Cikël poetik nga Xhemë Karadaku
| Sunday, 10.11.2009, 04:12 PM |  

Xhemë Karadaku


E Bukura e Dheut

 

U harruan fjalët

Besa e dhënë mbeti peng

Kush e vodhi të Bukurën e Dheut

Nga zemra ime

Një zemërkeq

Me djajt kënaqet në aheng

Vetëm dy zemra mbeten jetime

Zogjtë heshtin

Nuk janë memecë e di

Të Bukurën e Dheut

E panë atë natë me hënë

Livadhit të blertë nuk u kthye

Orë e keqe

Diku mund ta ketë zënë


Natë mbi mua

 

Gjelat

Rrejshëm kakarisin

Në drita neonësh

Qentë

Në ëndrra kuisin

Për kulla babilonësh

 

E t(m)err i vdekjes 

Bie natë mbi mua

 

Udhëtim monoton

 

Nga shtëpia posa del

E kupton se nuk i ke punët mirë

Rruga i ngjan kurvës plakë

Dredh vithet herë në të majtë

Herë në të djathtë

Kot kërkon alenë shpëtimtare

 

Anëve të saj të ndjekin gurë

Rrënjë lisash e therrash

Bërllog i hedhur nga veturat

Shishe birrash nga pijanecët

Reklama gjithfare nga kasnecët...

 

Udhëtim monoton

Të ndjek në jetë

Mbushur me vuajtje standarde

Kot kërkon alenë shpëtimtare

Ndoshta e gjen... në botën tjetër?

 

Pro (test) A

 

Protestoj rreptë

Me grushtin lart

Me sy të hapur

Me kokën ngritur

Me trup të zharritur

 

Protestë... pa cak

 

Për besë

Nuk ka asnjë adresë

Janë bërë pikë e pesë

 

Edhe ti proteston si unë

Me shpirtin furtunë

 

E di, sot e kemi kot

Nesër?

Nesër këndohet këngë tjetër.

 

Portrete lugetërish

 

Këto faca shkërdhata

Bëjnë politikë perverse

E shkërdhejnë ndërgjegjën

Pa prezervativë

E lënë me barrë vetveten

 

Përskaj varreve kurrë s’kalojnë

Ëndërrojnë pavdekshmërinë

E nuk e dinë se kanë vdekur

Portreti i tyre: lugat !

 

Buzëqeshjen e rrospive

E morën plagjiat

Ku mbeti e drejta e autorit?

Ndëshkim

Tri herë ndëshkim...

Për këta hajna modernë

A ka ligje, a ka shtet, a ka vesh?

 

Po, ka  lesh...!

 

Aka Larencia

 

Mirë i njoh

Endrrat tua të egra

Oh ti nuk je grua

Ti je vetë shtriga

Në tokën e grurit je egjra

 

Në mëngjeset e lyera me gjak

Fëmijët të thërrasin nënë

Aka larencia

Ulur rri në prag

Kërthizën ta xigëlon xhelozia

 

Oborrit trupon

Duart pas shpine

Flokët jela 

Të binë mbi vetulla

Aka larencia

Ti nuk je grua, ti je bushtër

Kot i ndreq vetes në ujë petulla

 

Nga ironia po vdes

 

Më flet me buzëqeshje

E më shanë me vete

 

Rrugës më shtron

Lule me erë

Me to mbulon një humnerë

 

Në mesditë

Në mbrëmje

Në mëngjes

Nga ironia po vdes

 

Mashtrim apo lojë e djallit

 

Krrokama të shumta

Gjumin ma prishën

Në lojën e zezë

Në mesnatë më grishën

Të bëhem nënë e shtrigave

Nënë e të ligave

 

Në lojën e zezë të djallit

Djersë të ftohta ballit

Rrëke gjaku fytyrës

Rrodhën

Detit të mëkateve

Dashurinë hodhën

 

Pykë ngela në mes të drurit

Kush i binte konopit

Kush hurit

Në lojën e fëlliqur

Kush thërriste

Rrethit të ferrit

Mejdani i ngjiste

 

Përrallë e antipërrallë

 

Lodhem nga kotësia

E përrallës

Terri mbuloi

Bardhësinë e syrit

Loti sumbull

Doli në cep të qepallës

Cilin çelës magjik

T'ia vë dryrit

 

Lodhem nga kotësia

E antipërrallës

Fjalët si gurë

Rrugëve shpërndahen

A jam leckë

A jam zjarr

A jam ujë

Zjarr e ujë

Në leckë a mbahen

 

Nga kotësia

E përrallës antipërrallës

Erë e rëndë tmerri

I ra krejt mëhallës

Në kulmin e shtëpive

Dolën kakureka

A do të vijë jeta

A do të vijë vdekja

 

Fatamorganë

 

Në heshtjen time ngjallem

Për zjarr zemre përmallem

Tek përmallem për sytë tu

Ti saharë unë nili këtu

 

Kaq kodra mes nesh

Dhe dielli sipër resh

Oh zemra ime ku më je

Unë nili ti saharë atje

 

Një pikë ujë ke mallë

Shpirtin ta mbash gjallë

Loja e nisur nën një hije

Kërkon lumë dashurie

 

I humbur do të dukem

Nga dheu një çast zhdukem

Rrugëve të nëntokës nis

Rrënjën e bimës ta ujis

 

Kërkimi i fëmijërisë

 

Kot kërkoj fëmijërinë

Në legjenda nuk e gjej

Është tretur në gurë

Në lule

Në kroje e lumenj

 

Në një skaj të livadhit

Një pjesë të saj rastis

Me ashklat e shkopinjëve

Që i gdhendja atëbotë

Me brisk

 

Kahdo kërkoj

Gjymtyrët e saj

Kokën plis

Duart lule

Shtatin arë

Zemrën lojë të pare…


Mashtrim optik

 

U lodhëm

Duke pritur ylberin

Me gisht të vogël

Ta prekim

 

Për një ylber

Shi e Diell

U dashkan përnjëherë

 

Kur shfaqet

Kalojmë kodrat

Me një hap

Dora kund s'e kap 

 

Është mashtrim optik

Apo Frikë mos ka

Nga kjo prekje e vockël

 

Zë i ëmbël

 

Disi rri

Me veshë në krah

Një zë pres

Të vijë dikah

I butë

I ëmbël

I qetë

Po që të ngrit

Flokët përpjetë

 

I tëri rri në pritje

Dhe shpirtin

Mbaj në gatitje

Pres një zë

Një sinjal

Të ma bëjë zemrën mal

 

Rruga e lirisë

 

I shqetësuar jam

Në qetësinë time

I qetë 

Në zjarrin që djeg

Ditët i bëj net

Netët ditë

Nga dhembja

Nga poshtërsitë

 

Në shtegun e lirisë

Me gjak

Të patharë ende

Yjet më përcjellin

Me udha mbarë

Hëna më pret

Me mirë se erdhe


Kurbeti

 

Dergjet malli në zemër

Nga sëmundja e sëmurë

 

Larg vetvetes

E larg tjetrit

Paravane në mes

Lumenj të tharë

Kodra të zhveshura

Ara të djerra

Deri në Itakë

 

Dergjet malli në zemër

Lëngon nga sëmundja

e Tokës

 

(Ah)Dheu AtDheu

 

Jetë qençe

 

Jetën po e jetojmë qençe  

Nga sherri i qenve

 

Marrëzira të  kohës

Kapërdijmë

Shkaku i të marrëve

 

Deri kur

Në një thes me djallin?


Liria

 

Të gjthë Lisat

I bashkova në Kodrinë

Ta vras robërinë

 

Më ra ndërmend Troja

 

Krejt Lisave

Degët ua bashkova

Në cep u duk Shqiponja

 

Terrin e zuri Droja

 

I bashkova sythat

E Degëve të Lisave në Pyll

Liria ndriti si Yll

 

Nata doli nga Loja...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •