Driton Zenku: Poezi nga libri ''Rruga e Rrugëve''
| Sunday, 08.23.2009, 02:59 PM |  

MENDIME TË PATHËNA

Gurra e tmerrit është aty
ku mendimi përfundon ku lind
ku fjala s’del tej gjeografisë së njeriut
ku zëri lind tinguj memece
ku mendja ngulfatet
në pallate mendimesh,
... të pathëna

PËRULJE

Me ngjyrën e penës
vizatoj një botë,
jetë,
njeri
shpirtin e hedh në letër
t’i jap jetë
botës,
jetës,
njeriut

NUANCË

Lapsit i kërkova brushën
desha të ngjyros fletën e fjetur
fleta u zgjua e kreshtuar
me cinizëm më foli:
mos më pirsh nuancën,
e ngjyrës së bardhë

PREMIERA

Premiera e djeshme
në teatrin shqiptarë
e ndjeja se më ftonte
eja,
pranë meje sonte

pasi qëllova atje
tek miku im në Shkup
vendosëm asaj nate
të shkojmë...

...atje,
heshtja fliste
si në hënën e largët
s’takuam as pamë njeri
vetëm rojtarin,
fjalët e tij,
premiera,
...nuk do të shfaqet sonte

DOSJE

Kot që kam penën në duar
sa shkarravis letrat e pafajshme
fjala nuk më dëgjon
vargu i katandisur
udhëton nëpër letër
mendime të egra
vjell para vetes
neveritem,
lëshoj penën nga dora
si me çajin në gotë,
nxehem me mendimet e mia
letrat e strukura nën tavolinë,
...digjen

MOTI I EGËR

Shkronjat e gazetës më duken kërmij
nga fleta në fletë
më shfaqet rubrika sport,
lojtarët rezervë të skuadrave,
rezultate me kompromis të imponuar
nga ndikimi i motit të
...egër

ZGJUARJE

Qetësia e egër e natës
fle me gjumin tim
unë syhapur
përmbysem nëpër letra,
lexoj gazetën e djeshme
horoskopin gënjeshtar
...kotem.

KILOMETRA KOHE

Numëroj duçat në tabakë,
minutat natës
shoqërohem me hënën
përkrah qelqit të dritares
tretem mbi librin e Kadaresë
“Ra ky mort e u pamë”
me sy të lodhura peshoj
kilogramët...
e vrara të kohës

KRYEVEPRA

Kokë zvarrë pranë lumit
duhanin e bënte tym
poeti i tendosur me veten
dje,
në të njëjtin vend
kishte hedhur letrën në lumë,
letrën me poezinë e shkruar
ndoshta,
kryeveprën
...e kish bërë anije

FRENAT E ETURA

Rrugëve pa zebra
makinat në pah
frenat e etura
gëlltisin pamëshirshëm
... shenjat e komunikacionit

ËNDRRA TË DALLDISURA

Brenda manifestimit të gjumit
groposur isha
ëndrrave të dalldisura
nën strehën e çasteve të luciferit
kur qielli,
ngjiti tokën
goja më ecte gërmadhave
strukur nën suke ...
të palltos sime

JO, JO

S’mundem të qeshem
buzët më janë plasaritur
sytë le të qeshen,
le të shikojnë,
dëgjojnë,
...flasin
unë,
bashkë me veshët
do të ikim
... nga këtu

VERBËR

Lotoj,
shterem për pike
se kisha ditur
se jam syri i verbër,
në kokën e njeriut me bastun në dorë
trokit
në derën e shtëpisë së mbyllur
duke menduar se ndodhet...
para derës së shtëpisë së tij

NDJENJË E AKULLT

Veshur me petkun e kohës
ndjehem i zhveshur
kam të ftohtë
rrezet e diellit
gjë tjetër s’bëjnë
terrin petkun e kohës
së këndejmi më braktisin
shiut i shtrojnë rrugët
... me qilim të kuq

MINUTA

Sytë pinë kozmetikën e kohës,
diellin e terur,
valët e trazuara të detit,
shkopin magjik të plakut
...sytë më mbyllen njëherësh,
derisa lotojnë
... gjak e pluhur

LECKË

Leshin e botës mbarë
si magnet e mbledh
kjo leckë pantallonash
pise,
...e këtij shekulli

NESËR

Ngushëllohem,
nesër është e diel
ditë që do të vdesë
... në qytetin tim

EKSPOZITA IME

Zemrën e bëra galeri
të shumë pikturave
ngjyrë vaji,
korniza të shformuara
koka njerëzish
pa veshë,
pa sy

RRUGËN E RRUGËVE

Bashkë me rrugët sonte vdesim,
varrosemi nën errësirën e natës
kalimtarëve u kërkojmë ndjesë
ua vodhëm rrugën time
... rrugën e rrugëve

ÇAST

Vetëm për një çast
ndryshoi çdo gjë
nga dikush askush
vetëm
... për një çast

KUFIRI ME ZËRIN

Zërin e fundit lëshoj
bashkë me lumin që shteron
dua të them shumëçka,
s’mundem
buzët më mbyllen
tek zëri aborton heshtjen
 ...lumi tretet

PSE

Pse,
për se...
jo, jo, jo...
përgjigje s’ke...
e di pse
nga se,
...pse
përse,
përgjigje s’ke
...se

KOHA ËSHTË

S’do mend se më do,
“koha është”
e dija se do më duash
është koha
...këtë ta thuash  

NË THOJZA

Fjolla e dëborës
s’arrin të zbresë në tokë
e pret krahëhapur dashuria
në fijen e flokut tënd

VALLJA SADISTE

Fis më të afërt kam ëndrrat,
shpresat,
dëshirat...
për popull ndjej zemrën,
shpirtin tim
besoj se je jashtë valles sadiste
besoj me droje
se ti vret,
shfaros
dëshirat,
ëndrrat,
shpresat,
shpirtin
zemrën time

VEGIM

Rruga,
libri,
kujtimet,
ëndrrat
mbathen me hijen tënde...
nxitje,
prehje,
puthje,
dashuri,
urrejtje
ofron dhe ik
dëshpërimi,
loti,
shpresa
... më mbeten në duar

VJEN

Vjen në ëndrrën time
si në koncertin e yllit të muzikës
vallëzon me këngët e mia,
dëfrehesh
unë me rrobat e dhëndrit
vështroj ulësen e zbrazët
pres të lodhesh,
të ulesh pranë meje
kënga i thotë valles hesht
ti bëhesh me krahë,
fluturon
del nga ëndrra ime
... lartë

LIGJI NË ËNDËRR

Dua sonte të më zë gjumi
të mos zgjohem asnjëherë
të zhytem në një ëndërr të thellë
të gjatë sa jeta
atje në ëndërr s’pyes kënd,
me kë dua do të jetoj
kush më kundërshton këtë
syhapur,
vdekjen do t’ia tregoj
për mua dënim s’do të ketë
... ligji në ëndërr nuk vlen

BOTA E TRETË

Numëroj botët e shkuara
e treta më kujtohet
kur unë linda,
jetova
vdiqa
ishte kohë mbretërore
ekzistonte një rob,
një mbretëreshë
Kleopatër
... ti ishe

RRUGA

Hyre,
s’pyete
tani ankohesh,
pse jam në zemrën tënde
qarkullove dejeve të mia
vërdallë
si ujëvara
në shtratin sovran
ndërtove ishuj,
oqeane
thua s’kam faj
lutem,
ik nga hyre
lëri gërmadhat,
le të mbeten kujtime

NJË FUND

Përsëri një fund
nga fundet e shumta
përsëri një lojë,
kult
përsëri një fillim,
një ndeshje sportive
me humbës,
fitues
...pritje
ndeshje e ardhshme
qëllimi
një humbës,
një fitues

QËNDRIM

Sonte do të vdes
nesër të lindem përsëri
engjëll të më thuash
si sot në mëngjes
nëse duhet prapë,
prapë do të vdes
deri sa Zoti  t’ua ndalon rrugën
rrugëtimeve të mia

MËKATARËT

Tre të vetmuarit e natës
unë,
ti,
hëna
tretemi ndaras
paguajmë mëkatet e bëra
hëna ndaj diellit,
unë ndaj teje,
ti ndaj meje
që të tre ndaj Zotit
... kujt i rrëfehem kështu
kur askush nuk më dëgjon
hënën e ka tretur dita,
ty të ka marrë era
kilometra
... masin rrugët tona
   
PORTRETI

Mungon lulja në vazo
mungon vazoja në tavolinë
mungon,
shumëçka mungon
në këtë dhomë
ku dielli dhe hëna,
nuk duken
mungon portreti i gjallë,
ndjenja,
gjumi,
ëndrra
mungon dita,
nata,
jeta
...mungon

BULEVARDIT

Bulevardit zotëroj rrugët
jo që jam dikush,
po jam i vetmi
natës tek endem rrugëve
rrugëve kaq vonë
kur dhe engjëjt flenë
unë numëroj shtyllat,
pikat e shiut tek rigojnë
sonte kërkoj,
dua të gjej
ëndrrën,
gjumin
ty
... sonte sa fort kërkoj

VDES PARA VDEKJES

Vdes para vdekjes
jetoj ashtu,
pa ndjenjën e të jetuarit
është rëndë të jetosh zbrazët
nga imazhi jetës,
lumturisë

SHKRONJA TË GDHENDURA

Thonë
koha shlyen çdo gjë
unë e them të kundërtën
ndoshta pa të drejtë
koha,
s’mundet të futet atje
të shlyej shkronjat e gdhendura,
në ledhin e zemrës

NUK VDES

Tani që nuk takohemi më
dashuri mbeti rruga
ku jeta ime vret këmbët,
kohën,
fatin,
shpresën...
vegimi nuk shuhet
nga dita në ditë,
përcjell jetën time
kur dashurinë tënde e kam në zemër,
nuk vdes se s’jam me ty

PA ZEMËR

Zemra ime më s’dashuron
sot e varrosa
bashkë me ëndrrat,
shpresat për jetë
dhimbjet e fundit i mblodha
në zemër i mbylla
zemrën e varrosa,
për të mos e pasur më
tani,
do të jetoj pa zemër,
pa dashurinë për ty
dhe më nuk do të dashuroj
perëndova nga bota e dashurisë
... për ty

NË VARR

Gjitha këngët,
romanet
fjalët e shkruara për dashuri
m’i sillni në oborrin tim
dua t’i varros
të shkruaj në përmendore
...dashuria nuk ekziston
roje,
do të bëhem,
do të qëndroj në këmbë,
brenda në varr


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •