Fatmir Musai: Në gjunjë para një luleshtrydheje - Tregim
| Tuesday, 10.13.2009, 10:44 PM |  

FATMIR MUSAI

NE GJUNJE PARA NJE LULESHTRYDHEJE

Tregim

Burri bie në gjunjë, por nuk përulet!
    Ishte disi i befasuar për këtë sentencë që i erdhi në mendje, të cilën s’e kishte dëgjuar kund. Ajo ishte e tija, tërësisht e tija. Sado e çuditshme që mund të duket, sebep ishte bërë sëmundja e tij tashmë disavjeçare, spondiliatroza.
    - Qaje rininë tani e tutje! - i pat thënë copë Edi, miku i tij reumatolog, që e pati vizituar.
    - Ç’thua?!
    - Them që spondiloartroza s’ka shërim. Ne të dy, së bashku, do të jemi burra të mirë në se e mbajmë këtu ku është përparimin e saj. Sepse, për shërim, aha, të thashë edhe një herë, qaje!
    - E ç’kusure do të kem me këtë peshqesh mbi shpinë…?! - e pyeti ai me të njëjtën gjuhë mikun e tij, ndërkohë që timbri i zërit e tradhtoi me një dridhje të lehtë, ku, më tepër se frika, fshihej meraku.
    - I mbushe më duket! - ia ktheu Edi dhe, pasi i dha një sërë porosish së bashku me recetën, shtoi: Mos u tut, poet! Vetëm që s’do të mund të përkulesh. Gjysma e shqiptarëve vuajnë nga spondiloartroza! Është sëmundje fisnike, ndaj populli ynë heroik në shekuj ka qëndruar i papërkulur!
    Të gjitha këto iu kujtuan në këtë lëndinë plot jeshillëk, mes pyjeve të Bukanikut. Stavri po piqte në prush troftat e vogla që kishin zënë  aty pranë, në përroin e Gostimës, ndërkohë që Spiroja dukej atje tej i ulur gërmuq, në një cep të lëndinës, tek mblidhte në një shportë luleshtrydhe. Sa shumë syresh kishte! Ashtu të kuqe siç ishin, pikëzonin andej-kendej sipas xhumbave ku kishin mbirë.
    Ai u ngrit me kujdes dhe i vajti Spiros pranë.
    - Hajde të të ndihmoj edhe unë ca. - i tha dhe tentoi të përkulej, por një dhembje therëse në mes të shtyllës kurrizore, gati e la pa frymë.
    - Ç’pate?! - i shkoi pranë Spiroja.  
    Ai drejtoi me mundim kurrizin.
- Është ajo, sëmundja e shqiptarëve, spondiloartroza! E shoh që po bëhet gjithnjë e më tepër fisnike! - ironizoi ai më tepër me vete se sa me shokun. - Por unë, gjithsesi do t’i këpus disa kokrra!
- Ej, je në metro ti?! - u përpoq ta ndalonte Spiroja që s’po kuptonte asgjë nga ato që artikulonte tjetri.
- Jo, mor, jo! Do t’i këpus disa kokrra! E di që shqiptari nuk përkulet, por unë jam nga ata shqiptarë që vdes për luleshtrydhe. Aq më tepër që kanë ngjyrën e flamurit tonë. Dhe nuk i dua qyl nga duart e të tjerëve.
Me kujdes, sikur të shkelte mbi vezë, ai përtheu ngadalë të dy gjunjët, duke i mbështetur mbi qilimin e barit dhe, me shpinën drejt, në një pozicion tejet humoristik, zuri të këpuste kokërrzat e kuqe.
- U dorëzua edhe shqiptari i fundit! - ia ktheu me të njëjtën monedhë Spiroja.
- Ia fute kot, plako! - deklamoi si në teatër ai. - Ky nuk është dorëzim, sepse kjo nuk është përulje. Kjo është rënie në gjunjë. Shqiptari vërtetë nuk përulet kurrë, por ama, në gjunjë bie. Bie në gjunjë para flamurit, para tokës që quhet Atdhe dhe nuk e di se para kujt tjetër. Ndërsa unë sot dua të bie në gjunjë para këtyre luleshtrydheve kaq të bukura e të shijshme, vetëm për një motiv të madh personal: Më pëlqejnë shumë!
Spiroja zuri të qeshte, ndërkohë atij, tek bënte për nga zjarri ku Stavri vazhdonte të piqte në prush troftat e vogla, një si sentencë po i formësohej  diku në nënvetëdije. Më pas, nga turbullira e fillimit, ca e nga ca, gjithçka u kthjellua dhe ai shqiptoi qartë: Burri bie në gjunjë, por nuk përulet!
Çudi, mendoi. Nga një situatë e improvizuar komike, të përftosh një sentencë kaq dramatike. Por, natyrshëm, vargjet për sëmundjen fisnike morën një dimension të ri:

    Spondiloartroza s’paska shërim,
    Përjetësisht me vete do ta mbaj,
    Do më marrë malli-një luleshtrydhe
    Ta këpus kur çel në maj.

    Por qaramanët kurrë s’i kam duruar,
    Unë sëmundjen time e shoh me nderim:
    Të paktën, kurrë s’do ta njoh përuljen,
    Siç s’ma njohu shpirti im!

Ai çoi dorën pas shpine dhe, deri atje ku i rrokte krahu, preku lehtë, gati me  ledhatim mirënjohës, tërë vargun e rruazave të shtyllës kurrizore.   


(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •