Me zemër të madhe
| Saturday, 07.04.2009, 10:36 AM |  

Tregim

E djela është e qetë në Zvicër. Sapo ishim ngritur nga shtrati. Pimë kafenë e mëngjezit dhe pas një çasti morëm rrugën. Dielli i mëngjezit ndriçon dhe qielli është në ngjyrë të kaltër, pas asnjë re. Duke ecur në një rrugë të ngushtë, që të shpie jashtë qytetit, u ulëm buzë liqenit në Montreux, ku banon miku im dhe ai më dha në mirëbesim të lexoja dhe t’i jepja mendim për ditarin e tij. Nuk e di por u mallëngjeva dhe pasi mora edhe pëlqimin e tij, vendosa t’u a lexoj edhe juve…:
« S’ka shumë kohë që fillova punën si përkthyes mediator kulturor. Më parë bëja përkthime, por jo rregullisht. Para disa muajsh blloku im ditor ishte vetëm në kujtesë. Kjo nuk do të thotë se tani nuk mbaj mend, por jam i detyruar të shënoj të gjitha takimet që përfshijnë shërbime të ndryshme. Gjithashtu pas çdo emri të pacientëve të mij që kanë ardhur nga larg fshihet një personalitet, një shqetësim i veçantë, një jetë, një dramë, por sidomos : një rreze drite dielli për të ardhmen… Këto shënime që i kam shkruar pothuajse çdo ditë, janë përshtypjet e mija personale që më angazhojnë vetëm mua… Dhe sidomos unë ruaj anonimin e njerëzve që kanë përjetuar ngjarje të dhimshme. Prandaj u përpoqa t’i ndërthur ngjarjet dhe faktet, që të respektoj jetën personale të gjithë atyre njerëzve dhe personelit kurues për të cilët kam një simpati të veçantë që është ushqyer gjatë ditëve dhe muajve të një pune humane. E quajta të domosdoshme t’u shpreh atyre mirënjohjen për gjithçka bëjnë.
15 gusht. Gruaja plakë filloi historinë e saj. „M’u desh të ecja në këmbë nga Kosova deri në Shqipëri. Isha me nusen e djalit dhe rrugës hoqëm shumë. Na ndaluan diku serbët cmirëzinj. Na ndanë në dy grupe. Nusja shkoi me një grup të rejash të tjera. Unë me fëmijët na shpunë në një vend tjetër. Minutat më dukeshin orë. Pas pak vjen nusja. Fytyrën e kishte të skuqur dhe qante. Nuk më tregoi çfarë kishte. Por një shoqja e saj m’u rrëfye. I kishin dhunuar ata paraushtarakët serbë. Ecëm përsëri deri sa arritëm në Shqipëri. Atje na pritën shumë mirë por s’kishte shumë ilaçe. Mjekët ishin shumë të mirë… Por unë kam humbur burrin dhe një vajzë 16 vjeçare. Kam me vete vetëm nusen dhe një nip. Nuk e di nëse ata janë akoma gjallë. Nuk di të shkruaj. Fatmirësisht djali im i bëri thirrje Kryqit të Kuq dhe unë munda të vij në Zvicër. Tani dua të qëndroj me nusen dhe nipin. Vajza ime që ka tri çika, më premtoi se do të vijë çdo të shtunë për të më larë rrobat dhe për të më ndihmuar…“
19 gusht. Kthehem në shtëpi. Dëgjoj kasetën e Laver Bariut. Kam një respekt të veçantë për të dhe muzika e tij më pëlqen shumë. Disa herë e ngre lart zërin e radiokasetës së veturës dhe filloj të këndoj me zë të lartë, tamam si atëhere kur isha i ri dhe në buzë të Detit Adriatik, në Durrës këndoja për t’u çliruar nga disa tundime… Gjendem në një botë më të qetë, me më pak stres kur dëgjoj zërin e tij të ëmbël…Vendos gjithashtu edhe kasetën me muzikë shqiptare, të mikut tim të shquar muzikant zviceran, Marcel Cellier. Ka dëshirë të bëj edhe një disk tjetër me muzikë shqiptare, por nuk e di nëse nga Tirana do t’i japin përgjigje pozitive…
Në përgjithësi i kontrolloj emocionet, por atë ditë që dëgjova atë histori të dhimshme të asaj gruaje, m’u derdhën lotë nga sytë. Kjo nuk duhet të jetë e zakonshme për një përkthyes, sepse ai duhet të përmbahet nga emocionet…Por nuk mundesha…Pushtuesit e kishin përplasur vajzën e saj tek muri kur kishin hyrë papritmas në banesën e saj. Ata kërkonin të shoqin që ishte bashkuar me forcat çlirimtare. Me forcë ata e kishin përplasur për të dytën herë vajzën kur kishin marrë përgjigje negative. Fëmija ishte gjakosur. Nëna, sapo ikën pushtuesit e mori vajzën në krahë dhe u largua…Pati fat të vinte në Zvicër për të mundur të kurojë vajzën që nuk dëgjon nga një vesh…Por një pikëpyetje e madhe për të: nuk ka asnjë njoftim për të shoqin dhe të bijën 10 vjeçe që në çastin e ngjarjes ndodhej tek kushërinjtë…
Asnjëherë nuk kam menduar për jetën si tani…Kur duhet të përkthej fjalë të trishtueshme, frazat janë më të gjata, kurse kur përshkruaj çaste gëzimi është më lehtë. Më kujtohet ai çift që pranoi të merrte pjesë në seancat e planifikimit familiar, sepse kishin 6 fëmijë…Ai 60-të vjeçar që pi dy paketa në ditë dhe nuk di të shkruaj, por që ka një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Kam shumë respekt për të. Pas fjalëve të mjekut, ai „dha fjalën e nderit“ se do të pijë shumë më pak cigare…Por jo për t’i dhënë kënaqësi gruas së vet e cila do të kursejë të hollat dhe ai thoshte duke buzëqeshur „nuk është shëndeti im që i intereson, por stolitë e arta“. Për gratë e asaj treve është e rëndësishme të kenë shumë stoli të arta, jo vetëm kur sjellin pajën tek burri por edhe kur martohen… Ai vogëlush kishte temperaturë dhe i jati e solli në spital për t’u konsultuar me mjekun. Një mentalitet që ka ndryshura me ardhjen e tij në Zvicër, pasi në vendin e tij burri merret vetëm me punët jashtë shtëpisë dhe gratë duhet të kujdesen përveç të tjerave edhe për fëmijët. …Mendoj për atë njeriun gazmor, pak shurdh dhe që kupton një fjalë në katër. Doktoresha i përsërit fjalët me buzëqeshje dhe mua më duhet ta përkthej të njëjtën fjalë tre herë. Fatmirësisht ai do të ketë së shpejti një aparat dëgjimi dhe mund të dëgjojë më mirë…
Ka shumë familje që kanë ardhur në grup, me „skaf“ duke paguar mijra franga „lundrarve“ të pangopur dhe nga kufiri i Italisë kanë ardhur me makina tip „Kombi“…Për t’u larguar nga lufta, masakrat e bëra nga pushtuesi. Për të mundur të gëzojnë një jetë më të mirë, pa pasaporta e letra njoftimi që jua dogjën me banesat apo ua konfiskuan me të gjitha të hollat dhe stolitë në kufi ushtarët pushtues.
23 gusht. Sot bleva disa „croissants“ (bukë të vogla karakteristike në Zvicër) bashkë me tre kafe dhe u paraqita në shërbimin ku zakonisht përkthej. I thashë Shantalit : “  Fillojmë me gjërat serioze, pra do të hamë nga një “croissant”, dhe do të pijmë një kafe ”. Pastaj ne filluam bisedën me mjekun…Dy javë më vonë, ajo ishte me pushime, gruaja dhe unë, morëm një kartolinë ku ndërmjet të tjerash ajo na shkruante : “ Mendimet më të përzemërta për miqtë e mij që punojnë ! Shpresoj se R… është më mirë. Në familje kemi kaluar një javë duke pushuar buzë detit, dhe koha ka qënë e këndshme. Së shpejti duhet menduar për “ gjërat serioze ”. “ Ju përqafoj fort, pa harruar fëmijët. Mirupafshim së shpejti”.
Nuk e di se kur do të vijë ajo përsëri, e nëse ne do kemi fat të punojmë me të, sepse infermieret dhe mjekët e ndrojnë shërbimin shpesh, për t’ju përshtatur më mirë sektorëve të shëndetësisë…Shpresoj dhe uroj që ajo të jetë pranë nesh,sepse është shumë njerëzore dhe shumë profesioniste dhe ka një ëmbëlsi të veçantë në kontaktet e përditshme me pacientët e rinj dhe me prindërit e tyre. Më kujtohen në këto çaste fjalët e Monteskjësë i cili thoshte: „Miqësia është një kontratë me anën e së cilës ne angazhohemi që të bëjmë shërbime të vogla, në mënyrë që të na bëjnë pastaj më të mëdha“…
25 gusht. Po merrja pjesë në një konsultë kur një infermiere shumë e sjellshme dhe e qetë, më tha : “ Telefonuam tek ju sepse kishim nevojë për një përkthim drejtpërdrejt me telefon. Në anën tjetër të telefonit ishte vajza juaj. Ajo e fliste shumë mirë frëngjishten. Ajo e luajti rolin e përkthyeses në mënyrë të përkryer“. Isha shumë i kënaqur nga ky vlerësim për vajzën time të dashur…
3 shtator. Mamaja e Blerinës më priste para pavionit. Ajo nuk hynte…Unë i kisha thënë disa herë të hynte, të shihte vetë vajzën. Shkuam. Blerina ishte mirë. Unë përktheva fjalët e mjekut, por e ëma ishte shumë e shqetësuar… I thashë të vinte vetëm të nesërmen në mëngjez, pasi duhej të shkoja në Lozanë t’i bëja vizitë një mikut tim. Në fakt, çdo ditë të javës unë e shoqëroja atë në pavijonin ku ishte shtruar e bija. Por ajo nuk shkonte asnjëherë vetëm. Ajo m’u lut : “ A mund të vish para se të ikësh, sepse unë nuk kuptoj gjë po të hyj në pavionin ku është çika ime. Gjithashtu, më duket sikur çdo herë që ju përktheni fjalët e mjekut, e kuptoj më mirë se çfarë ka çika, ecurinë e saj…Nuk e di, por ju më sillni fat dhe vajza ime është më mirë në sajë të kujdesit mjekësor këtu. ”…Isha i emocionuar…Megjithëse të nesërmen ishte e djelë, i premtova se do të vija pak para se të ikja në Nëshatel…
5 shtator. Kaloj përpara  shërbimit të kujdesit mjekësor për personelin. Gjithmonë ka nga një arkë me mollë, siç duket për personelin që bën vaksinat dhe kurohet. Kohë pas kohe marr edhe unë. Më kujtohet thënia në anglisht : ” An apple a day keeps the doctor away ”
 ( një mollë në ditë dhe s’ke nevojë për mjek) e cila sot është zëvëndësuar me reklamat: “A condom a day keeps the doctor away” (një prezervativ në ditë e s’ke nevojë për mjek). Por faktet e SIDA-s janë alarmuese. Do të ishte më mirë që në mijëvjeçarin e tretë të mos kishte më sëmundje dhe në vend të armëve të sofistikuara, të shpenzimeve të shumta për raketat, të çliroheshin fonde për zhvillimin e punës kërkimore në mjekësi dhe sidomos të gjenetikës për transfomimin e genit difektoz, për sëmundje mesdhetare që akoma marrin jetë njerëzish. Mendoj për Randon e vogël, për atë vajzën simpatike që e donte jetën, por që nuk mundën të gëzojnë jetën në Shqipëri, jo për faj të mjekëve por të mundësive për kurimin e sëmundjes së tyre…Megjithatë unë kam filluar të blej më tepër mollë tek miku im maroken Idriz që ka sa vjen e më tepër klientë. „Two apples a day keeps the doctor away for ever“ (Dy mollë në ditë dhe s’ke më nevojë për mjek)…Ndoshta është pak e egzagjeruar pasi të gjithë në jetë kemi nevojë për miqtë tanë mjekë.
21 shtator. I dërgoj ngushëllimet Denisit dhe familjes së tij. I jati vdiq sot…Më kujtohet një mëngjez. Ishim sëbashku me një pacient. Denisi si gjithmonë komunikonte me të nëpërmjet meje, me saktësi dhe urtësi. Ai i njeh në mënyrë të përkryer ligjet e vendit të vet. Ka disa dhjetëvjeçarë që ai punon në një organizëm që i ndihmon refugjatët e të gjithë kombeve. Në një çast të caktuar, ai më tregon se ç’kishte ndodhur me të jatin. Unë i propozova që të ndalë takimin, por ai nuk don…Mendoj akoma për Denisin dhe familjen e tij, në atë çast pikëllimi të vdekjes së të jatit i cili ishte gjatë dy muajve, midis jetës dhe vdekjes. Denis, për Juve, që të gjithë kanë një respekt të veçantë, për urtësinë tuaj dhe shpirtin tuaj pozitiv, për humanizmin tuaj të pamasë… Në këto çaste nuk më ndahet edhe dhëmbja për babanë tim të paharruar, që u largua nga kjo botë para kohe, po ngushëllimin e gjej tek fjalët e vlerësimet e shokëve dhe të miqve të tij dhe botimit të vjershave dhe tregimeve të tij në botimet e reja antologjike nga ana e shkrimtarit dhe mikut të tij të ngushtë Xhevat Beqaraj.
Atë mbrëmje, isha në  seminarin ku doktoresha Sofi bëri një paraqitje shumë interesante të shërbimt të vet që e njeh në mënyrë të përkryer. Rëndësia që ju dha rolit të veçantë të përkthyesit në konsultat me pacientët është shumë nxitëse. Një paciente mundi të shprehej lirshëm në gjuhën e saj para doktoreshës në prani të përkthyeses… !
22 shtator. Lexova në shtyp një fakt interesant : një shqiptar kishte gjetur një portofol në rrugë dhe e kishte dorëzuar. Njeriu që e kishte humbur portofolin donte t’i jepte pak të holla për gjestin e tij, por shqiptari nuk kishte pranuar. Një shënjë e mirë për një popull që është punëtor dhe i ndershëm dhe që një pakicë njerëzish i vënë “ kapelen ” e njerëzve që merren me drogë dhe nuk e di çfarë tjetër akoma…Një inkurajim për ata qindra mijra shqiptarë që punojnë me nder në dhé të huaj dhe ndihmojnë edhe familjet e tyre atje në Shqipëri, Kosovë e vise e Maqedoni, Mal të Zi…
Zvicra ka dhënë mundësi që fëmijët tanë të mësojnë krahas frëngjishtes, gjermanishtes, anglishtes, italishtes, edhe gjuhën shqipe. Gjithashtu ata kanë të drejtë falë mirëkuptimit të popullit dhe autoriteteve zvicerane të kenë dyshtetësinë. Shqiptarët bashkëjetojnë me zviceranët si shumë përfaqësues nga popuj dhe shtete të ndryshëm të botës, të cilët identitetin e tyre kombëtar e ruajnë me ligje. Mjerisht, në botë vazhdojnë padrejtësitë për këtë problem, por kam bindjen se e drejta do triumfojë dhe shqiptarët që janë vendosur në vende të ndryshme të botës do të gëzojnë të drejtën e identitetit të tyre.
23 shtator. Dieteticienja është shumë simpatike dhe e njeh shumë mirë profesionin e saj. Vetëm se më vjen për të qeshur në konsultat e saj, sepse ajo u thotë pacientëve të mos e përdorin vajin ose ta ulin përdorimin e tij. Mendoj për miqtë e mij Roberto dhe Peter që mundohen me të gjitha mundësitë që të shesin vaj në botë dhe nëse të tjerët do dëgjojnë dieteticienen, miqtë e mij së shpejti do jenë papunë…
Sot, një shërbim i maternitetit më thirri me urgjencë…Përfundova përkthimin dhe isha duke marrë ashensorin. Kur menjëherë, një grua e moshuar, më tha : “ Zotëri, çfaë bëni këtu ?
Ju përgjigja : “ Punoj ”.
Jo, ju nuk jeni të spitalit, sepse ju nuk keni një bluzë të bardhë, dhe nuk keni të drejtë të merrni ashensorin e shërbimit ”, më tha ajo.
Unë jam i shërbimit dhe kam një këmishë ngjyrë blu, ju përgjigja qetësisht.
Po mirë por njerëzit e shërbimit kanë bluzë të bardhë, tha ajo.
Tani, është një shërbim i ri me këmisha blu: jam përkthyes.
Më falni, tha ajo, nuk e dija.
Qeshëm pak, por pastaj mendova se ajo grua kishte të drejtë, përkthyesit që punojnë gjithë kohën në shërbime me pacientë duhet të kenë nga një shënjë dalluese, në rast se “ këmisha blu ” nuk njihet si e tillë…
24 shtator. Sot mora një e-mail nga një miku im shqiptar në Zvicrën gjermanofone. Më shkruante me dashuri për shkrimet e botuara, për kujdesin që tregonte për librin shqip, për shpërndarjen e tij dhe për dëshirën për të krijuar një shoqatë ndërkulturore të shqiptaro-zviceranëve. Ju përgjigja me takt mikut tim se ideja ishte e mirë por duhej patur parasysh se në atë shoqatë duhej të bënin pjesë edhe intelektualë, shkrimtarë, piktorë, pianistë, studentë dhe shqiptarë nga e gjithë Zvicra, pasi ndryshe ajo nuk do ta kishte jetën e gjatë, pa tërhequr mendimin krijues dhe mundin e atyre dhjetra shqiptarëve që japin ndihmesën e tyre për kulturën dhe librin shqip edhe duke qënë në Zvicër. Gjithashtu i vija në dukje se në emërtime tilla shoqatash duhej hequr dorë nga fjalë të huaja të cilat nuk duhet t’u lihen « peshqesh » brezave të ardhshëm. Ka ardhur koha që edhe ne, si edhe popujt e tjerë të kulturuar zviceranë, francezë, spanjollë, gjermanë, arabë, afrikanë etj, të kemi gjuhën e njësuar letrare shqipe në botimet dhe fjalët tona, paçka se vijmë nga Kosova, Jugu apo Veriu i Shqipërisë, nga arbëreshët, arbanasit, arvanitasit apo shqiptarët në Amerikë. A nuk kanë francezët dialekte si « patois »- gjuhë e folur në Auvergne apo « savoyard », apo spanjollët gjuhën baske, apo italianët dialektet e Jugut dhe të Veriut të Italisë, apo gjermanët dialektet e tyre. Gjuha angleze që përbën gjuhën e parë sot në botë flitet ndryshe në Amerikë apo gjetiu në Afrikë, por gjuha e Shekspirit përdoret si e tillë në botimet letrare, shkencore, apo vulgare kudo në botë. Për këtë duhet të mendojnë intelektualët shqiptarë, si dhe shqiptarët e thjeshtë kudo që janë : në tokën mëmë por edhe jashtë shtetit ; për këtë duhet të mendojnë sidomos edhe disa përfaqësi diplomatike jashtë shtetit (nuk dua të ve shenjën e barazimit me këto përfaqësi që janë shumë larg me përfaqësi të tilla si në Stokolm, Romë, Ankara, Uashington, Londër e gjetiu ku bëhet një punë e lavdërueshme me diasporën,  apo me MPJ ku ndiqet me kujdes kjo punë) që shpesh nuk dijnë dhe as nuk e vrasin mendjen të tërheqin mendimin dhe të afrojnë shqiptarët në vendin ku janë si përfaqësues të Shqipërisë, pa shikuar përkatësinë e tyre sociale apo politike, të qënit e tyre intelektualë, punëtorë apo të një shtrese tjetër të popullsisë.
24 shtator. Lexova me kureshtje librin e prof.Zhan-Filip Assal dhe psikologes Anë Lakrua, me titull: “Edukimi terapeutik i pacientëve”. Ai është një botim tepër i arrirë, pas një pune të gjatë dhe ndjekjes nga afër të terapisë me pacientë të sëmundjeve kronike. Do të doja që një ditë ky libër tepër edukativ të përkthehej në gjuhën shqipe, pasi ka një vlerë të veçantë për arsimimin terapeutik të personelit shëndetësor që merret me sëmundjet kronike.
15 qershor. Prof. Alain Golay më jep me autograph librin e tij, “Të kuptosh diabetin  tënd dhe të ushqyerit”, me bashkëautor prof. Zhan-Filipin. Ndër të tjera ai më shkruan: “Alfredit, me admirimin tim për ecurinë e jetës tënde dhe për gjithçka bën ti për Shqipërinë. Miqësisht. Alain”.
Libri është shkruar nga një ekip mjekësor që jep përvojën e mbi 25 viteve të të mësuarit me 18.000 pacientë diabetikë. Në fushën e mjekësisë ky studim është një arritje sepse ka bërë të mundur kalimin e informacionit teorik mbi sëmundjen në një mësim praktik duke i dhënë mundësi pacientit diabetic ta administrojë më mirë atë në jetën e përditshme. Uroj që ky libër së shpejti të dale në gjuhën shqipe, pasi nuk janë të paktë bashkëkombasit që kanë nevojë të mësojnë se si duhet vepruar në rast se i  zë kjo sëmundje kronike, si edhe vendosjen e një programi të përshtatshëm të të ushqyerit.
20 qershor. Selimi vendosi të kthehet në Kosovë. Ai erdhi sot për herë të fundit në konsultë me vajzën e tij. Ajo, gjatë 6 muajve të qëndrimit në Zvicër ka mësuar frëngjisht. Në fund ai shprehu mirënjohjen për kujdesin që u tregua për të dhe familjen e tij. Vajza kërkoi adresën e spitalit dhe emrin e doktoreshës. Më tha se donte t’i shkruante disa fjalë nga vendi i vet, por kishte frikë se mos shkrimi i saj në frëngjisht nuk do të ishte korekt. I thashë se mund ta shkruajë në frëngjisht por edhe në shqip dhe unë do ta përktheja kartolinën apo letrën e saj. Ajo u përqafua me gjithë ekipin e pranishëm dhe ishte shumë e emocionuar. Edhe i jati. Selimi me mollëzat e kuqe të faqeve të tij, një malësor për të cilin gjithmonë pata një respekt të veçantë për urtësinë e tij. Asnjëherë nuk kërkoi diçka më tepër. Vetëm se shprehu mirënjohjen e tij ndaj Zvicrës dhe zviceranëve që i dhanë mundësi të kalojë ditë të këndshme, si edhe siç thotë ai: „Munda të bëj një fotografi të trupit tim, gruaja për herë të parë pati mundësi të ketë ndihmën mjekësore dhe po kthehem i qetë në vendin tim. Me pak hidhërim, sepse e di se për mua, gruan dhe fëmijët e mij, në fillim do jetë pak vështirë. Akoma ka mina kudo…Milosheviçi dhe ata që e pasonin bënë gjithçka për të na shkatërruar. Por Zvicra dhe vende të tjera si Amerika e vendet evropiane, na kthyen paqen. Shpresoj të ndërtoj përsëri banesën time që u dogj. Në fillim do të qëndroj tek kunati që iku më parë dhe ka mundur të ndërtojë një strehë…Gjithashtu tani kam pak të holla që do të më shërbejnë për të rifilluar jetën time dhe të familjes. Do të më japin të holla të tjera që do t’i marr sapo të mbrij atje, dhuratë e Zvicrës, si dhe materiale ndërtimi…Nga ana tjetër, kam marrë vesh se të huaj, miq të Kosovës kanë ndërtuar shtëpi të përkohshme, kun duhet instaluar vetëm rryma elektrike dhe uji »…Ai don të vazhdojë të diskutojë, por e kupton se bashkëatdhetarë të tjerë presin që t’i shohë mjeku…Ne përqafohemi me njëri tjetrin, duke thënë « tung » në kosovarçe. Në fund, ai më thotë : »Mali me malin nuk puqet, por ne do shihemi ose këtu, një ditë unë do të vij si turist, ose në vendin tim që tashmë është i lirë… ». Akoma mendoj për këtë malësor trim që do të fillojë jetën nga e para, si edhe për atë zinxhir bamirësie dhe për ata zviceranë të thjeshtë që ndihmojnë çdo ditë me mjetet që kanë, materiale, lope, të holla dhe shumë sende të tjera, për rindërtimin e një vendi të shkatërruar nga një luftë e kotë.

Zvicër, 1999-2008

Ky tregim-ditar ka fituar çmimin e parë në Konkursin mbarëkombëtar letrar të organizuar nga Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë, në maj 2008.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •