua të nëshkruajë Kartën e Helsinkit. Të paktën në analet e historisë të mos mbetej prapa edhe ky vend dhe sidomos populli i tij që ka aspiruar prej kohësh, që nga Skënderbeu për Europën, duke qënë gjeografikisht në Europë, por jo „ de jure“. Të kësaj Europe, tanimë moderne që ka vazhduar trashëgiminë e Greqisë antike, të perandorisë romake dhe të kristianizmit. Studimi i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë.  Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, Robert Shuman.

Nuk më harrohet ajo mbrëmja e marsit 2004, kur shkova në Annecy, pasi isha takuar me atë shkrimtarin dhe parlamentarin shqiptar, që gjeti kohë, megjithë angazhimet e tjera dhe më nderoi me praninë dhe bisedën e tij të frytshme dhe tepër domëthënëse. Isha i ftuar nga Klubi Ambasador në Annecy të Francës që në fakt nuk ka të bëjë me diplomacinë, megjithë titullin që mban. Shkoj atje me Joëlle dhe Frankon. Franko, arkitekti me origjinë shqiptare, flet për Ballkanin dhe historinë e tij,  po aq bukur sa di të jape mendimin e tij në ndërtimin e lagjeve të bukura në Francë, në rajonin e famshëm të skive në Chamonix, apo rikonstruksionin e kështjellave në Angli, apo ndërtimin e pallateve të sheikëve në Arabinë Saudite. Franko përmend se banorët e parë në Ballkan janë ilirët, pastaj vijnë Thrakët e popujt e tjerë. Ai thekson se romakëve ju desh të luftonin më tepër se 200 vjet për të thyer Ilirët, megjithëse këta të fundit në ato kohë nuk kishin struktura kombëtare por vetëm tribale. Ai flet për karakterin e shqiptarëve, si njerëz të ndershëm dhe punëtorë, për “Arbanasit” që janë vendosur në brigjet e Dalmacisë, në Zara, pasi u larguan nga Shqipëria, në vitet 1700,  sepse ishin në konflikt me pushtuesit otomanë. Ai thekson se edhe mbiemri i familjes së tij Marussich ishte sllavizuar pa dëshirën e paraardhësve të tij por ishte i imponuar. Ai kujton se paraardhësit e tij e kishin mbiemrin Duka dhe Maruku…Pastaj Franko më jep fjalën mua. Nuk e di sa vështirë e kisha të flisja pas Franko eruditit, analistit të çështjeve dhe historisë së Ballkanit, përballë një auditori me juristë, mjekë, arkitektë, artistë të dëgjuar. Fola për historinë plot gjallëri të Ballkanit dhe të Europës. Për ata shqiptarë që në vitet 90-të u larguan nga  Shqipëria për të parë një jetë më të mirë. Por edhe për ata shqiptarë që kanë dhënë dhe japin ndihmesën e tyre të çmuar në Francë e kudo. Darka kaloi tepër mirë dhe mua m’u bë zemra mal kur shumë prej tyre më shprehnin simpatinë për shqiptarët, apo edhe kishin kaluar në Shqipëri, nëpërmjet udhëtimeve turistike, si edhe shprehën dëshirën për t’u rikthyer atje përsëri…

Në shënimet e Ditarit tim gjej ndër të tjera, këto fjalë: Më 11 maj në Bruksel nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis Bashkësisë Evropiane dhe Shqipërisë. Vënia në jetë e kësaj marrëveshje do të varet nga respektimi i të drejtave të njeriut në bazë të Aktit Përfundimtar të Helsinkit dhe të Kartës së Parisit. …Në tetor 1992, Bashkësia Europiane vendos, duke patur parasysh ashpërsimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri, ta fusë këtë vend në listën e vendeve përfituese të programit ECIP (European Community Investment Partners), domethënë për të shpejtuar investimet e vendeve të Bashkësië në Shqipëri…Në nëntor 1992, shumë biznesmenë shqiptarë që banojnë jashtë shtetit ndjekin me vëmendje të veçantë zhvillimet në Shqipëri. Disa prej tyre kanë ndërmarrë studime dhe po bëjnë investime për të krijuar baza të shëndosha sidomos në fushën e tregtisë, e në përgjithësi të ekonomisë, me vendin e tyre të origjinës. Konstatohet një veprimtari në rritje sidomos e shqiptarëve të Kosovës që banojnë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, sidomos në fushën e shërbimeve dhe tregtisë me pakicë. Shpesh ata kanë edhe njerëz të familjeve të tyre në Shqipëri, kështu që lidhja është më e lehtë dhe fitiprurëse për të dy palët. në fushën ndërkombëtare shihet një rritje e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkësinë Ekonomike Evropiane/ programi PHARE, me PNUD-in, UNICEF-in, OMS, Komisariatin e Lartë për Refugjatët, Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën etj. Duke parë numrin në rritje të partnerëve të huaj, qeveria shqiptare vendosi të krijojë në gjirin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financës, një departament të ngarkuar me koordinimin e ndihmës nga jashtë. Shqipëria do të ishte e udhës që të krijonte sa më parë “zona të lira”, sepse ato do të japin mundësi për tërheqjen e kapitalit të huaj, por akoma këtë nuk e lejon konteksi politik. Megjithatë, programi i tranzicionit drejt ekonomisë së tregut– objektiv drejt të cilit shumica e kandidatëve e kishin afishuar gjatë fushatës elektorale, ishte për një privatizim të kufizuar për sektorët kryesorë të ekonomisë, tregtisë, industrisë së lehtë, asaj minerare, turizmit, transportit. Në fushën e bujqësisë, iu shpërnda toka çdo fshatari ish anëtar koperative ose banor i fshatit me 0,1 hektarë tokë për çdo fshatar. Por doli problemi se parcelat e tokës të shpërndarë, nuk jepnin mundësi për krijimin e një bujqësie të mjaftueshme, për të plotësuar nevojat vetiake, si edhe për konsum…Dhjetor 1992. Jam duke çfletuar librin e ish-profesorit tim të ekonomisë së shërbimit në Intitutin Europian të Gjenevës, profesor Orio Giarinit, me titull: “Rreziqet e sigurisë”. Profesori i shquar, që ka mbaruar studimet në Shtetet e Bashkuara, në Universitetin Austin, jep disa mesazhe të qarta se si duhen përballuar rreziqet, në një ekonomi të re shërbimi. Libri do të më vlejë shumë për studimin tim: “Shqipëria dhe Evropa: perspektiva të integrimit”. Më pëlqen kur spjegon profesori, pasi i ka frazat shumë të qarta dhe jep shembuj konkretë e domethënës. Është ndër të tjera sekretar i përgjithshëm nderi i Lëvizjes Federaliste Europiane dhe anëtar i Klubit të Romës…Dhjetor 1992. Në kohën kur shoqëria dhe morali shqiptar kalonin një periudhë tranzicioni drejt ekonomisë së tregut, në Tiranë, por edhe në qytete të tjerë, dyqanet e artikujve të luksit, të importuar, afishonin me gërma të mëdha reklamat për “Koka-Kolën”, “Marlboron”, si dhe reklama për ndërmarrjet që prodhonin kostume popullore. Në gazeta shihet të flitet për ndërmarrje private të ndërtimit që ndërtojnë hotele, objekte tregtare etj. Mentaliteti ka evoluar në Shqipëri. Vete shqiptarët e kanë parë nevojën e “informacionit publicitar”, si dhe në gjithë Europën. Lindi dhe një treg publicitar që as ekzistonte më parë. Cdo ekonomi tregu ka një industri të rëndësishme reklamash. Një bashkëpunim mbi baza të shëndosha me agjencitë perendimore të reklamës do të jepte mundësi të gjenden dhe rrugë të tjera të mundëshme për të tërhequr klientelën…. Sipas dokumentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERD) “Strategy for Albania”, BERD po kryen tani veprimtari konkrete të privatizimit dhe të ristrukturimit në dy sektorë kyçe: kromin dhe turizmin që me sa duket do të luajnë një rol model për transakcionet e ardhshme në industritë kryesore. Janë vënë re disa përparime të rëndësishme në vendosjen e një kuadri ligjor për zhvillimin e sektorit privat. Janë miratuar një numër ligjesh nga ana e Parlamentit shqiptar. Fushat që mbulon legjislacioni janë: ndërmarrjet shtetërore, falimentimet, përparësia e zhvillimit ¨të zonave turistike, liberalizimi i çmimeve dhe i tarifave, investimet e huaja, ndërmarrjet private.

Në shënimet e mia të viteve 90-të, gjej edhe këto fraza : Megjithatë, kapitali kombëtar është jo vetëm i pamjaftueshëm por edhe i ndarë keq. Në veçanti, një pjesë e rëndësishme ndodhet akoma në duart e ish nomenklaturës që përfitoi nga mungesa e legjislacionit përkatës, për të akaparuar pasuritë e popullit. Dhënia e pronësisë kësaj kategorie njerëzish nuk është e pranuar tanimë as nga populli, as nga qeveria e re demokratike. Duhet theksuar se një nga faktorët negativë që pengojnë fluksin e kapitaleve të huaja në Shqipëri është fakti se gjatë më tepër se 45 viteve, investimet e huaja nuk lejoheshin në vend. Domethënë ky është një faktor politik. Ka më tepër se një vit që tensionet shoqërore dhe pastabiliteti politik ishin gjithashtu në disfavor të investimeve të huaja. Tani nuk ka më tensione sociale të dukshme, por pranë kufijve të Shqipërisë, sidomos në Veri të saj, në ish-Jugosllavi, gjendja është e acaruar. Topat dhe lufta në Bosnjë –Herzegovinë nuk shkatërrojnë vetëm Sarajevën, por ushëtima e tyre godet edhe projektet e investimit në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë…Janar 1997. Napolon Roshi nga Ljubljana më dërgon me një dedikim librin e tij “Terminologji, ngjarje, organizata, Personalitete shqiptare dhe botërore”. Në të ndër të tjera ai shkruan” Shokut tim të paharruar, Alfred Papuçiu, me respekt dhe dashuri, Ljubljanë, 21.01.1997”. Më kujtohet se kur u botua libri im, vite më parë, për “eurokomunizmin”, pra për  ish të vetëquajturin « komunizëm europian », nëse më lejohet ta cilësoj kështu,  Napoloni i paharruar, më përshëndeti përzemërsisht dhe në faqet e gazetës “Bashkimi”, si dhe në “Drita”. Në atë kohë, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” ishte Hamit Boriçi, gazetar i shquar, profesor në gazetari dhe kryeredaktori i Fjalorit enciklopedik “Gazetarë dhe Publiçistë shqiptarë”. Ai bashkë me Napolonin na kishte si bashkëpunëtorë të rregullt të faqes së katërt të gazetës, bashkë me analistin dhe gazetarin Shaban Murati, si dhe gazetarin dhe kompozitorin e ndjerë, Kastriot Gjinin. Për librin “Eurokomunizmi” citimi doli rregullisht për 3 javë rresht. Pastaj, papritur një heshtje. Më thanë se libri ishte hequr nga qarkullimi (ndërkohë ishte shpërndarë një pjesë e mirë e tij), pasi siç duket E.H. (që kisha qënë i detyruar ta përmendja në libër) nuk e kishte përdorur deri atëhere akoma termin “eurokomunizëm” në fjalimet e tij. Megjithatë, libri u pëlqye dhe ishte një punë e gjatë e skedimeve dhe analizave të mija lidhur me “eurokomunizmin”, figurat e tij kryesore, Marshenë në Francë, Kariljon në Spanjë dhe Berlinguerin në Itali. Libri përmbante sidomos fakte nga jeta e këtyre “eurokomunistëve” apo manjatëve të tjerë “eurokomunistë” që shpesh mendonin për interesat e tyre vetiake dhe aspak për popujt e tyre…

…Miqtë e tillë të mi më kujtojnë gjithmonë thënien e “Kathleen Partridge” që shkruante për “Miqësinë”: “Miqtë e vjetër janë si këpucët e vjetra, ne kemi kaluar sëbashku shumë rrugë. Le t’i njohin ata përpjekjet tona dhe të ndajnë frikat tona më sekrete. Ata kanë ecur me ne dhe ne i kemi pritur, kur ne shpresonim për ditë më të mira, si në shqetësim apo në lavdi, të varfër si Xhobi, krenar si një mbret, dhe megjithëse për arsye të ndryshme, këpucët grisen dhe miqësia shteron, ne humbim një pjesë të jetës sonë, pas çdo zënke me një mik”.

Sot një mik, diku në Zvicrën romande, më dërgoi një mesazh elektronik që më emocionoi : « Jam shumë i gëzuar që je me shëndet mirë, familjarisht. Me moral të fortë kapërcehen të gjitha vështirësitë. Ai shkrimtari i madh shqiptar që u largua para kohe nga kjo jetë, thoshte gjithmonë : ‘Njeriu i madh është ai që rrëzohet 1000 herë dhe ngrihet për të 1001-tën herë. Ne po përgatisim numrin jubilar të revistës për 600 vjetorin e lindjes së Skënderbeut. Po përgatisim edhe koncertin në Viktoria Hall në Gjenevë dhe i propozova dje botuesit ta përkthesh ti dhe të bëhesh patjetër bashkëpunëtor i kësaj reviste që botohet dhe shpërndahet në Zvicër, në shqip, frëngjisht dhe gjermanisht. Bashkëngjitur me këtë shkrim po të dërgoj edhe dosjen e punës së koncertit, për të parë se ku kemi shkuar me punët… »

Njeriu është i ndërgjegjëshëm për pavetëdijen e tij. A mund të pritet që fëmijët tanë të mendojnë një ditë se kanë ardhur në jetë në sajë tonë ? Natyrisht këtë duhet ta meritosh, duke gëzuar respektin e tyre, duke ju qëndruar afër atyre, duke i ndihmuar në rravat e tyre të jetës, pa u imponuar diçka, duke u treguar për paraardhësit, kombin, kulturën, me dëshirën që ata të gëzojnë një jetë më të mirë, në paqe, në harmoni me fqinjin, me shokun, me bashkëkombasin, në Europë… Në këto çaste mendoj: Shqipëria me kanalizimin e të hollave për investime në vend, do të mundë shumë shpejt të kthehet në një vend të begatë me standarte europiane dhe shumica e tyre që rropaten rrugëve të Europës do të kthehen një ditë në tokën amtare. Shqipëria ka një bregdet të bukur, tokën pjellore, minerale. I duhet vetëm të zhvillojë industrinë ushqimore, turizmin, shërbimet, dhe të krijojë lehtësira për investitorët e huaj seriozë, të krijojë infrastrukturën e përshtatshme në këtë drejtim. Mundësitë janë të shumta. Shumë shqiptarë shkojnë e studjojnë tani në universitetet më të mira të botës, për biznes, marketing apo probleme që kanë të bëjnë me ecurinë sociale, ekonomike të Shqipërisë. Por ata duhet të ofrohen që të japin ndihmesën e tyre për vendin. Vetëm kështu mund të ecet dhe t’i jepet rrugë përparimit të vendit. A nuk duhet marrë shembull nga një vend i vogël si Zvicra, gjë që e kanë ëndërruar të parët tanë, Rilindasit. Gjithçka që është realizuar dhe realizohet nga zviceranët vjen nga puna, mundi i tyre. Po të shkosh në muzeun “Alimentarium” në Vevei, merr vesh se zviceranët vite më parë hanin vetëm bukë të zezë, nuk kishin mundësi të hanin mish. Vetëm në sajë të progresit të vendit, të investimit nga ana e banorëve që e përbëjnë Zvicrën, në sajë të marrëdhënieve të shkëlqyera me fqinjët europianë por edhe me vende të tjera të botës, zviceranët kanë arritur një stad zhvillimi të përkryer. Një vend me katër gjuhë e kultura, me temperamente të ndryshme, por kur vjen puna për çështjen kombëtare, të gjithë janë në unison. Unë nuk jam dakord me ata nihilistë e keqdashës që thonë se Shqipëria nuk mund të përparojë, po nuk u bënë ndryshime në mentalitetin e njerëzve. Nuk jam dakord edhe me shprehjen e atij profesori, apo me nofkën që ndoshta ja kanë vënë padashje, se është më mirë të jesh lopë në Zvicër. Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli Xoxi. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fierin prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur.

Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar Tuni. Shpesh pyes edhe nënën si dhe motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë.

Historia e Europës, e lidhur me atë të vendit tim, Shqipërisë, më tërheq së tepërmi. Kam edhe unë argumenta për t’i bindur bashkëbiseduesit për praninë e Shqipërisë edhe « de jure » në Europë. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë « orthodokse », duke u ndarë nga Roma, dhe megjithëse Reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime : mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo ndihmë që ju dha italianëve gjatë « kapitullimit » të Italisë që u strehuan tek vatrat e shqiptarëve të thjeshtë. E njëjta gjë u bë edhe me hebrejtë e shumtë që gjetën strehë në Shqipëri. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe vendet e Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Evropë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.
2006


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  •  
  •  
  •  
  •