Fatmir Musai: Ferrparajsa - Tregim
| Tuesday, 10.13.2009, 10:43 PM |  

FATMIR MUSAI

FERRPARAJSA

Tregim

Kishte kohë që s’e takonte mikun e vet të vjetër, pedagogun e arkeologjisë, Refat Himën. Disa nga  miqtë e tyre të përbashkët, me dhimbje i  patën pëshpëritur për një depresion gradual e të vazhdueshëm të tij. Fillimisht me dorëzimin ndaj alkoolit dhe, më pas, pasi nuk e kishte gjetur rrugëzgjidhjen në të, ishte mbyllur në vetvete. Ishte një mbyllje e mistershme. Askush nuk i dinte përmasat e saj. Të rrallë ishin dhe ata që mund të të kumtonin edhe informacionin më të vogël. Gjithsesi, ai ishte një informacion pa vlerë, thjeshtë dukja e tij në rrugëtimin e përditshëm shtëpi-universitet dhe anasjelltas. Përjashto lajmin e vërtetë, por tmerrësisht të përgjithshëm, si në një komunikatë shtypi, se ishte anatemuar keqazi me drejtuesit kryesorë të universitetit.
Ai kishte dashur prej kohësh të depërtonte disi, të paktën edhe për pak çaste, në kullën e të vetëizoluarit, aspak për kureshti, (kjo do të ishte fyese për miqësinë e tyre shumëvjeçare!) as edhe për detyrim shoqëror, i cili sërish do të ishte po aq fyes. Atëherë, përse do të shkoj, pyeti ai më së fundi veten dhe natyrshëm i erdhi edhe vetëpërgjigja: Thjeshtë për t’iu gjendur, thjeshtë sepse nuk mund të rri dot pa i shkuar!
Por pikërisht këtu fillonte dhe një dilemë tjetër brerëse: Po sikur…, po sikur i vetëburgosuri të mos pranonte askënd tjetër, përveç vetvetes? Ashtu si i ngujuari në kullë që e sheh botën e jashtme vetëm nga frëngjitë e aq më keq nga gryka e armës?!
Për të gjitha këto hamendësime, ai tashmë fajësonte, përveç vetes edhe opinionin. Forca manipuluese e të cilit është si ndryshku, fare e pandjeshme, por aq këmbëngulëse dhe e përditshme, sa që bren edhe hekurin. Sepse asgjë nuk ndodhi kur ai trokiti në atë dhomëz-aneks të universitetit ku i thanë se ndodhej profesor Refati. Sjellja e tij e zakonshme dhe bërja vend pranë vetes, përballë një kompjuteri të stërpërdorur, në se përjashtojmë rrathët e kaftë  poshtë syve si ca qeramika të thyera antike. Dhe vërtetë, diku më tutje, në një gjysmëraft të dalëboje, atij i zuri syri disa qeramika të vogla, produkte simbolike të gërmimeve të tij prej arkeologu. Por ajo që do të përbënte të veçantën e asaj foleje (kurrsesi nuk i shkonte fjala kullë!), ishin copëra pusullash të shkruara me germa të mëdha kompjuterike dhe të ngjitura në mur. Tjetri, që siç duket e kishte dobësi leximin e gazetës së tij të murit vizitorëve të rrallë, sikur mori hov dhe i tha:
- Përpara se të ulem në këtë karrige e të punoj, gjithnjë lexoj koleksionin tim të fjalëve të arta. Heq ato që janë vjetruar dhe i zëvendësoj me më aktualet. Nuk bëj dot pa to! Vërtetë që më frymëzojnë e më japin jetë!
Ai hodhi sytë në tërë atë duzinë fletushkash të ngjitura në faqen e murit, prej nga ku profesori mund t’i kqyrte me një të kthyer të kokës dhe lexoi:
“Dikur qaja çdo ditë,
  Tani qaj për ato ditë!”
        Një poet sirian
Diku, në një vend më të privilegjuar, bënin ballë dy vargje-sentencë të Bertold Brehtit:
        “Dhe viçat pas daulles hedhin hapin
          Dhe lëkurën për daulle vetë e japin!”
                
Kudo anatema ndaj djallit. Qoftë ky i veshur me mantel dekani a rektori, me kostum nëpunësi a deputeti, me veladon prifti a ngrefosje kryeministri. Ai hapi kompjuterin dhe i lexoi disa pasazhe nga një mori artikujsh publicistikë. Një gjuhë therëse ndaj moralit të krejt piramidës shoqërore. Herë ndjehej fishkëllima e thuprës së sarkazmës e herë goditja e shurdhër dërrmuese e hurit të gardhit! Moralin e shprishur të kohës ai sikur kërkonte ta gozhdonte me pineska në atë faqe muri. Mendimi i fundit i dha  spunton të dialogonte butë, hidh e prit, me mikun e tij të vjetër.
- Djalli e kryqëzoi Krishtin me gozhdë trarësh e jo me pineska! Aq më tepër publikisht dhe me ligjet e tij prej djalli!
Profesori heshti një çast.
- Po unë nuk pretendoj të jem Krishti…! – tha më pas me një ton aq naiv, sa që atij iu dhimbs. – Unë nuk jam biri i një të Tërëfuqishmi që të bëj superheroin, ngaqë e di se do të ngjallem pas tri ditësh! Gjithçka këtu e kam për veten time. Kjo është bota ime, mbijetesa ime brenda kësaj shkërdhatokracie dhe rrumpallhaneje!
Ndërkohë ai mendoi se ç’efekt do të kishte botimi në një gazetë qendrore i krejt atyre pusullave të ngjitura në mur dhe i përsiatjeve të tij të ngujuara brenda memories elektronike të kompjuterit. Dhe në krye të faqes të evidentohej ky dyvargësh tjetër, të cilin atij s’ia kishte zënë syri më parë:
        “Shqipëri, oj rrobë e vjetër,
          Shkon një mut
                       dhe vjen një tjetër!”
                Sotir Kolea
- Për Krishtin, Toka ishte Ferr! – foli me pasion Refat Hima. – Ajo ishte  e mbushur me judë, djaj e lugetër. Ata janë shtuar e gëlojnë anekënd. Jesuin e vranë dyfish, jo vetëm me kryqëzim, por edhe me talljen më makabre, duke e kurorëzuar me gjembaçë! Ky ishte kulmi! Ndaj edhe ai që ishte biri i zotit, nuk duroi dot më dhe u ngjit lart në qiell, pranë të Atit. Një orë e më parë sa më larg këtij Ferri tokësor im bir, do të ketë menduar i ati…  
- Dhe na la, apo na harroi ne këtu poshtë! – ndërhyri lehtë ai, si për t’i dhënë ngjyra limonade dialogut.
- Jo, jo! – ia priti me të njëjtin pasion tjetri. – Poshtë mbetëm ne mëkatarët. Edhe unë, edhe ti! Dhe e meritojmë këtë braktisje. Kot lodhemi e përpiqemi të bëjmë shtet e demokraci, të sofistikojmë teknologjitë e të reklamojmë lumturinë tonë. Fataliteti do të na ndjekë kudo. Sepse këtu në këtë Ferr që quhet Tokë, këtu ku Krishti lidhte plagët, nuk mund të ndërtohet Parajsa! Të ishte ndryshe, Ai do të ishte midis nesh edhe sot e tërë ditën!
Ç’teori kjo e profesor Refatit, mendoi ai jo pa shqetësim në vetvete. Jo aq për të vërtetën që ajo ndrynte brenda vetes, se sa për përmasat apokaliptike që ai i besonte si të vërteta të fundme.
- Po ne, o Refat, - i tha atij, ndërsa ngrihej për të dalë. – ku do të bëjmë hajër? Këtu qenka Ferr, atje lart as shkojmë dot e as na pranon kush…!
- Unë e kam zgjidhur problemin për veten time! – ia priti, për herë të parë i qetë, tjetri. – Ja, kjo sipërfaqe dy me tre është Parajsa ime brenda Ferrit. Atë s’ma merr dot kush! Por, edhe në se ma rrëmbejnë, sërish unë do ta ringre! Dhe, a e di se ku?… Këtë herë… këtu! – tha ai dhe vuri gishtin në tëmtha.


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •