Gentjan Banaj: Poezi nga cikli "Maria e Kalter"
| Sunday, 10.11.2009, 09:19 PM |  

MËKATI

Një yll këputet.
Dhe ti kapërdin dëshirën
Si një shkronjë në mermerin e eshtrave.

Në kraharor
Një gjurmë ylli fle…
................
nga një mëkat në fyt
bota nisi të flasë.

KUR JAM ME TY

Ti puth sytë e humb i tëri
E të zbres ngadalë në shpirt,
Nën qepallë shoh me ty
E jam rob, frymë, flirt.

Ti m`a zgjon trupin e humbur
S`di se ku mbi trupin tënd,
thua-ëndrra ka një fund
them vdekja-s`është e rëndë.

Ëndërr e bukur pas syve të ty
Më thotë ik, më lodhe, mjaft
E prej sysh të rrjedh si lot
Edhe ëndrra bëhet ankth.

UNË DHE TRËNDAFILI

Unë
Dhe trëndafili për ty
Qëndrojmë të heshtur
Në kryqëzimin e pritjes sonë.

Një letër e shtyn era
Dhe imazhi i një gjetheje të këputur
Më bie mbi qepallë.

Vjeshtë e parë.

Ti ndoshta ke ikur
Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit
Që i ka rrënjët tek unë.

Që prej ikjes tënde
Mësova t`i prish trëndafilat.
14.10.2007

ËSHTË AG

Në heshtje
Më tingëllon zëri yt i qeshur,
dhe vetulla e hënës
(dhe)syri i shkruar
(dhe) buza e qershisë
..........(dhe) gusha e bardhë...

Është ag, por prap errësirrë.
Ti shfaqesh nazike
Dhe sfumohesh vetmi.

Një lot
Bie si pikë
E merr vlerë të egërr
Jo si dhimbje
Por si fund.
14.10.2007

IKONA TË THYERA

Të pash në blicin e një krisme,
Diku midis humbjes dhe rënies
Anuar si rënkim i zemëruar
Në instiktin e epërm të qënies.

Të pashë në blicin e një kohe
Dhe ti më pe si bust të anuar
Tek zgjasnim duart marramendsh
Si arna të kohës sonë të arnuar.

E sërish në drita krismash
Zeusi na ndiqte në harresë,
Të ikur, të anuar, vajtueshëm
Diku midis humbjes dhe rënies.

IMAZHE NGA RRUGA E QUMËSHTIT

U ndamë kur yjet të binin mbi sy
Dhe mua fjalët më binin përdhe.
Ëndrra jonë përgjumej në udhë
Tek RRuga e Qumështit, lart, atje.

Pas ndarjes, ti nesër e mërzitur
Do të rendësh me hapa harrimi
Lëkura e bardhë, si nga prekja do dridhet
Tek magjia e purpurt e perëndimit.

Tek rruga e vjetër, në krye
Hapi i lotuar do të bëhet i rëndë,
Flladi diçka në vesh do të pëshpërisë
E do bëhet puthje në trupin tënd.

Në mbrëmje, në heshtje do tretemi
Dhe perëndimi na merr me vete, larg
Dhe orët çaste gjethe do hedhin
Si në shtratin e kuq të netëve pa ag.

Gjithë yjet do jenë coptuar pas teje
Ngjyer me të kuqen e perëndimit,
Kujtimet do të derdhen vetmisë
Si imazhe malli nga Rruga e Qumështit.

AMANETI I DASHURISE

Një ditë në vdeksha
Dhe në varr të zi
Tek një fije bari
Shpirti do t`më rrijë

Dhe emrin nje ditë
Po ta lexosh mbi gur
Do gjallojë bari,
S’do t` thahet kurrë.

E nëse mbi varr
Do të qash nën zë
Besën ke harruar,
nuk do t` mbij më.

E nëse të dielave
Ke punë, s’do t`vish
Nën mermer bari
Do të vdes sërish.

Poezi shkeputur nga cikli "Maria e Kalter", vellimi "Ikona te thyera", botues Globus R, Tirane, Shkurt 2008.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •