Gentjan Banaj: Poezi nga cikli, "Laku i karafilte"
| Sunday, 10.11.2009, 09:21 PM |  

KITARA

Një tel këputet
Kitaristi shpohet në sy
Nota vdes, gjysmë kitarist
Gjysmë varr kitara.

KOHA

Qëndroj ballë pergamenit të kalbur
Një molë e bluan pa të keq me tik-tak.

Hieroglifet heshtin nën gri harrimi…,
Në lëkurën time mbijnë nga pak

Koha shkel mbi kufoma dhe eshtra
Duke thënë me vete një postulat modern.

Qëndroj ballë testamentit si kohë që shkoj
Rrotullimi rreth boshtit shkon dhe vjen.

Avujt e frymës vizatojnë një ëndërr
Deri sa bie si gërmë mbi pergamen .

Mola kompozon në tretjen e tik-takut
Gërmat rriten si bimë të përflakura.

Koha na përdor, apo ne kohën tonë
Harxhojmë me kupa uji të përgjakura!?

VITE DHE ËNDRRA

Në kohën e tij të pakohë
Im atë si kollë e thatë.
Koha luan me fije vitesh,
Rudhave të thella bëhet plakë.

Silueta laget me vishnje qielli
Në sfond të kuq, skuq si prush,
Në sy digjen vite dhe ëndrra
Rinia që s`u jetua me vdekje e mbush.

FËMIJË TË LAGJES SIME

Luanin të qeshur ata fëmijë
Vraponin
Në rrugicën e ngushtë të shtëpisë time të vjetër.

Ishte më e gjerë kjo rrugicë dhe
S`kishte kufij me mure të larta sa ditët e fëmijërisë time.

Këta fëmijë vrapojnë mbi një karrocë bebesh.

Atje është dhe buzëqeshja jote e dlirë dashuria ime
dhe s`kishte kufij dhe mure
të gjerë sa humbja dhe ndarja jonë.

Ç`kam një dëshirë ti shtyj të gjithë këta djem
Me një klithmë trumcaku mbi këtë lojë
Të mbetur si relike e fjalëve të tua
Kur unë me pantallona të shkurtra pasditesh
Dëgjoja qeshjen dhe thirrjen tënde..”shoku im, shoku im”,

Por kam frikë se do ta vras lojën
Me shpatullat prej burri
E duart e mbushura me lot nga malli për ty.

S`kishte gardhe dhe kufij midis shtëpive.

Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër
Me një gurëz pragu e kam gdhendur emrin tënd
Dhe aromën tënde në këtë kopsht të vogël ëndrrash
E kam ruajtur
Dhe përqafimin tënd
Kur ti rrije si një verore në qafën time.

Dhe s`kishte mure fëmijëria....
Të larta sa ky shtat i trishtë burri.

Ja dhe dera ku është shkruajtur dita e fundit.

Tani është harruar, bashkë me fjalët e gjyshes
“mos e hap atë derë bir…të ikën fëmijëria, birooo”.

Por ika unë prej asaj dere dhe sërish nuk guxoj ta prek
…se ikin këta fëmijë që vrapojnë
ikën dhe ti
dhe fjalët e tua
“shoku im....shoku im”
e bëhem sërish ky trishtim,
I gjerë sa mungesa jote,
I lartë sa ky mur që nuk më lë të të shoh .

Po kalbet kjo derë,
Ndoshta nga lotët
Dhe ca nga flokët e tu të verdhë
Kanë mbetur si ditët tona
Në të çarat e saj.

Dhe e shkruaj përsëri emrin tënd dhe emrin tim
Në një gur të djegur......
….e nuk rritem kurrë për ty,
Moj shtëpiza ime e vjetër !

FJALORI PA ËNGJËLL……..

Një fëmijë qan buzë një rruge
Manteli i një hijeje e mbulon me gri,
pa zë, ë-ja e fëminore i fshihet buzëve
në fjalorin e heshtur të lotëve të tij.

Krahët e njomë me asgjë ka veshur
Kryqëzon në shpirt fëmijërinë e ëmbël
Tek ë-ja të nesërmen kyç parreshtur
Me çelësin e ri të fjalës zhgjëndërr.

Një fëmijë qan si Ëngjëll pa Ëndërr.

PERSE?

Foshnjat
Të çdo kombësie
Qajnë të gjithë njësoj.
Loti alfabet i njëjtë
Të qeshurat pandryshim…
Përse, pra
Kufij, luftra
Puthim si gjarpërinj!?

LAKU I KARAFILTË

Nëna
Tespijet kalon një nga një.

Lexon në to ditët
Dhe në lak i zë
Në xhufkën e karafiltë.

Një ylber psherëtime
Me lak karafili lë.

I shikon sërish vitet
Në rrudha shikimi humb.

I peshon rënkimi në duart e rreshkura
E më të rënda i bën
Plumb.

Ajo hesht
Zemra në lak të thinjave
Karafil dhimbjeje e pagëzon
Me lot nëne
Varur në nyje, në pritje gjithmonë.

Unë
Pyes thinjat e heshtura
Në tik-takun e kokrrave brënda këtij laku të rëndë;
Ajo dhemb,
Dhemb...
Sa dhimbje ndjen një nënë ?

VITE DHE ËNDRRA

Në kohën e tij të pakohë
Im atë si kollë e thatë.
Koha luan me fije vitesh,
Rudhave të thella bëhet plakë.

Silueta laget me vishnje qielli
Në sfond të kuq, skuq si prush,
Në sy digjen vite dhe ëndrra
Rinia që s`u jetua me vdekje e mbush.

SHPIRT I GRISUR

Vinte vala me rënkime
Tokës, diç` i thoshte deti
Këmisha si fat i grisur
rënkonte në breg qyteti.

Humbur.Trupi i’u zhvesh jetës
Murgon syri në sterrhon
Therë, grin kafshatë e bukës
Valëve vdekja nusëron.

-“Do vij ndryshe”, i tha pragut
edhe skamjes dritëvrarë
“Rast i mbramë” si varkë e thirri
Fatgremisurit iu bë varr.

Tash këmisha shpirturitur
Vrapon, të puth shtëpine
Lëpin vdekja sofërlotin
Dy herë vdes, dhe zia nxin.

SI KORBË, KORBA NË TË ZEZA

Një plakë shkon në varreza;
si korbë, korba në të zeza.

Të shkuarën mbështet mbi shkop
Si lotë gjiri e troket mbi tokë.

Mermerët ua lanë ajo përditë,
Tjetër shërbim s`mundet për bijtë.

Trokitja e shkopit, rënkim që s`u preh,
Ah ! bijtë e nënës, mu plakët nën dhe`

FJALORI PA ËNGJËLL……..

Një fëmijë qan buzë një rruge
Manteli i një hijeje e mbulon me gri,
pa zë, ë-ja e fëminore i fshihet buzëve
në fjalorin e heshtur të lotëve të tij.

Krahët e njomë me asgjë ka veshur
Kryqëzon në shpirt fëmijërinë e ëmbël
Tek ë-ja të nesërmen kyç parreshtur
Me çelësin e ri të fjalës zhgjëndërr.

Një fëmijë qan si Ëngjëll pa Ëndërr.

VAJE ME TRE KOHË

Lamtumirat janë të idhëta.

Largimet
mosparjet
Të hidhura.

Sytë puthin gjysëm mbyllur
Me ndonjë gurëz loti
Si stoli në gushën e largimit.

Gjithë helm këto ndarje,
së gjalli me mosparje.
Tek e shkuara e tejskajshme e vdekur
Është e gjalla e epërme e kujtesës.

Lamtumirat e rinisë më të hidhura.
Ikin një nga një
Vrulli, qeshja, mundësia...

Dhe mendon mbi një rrashtë guri
Kohën e ardhme të përjetme
Mbetur
Tek një lamtumirë e parë
Në kohën që s`të kujtohet.

ABSURD MBIJETESË

Një kafaz pa zog,
Kryqëzuar në gozhdë.

Burgu i stolisur
Në lirinë e zogut varet.

Kafazi i vdekur
Në kryq
Mërmëron
Golgotën e zogut.

Murg i pashenjtëruar

Kush e pa shpirtin
Dhe këngën në kangjella kyçur?

Kush e di
Në fitoi një varr
Me vajin
E vdekjes
A ngordhjes së tij!

SOS MBI VALE

Këngë me kuje klithi deti
Flokët gurëve duke shkulur,
Shkëmbit puthjen ia përplasi
Me vaj i gjori, në të lutur.

Thirrja e birit, anije loti
Si një Sos mbi valë thërret,
Tallazoi alarme shkundi
E nga sytë e humb përjetë…,

…, mu në fund të gjirit të vetë.

POEMTH E PAQENË

Zbardhi mëngjesi.
Mesnata më ka ngecur në fyt
Si një lëmsh trishtimi.

Në terr rrezëllin si xixëllonjë
Mendimi i ëndërrt.

Vrapoj të kap fashën e parë të dritës
Një puthje të nis në fluturim.
Mes qiellit dhe tokës shoh një fluturak,
…, nxiton për tek strehëza e tij;

Bindem për pozicionin tim
Për qiellin që është tepër larg
Dhe mallëngjehem për fatin e çartur
Larg yllit miklues;
……………………..
Gatitem midis terragut
teksa tik-taku i fatit si lëmsh më mblidhet
pas atij të mesnatës, në fyt.
………………
Rrekem me flladin ende pa gdhirë
ti spjegoj arsyet prej njeriu,
që nata vlen për një ëndërr,
dita, për ta përkundur atë në djepe të krahëve.

Arsyet nga koka e trashur së arsyetuari
Më lëmshohen në fyt
Pas atyre të mesnatës e të fatit.
…….
Ende s`po zbardh,
Agimet në pritje peshojnë tonelata.
Puthja në pritje përqafon si ankth
Ëndrrën, fatin, arsyet.

Eci.
Në gjoksin e ankthtë të udhëtarit
Mërmëroj një këngë që i pëlqen asaj
Duke e mbyllur në çark të buzëve.

Kuturisem me hapat,
Fllad i ftohtë
Agim i tejzgjatur
Mendime të ankthuara
Ngërçe dhe terr
Skuta e kthina
Një dorë që më thith në errësirrë
Dhe…,
Kama e tij vezullon si ëndërr
Kërcënimi për kuletën
Si përrallë;

Është portofoli ai që ndriçon çështjet e mishit.

Unë mund t`i jap vetëm pak mish
Për kamën e tij.

Uri prej ujku s`kam
Por instikti “rutinë”në errësirrë vërsulet.
Klithma në pëshpërimë kthehet
Nga lëmshenjtë e radhitur në fyt.
Në vesh i rënkoj;
Doja vetëm të nisja një puthje,
Me fashën e parë të dritës
Copëzën e qiellit të ledhatoja.
Ai më rrokullis me llërët e gjakosura
Në një gropë të gatitur aty
Për të mbjellë një ulli..

Puthje dheu nis prej aty, i përmbysur
Me shpirt të prangosur nën vete
Me dashurinë e paaguar kurrë.

Unë…, jam jeta - tha therësi,
Shpirtlirë
Ti je i rrezikshëm.

TERRGREMISUR

Rreth syve flatrojnë flutura errësirre,
Një valëz drite i etë me gazmend.
Kjo fashëz thyen këtë koncept terrësie
Nga vezullimi i shpirtit fosforeshent.

Si kandil, belbëzon kjo pak njerëzishte
Rrëfen udhën me hapa shpresërimi
Nëse kandili i shpritit s`është terrëri
Pse dreqin humnerave gremisemi !?

Poezi te shkeputura nga cikli, "Laku i karafilte" dhe "Absurd Mbijetese"......vellimi "Ikona te thyera", Globus R, 120 faqe, Tirane , Shkurt 2008.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •