Krijime letrare nga Arbër Arapi
| Thursday, 09.17.2009, 04:43 PM |  

Arbër Arapi

1. Dita e tetëmbëdhjetë

“…ngrita kokën dhe pashë të fluturonte veç një pulëbardhë...”

E lexova dhe një herë fjalinë dhe në mënyre spontane më erdhi të ngrija kokën lart. Kisha lexuar në mënyrë të pandërprerë dhe libri ishte gati në të mbaruar. Por s’pashë gjë tjetër përveç thellësisë blu të qiellit të paanë. I qetë ecte trageti në drejtim të Shqipërisë. Po mbushja vitin që s’isha kthyer. Një vit plot që jetonim të ndarë, unë larg saj, ajo larg meje. Kur e kujtoja tani përmallesha, përlotesha… sa më kish marrë malli. Në ekranin e telefonit mbaja një fotografi tonën, një fotografi ku ajo kish kthyer kokën pak djathtas dhe të cilën e mbështette në supin tim. Me atë buzëqeshjen e saj të ëmbël dukej sikur penetronte në sytë e mi. Sa herë e shikoja mallëngjehesha dhe e ndieja shumë afër meje. I shikoja me imtësi tiparet e fytyrës dhe më vinte një dëshirë e madhe t’i prekja flokët, t’i puthja ballin, ashtu siç bëja asokohe…

ATË e kisha lënë atë ditë në port të Durrësit me sytë e lagura nga lotët. Kishte ardhur të më përcillte. AJO përlotej, e dinte se do t’i mungoja. Koha po ecte shpejt dhe ajo e ndiente se sytë e saj po e shtonin vëllimin e lotëve gjithnjë e më shumë. Kur erdhi koha të ndaheshim pashë që më rrethoi qafën me krahët e saj, dhe as unë s’e mbaj mend se si shpërthyem në një rrëke lotësh që po shndërrohej në një lumë. Gjunjët më dridhesin, në fyt më ishte formuar një komb, por veten akoma s’po e lëshoja. Më pa për të fundit herë, për të fundit herë mbështolli krahët rreth qafës sime dhe lotët e saj më njomën faqet. Sytë e mi u shkrehën në vaj. Ballin e mbaja të puthitur në të sajin dhe s’doja të shkëputesha, por fjalët e saj më kumbuan si një melodi e kënaqshme kur më foli: ndahemi tani, trageti po bëhet gati për nisje. Sa të dua zemra ime…
Për mua ishte e vetmja dashuri…
Si unë ashtu dhe AJO me sytë e mendjes shihnim se si zemrat tona i thonin “mirupafshim” njëra - tjetrës. I dridhej lehtë si trupi ashtu dhe zëri. Për sa e sa kohë e kam ruajtur atë shikim të ëmbël në zemër… e për sa e sa kohë do ta ruaj akoma… Nuk kam se si ta harroj. Me të kam kalur nga çastet më të bukura të jetës sime, e kam dashur gjithmonë shumë, më ka dashur gjithmonë shumë, por sa herë jam grindur, por sa herë jemi grindur…

Trageti ecte lehtë - lehtë në detin e gjerë e dielli derdhte mbi det dritën e fundit kaltëroshe. Po afrohej muzgu dhe ajri i ngrohtë më ngjitej në trup. Kisha rreth pese orë që kisha lënë Triesten. Mbështetur në parmakët e tragetit kundroja madhështinë e perëndimit, sesi deti përpinte diellin me një shpejtësi marramendëse, se si e thithte në zemrën e tij të madhe.
Do të kalonte dhe një natë dhe do të isha përsëri në Shqipërinë time të dashur, e cila tani më ishte bërë edhe më e dashur nga takimi i shumëpritur me ATË.
Dhe ca orë na ndanim nga takimi ynë. Si do të ishte vallë? Do të kishte ndryshuar?
Dy trëndafila të kuq dhe një gonxhe trëndafili të bardhë ia kisha lënë në dhomë disa orë para se të nisesha. Sytë iu përlotën kur pa vazon me trëndafila në mes të tryezës. Ishim vetëm ne të dy në dhomë kur i thashë: - ja ku erdhi dhe momenti, do të iki.., do të iki larg familjes, do të iki larg teje. Kujdesu per familjen, kujdesu per veten. Të dua shumë. Më kapi dorën e ma afroi në prehrin e vet dhe lotët që i shkanë syve më dhanë një përgjigje që nuk mund të thuhej as me mijëra fjalë.
Më puthi në faqe.

Tërë natën mendoja e mendoja se si do të më priste, a do të më përqafonte aq fort ashtu si më përqafoi atë ditë në port të Durrësit? A do të më dhuronte puthje aq të ngrohta ashtu siç kishte bërë gjithmonë? A do ta ndieja ngrohtësine e atyre flokeve?!...
Gjumin e bëra copa – copa, pak nga vapa e pak nga malli që gjithnjë e më shumë më brente përbrenda.
U zgjova herët në agim. U mahnita kur pashë qiellin e ngjyer në një bojë ngjyrë portokalli të papjekur. Vëzhgoja gjithë ëndje atë derdhje drite që përngjasonte me ngjyrën e gonxhes së manushaqes. Dielli akoma s’kish lindur. Iu afrova parmakëve të drunjtë të mbuluara me vesë dhe ula kokën poshtë. Valët e detit përplaseshin me tragetin dhe formonin një ritëm te pandërprerë. Më pas hapeshin e zgjeroheshin gjersa humbisnin fare. Mbylla sytë dhe ndieja sesi rreth meje mbizotëronte një qetesi totale. Dëgjoja zhurmën që formonin valët kur përplaseshin me tragetin dhe më pas shkriheshin duke formuar një zhurmë të lehtë, romantike. Flladi i agimit më lëmonte fytyrën dhe aroma e detit sikur më afronte me TË, s’mund të më hiqej nga mendja. Qëndrova pak kohë me sy mbyllur duke ndierë atë qetësi absolute, me në sfond zhurmën e lehtë të valëve.
Ajri i pastër dhe i thellë i mëngjesit më dha një freskim të plotë. Natën kishte bërë shumë vapë dhe ky fresk i këtij mëngjesi gushti më dhuroi një ndjenjë të veçantë. Ditën e kalova duke soditur detin e paanë shoqëruar nga leximi i një libri. Kisha shumë kohë pa ngrënë dhe për çudi akoma s’kisha uri. Ndoshta më kish ngopur aroma e detit…aroma e mallit..!

Koha kishte ikur si pakuptuar dhe tani po i afroheshim qytetit të lashtë e të bukur.
“Pas pak minutash mbërrijme në portin e Durrësit”, u dëgjua altoparlanti që e përsëriste njoftimin dhe në italisht. Pak nga pak filloja të vëreja konturet e paharrueshme të brigjeve shqiptare, pak nga pak tek afroheshim era më bëhej më e njohur, më e dashur, aroma e portit gjithnjë më bëhej më familjare dhe më kujtonte pikërisht një ditë të një viti më parë, kur isha ndarë plot mall e përqafime, kur isha ndarë me ATË, me ATË që tani mezi po prisja ta shikoja, t’i ndieja përsëri erën, t’i ndieja përsëri aromën…
Në kuvertë të tragetit dhjetëra njerëz ishin mbledhur dhe qindra sy ishin ngulur për nga toka mëmë. Nuk do di ta shpjegoj ndjenjën që provova kur trageti filloi të ankorohej… Thithja me forcë ajrin që më mbushte zemrën plot me dëshirë e optimizëm. Ajër i pastër, i njohur, familjar…

Pasi zbritën të gjithë vëreja se si takoheshin e përmalleshin njerëzit me njëri - tjetrin. Plot puthje e përqafime, plot lot nënash që takonin bijtë e tyre…
S’i kisha thënë as mamit as babit se do të vija, as ASAJ. Doja t’i bëja një surprizë, një surprizë që do t’i habiste të gjithë kur të më shihnin.
Pagova një taksi dhe u nisëm. Zemra filloi të më rrahë si deti në furtunë kur taksia mori drejtimin për në Kavajë. Shkëmbeva disa fjalë me shoferin ndërsa mendja më rrinte gjithnjë veç tek AJO, gati sa s’qaja nga gëzimi, nga dëshira që kisha për ta pushtuar në krahët e mi. U ktheva për tek
Mali i Robit, sepse që nga fillimi i verës jetonte aty, në ajrin e pastër të pishave të buta. I thashë taksistit të ndalonte, e pagova dhe iku.
Atë rrip rruge e bëra më këmbë. Ecja plot mall nëpër rrugën ranore dhe shijoja ajrin e ngrohtë që më falte ardhja e muzgut. Më kujtoheshin sekuenca bisedash që shkëmbenim bashkë, unë dhe AJO kur kalonim në këtë rrugë. Edhe pak dhe do ta takoja. Zemra gati sa s’po më pëlciste.

Iu afrova vendit ku ishte dhe ndjeva një si tërmet që u shemb brenda meje kur e pashë qe po ndente rrobat ne tel. Kishte veshur një këmishë të lehtë ngjyrë qumështi gjer në fund të këmbëve… Gjunjët ende po më mbanin në këmbë. Afrohesha me buzët duke më dridhur... Ndjeu se dikush po i afrohej dhe ktheu kokën. Kur më pa ngriu në vend. Dora, e cila mbante nje batanije shumë të vogël ngjyrë deti i rrinte pezull në ajër. Sytë iu njomën si me sustë. Pak gjëra mbaj mend në këtë çast sepse m’u errën sytë dhe s’mundem t’a kujtoj përplotësisht atë sekuencë që për mua do të mbetet thellësisht në zemrën dhe mendjen time. Mbaj mend që vërshimi i lotëve s’kish të pushuar, ngashërimi ish i pashterrshëm. Ndjeva kokën e saj që u mbështet me kokën time, duart e saj që më përkedhelnin me aq dashuri dhe që më bënin të dridhesha nga kënaqësia. Buzët e saj u puthitën në anën e djathtë të gushës sime. Kaluam shumë kohë ashtu të përqafuar, pa thënë asnjë fjalë, pa i kursyer lotët e ngashërimet, pa i ndaluar psherëtimat… Ai ishte momenti më mbresëlënës i atyre 20 vjetëve që kisha kaluar që kur kisha ardhur në jetë. S’e di se sa kohë kaluam ashtu të përqafuar… Rreth nesh ishin mbledhur pesë persona.
Në këmbë, në të majtë ishin vjehrri dhe vjehrra e saj, pak më tutje, në të djathtë qëndronte i shoqi, e aty fare afër ishte ime më dhe babi, kishin ardhë (sikur ta ndienin se unë do të vija).Të gjithë na shihnin me një buzëqeshje konstante në fytyrë. Mami na shihte me dashuri e dhembshuri, nga sytë e saj kullonin lotë të nxehtë mallëngjimi, i rridhnin faqeve si ujëvara dhe s’mund t’i ndalonte dot. Nuk donte t’i ndalonte… Me dhimbje gëzimi në shpirt po priste që unë të ndahesha nga AJO dhe të më pushtonte në gjirin e saj. Babi, me atë dashurinë e tij atësore rrinte i heshtur dhe s’thonte asnjë fjalë. Veç na shikonte përmallshëm dhe diç mendonte…
Nja katër a pesë metra më tutje, në djepin e tij mbuluar me një napë të bardhë për ta mbrojtur nga mizat, flinte i qetë krijesa që deri pak ditë më parë as që nuk kishte ekzistuar, në aromën e pishave e të detit flinte biri i saj, atë ditë mbushte 18 ditë që kishte ardhur në jetë. Hoqa napën e ç’të shihja… një mrekulli e vogël me sytë si bajame merrte frymë lirisht, dukej si i harruar në ëndrra. Dremiste… M’u duk vetja krejt tjetër kur sytë e mi ndeshën në trupin e në fytyrën e tij të njomë. S’e kisha parë kurrë më parë dhe e ndieja që ishte një pjesë e zemrës sime, gjak nga gjaku im.
Iu afrova afër, ula buzët në ballin e tij të vogël. Mbylla sytë nga kënaqësia…
AJO e mori në krahë, ashtu në gjumë siç ishte dhe u drejtua nga ne, të pranishmit që ndodheshim aty pranë. Në duart që më dridheshin akoma mbaja aparatin fotografik.
Shikoja me gjithë forcën e dashurisë sime atë imazh, atë pamje që u skalit aq fort në mendjen dhe në zemrën time: përballë meje, e bukur, e dashur, fantastike, madhështore… qëndronte AJO.
Si i magjepsur, shikoja për herë të parë motrën time të bërë NËNË…

Arbër Arapi
tetor 2006

2.

Me ndiq

Hija verbuese si një zanë endacake e pakrehur zhurmon si një fantazmë aventuriere në brigjet e fëshfërimave vozitëse mes labirinteve të heshtjes së bardhë…

Më ndiq…

…kur era të fryjë si e marrë nëpër skutat e ngrohta të zemrave që presin, deti do të zemërohet e do t’shkundë tërë inatin e tij në rërën delikate dikur shkelur nga të tuat këmbë. Kush t’thërriti të largohesh? Nata në ikje…? Ajo, ajo hedh gurin e fundit mbi gëzimin tim të tronditur. Si këto dallgë… Do t’më duhet të humbas, e t’zvarritem nëpër rrugët plot kalldrëm t’ëndrrave t’mia. Do t’zgjas dorën ngadalë – ngadalë… e do prek… veç terr e asgjë.

Si valët e detit është jeta… Përplaset njëra tek shkëmbi e humbet, e pastaj tjetra që vjen pas saj harron të parat që vanë…

E kur puthjet e diellit ndalojnë në flokët e tua, kam frikë se mos humbasin e kërkojnë ndihmë. Cili do ia japë ndihmën? Shiu, që as veten s’e mban dot në këmbë? Apo mos retë, që mjafton një skërmitje e erës dhe zhduken që as veten s’e gjejnë dot më. Eja, më ndiq… në hone pa fund brengash e thirrje kujtimesh. E di që të kujtohet kur at’ pasdite nëntori zverdhur prej vjeshtës nga sytë rridhte leximi i ca rreshtave: kishte aq shumë pemë në qytet, saqë mund t’a shihje pranverën sesi afrohej nga dita në ditë, gjersa, pas ndonjë nate me erë të ngrohtë, befas një mëngjes ja ku kishte ardhur. Nganjëherë shirat e dendur të ftohtë e bënin të zmbrapsej, e ty të bëhej sikur ajo s’do kthehej dot më kurrë, e ti po humbisje një pjesë të jetës sate.

Po ti s’ke faj, sepse kurrë s’munde t’a shohësh detin në furtunë. Shikoje veç detin llagar të Mesdheut tek prehej i qetë pas furtunave të shkurtit. Ngjyrën e tij kurrë s’arrite t’a përcaktoje në ish blu, bojëqielli, jeshile apo çfarë. Sa keq që s’munde t’a dëgjoje rrahjen e krahëve të pulëbardhave. I dëgjoje veç zërin që vinte nga larg, sa larg. Përplasej me aromën e pranverës, aromën e detit, aromën e ullinjve e t’portokajve.

Ç’u bënë pulëbardhat, valët e detit ku shkuan? Pse i ndoqe pas? Ti ike, Humbe, e fill pas teje HUMBA DHE UNË.

Edhe nëse qyteti do të hidhet në erë me shtëpitë, rrugët, urat, portat, dritaret, me gjithçka, unë e di se ti më ke pritur…

A. Arapi - P. Marko, I. Kadare, E. Hemingway

qershor 2006

3.

I paharruar qoftë kujtimi yt

Kortezhi i njerëzve po ikte drejt varrezave dhe katër burra mbanin mbi supe arkivolin e mbuluar me një cohë jeshile. Pas tyre vinin dhjetra burra dhe gra mbuluar të tëra me të zeza dhe vaji i tyre dëgjohej shumë dobët. Ishte ditë me shi, dhe rrugët kishin filluar të krijonin shtresa të holla balte. Kortezhi po kalonte në rrugën kryesore të qytetit dhe po shpinte arkivolin në xhami qe të falnin xhenazen. Kudo kalonte makinat ndalonin qarkullimin, e kalimtarët e rastit pyetnin:

Kush ka vdekur?

Mësonin emrin e të vdekurit dhe shikonin me dhembshuri arkivolin dhe njerëzit me të zeza që i shkonin pas, dhe i jepnin kufomës lamtumirën e fundit. Disa edhe lotonin. Ata që e kishin njohur… Xhenazen e falën dhe u drejtuan menjëherë drejt varrezave. Shiu filloi të ndjehet mbi kokat e kalimtarëve. Ishte një ditë e trishtuar, një ditë morti.

Arritën në varreza. Kudo përreth shikoje emra dhe fotografi në shumë varre. Fytyra të ndryshme, pleq e plaka, burra e gra, djem e vajza të reja, por dhimbjen më të madhe që ndieje në shpirt ishe kur shikoje varre të vegjël të një gjatësie rreth 70-80 cm, madje edhe 50 cm; varre fëmijësh e foshnjash, te cilët kishin vdekur pa mësuar akoma fjalën e parë: fjalën mami.

Burrat fillluan ta lëshonin arkivolin në gropën e hapur ngadalë ngadalë, të cilin e kishin lidhur me disa litarë në skaje. Pak nga pak tek ulej aq më shumë shtohej vëllimi i lotëve në sytë e të  pranishmëve. Kur u ul komplet shumë duar mblodhën një grusht dhé në tokë dhe e hidhnin sipër arkivolit, brenda në gropë. Ky gjest shoqërohej ndër lot me fjalinë “I përhershëm qoftë kujtimi yt”.

Në atë ditë nuk dallohej se kush e lagte tokën, a ish shiu apo lotët që kullonin përvajshëm nga sytë e pjesëmarrësëve në varrim?!!

Kishin ardhë shumë njerëz, shumë të afërm të të ndjerit, shumë miq e shokë që do ta ndienin mungesën e tij në rrethin e tyre. Dhe kushdo prej tyre…lotonte, vajtonte.

“I paharruar qoftë kujtimi yt, I përhershëm qoftë kujtimi yt”, këto dy fjali do mbeteshin përgjatë në kujtesën e të pranishmëve...

Shiu tashmë kërciste fort në çadrat e zeza dhe njerëzit pasi i bënë edhe homazhet e fundit nisën të ktheheshin. Ktheheshin me një ftohtësi në zemër, me një zbrazëti në shpirt. Tashmë i dashuri i tyre iku, iku për t’mos u kthyer më kurrë…

Nga goja e një djali moshatar me të ndjerin (një shoku i tij), pasi pa për të fundit herë emrin e shkruar ne pllakën e varrit, u dëgjua: “All-llahu qoftë me ty o Arbër!”

U zgjova i lebetitur dhe pashë veten të mbuluar me djersë të ftohta, dridhesha pa e kontrolluar veten. Jashtë shiu binte sqotë dhe përplasej fort në dritaren e mbuluar me avull. Zemra po më pëlciste nga ajo ëndërr e ankthshme. Mezi po merrja veten.

Arber Arapi

nentor 2006

4.

Vdiq pa e ditur

N’at’ natë lamtumire, n’at’ natë vaji, n’at’ natë trishtimi, n’at natë pikëllimi, n’at’ natë.. n’at’ natë vdekjeje.. n’at’ natë .. si s’m’plasi zemra.. E ku ta dinte vajzë gjora se aq fort e pata dashur?

Po e humbja.. pak nga pak.. minutë pas minute.. po e humbja..

Frymë njeriu s’ja kisha thënë perveçse zemrës sime… asaj zemre që për aq vite vuajti në heshtje, që për aq vite derdhi në faqe librash rreshta shkruar me lot. E askush s’mundi t’i lexojë.. se lotët u tretën në fletë. Vajzë gjora as që e kishte kuptuar ndonjëherë që e pata dashur. U sëmur, rëndë, shumë rëndë. Ishte në prag të vdekjes. Kishte frymë për vetëm disa minuta … Iu afrova, dridhej vajza, shembej zemra ime…dridhej dorë e vajzës, shembej ëndrra ime, dridhej krah i vajzës, shembej shpresa ime, dridhej trup i saj, shembej jeta ime…

Lotët s’munda t’i fsheh dot. As arrita të kuptoj në qante më shumë zemër e saj a zemra ime.. Qëndronte më fort zemër vajze a zemër djali?! Vajzë gjora, me zërin e fishkur, me sy të mbyllur, më tha diçka, atë diçka që m’u rrënjos në shpirt. Hapi sytë e kristaltë, m’i nguli në bebet e syve, e belbëzoi :

“Ke qenë ëndrra ime për kaq shumë kohë, dashuri e vetme që munda të mbart!! Kurrë s’ta kam thënë!!...  Kurrë s’do ta thosha !! Vdes me pishmanin që asnjëherë s’ta pata bërë të ditur… Lutu për mua…” - dhe vdiq…! Goja ime e gjysmë hapur ngeli si e ngrirë. Desha t’i them diçka.. Qava, u shemba, qava, u shemba…

I putha ballin e ftohtë…

Vdiq pa e ditur që dhe unë e pata dashur… !!

(crudeltà di fantasia!)

Arbër Arapi

5.

Mos ik…

Mos ik…jam unë zëri jehonë e ngjirur që po t’flet. Të lutem, dëgjoje zemrën time qe veç për ty ajo rreh.

Ti ul sytë e s’më dëgjon? Ti më shikon si e pashpirt? Ç’ish me ty s’e kuptova kurrë!... Gjithçka thashë e ktheve në hi e pluhur.

Mbylle derën, kërcitja e saj tronditi zemrën time. Ece pak.., u ndale, bëre disa hapa…, u ndale, por kokën s’e ktheve pas. Bisedoje me zemrën tënde, këmbëve s’iu binde. Përse?

U ndale, e kokën e ktheve veç ca gradë. Vazhdove të ecje, unë e di që deshe të ktheheshe, e ndjeva, ndoshta veç për t’më thënë “mirupafshim” me sy.

Veten më pas e bëre fajtore, vetvetes i kërkove shpjegime, por TI IKE, e s’u ktheve dot. Dhe rrugës luftoje me lottë e tu, të binin faqeve, e n’zemër rridhte dhimbja. Shikoje rrugën dhe pyete veten: “ç’më the dikur?, do t’rritesh, do t’kuptosh, me veten do t’luftosh”. Të luftosh me lot, kundër kujt? KUNDËR VETVETES. Përpiqeshe të humbisje në humnera kujtimesh fëmijërie, por si çudi… gjithçka ish kundër teje. Me shikimin ngulitur në të vetmin yll që kish në qiell, belbëzove: “kur do t’mbarojë lufta?” Dhe si përgjigje more ………….. Vazhdove të luftoje…

Arber Arapi

pranvere 2006

6.

Ne nje kohe te larget

Dikur, ne ate kohe te kahershme, te vjeteruar ishin vitet, perhumben pak nga pak si pluhur meteoresh. Vitet e plasaritura nga rendesa e mekatit, u dogjen asokohe ne hijen e tonditur. Vitet u mesyne nga pershpirtja e shpirtit te perflakur nga perjetimi i perteritur qe permallshem perkujtohej si permendore perurimi. Permallshem perpiqesha te perjetoja pervuajtjen e perligjshme qe mes pergezimesh e perurimesh perterihej e perkundej ne perkujtime te perndezura, te perflakura, te perndritura. Pernate mendja perlyhej e perngjyhej nga perdhosja e perçudnuar qe aq shume i perngjante perplasjes ne shkembinj valesh te perkulura. Jeten e per-jetova, endrren e per-ndoqa, ne krah ere u per-humba!

Arber Arapi

2009




(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •