Meditim per librin, si një dritare ku shpaloset jeta në Shqiperi, Kosovë e vise dhe në Diasporë
| Saturday, 07.04.2009, 10:33 AM |  

« Shqipja nuk është e ngjashme me ndonjë gjuhë tjetër dhe shqipja e folur për herë të parë vjen nga ilirët, paraardhës të shqiptarëve, mijra vite më parë »- theksohet në një enciklopedi britanike. Shqipja cilësohet si gjuhë indoeuropiane dhe është pjesë e asaj familjeje. Alfabeti shqiptar ka 36 gërma. Të gjitha gërmat janë si alfabeti latin, përveç « ç » dhe « ë ». Gërmat dyshe konsiderohen si një e vetme, për shembull th, dh, ll, gj, e të tjera por gjithsej janë 36. Anglishtja gjuha më e folur sot në botë ka disa ndryshime midis asaj që flitet në djepin e gjuhës në Britaninë e Madhe, me atë amerikane, por të dyja kanë 26 gërma. Edhe alfabeti frëng përbëhet nga 26 gërma dhe gjatë një pune mbi 40-të vjeçare, përveç të tjerave në lëmin e bukur, por tepër të vështirë me librin, përkthimet, tregimet, meditimet, të kthyera edhe në këto gjuhë, shpesh për shkak të mosdijenisë së një termi, që i përkiste dendrologjisëose iktiologjisë, më është dashur të shfletoj libra dhe fjalorë në disa gjuhë, për të gjetur fjalën e përshtatshme në shqip. Shpesh e kam pasur më të lehtë, pasi, shqipja duke më dhënë mundësinë të kem dhjetë gërma më tepër prej saj, fjala në gjuhën amtare ka dalë me shqiptim dhe kuptim të saktë. Jo pa qëllim, miku im i mirë dhe njohës i gjuhës dhe historisë shqipe, Gjergji, burrë me mustaqe, më dërgonte para disa kohësh mesazhin e mëposhtëm : « Gaius Plinius Secundus », i njohur si Plini Plaku (23-79 e.s.-para Erës sonë), natyralist romak që njihet botërisht, botoi në vitin 77 e.s., serinë madhështore prej 37-të vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar : »Natularis Historia ». Ai shkruan, ndër të tjera, në vëllimin e shtatë të veprës së tij madhore : « Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët ».

As nuk kam pretendim të vihem njësh me gjuhëtarët tanë të shquar që i kanë dhënë shqipes vendin që meriton në historinë e shkrimit botëror, si me Eqrem Cabej, Mahir Domi erudit, i pastër nga shpirti dhe zemërgjerë, Shaban Demiraj, si edhe me albanologë të përkushtuar të gjuhës sonë të lashtë që sa vjen e shtohen në numër. Gjenia e gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet kërkuar në radhë të parë në traditën e bukur gojore, brez pas brezi, sidomos tek Arbëreshët, Arbanasit etj. Proverbat e vjetra përbëjnë në vetvete, një traktat të fjalëve shqipe, të trashëguara brez pas brezi…Nuk kam qëllim në këtë shkrim t’i kundërvihem studimeve tepër të diskutueshme që shkojnë për hosh metodat dhe argumentat e biologëve të evolucionit. Kam respekt të veçantë për gjuhën dhe kombin e atij vendi të Ballkanit që ka pritur në gjirin e vet dhjetra mijra shqiptarë, sidomos pas barbarisë serbomadhe, ashtu siç kam respekt dhe mirënjohje për të gjithë kombet që përbëjnë Ballkanin, Europën dhe më tej që kanë pritur në tokën e tyre, qysh në kohën e lashta e në ditët tona, shqiptarë, arbëreshë, arvanitas, arbanas që u detyruan të largohen nga toka mëmë, e lashtë, për një jetë më të mirë, si rezultat i pushtimeve të huaja, apo e transzicionit të vendit drejt demokracisë. Por desha të theksoj se në krahasim edhe me dy dekada më parë, nga pikëpamja e informacionit, nga ana e gjuhëtarëve të « paguar » enkas nga përfaqësues gjuhësh që ose e kanë humbur hapësirën e tyre për shkak të migrimeve, asimilimit të bashkëkombasve të tyre në kombet e tjerë ku janë vendosur, apo edhe të papaguar por të përkushtuar, janë shfaqur një numër i madh konceptesh, teorish dhe referencash të reja. Linguistika nuk e ka më atë rol si shkencë kryesore që mund të përdorej nga shtete të mëdhenj për të bindur përfaqësuesit e kombeve më të vegjël, se përkatësia e tyre mbetet vetëm tek gjashtë gjuhët e përdorura në Kombet e Bashkuara, apo edhe në konferenca shkencore për probleme të mjekësisë, sëmundjeve gjenetike, shkencës, letërsisë, artit etj. Kam marrë pjesë gjatë 25 viteve të fundit në shumë konferenca ndërkombëtare dhe kam vënë re se konkurenca është e ashpër, si për botimet që shpërndahen aty, ashtu edhe në përkthimet direkte (simultane). Natyrisht, shpesh i lihet vend edhe gjuhës së vendit mikpritës, psh në Dubai, në konferencën e dhjetë ndërkombëtare për Talaseminë nga 7-10 janar 2006, gjuha e përkthyer në mënyrë të njëkohshme ishte në arabisht, anglisht, por edhe greqisht, pasi organizuesi kryesor ishte Federata Ndërkombëtare e Talasemisë (TIF). Në konferencën e Rhodesit të Greqisë, mbi vendet e Europës Juglindore, gjuha e përkthyer ishte anglisht por edhe frëngjisht. Në konferencën e Bazelit për Mjedisin disa vite më parë, përveç gjashtë gjuhëve të përdorura në Kombet e Bashkuara, ishte dhe gjermanishtja. Francezët, nëpërmjet « Frankofonisë », si edhe përfaqësuesve të tyre diplomatikë, pjesëmarrjes në Panaire ndërkombëtare të Librit kudo, janë më të përparuar në këtë drejtim, pasi gjuha frënge, megjithëse është përdorur nga Molieri, Balzaku, Alfons de Lamartine, Zhan Zhak Ruso, Volteri, Marcel Panjol, Stendali, Aleksandër Dyma, Albert Kamysi, Zhan Pol Sartrë, André Malro, Robert Shumani, Denis de Rougemo, Moris Dryon, Fransua Nurisié, Albert Kohenit, Nikola Buvié, Zhorxh Haldas, Marie-Luce Dayer,  Liliane Perrin, Anne-Lise Thurler, André Clavel, Fransuazë Sagan, Patrik Puavrë D’Arvor e shumë të tjerë të shquar, nuk zë më atë vend që ka pasur gjatë shekullit të kaluar, në fillimet e shekullit të 20-të deri nga vitet 50-të.  Gjuha angleze e Shekspirit, Hemingueit, Xhorxh Uashingtonit, Danielë Still, David Baldacit, Cërçillit, Kenedit, J.K.Rowling e « Hari Poter » , Dan Brown i « Kodi i Da Vinçit » etj., sot zë vendin e parë dhe ka shumë arsye që nuk ezaurohen me këtë artikull…Të drejtë kanë edhe gjermanët, japonezët, portugezët, ballkanasit, duke përfshirë edhe grekët fqinjët tanë, italianët,  por dhe shqiptarët, pasi diaspora shqiptare flet dhe shkruan gjuhën shqipe, por duke respektuar edhe gjuhët e vendeve ku janë vendosur. Shqiptarët në Amerikë e duan librin shqip, bile edhe dy gjuhësh, pasi kështu fëmijët e tyre në vend që të thonë « How are You », të të drejtohen në shqip : « Si jeni », kur u shkon në vizitë në banesat e tyre dhe tek prindërit e tyre mikpritës. Kam kënaqësi të veçantë kur shkoj dhe përsëri do shkoj tek miqtë e mij që prej 25 vitesh si tek Shyqyri Selimaj, Gjyste dhe Gjergj Kalaj, tek Selajt, tek Naqot, Gjini, Zefi, Luani, Eli, Bardhyl Pustina, Bytyqët, Petro Papanikolla, Paparistot, etj.

Le të kthehemi tek tema jonë kyç e këtij shkrimi. Nga data 27 prill deri në 1 maj 2006, Panairi i Librit dhe i shtypi në Palekspo të Gjenevës feston 20 Vjetorin e tij. Ideatori i këtij panairi, botuesi i suksesshëm dhe filantrop, Pierre-Marcel Favre, mik i shkrimtarëve dhe botuesve në botë, por edhe i shqiptarëve, ka dëshirë ta shënojë në historinë e botimeve këtë jubile, me një rekord lexuesish që do vijnë të kalojnë çaste të këndshme aty. Për këtë ai ka menduar një seri veprimtarish të posaçme, për të tërhequr një numër sa më të madh vizitorësh. Kështu lexuesit e lindur në vitin 1986 (20 vjeç tani si edhe nisma e Panairit) dhe gjithë klasat e shkollave të Gjenevës do të hyjnë gratis në të. Nga ana tjetër, agjencia e transportit publik të Gjenevës (TPG) do të vërë gratis autobuzët e saj për vajtjen ne Panair. Një biletë e kombinuar (tren + Panair i Librit dhe shtypit) është propozuar nga Shoqëria e Transportit zviceran të trenave (CFF). Ndërsa fqinjët francezë në rrethinat e Gjenevës nuk do të paguajnë për të parkuar makinat e tyre në parkingun e Palekspo-së.
Pierre Marcel Favre është i martuar dhe ka dy fëmijë. Fillimisht studjoi arkitekturën. Kur kishte vetëm 17 vjeç shkon në udhëtime në shumë vende dhe sidomos në Algjeri, disa muaj pas pavarësisë së atij vendi. Ky udhëtim i lë tepër mbresa kur sheh me sytë e tij, hendekun midis asaj që lexohet dhe thuhet në Europë mbi Afrikën e Veriut dhe realitetin algjerian. Ai e ndjen nevojën që të informojë vetëveten, duke qëndruar në Algjeri lidhur me hartimin siç duhet të historisë bashkëkohore të popujve të tjerë. 18 vjeçar merr patentën e pilotit privat, të cilën e plotëson me një provim të kaluar tek « Suiseri » i atëhershëm, si pilot profesionist, në Zyrih. Kur ishte vetëm 21 vjeç krijon një agjenci grafizmi dhe publiciteti. Hap një nga dy shtypshkronjat e para të « ofsejtit » të shpejtë, para se të paramendojë dhe të botojë librat e tij të parë…Arriti të botonte 850 tituj librash, nga të cilat shiti më tepër se një milion ekzemplarë. Vazhdon të botojë 50 libra në vit, pra më tepër se një vepër në javë. Disa libra të botuar tek shtëpia botuese që mban mbiemrin e tij, janë përkthyer në dhjetra gjuhë të huaja. Autorët e tij vijnë nga e gjithë bota…Në 1987, ai krijon Sallonin e parë Ndërkombëtar të librit dhe të Shtypit në Gjenevë. Pierre-Marcel Favre vazhdon të jetë President dhe Drejtor i këtij manifestimi të madh kulturor në Gjenevë, një nga më të mëdhenjtë në botë me 120.000 vizitorë në vit, ose i bie më tepër se 2 milion vizitorë qysh nga krijimi i tij, në një kohë që në qytete të mëdhenj të botës ku organizohen Sallone Libri nuk ka të njëjtin numër vizitorësh.
Në vitin 1991, me rastin e 700-të Vjetorit të krijimit të Konfederatës Zvicerane, Favre organizon një simpozium me temën « E ardhmja e të shkruarit dhe multilinguizmi ». Në vitin 1992, krijon Sallonin e parë të Studentit dhe të vetëaftësimit dhe Europ’Art, Panairin Ndërkombëtar të Artit, ku paraqesin punimet e tyre shumë galeri nga më tepër se 20 vende…Ka krijuar ndër të tjera Fondacionin për shkrimin. Pierre-Marcel Favre vazhdon të merret përsëri me Panairin e Librit dhe të Shtypit në Gjenevë dhe njëkohësisht organizon edhe ekspozita që vlerësohen shumë për Goya, Salvador Dali, Pikason, Miro, Xhyl Vernin etj. Në 9 qershor 1998, Presidenti francez Zhak Shirak e dekoron me titullin e « Légion d’Honneur » dhe pastaj bëhet edhe « Kalorës i Arteve dhe i Letërsisë ». Këtë vit në Panairin e 20-të që organizon do të ketë një ekspozitë për « Shagallin dhe gratë » dhe i ftuar nderi do jetë Algjeria. Në kuadrin e këtij Salloni të Librit do të jetë edhe tema : « Afrika : njohje dhe mirënjohje. A nuk është një e drejtë si edhe e drejta për historinë ». Si parterë kryesorë të kësaj, janë Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, nëpërmjet Drejtorisë së tij të zhvillimit dhe koperimit, por gjithashtu Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, Instituti Universitar i Studimeve të Zhvillimit (IUED), Bashkimi Ndërkombëtar i Shtypit Frankofon dhe institucione të tjera që kanë si mision të favorizojnë zhvillimin dhe koperimin. Është hera e tretë që Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë që ka në gjirin e saj 63 shtete dhe qeveri në 5 kontinentet, duke përfshirë dhe Shqipërinë, jep një mbështetje të madhe, pasi libri mbetet si një mjet i domosdoshëm për transmetimin e dijeve.
Si pjesëmarrës që nga Panairi i Dytë i librit në 1988 dhe në vazhdimësi, më lejoni të jap disa mendime modeste, duke pasur fatin të botoj këtu disa libra, si dhe të jem jo vetëm lexues por edhe pjesëmarrës aktiv në shtypin vendas, dhe në botimet e organizatave ndërkombëtare me bazë në Gjenevë. Dëshira ime do të ishte që një veprimtari e tillë, ndoshta me përmasa më të vogla, të organizohej edhe në Shqipëri, ku tanimë kanë marrë formë shumë shtëpi botuese të liçensuara, por edhe ato që përdorin shtypshkronjat për botimin e librave dhe vënë, ndoshta gabohem, siglën e tyre si botues. Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë kontribuon, nëpërmjet programeve të ndryshme, për vetëaftësimin e profesionistëve të fushës së botimit që të mësojnë teknikat e reja të multimedias, si dhe për zhvillimin, ndër të tjera, të shoqatave të profesionistëve, si të « Shoqatës ndërkombëtare të librarëve frankofonë » që kanë krijuar edhe dhënien e çmimeve letrare për vlerësimin e gjuhës frënge. Pra edhe vendi ynë, dhe botuesit, duke përfituar nga këto të mira që sjellin organizata të tilla si ONF, por edhe të tjera për gjuhën angleze, gjermane, spanjolle, portugeze, pse jo dhe të gjuhëve të Ballkanit do të kultivojë shijen për librin tek lexuesit shqiptarë. Natyrisht, në këtë drejtim është bërë një punë e lavdërueshme por edhe më tepër mund të bëhet.
Një vend nderi në Panairin e Gjenevës do të zërë edhe libri shqip, me librat që do të na sjellin botuesit tanë. Ata vijnë çdo vit dhe na servirin librat shqip apo edhe të autorëve të huaj. Por akoma nuk e dijmë se kush do të vijë përfundimisht. Presim botimin Enciklopedik « Gazetarë dhe publiçistë shqiptarë », nën kujdesin e profesorit doktorit të gazetarisë, Hamit Boriçi, libra të autorëve tanë të dëgjuar që nuk i gjen në kioskat apo librat e shumtë të përdorur në pazaret e së shtunës, por vetëm në bilbiotekat e bashkëbesëlidhësve shqiptarë dhe miqve zviceranë, apo të organizatave ndërkombëtare, apo në librari dhe biblioteka të pasura si ajo e Pallatit të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku shkoj me kënaqësi dhe kaloj orë të tëra, apo ajo në BIT, OMS…Falë mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane dhe të kantonit të Gjenevës, brezi i ri mëson shqip dhe ka libra shqip, si tek LAPSH, tek UPSH, tek Biblioteka e Kryqit të Kyq të Gjenevës dhe bilbiotekat në lagje. Unë dhe bashkëkombasit e mij e ndjejmë veten shqiptarë, këtu në diasporë, ruajmë rrënjët nga kemi ardhur. Mbaj si gjë të rrallë si edhe disa miq të mij, pemën gjenealogjike të familjes sime, të përgatitur me aq kujdes nga im atë i ndjerë, shkëmbejmë vizita me shqiptarët e ndershëm që janë integruar në Zvicër dhe s’kanë të bëjnë aspak me ata « qoftëlarg » të pakët që deri diku ishin futur në rrugën e drogës, shtyrë nga dëshira për një fitim të shpejtë dhe të pamerituar me punë dhe djersë. Autorët shqiptarë në shqip dhe gjuhë të huaj janë gjithmonë pranë nesh si Fan Noli, Lasgush Poradeci, Marin Barleti, Andon Zako Cajupi që ka studjuar në Gjenevë, Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Jakov Xoxa, Dora d’Istria, Vedat Kokona, Nonda Bulka, Vath Koreshi, Bedri Dedja, Sterjo Spasse, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Xhevahir Spahiu, Naum Prifti,  Basil Shader(zviceran që e njeh shqipen në mënyrë të përkryer), Besnik Mustafaj, Mehmet Elezi,  Xhevat Beqaraj, Odhise Grillo, Tuni Papuçiu, Koli Xoxi, Ylljet Aliçkaj e shumë të tjerë që, për mungesë vendi, të më falin që s’po i përmend. Në këtë drejtim një punë të mirë kanë bërë edhe fondacioni zviceran « Pro Helvetia » dhe ndërmjetësimi i ambasadës zvicerane në Tiranë, për botimin dhe përkthimin e autorëve shqiparë dhe zviceranë.

Çdonjeri nga ne në diasporë në Zvicër, në Europë por edhe deri në Amerikë, jemi krenarë që mbajmë emrin shqiptar dhe kudo që kam shkuar pjesa më e madhe e tyre kanë bërë emër si artistë, mjekë, arkitektë, profesorë, ekonomistë e të profesioneve të tjera, për korrektësinë, punëdashës, familjarë, që ruajnë zakonet e bukura të shqiptarit dhe e duan dhe librin. Pa çka se ndonjë qytetar nga vendet fqinje tonat, për hesapet e veta, ngre anatema kundër shqiptarëve se janë njerëz që nuk e duan librin, se merren me njëmijë e njëqind të zeza, duke harruar se ata janë prekursorë dhe nxitës të  asaj pakice shqiptarësh që bien në prehërin e drogës, prostitucionit, për arsye ekonomike. Pjesa më e madhe dhe e shëndoshë ruajnë identitetin e tyre, gjuhën, zakonet e mira të shqiptarit edhe në diasporë. Prandaj edhe kam sugjeruar disa herë që botuesit tanë të mendojnë edhe për botime dygjuhëshe, shqip frëngjisht dhe shqip anglisht, apo edhe në gjuhë të tjera, duke kultivuar dhe nxitur edhe lexuesin e huaj të blejë libra të autorëve shqiptarë. Unë nuk mund të harroj kurrë letrën e profesorit të nderuar të përkthimit dhe gjuhës frënge, Profesor Vedat Kokonës, i cili kur më dërgoi atëhere librin e tij « Thërrime me mjaltë », shprehte keqardhjen se një pjesë e shqiptarëve, nuk i japin rëndësi gjuhës shqipe dhe përdorin huazime të kota. Të jesh shqiptar dhe të flasësh dhe të shkruash gjuhën shqipe letrare, kudo që ndodhesh në botë, është një respekt për atë komb të lashtë, me figura të ndritura të kombit tonë.

Arkitekti me origjinë shqiptare nga Puka, Franco Marussich ka një Bibliotekë shumë të pasur. Ai e plotëson atë çdo vit me libra të rinj të blerë edhe në Salonin vjetor të Librit dhe të shtypit në Palekspo në Gjenevë. Aty gjen edhe fjalorin frengjisht-shqip, nje fjalorth italisht-shqip dhe shqip-italisht, botime per "albanasit" e Kroacise, per Zaren, per historine e shqiptareve, te Ballkanit, te Shqiperise, si edhe relike nga Zara, ku shqiptaret kane fshatin e tyre me emrin "Arbanasi", kishën, korin e tyre dhe ku rruget mbajne emrat e paraardhesve te Frankos. Ai eshte kembengules per te arritur dicka, pasi thote jam si malesoret shqiptare, pak kokeforte, por dua qe gjithcka te jete e persosur...Diku, ne shenimet e tij, ka shkruar ne frengjisht: "Mon père était de langue maternelle albanaise" (Babai im gjuhen amtare e kishte shqipen)... Pikerisht nisur nga keto shenime, fillova punen time hulumtuese, gjeta shume te dhena historike per Maruket e lashte dhe se fundi e shtyva mikun tim, duke i drejtuar shume pyetje, duke i marre ore te çmuara te punes se tij admiruese si arkikekt qe kerkohet kudo, te me flase per shqiptaret qe kane vendin e tyre te nderuar ne bregun Dalmat.

Flamuri ka menduar ta kthejë restorantin e tij në një mjedis kulturor, si edhe « Cajupi » tek Universiteti Popullor shqiptar. Pra bashkëatdhetarë dhe zviceranë, apo edhe të kombeve të tjerë në Gjenevën multietnike do kenë mundësi të shfletojnë dhe lexojnë edhe librat shqip, fjalorët disa gjuhësh, krahas shtypit ditor nga Shqipëria dhe Kosova, apo edhe shtypit zviceran. Është menduar të organizohen edhe mbasdite letrare me letrarë të rinj shqiptarë apo edhe shkrimtarë zviceranë, ekspozita pikture dhe shfaqje me pjesëmarrjen e artistëve tanë.

Ky shkrim i sotëm, është bashkëbisedim me bashkëkombasit e mi në Shqipëri dhe në diasporë. Sidomos pas dëshirës së shprehur këto ditë, nga ana e miqve të mi të mirë, të mbledhur tek « Çajupi » , në mjediset e Universitetit Popullor Shqiptar, ku të pret bashkëbesëlidhësit Meriton dhe Tomori, me gatimet tipike shqiptare, por edhe të jep mundësi të lexosh në bibliotekën e pasur librat e mbledhur prej tij vite me radhë, shqip dhe në gjuhë të huaj. Ky mjedis, kohët e fundit është kthyer në një tribunë e librit shqip ku autorë shqiptarë paraqesin botimet e tyre, por edhe nga miqtë zviceranë që shkruajnë për shqiptarët dhe zakonet e mira të tyre, si mikpritja, besa, integrimi, shpirti i pasur, burrëria etj. Ai është bashkëbisedim me Xhevdetin, Zejnullahin, Milazimin, Mevlanin, Ragipin, Arefinë, Ulviun e shumë të tjerë. Edhe me atë bashkëbesëlidhësin që pret libra nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia në shqip për fëmijët e tij. Libri është një përçues dijesh edhe tek shqiptarët, edhe pse disa prej tyre, i japin përparësi blerjes së një makine të shtrenjtë dhe nuk u shkon dora tek xhepi shumë për të blerë një libër në Panairin e Librit në Palekspo të Gjenevës. Në këtë drejtim lindin disa probleme që duhen zgjidhur me maturi, edhe në Tiranë, sidomos me botuesit tanë të përkushtuar, por që shpesh harrojnë se konkurrenca është tepër e fortë edhe në fushën e botimit dhe të shpërndarjes së librave. Konkretisht :

-    nëse botuesja e « Metropolis » në Gjenevë, apo « Acte Sud », « Albin Michel » në Francë, apo shtëpi të tjera me tepër prestigj në Amerikë, Gjermani, Britani e Madhe, Brazil e gjetiu, i propozon një shkrimtari botimin e një libri të tij, ajo jo vetëm që nuk u kërkon të holla shkrimtarëve për librin që do botojë, por botuesja i jep të holla atij nga fitimet që nxirren nga botimi i librit. Po nuk u kuptua kjo nga botuesit shqiptarë qofshin këta « të vegjël » apo « edhe të mëdhenj », libri shqip nuk do shpërndahet si duhet dhe atje ku duhet. Një botues që merr paratë për botimin e një libri pa dalë ai akoma nga shtypshkronja dhe kur e boton, as nuk e shpie në një librari të vetme në Tiranë apo gjetiu, nëse nuk ka kontroll ndaj tij për të drejtën e autorit, s’ka si të ecë puna e librit. Çuditërisht, me daljen e Internetit, shumë gjëra merren vesh edhe nga shkrimtarët shqiptarë, se sa shitet libri i tij, diku në një librari në Francë, apo Zvicër, sa ekzemplarë ka kërkuar një ambasadë e huaj në Tiranë, kur flitet për vendin e vet dhe bashkëkombasit e vet, sa franga apo euro e propozon një ent shitës, pasi është lidhur drejtpërdrejt me botuesin, pa marrë pëlqimin paraprak të shkrimtarit, publiçistit…
-    Çmimet e librave shqip dhe në gjuhë të huaj, tek Panairi i Librit në Palekspo duhet të jenë më të ulta, se ato të bashkëbotuesve nga vende si Zvicra, Franca, Britania e Madhe, Gjermania e gjetiu, si për cilësinë, por edhe duke pasur parasysh konkurrencën e madhe që vihet re në botimet në botë. Libra shumë të mirë aty shiten shpesh sa gjysma e çmimit të librave të propozuar nga botuesit shqiptarë. E kuptojmë se është edhe çështja e kostos, e rrugës deri në Gjenevë, e stendës. Por një gjest me dëshirë investimi të mëpastajm, do të bëjë që një numër më i madh shqiptarësh por edhe miqsh tanë të blejnë libra shqip.

Shqiptarëve nuk u duhen më libra ku i thuren lavde « unit » dhe diktaturës « popullore » në stendat e panairit, por libra për mikpritjen shqiptare, zakonet tona të mira, burrërinë, mirënjohjen, për politikën e jashtme të Shqipërisë, për Europën dhe Ballkanin…Nëpërmjet librit mund t’i përgjigjesh edhe atij që « të vret këngën » që të cënon pa shkak, që hedh vrer, apo që është cmirëzi…Të mos harrojmë se edhe ai mësuesi në fshat, edhe në kohë të shkuar, në vend që të përfundonte në një pijanec, lexonte libra dhe mësonte gjuhë të huaj, edhe në atë dhomën e ftohtë. Prandaj një media që nuk kultivon një lidhje të ngushtë me lexuesin, është një media që nuk e ka jetën të gjatë, dhe sidomos kjo në kushtet e Shqipërisë, një vend i vogël, me tradita libërdashëse, por që janë zvenitur pak në kohët moderne, për shkak të disa kushteve objektive dhe subjektive. Zanati i botuesit është që të nxisë sjellje të reja në shoqërinë tonë të konsumit masiv që lindin vetëm nëpërmjet marrëdhënieve ndërkative. Libri na ka bërë miq dhe diskutojmë me ta në tryezën tonë me bashkëbesëlidhës, si me Heminguein, Nuirisjenë, Panjolin, Kamynë, Zhorzh Haldasin, Margërit Dyras e shumë të tjerë. Mjetet e tjera të komunikimit masiv si televizioni, radioja, interneti, nuk mund ta zëvëndësojnë kurrë bukurinë dhe madhështinë e leximit të një libri të mirë, tërheqës dhe që jep mesazhe miqësie, paqeje, solidariteti, mirënjohjeje. Nuk mund ta harroj kurrë atë intelektualin hungarez që rastësisht e takova diku në Gjenevë dhe pashë në bibliotekën e tij në aprtamentin në Grand Sakoné, mbi 20.000 tituj librash në gjuhën hungareze dhe të huaj…Ne nuk duam të arrijmë të kemi në bibliotekat tona aq shumë botime për Shqipërinë, Kosovën, viset, Maqedoninë dhe shqiptarët, por që krahas flamurit kombëtar apo kujtimeve familjare, biblioteka personale të jetë pjesë e pandarë e mjedisit familjar. Nëpërmjet librit ta mbajmë të gjallë gjuhën shqipe edhe të shkruar, një gjuhë nga 9 gjuhët indoeuropiane më të vjetra dhe që nuk e ka prejardhjen nga ndonjë gjuhë tjetër, por ka mbetur e paprekur, megjithëse Shqipëria ka qënë e pushtuar nga shumë të huaj gjatë shekujsh. Nuk bëj ndonjë zbulim kur theksoj se emri shqip është gjetur në shënime qysh në kohën e Ptolemeut. Për shqipen e lashtë ka dëshmuar gjuhëtari gjerman Frans Bopp në 1854, pastaj në 1880 gjuhëtari tjetër gjerman Gustav Majer. Më tej në këtë rrugë ecën me botimet e tyre danezi Holger Petersen dxhe austriaku Noerbert Jokl. Arvanitasi Aristidh Kola në librin e tij të blerë nga bashkëatdhetarët në Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe Shtypit në Gjenevë, për popullin pellazg që është paraardhës i ilirëve thekson se gjuha arvanitase është gjuha e perëndive, është pikërisht ajo gjuhë që përmend Homeri dhe si të tillë ai nënkuptonte gjuhën shumë të vjetër pellasgjike.
17 prill 2006


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •