Flora Sela - Kastrati
| Monday, 09.14.2009, 10:36 AM |  

Flora Sela - Kastrati
Flora Sela - Kastrati
Flora Sela - Kastrati lindi në Strugë më 6 gusht 1961. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu  në vendlindje. Më 30 qershor 1983 diplomoi në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik dhe mori titullin Profesor i Fiolozofisë-Sociologjisë.
         Më datë 29 prill 1992 në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), me sukses e mbrojti temën e magjistraturës “Pikëpamjet e Korshit mbi historinë” dhe fitoi titullin Magjistër i shkencave shoqërore-humanitare nga filozofia bashkëkohore.
         Flora Sela - Kastrati gjatë vitit akademik 2000 –2001, ka kryer specializim në Institutin Ndërkombëtar për administratë publike në Paris (Francë) në lëminë e administratës publike dhe diplomacisë.
         Më datë 13 qershor 2007 e mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”, në Institutin për kërkime Sociologjike Politike e Juridike, në temën: Zhvillimi i demokracisë lokale dhe bashkëpunimit ndërkufitar sipas standardeve të Këshillit të Evropës.
         Flora Sela - Kastrati e zotëron rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjuhën frënge, ndërsa në periudhën prej vitit 1982 – 1992 ka punuar si asistente, e më vonë si ligjëruese në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës.
         Nga viti 1994 – 1997, Flora Sela - Kastrati ka punuar si mësimdhënëse e filozofisë në Universitetin e Tetovës, Fakulteti Pedagogjik.
        Prej vitit 1999 – 2005 ka punuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Shkup, në pozitën e Shefit të kabinetit dhe ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ka qenë përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Komitetin e përhershëm për demokraci lokale dhe regjionale si dhe përfaqësuese në Paktin për Stabilitet në kuadër të tryezës së parë të rrumbullakët: Demokracia dhe të drejtat e njeriut.
         Flora Sela - Kastrati ka publikuar artikuj të ndryshëm shkencorë të fushës së filozofisë si dhe një numër të punimeve të ndryshme që prekin tema aktuale si dhe ka marrë pjesë në seminare dhe konferenca të ndryshme ndërkombëtare duke patur paraqitje rreth temave që lidhen me demokracinë dhe reformat e pushtetit lokal. Përveç botimeve shkencore, ka botuar edhe tre libra me poezi, njërin edhe në gjuhën frënge: Entre l`amitie et l`amour i përkthyer edhe në gjuhën shqipe ( 2003 ), Heu po  më çmend ky infuzion ( 2007 ) dhe Vazhdoj ta kërkoj të nesërmen ( 2009 ).
         Aktualisht punon si mësimdhënëse e lëndëve filozofike dhe sociologjike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Filozofik dhe në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

Në vend të parathënies                                                                                                   
DASHURIA HYJNORE DHE DEHJA
                   E MISTIKËVE

Nga Kalosh ÇELIKU
         
Poezia është shprehje e artizmit poetik, lojë fjalësh, burimisht që kanë qëllim magjik, është thirrje hyjnore, arrin në qiell dhe hedh fuqinë e vet dhe bëhet e fuqishme duke pasur edhe shpirtin e tyre, Hyut Nuk është ajo e përshkrimeve, përkushtimeve prijësve të partisë, parullave të thata patetike. Rreth nesh çdo gjë është poezi: toka, qielli, dita, nata, lindja, vdekja, ringjallja, rrugët, era, zogjtë, lumi… Vetëm, duhet një sy i mprehtë për t’i hedhur në letër emocionet, idetë dhe imagjinata duhet shkrirë në indin poetik me mjeshtri të jashtëzakonshme.
        Dhe, novatorizmi që sjell në këtë libër Flora Sela - Kastrati i ka rrënjët te lirika popullore, që e ka tejkaluar moti pjesa më e fuqishme e poezisë shqipe,  lirika e dashurisë.  Dhe, jo rastësisht Lasgushi është poet i madh. Serembe, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Hida Halimi, Azem Shkreli, Mimoza Ahmeti, Mirko Gashi etj.
        Poezia shqipe është lëruar dhe zhvilluar brenda kufijve politik: Shqipëri, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Diasporë. Dhe, për çudi, përderisa në Shqipëri ajo është lëruar përkrah poezisë patriotike edhe poezia e dashurisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe IRJ e Maqedonisë është lëruar poezia patriotike. Realitet, që do të thotë se, një popull e manifeston atë që nuk e ka, i mungon me vite, liria. Risi në poezinë shqipe, sot është kombinimi i dashurisë me patriotizmin. Poetët që e lërojnë këtë lloj poezie numërohen në gishta. Megjithatë, kjo është poezia e ironisë, sarkazmës dhe protestës artistike.
        Motivet e poezisë erotike te ky libër janë të njohura: besnikëria, tradhtia, ndarjet, xhelozia, malli, sëmundja nga dashuria, mirëpo edhe ëmbëlsia nga dashuria dhe bukuria e trupit të zhveshur. Është interesante se në rolin e subjektit lirik paraqitet në këto poezi, njësoj shpeshëherë gruaja sikur edhe mashkulli. Për më tepër, mes këtyre faqeve është e përbashkët tema: jeta pas vdekjes. Ringjallja. Dhe, raporti midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse, në kohën e sotme ende vazhdon të shkruhet poezia patriotike, ku gjakohet pas lirisë dhe luftohet robëria.  
        Poezia e Florës në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë profetike. Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar poetë-profetë, që letërsia shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit. Stili i poetes është i përsosur, nuk vajton për të kaluarën, po për të sotmen dhe të nesërmen. Vargu i kësaj poezie e  lufton hipokrizinë, koprracinë dhe grykësinë. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë erotike, e cila dallohet fare lehtë nga poezia patriotike. Kështu që mjeshtëria e poetes shprehet me kërkimin e forcave të reja, përsosjen e figurave ekzistuese dhe të proçeseve stilistike duke lejuar shtimin dhe zhvillimin e temave.
        Poezia e këtij libri e  ka gjakun dhe shpirtin, që i ecin nëpër damarë. Një përzierje të së resë: dashurisë me patriotizmin. Gjuha e thjeshtë dhe me stilin e qartë, po të thellë është përsosur me imagjinatën e pasur dhe gjuhën e stolisur. Këndimi i poezisë të “Borës në mars”: Pas borës së acart – Ti vjen si pranverë/ E nesërmja do të vij/ me Ty!/ dhe asaj erotike: Shijen e buzëve Tua/ do ta marr me vete. – Po, kam frikë se ma zbulojnë -/ Në kufi...!/  Vdekjes dhe Lindjes. Ringjalljes…
         Dhe, për mua si poet, poezi e fuqishme është ajo që i qarkullon nëpër damarë gjak dhe shpirt, i ka rrënjët në poezinë popullore. Dhe, i japin gji Tri Zana të maleve. Fuqi për luftë si Mujit dhe Halilit…
        Ikja nga parullat e thata, patetika patriotike është risi e plotë në poezinë e poetes, sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë popullore. Poezia e mirë duhet të ketë edhe filozofinë jetësore plot figura poetike. Poetja hedhë farën në tokë pjellore, ashtu si bujku me hebet në krah drithin në ara, kështu që frutat e pjekur, poezitë i lulëzojnë në libër, bregliqen…
         Armë e fuqishme është edhe lirika satirike, ku poetja përqesh momente njerëzore, politikën me prijësit e tyre, madje edhe vetë fatin e një populli: I flet zemra – zemrës të ruhet prej mërive/ Se bota më shumë kurtha ngriti se liri!.../ Origjinaliteti i poetes, fatkeqësisht ende është në kundërshtim me dukuritë imorale dhe idetë e kohës, në të cilën jeton brenda kufijve politikë.
        Poezia e Flora Sela – Kastrati sa vjen e më shumë demokratizohet dhe misticizmi depërton në art.  Dashurinë ndaj lirisë e paraqet me shprehje plot figura dhe me gjuhën erotike të lirikës së dashurisë. E zhvesh nga trupi ferexhen patetike dhe parullat e thata dhe i vesh rrobat e nusërisë: E, Ti më ke zili,/ për vetminë time./ Është e rëndë ajo/ por/ më i rëndë je Ti!/ Në poezinë e saj, nganjëherë është shumë vështirë të dallohet deri ku shkon alegoria e ku fillon shfaqja realiste. Vetë gjuha shqipe, gjuhë e poezisë ka disa veçori të saj poetike, e përshtatshme në paraqitjen e dy-tre dykuptimësive të vargut. Megjithatë, në këtë poezi ekziston edhe një rrezik stereotipash, sepse ajo bazohet në disa tema të përsëritura: dashuria, vera, bukuria. Që, poetja e ka tejkaluar me sukses dhe pasuruar me Senën, Gruan, vetminë, Varkën e Noes, Burrin, Engjëllin mbrojtës, Nimfën.  Qiririn, Natën e gjatë: Nuk jam në gjumë! Jam në udhëtim!/ Pas këngës dhe vargut kam hap duel!/ etj.
         Inspirimi i poetes është i sinqertë dhe i thellë duke u shërbyer me shprehje të larta poetike. Formën e një vargu mes legjendave, porosish dhe alegorish: Në bregun e arritjes jam diçka unikate/ Në varkën e Noes – risi!.../  Ose: Rrëzëllima vrazhdësie më dalin në prita./ Vetmia durtrokitë pandalë!.../
        Tendencë kjo, për të krijuar një rrymë të re letrare me shumë vazhdues dhe përkrahës. Poetja  rebele është e gatshme të rroket fytas edhe me Zonjën Vdekje. Ringjalljen. Lindjen. Robërinë. Lirinë. Shkurt, ballafaqohet me misteriozen: dashurinë qiellore dhe tokësore.
        E di se, rrezik për poetët e talentuar me dhunti nga Zoti, janë poetët e rrejshëm të oborreve të partive politike. Poetë pa talent, po të shkathët t’u vihen pas partive politike në pushtet, si dhelpra pas dashit, me shpresë se mos i bien udhës. Poetë të këtillë vetëm për një përdorim, letërsia shqipe ka me bollëk, sa kanë të hanë edhe qentë e rrugëve…
        Herët a vonë, këta poetë do të dështojnë në poezi. Rrugën do t’ia lëshojnë poetit-profet, lirikut me mendime të thella dhe me talent të madh vrojtues, kur është fjala për situatat e përgjithshme njerëzore, i cili ka qëndruar, në të vërtetë, mjaft indiferent kur është fjala për ngjarjet politike të kohës së tij.
         Vargu i saj luftarak, përjeton një lulëzim të ri të lirikës shqipe. I lëshon paragjykimet, maxhen, burgun shtëpiak… Ferexhen e hudh në përrua… Robërinë... Shkolla është shtegu i saj drejtë Lirisë… Universiteti… Biblioteka… E nxjerrë vargun nga brezi: Filozofinë e jetës sime e ndërtoj mbi Ty.../ Poete me shpirt krenarë dhe e vetëdijshme në paraqitjen e realitetit shoqëror, kështu që për këtë poete rebele jeta e varur nga partitë politike është e huaj. Tentim ky, i komunizmit që tërë jetën e shoqërisë ta ketë nën kontroll. Hap i gabuar ideologjik me të cilin dështoi në parashikime. Tashti e kanë radhën partitë politike “demokratike”, shkaku se poetët bëhen edhe më të fuqishëm. Stili i tyre është sakrificë, ndjeshmëri e poetit dhe sinqeriteti. Përsëri do të vdesë dhe ringjallet, por kurrë nuk do t’u bie duarve dhe këndojë arritjeve të tyre demagogjike.
        Shkëputja e poetes nga format klasike poetike nuk qe proces i lehtë, me vete mori edhe viktima. Nuk është punë e lehtë t’u ikësh ndikimeve nga letërsia ruse ( Shqipëri ) dhe sllave ( Kosovë. Mal i Zi e IRJ e Maqedonisë ).
        Poezia  shqipe moderne sot ka një rrezik nga poetët e oborrit të partive politike “demokratike”. Fatkeqësisht, falë Zotit, në përgjithësi janë poetë të dobët dhe pa talent. Megjithatë, poezia e ardhmërisë do të jetë poezia e verës dhe e dashurisë, që alegorikisht të paraqesë dashurinë hyjnore dhe dehjen e mistikëve...
        Ardhmëria e poezisë shqipe qëndron në traditën e poezisë popullore, Rilindjes, duke u pasuruar me rrugë të reja, për të hipur në Baba Tomorr. Atdheun e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…


FLORA SELA - KASTRATI
VAZHDOJ TA KЁRKOJ TЁ NESЁRMEN
 
Biblioteka
MJELLMA

Redaktor letrar
KALOSH ÇELIKU

Redaktor gjuhësor
VJOLLCA RRAPI

Ballina
LAURA ÇUKA

FLORA SELA - KASTRATI                     
__________

Vazhdoj ta kërkoj
         të nesërmen
                       ( Lirika me borë )

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar
      Shkup, 2009                           
 
Unë s`të fal idenë sepse atë e krijon Ti
Shpirt asaj nuk mund t’i japë asnjë njeri…
Pluhur t’shndërrohesh do të thotë  mos ekzistosh
E në të njëjtën kohë gjithë botën ta pushtosh…

                                       Flora Sela - Kastrati

ISBN 978-9989-931-13-0

COBIS.MK-ID 79106826

FLORA SELA - KASTRATI
VAZHDOJ TA KЁRKOJ TЁ NESЁRMEN

Botues

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar

Korrektore

FITORE DERALLA


Tirazhi: 500 kopje

U shtyp në shtypshkronjën:
               “ Tringa Desing “ Tetovë, 2009

Botimin e këtij libri e ndihmoi materialisht edhe Ministria e Kulturës në Republikën e Maqedonisë.


(Votes: 2 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •