Dashamirësia e shkrimtarit, gazetarit, publiçistit, Tuni Papuçiu
| Saturday, 07.04.2009, 10:31 AM |  

23 Mars 2008 - ..Ai u largua nga kjo botë shumë shpejt, në qershor të vitit 1975 në moshën 53 vjeçare. Në Shkodër, midis miqsh e dashamirës që i donte dhe e donin. Iku, megjithëse të dashurit e tij do të donin ta kishin shumë më tepër pranë tyre, për të dëgjuar zërin e tij melodioz që i jepte jetë darkave midis miqsh, dasmave të të afërmve, gëzimit të afrimit të një Viti të Ri midis komshinjve. Shpesh thoshte midis miqsh: “Nuk i dua ata që flasin keq për të tjerët, sepse më duket se u mungon dashamirësia, zgjuarsia dhe mirëkuptimi”…Mendoj gjithmonë për babanë aq modest, me karakter dhe me atë buzëqeshjen e tij karakteristike që i dilte nga shpirti.

Më kujtohet se ishte i pashëm, me ato flokët e gjata që shpesh i drejtonte prapa. Dhe pyes veten, pse ishte aq i bukur me pamjen e tij engjëllore? Kur ishte 30 vjeç, apo pesëdhjetë e dy, apo pesëmbëdhjetë vjeç, kur shoh fotografitë e fëmijërisë së tij. Kjo pyetje vlen për të gjithë bijtë e baballarëve dhe në fakt ne nuk i dimë të gjitha të fshehtat e tyre.

E pëlqente natyrën, lulet dhe sidomos manjolat, qëndronte shpesh për të parë horizontin dhe buzëqeshte. Ishte besnik ndaj vetes, i qartë në mendimet dhe logjikën e tij. Pranonte mendimet e kundërta, pa dashur t’i «vrasë» bashkëbiseduesit, gjithmonë me dëshirën e mirë, politesën, drejtësinë. Nuk i gjykonte dashakeqët e paktë, nuk i përçmonte, por i linte të gjykonin vetë dhe të ktheheshin në rrugë të drejtë: kjo dhunti dua të jetë edhe e jotja mik, e jona, përjetësisht midis nesh…

Ai lindi në Fier. I ati kishte 5 vajza, ishte arsimdashës dhe duke njohur inteligjencën e të birit që në moshën dhjetë vjeç e çoi në Tiranë për studime, pasi Fieri, vendlindja e tij, në ato vite kishte vetëm shkollë fillore. Tuni pothuajse u rrit në Tiranë. I kreu studimet me shpenzimet e të jatit i cili shpesh shkonte e shihte për të ndjekur ecurinë e tij. Shpesh me bujarinë që e karakterizonte ndihmonte edhe shokët konviktorë të të birit. Siç tregon e motra e Tunit, Pandora: “Në familje shpërthente gëzimi i madh kur Tuni kthehej në pushime pranë nesh. Me vete gjithnjë do të sillte libra, ato vepra të pakta origjinale dhe përkthime që botoheshin në atë kohë.

Kështuqë në shtëpinë tone u krijua një bibliotekë e pasur për kohën, e cila na dha mundësi të lexonim. Fillimisht në netët e gjata të dimrit mblidheshim rreth vatrës dhe ne më të vegjëlve na I lexonte motra e dytë, e treat nga fëmijët Ksanthipi…Megjithëse Tuni u rrit me të gjitha të mirat nga prindërit, ai nuk e shpërdoroi asnjëherë përkujdesjen e tyre, përkundrazi, ai qe gjer në fund të jetës njeri shumë i dhemsur për familjen e vet, për prindërit, për motrat dhe kjo sjellje e bëri shumë të dashur jo vetëm për të afërmit e tij, por edhe për miqtë e shokët…

Në librin e tij patrioti Tafil Boletini, nga Kosova, i afërm i Isa Boletinit dhe mikut tim profesor Enis Boletinit, Nysretit, ndër të tjera shkruan për kohën që ishte prefekt në Fier: “ Si çështje kryesore e me qejf, në qendër të vëmendjes kisha ngrehjen e lagjes “Liri ” (Bishanak). Dhe tue pas se akulli u thye dhe ngrehjen e shpijave populli e ka marr me zell, gati çdo ditë me plan në dorë shkojsha për me i tregue parcelat e me iu nda troje. Por u prekën shumë. Bejlerët e Fierit, veçanërisht nga leja që iu dhashë Vangjel Lulës me hap dyqan e furrë pranë shpisë dhe Peçi Papuçiut me hapë dyqan këpucarie në Bishanak, sepse kjo gja damtonte monopolin e tregut të tyne dhe populli dita më ditë shkonte tue u kurajue e po largohej nga influenca e tyre. Populli i Fierit, ndonëse i butë e i dindun, ka pasë edhe asi burrash që nuk iu janë nënshtrue bejlerëve…

Më poshtë Tafil Boletini vazhdon:” Në nji rast me Sami Begun kemi pasë një polemikë të gjatë, bile në prezencë të dr. Musa Delvinës. Në mes të tjerash, me fjalë të ambla, më ceku punën e nji shpije…Pastaj ai vazhdoi : ”Në je burrë, ma thuej sinqerisht e haptazi, pse e me çfarë qëllimi po na damton kaq shumë?. “ Qe, besa, vetëm pse e quej për detyrë njerëzore që edhe populli i Fierit të ketë banimet e veta e mos t’u paguaj gjithmonë qira juve që e keni komplet nji qytet e shumë çifliqe me mijëra hektarë tokë. Kurrgja tjetër ”.

U çudit : « Domethanë, e keni vetëm për të drejtë të perëndisë?” Atëhere unë:”More, Sami Beg, çfarë interesi mund të kem prej Peçi Papuçiut që s’ka për veti, apo prej Vangjel Lules, që furrë e dyqan i ka ba me ndihmën e Taq Bozos e të Nazmi Skëndulit e të Elmaz efendi Poces? Të isha i interesit edhe ju do të më kishit kuptue deri tash”.
Në Historikun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të Fierit, i hartuar në vitin 1975, ndër të tjera shkruhet në faqen 148: „….Në zjarrin e kësaj lufte kundër armikut, të rinjtë fierakë si Abaz Kondi, Tuni Papuçiu, Ndreu Dema, Milika Budo, etj., punojnë duke grumbulluar informata e materiale për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke shpërndarë trakte e duke marrë pjesë në aksione luftarake kundër armikut“. Familja e Tunit dhe gjithë fisi ishin të lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dy nga dera e Papuçinjve, Miço dhe Loni Papuçiu ranë dëshmorë. Në radhët partizane ishte dhe një nga motrat e tij, Olimbia, atëhere vetëm 16-të vjeçare. Vetë Tuni u formua si gazetar gjatë Luftës kur nxorri në Sevaster të Vlorës, bashkë Jakov Xoxën e paharruar « Përpjekjen e Rinisë ». Pastaj, gazetari në moshë të re, 22 vjeçar, u bë kryeredaktori i parë i « Sportit » dhe më 1946, bashkë me Anton Mazrekun mbushën faqet e gazetës me njoftime tepër domethënëse për solidaritetin e sportistëve tanë që arritën të zinin vendin e parë në Ballkaniadë. Gazetari Besnik Dizdari e përmend në botimet e tij si veteran të sportit shqiptar. Nëna më thotë se kur isha fare i vogël, babai më merrte me vete tek studio e stadiumit « Qemal Stafa » ku shoku i tij Andoni transmetonte ndeshjet e futbollit dhe Tuni përgatiste kronikat për gazetën.

Më tej punoi 12 vjet natën në gazetë, më tepër si i « freskët », ku humbi dhe njerin sy, por me karakter gazmor dhe shokët e tij që rrojnë akoma kujtojnë me nostalgji ato mbrëmje madhështore të viteve 50-të, ku Tuni këndonte këngë të trevës së tij. Në Institutin e Folklorit dorëzoi një fletore të madhe me të gjitha këngët myzeqare, që i këndonte vetë aq bukur. Deri sa vdiq, organizoi lexime letrare duke shkuar tek lexuesit, bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, realizoi botime të vetat dhe të miqve të tij, afroi rreth vetes autorë që ishin të shquar apo që shpejt u bënë të shquar. Shkrimtar por mbi të gjitha njeri dhe qytetar, i tillë që portreti i tij mbetet mallëngjyes, pasqyrë e epokës që jetoi.

Punoi gjithë jetën me modesti, pa u qarë për meskinitetet që ju desh të përballojë nga një pakicë keqdashësish e arrivistësh. Ishte më i fortë se vuajtja, më i fortë se varfëria, i thjeshtë, këndonte ashtu pak melankolik nga hallet e jetës, por pranonte i lumtur jetën siç ishte, i lirë, i pavarur, besnik i shoqërisë dhe i të afërmve që i donte aq shumë. Mbi të gjitha ishte i ndershëm dhe krenar dhe ashtu mbeti deri në fund të jetës së tij të shkurtër. Për 17 vjet rresht, nga 1959 deri sa vdiq në fillim të qershorit 1975, fillimisht vetëm, pastaj me një kolektiv tepër të vogël, nxorri revistën « Fatosi ». Faqet e « Fatosit » ishin të mbushura me vizatime e ilustrime të piktorëve të rinj që hapat e para i kanë nisur ndoshta tek kjo revistë që botohej në fillimet e veta nga i vetmi redaktor përgjegjës, Tuni.

Revista kishte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, nxënës por edhe shkrimtarë të dëgjuar që Tuni i afroi rreth vetes. Sa here shkonte tek Safo Marko për të krijuar një ilustrim të bukur që t’i joshte fëmijët. Aty qëndronte dhe bisedonte edhe me Petro Markon e madh që kishte një shpirt të pastër por që mbeti « një rebel », krenar që nuk i pranonte meskinitetet dhe njerëzit e ngushtë.

Shtëpia e Petro Markos pranë maternitetit ishte e mbushur me pikturat e bukura të piktores së shquar, gruas së tij Safos, e cila bashkë me piktorin e merituar Agim Faja kishin prioritetin në revistën « Fatosi ». Ai ofroi rreth saj pena të njohura që i dhanë hov letërsisë për fëmijë, Dritëro Agollin, Petro Markon, Kolë Jakovën, Bedri Deden, Odhise Grillon, Nasho Jorgaqin, Xhevat Beqaraj, Lajde Stakun, Shpresa Vreton, Skënder Drinin etj. Ai ka pasur temperament të gjallë. Mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, por pas çlirimit deri në fund të jetës së tij, i shërbeu atdheut në publiçistikë. Alfred Uçi e ka cilësuar Tunin si « njeri të pazëvendësueshëm ». Ishte idealist dhe besonte se një ditë do të fitonte e drejta, mirësia, solidariteti, do të zhdukeshin meskinët dhe do të ravijëzoheshin karakteristikat e bukura të shqiptarëve në shekuj. Te revista « Fatosi » ai shpalosi sërish talentin e vet. Piktori i merituar Agim Faja e ka cilësuar Tunin si njeri me zemër të madhe dhe shpirt fisnik. Tuni Papuçiu ishte edhe shpirti i festivaleve kombëtare te këngës për fëmijë ne Shkodër, ku laureohej çdo vit me çmimin e parë të nderit, bashkë me kompozitorët Cesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, etj.

Tuni i përket elitës së publicistëve. Ai shkroi gjatë jetës së tij të shkurtër me qindra artikuj publiçistikë, për sportin shqiptar, profesonin e gazetarit, edukimin e fëmijëve, problemet sociale, të familjes, të shoqërisë në përgjithësi, pa artifica, ashtu thjeshtë, siç ishte dhe vetë. Me qindra e qindra poezi dhe poema të tij, apo tregime, skeçe për fëmijë, balada, skica u botuan në revistat për fëmijë dhe sidomos tek « Fatosi », si dhe në botime shkollore. Shumë prej tyre akoma nuk e kanë parë dritën e botimit, pasi ai ishte tepër kërkues ndaj vetes, por edhe miqve dhe dashamirësve të tij që u lexonte apo u botonte vjershat apo tregimet e tyre. Sa herë jemi ulur për të punuar mbi bocat e revistës, pothuajse rregullisht për çdo numur, e gjithmonë dashamirët e shtypshkronjës kur shihnin se maketi ishte gati, i bënin vend me kënaqësi për nxjerrjen e saj me prioritet.

Libri i tij « Një sirtar i veçantë » që u botua nën kujdesin e Pandora Dedes është një tregues i punës së tij të vyer ku ai çdo njerit i kthente përgjigje dashamirëse, për të bërë ndonjë korrigjim të duhur në shkrimin që i kishte dërguar revistës. Letërkëmbimet me miqtë e tij të përhershëm piktorë e shkrimtarë, me Agimin, Lajden, Skënderin, e shumë e shumë të tjerë që i ruaj në arkivin familjar, mbeten një shembull i dashurisë së tij për artin e letrarët, shkrimtarët qofshin këta të çdo moshe. Jo më kot, kolegu i tij i dikurshëm i revistës Llambi Blido e cilësoi në një shkrim përkujtimor për të "njeriu-redaksi".

Ishte observues i shoqërisë shqiptare, i pëlqente shoqëria e pastër, u shmangej karrieristëve dhe arrivistëve, nuk shante kurrë. Ai ishte pasqyra e mirësisë. Gjithçka e motivonte dhe e bënte për të mirën e atdheut të vet, të njerëzve të thjeshtë.Të afërmit dhe dashamirët e tij do ta kujtojnë si njeriun e çiltër, me karakter, që të bënte për vete me zërin e tij kur kishte një gëzim në familje apo shoqëri, por që shprehte edhe keqardhjen e tij të thellë për fatkeqësinë e një miku apo të njohuri, që u ndodhej pranë, me mish e me shpirt, për të kaluar dhembjen sëbashku. Sa herë, bashkëqytetarë e fshatarë të krahinës së tij vinin në Tiranë, për t'i ndihmuar Tuni i thjeshtë për një hall, për të takuar një mjek të mirë, për të treguar kujdesin e duhur, për t'i ndihmuar fëmijët që të shkolloheshin, duke njohur zemrën e tij të madhe, shpirtin e tij të dhimshëm, gjerësinë e tij, megjithëse e dinin se ishte vetëm një punonjës i zakonshëm i një reviste për fëmijë. Dhe ai me sa kishte mundësi i ndihmonte sikur të ishin njerëzit e familjes së tij.

Pa kërkuar si shkëmbim ndonjë favor apo privilegj për vete apo familjen e tij. E vetmja gjë që më kujtohet, kur vdiq babai erdhën për ngushëllim shumë e shumë njerëz që nuk i njihja por që me fjalë të thjeshta shprehnin mirënjohjen për të. Një tipograf i mallëngjyer ao ditë më tregoi se Tuni kishte retushuar bashkë me të me mijra kopje të revistës së fëmijëve, gabimin që ky tipograf kish kaluar pa dashje, që të mos paguante një shumë të madhe si çdëmtim. Tuni ishte i përkryer. I kthehej shpesh shkrimeve dhe poezive të tij. Mbaj në kujtesë bisedat e babait me akademikun Mahir Domi, për gjuhën e pastër shqipe që donte të përdorte në « Fatosi ». Profesor Mahiri ishte komshiu ynë më i afërt. Shpesh prof. Mahiri i madh dhe tepër i urtë dhe modest, merrte « Fatosin » dhe e lexonte me kujdes. Kopjet e para të revistës, sa dilnin nga shtypshkronja i jepeshin atij për Etlevën dhe Benin, fëmijët e tij që çdo darkë vinin e qëndronin tek ne për ta lënë sadopak të qetë të punonte për librat e tij të gjuhësisë profesorin e shquar Mahir Domi, fjalëpakë që jetonte vetëm në një dy dhoma e guzhinë. «Poema për Vedihanë », shoqen e Prof. Mahirit është një hymn që im atë ka shkruar për atë grua nikoqire nga Delvina, që kujdesej aq mire për fëmijët dhe burrin e saj professor që nuk shkëputej kurrë nga librat.

E kishte pasion gjenealogjinë dhe shpesh i rikthehem atij blloku ku ka shënuar pemën gjenealogjike të familjes sonë të madhe që nga vitet 1700 nga Voskopoja është vendosur në Fier, si edhe shumë familje nga Kosova martire. Papuçinjtë jane ndër të parët të vendosur në Fier. Ishte një nga familjet më të dëgjuara në Fier dhe që përmendet me dashuri e ngrohtësi nga shkrimtari fierak Jakov Xoxa tek romani disa vëllimesh«Lumi i vdekur». Më pas, sipas dëshmive të pleqve të kohës, Loni Xoxa dhe Grigor Dhima, kanë ardhur familje të tjera, si Demajt, Xoxajt, Plakajt, Pogaçajt, Tiçojt, Dhimajt, Verriajt etj. Dalëngadalë Fieri po rritej dhe pas ndërtimit te urës së Gjanicës dhe kishës së Shën Gjergjit, më 1864-n, Fieri u shndërrua në qytet.

Një nga miqtë e tij mendoi pas vdekjes së tij të botonte një libër me tregimet e tij, me titull: « Midis shelgjesh buzë lumit », si kujtim e mirënjohje për të. Në shtypshkronjë, kopjet e para të librit dolën me fotografinë e tij të madhe (të përgatitur nga dashamirët e tij tipografë) dhe të gjithëve u duk se e kishin pranë nesh dhe u përmalluam. Më vonë u botuan edhe vëllimi me tregime, përralla, vjersha e skeçe, mbledhur nga shkrimtari Xhevat Beqaraj dhe botuar nga « Toena».

Me këtë rast atij ju dha një çmim i veçantë pas vdekjes për veprimtarinë e pasur letrare, për vogëlushët që i donte aq shumë dhe që u shkruante tekstet më të arrira në Festivalet e Fëmijëve që organizoheshin në Shkodër. U organizua edhe një mbrëmje përkujtimore për Tunin e paharruar ku folën shumë dashamirës e miq të tij :prof. Alfred Uçit, shkrimtarët Xhevat Beqaraj, Nasho Jorgaqi, Shpresa Vreto, e sa e sa të tjerë. Libri « Një sirtar i veçantë » që u bot ua para tre vitesh është një kujtim i bukur për krijimtarinë e pasur të Tuni Papuçiut. Një rruge në qytetin e Fierit ju vu emri i i tim eti. I paharruar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tij, të mirit, të dashurit, njerëzorit. Mbi varrin e tij shokët vunë mbishkrimin tepër domethënës, nga një vjershë e tij : « E dini pse nëna folenë, në zemër e ka, se bashkë me qumështin e saj, dashurinë për Atdhenë m’a dha ».


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •