Heshtja pikon
Pikë…Pikë…Pikë
Heshtja në koridorin e errët pikon
“Ik”- nuk të iket
“Të iki” nuk më iket
Pikë…Pikë…Pikë
Vetëm heshtja në koridorin e errët pikon
Ndoshta njëri-tjetrit ende I duhemi,
heshtja na kujton…
Buzëmbrëmje prilli
Kaloj kësaj buzëmbrëmjë prilli
Përmes reflekseve të dritave
Nëpër rrugët e asfaltuara
Në parkun “Rinia”
Dashuritë janë mbuluar me mushtin rinor
Dhe murmurisin fjalë të përgjysmuara
që kaq herë u thanë
kaq herë s’u thanë
Si retë e dendura pranverore me shi
I ngarkuar jam edhe unë kësaj mbrëmje
Me ëndrra dashurie…
Ku t’i zbraz
Kujt t’ia them?
Ti mungon sykaltra ime
Mimozat aromëkëndshme të verdha heshtin
Eukaliptet si flokë të gjatë, degëzat I kanë varur
Dhe heshtin, heshtin…
Ti sonte mungon,
Flokëleshuara, sykaltra ime!
Vështrimet e ëmbla të cifteve
Me dashamirësi sikur më thonë:
“Tani ke radhën për të mbrojtur dashurinë,
Ndaj takimin lëre në ditët që vijnë”
Duke parë kostarët në Bjeshkën e Pashtrikut
Kështu ka vringëlluar nëpër mugëtirën e shekujve
Kosa e fisit tim
Në teh të saj varfëria,
Në teh të saj thinjej dashuria,
Në teh të saj pikonte gjaku i hasmit të vrarë
Në teh të saj lotët e motrës për vëllanë
Se nuk të linin të jetoje në hallin tënd, fisi im,
Ndaj kosa si barin e bjeshkës I ka prerë me tërbim!
Kosa e fisit tim…
Ke prerë edhe veten,
Me dashurinë tënde ke përgjakur dhe pranverën.
Unë e di,fisi im, e di
Ish koha që t’ka shtyrë
Të shtynte Kanuni i Lekës
Dhe ti nuk kishe çfarë t’i bëje
E ktheheshe i bije me kosë vetes…
Pastaj…
Bëje këngë,
Sa tresje edhe gurin për dashurinë.
O shpirt i madh,
Që me kosë në dorë kërkoje lirinë.
Po të më shihni rrugëve…
Po të më shihni ndonjëherë rrugëve,
të ashpër, të paqetë, dijeni
Diellin tim ma shanë;
Dhe po të shihni se diellin tim,
retë e kanë zënë,
Kërkomëni mua,
Dhe po s’më gjetët, dijeni,
Për diellin tim diku kam rënë…
Hoj, Dada, Hoj
Motiv i hershwm popullor
Kjo pranvera zemrat na i ka brejt,
Po vjen vjeshta e na merr krejt,
Hoj, Dada, Hoj…
Në pranverë, zemrën ia dhashë kuj,
Po kjo vjeshta po na çon në derë të huej,
Hoj, Dada, Hoj…
Në m’paç dashtë, djalo, dil e më merr,
Mos më le të shkoj në tjetër derë,
Hoj, Dada, Hoj…
Për ty dada jam rritë si molla në degë,
E veç rrezja e diellit më ka prekë,
Hoj, Dada, Hoj…
Vec rrezja e diellit më ka kuqlue,
E rrezja e hënës më ka freskue,
Hoj, Dada, Hoj…
Hoj, Dada, Hoj…
M’është ça zemra si kokrra e shegës,
Tue t’prit dada në majë të bjeshkës,
Hoj, Dada, Hoj…
Dritën e hënës do ta vë në vend të vellos,
Po më dole, dadë, djalë I besës
Hoj, Dada, Hoj…
Po më dole, djalo, trim i besës,
Po më more, djalo, para së dielës,
Hoj, Dada, Hoj…
Kjo pranvera zemrat na i ka brejt,
Hoj, Dada, Hoj,
Hoj, Dada, Hoj…
Po vjen vjeshta e na merr krejt,
Hoj, Dada, Hoj!…
Hoj, Dada, Hoj!…
Largimi
Sytë e shqetësimit
Të mbetën në largimin tim.
E Unë,
Me ëndrrën tënde,
Me zërin tënd,
Kudo në udhë
Si ti,
Me kohën sy ndër sy…
HAS-HOMERI IM!
Kujdes Det
Det,
Po gabon e lahesh në lotin tim
Po të flas me zemër në dorë,
Po gabon se,
Për besë,
Po hyre,
Në lotin tim të trishtuar
U mbyte
E për ty nuk ka më shpëtim
Varrin e kam në Majën e Pashtrikut
HAS i dhëmbshur,
Më dhe djepin,
Unë fjalën ta ruajta,
Varrin, pse s’ma jep?
Dije, pra,
Varrin tim pellazgjik
Në Majën e Pashtrikut e kam
Aty, në një rrafshnaltë,
Në një lëndinë
Aty kuvendoj me Sharrin, Korabin e Tomorrin,
Aty,
Në qetësinë e përjetshme,
Unë kuvendoj lirshëm vetëm me Perëndinë…
Aty,
Ku BOGDANI i madh foli shqip
“Veshë me diell
Mbath me hanë”
Frut i dashurisë time
Natë gushti
Juga ka hedhur mbi supe pelerinën qiellore
të pikluar me yje…
Unë, bir i veriut,
Jam dhëndërr i kësaj nate jugore.
Frut i dashurisë time,
Do të mbaj emrin e kësaj toke bregdetare
ILYRI (Iliri)!