Istref Haxhillari: Përtej kohës
| Thursday, 11.12.2009, 05:59 PM |  

Epilogu i romanit “ Pesha e kohës ”

Puhiza e lehtë që vinte nga gryka e Trebinjës përkëdhelte me dorë të padukshme pemët e porsaçelura, gurët, njerëzit, prekte ç'gjente përpara, pastaj si përherë udhëtonte tutje për nga Kozici e Dragotina. Matanë lumit, përfund oborrit të Hodos, ftoi i lulëzuar ngjasonte me qilim shumëngjyrësh ndehur anës gardhit.
Kroi, pa pushuar e pa u lodhur si gjithnjë, jepte ujët e kulluar që shëronte njerëz e bagëti me tre lyfytët ngrënë nga vitet. I vetëdijshëm për fuqinë zotëruese, shpërfillte kohën dhe sundonte përjetësisht me gurgullima. Më i vjetër nga tërë njerëzit së toku, kishte parë e dëgjuar shumë se vetë qëndronte përtej kohës. Po të kishte gojë do të tregonte histori pa fund për ngjarje e njerëz, miq të vjetër e të rinj që i kishte dashur apo i donte rishtas. Të vjetrit tkurreshin ca nga ca dhe iknin, pastaj vinin të tjerë, që prap mpakeshin e largoheshin, po ai qëndronte njëlloj, nuk plakej, as vdiste kurrë. Linte të vjetrit e zinte miq të rinj.
Së fundmi kishte zënë miqësi me një djalë të parritur mirë, leshverdhë, i bukur si rrallëkush. Vinte çdo ditë, luante me ujët e tij, pastronte ullukët nga myshku që po zinte shpesh e më shpesh dhe bisedonte me të:
- Ore plak, ç'e ke tërë këtë lesh gjelbërosh që të del përditë?
Kroi, qeshte pleqërishte me zë mërmëritës dhe mendohej:
“ Mos vallë po plakem si njerëzit që kanë ikur pa kthim? ”
Miqësia e kroit plak me djalin qe e thjeshtë, e vërtetë, disi e çuditshme, sikur i lidhte një e fshehtë e pakuptuar, po sidoqoftë ata duheshin shumë, nuk rrinin dot larg, takoheshin ditë për ditë të malluar.
Hapat e fëmijës bënin tokën përreth tij të merrte frymë lirisht.
Më parë njerëzit grindeshin mes tyre, herë ngadalë si me të butë, herë me përçmim e inat, zinin prita anës tij, ishin goditur e gjakosur. Po sa vinte zireshin gjithnjë e më rrallë, më tepër i shihte përmalluar të përqafonin e, më shumë se kaq, puthnin njëri - tjetrin pa frikë e turp aty në sy të tij. Dikur i kishin zënë sytë nëpër mjegullirë dy të rinj, që larguar botës, vetëm shiheshin të malluar dhe qe çuditur së tepërmi, po këta të sotmit nuk fshiheshin si më parë dhe ai nuk habitej më.
Isi, burrëruar e pjekur nga koha dhe hallet, ishte mik i veçantë i kroit plak. Jeta i kishte marrë të krisur aty ndanë kroit, prej ku nisi sevdaja e tij që tronditi tërë fshatin e krahinën, shkundi nga themelet zakonin e moçëm dhe u hapi sytë njerëzve. Vinte shpesh, u hidhte nga një grusht ujë syve, pinte dhe kuvendonte më të. Kroi besnik ia dinte brengën, po kurrë s'i tha njeriu, nuk i nxori asnjëherë të fshehtën. Atëhere kur u fsheh te ai gromi sipër tij, larguar syrit të njerëzisë, kroi e pikasi, po nuk bëri zë hiç, u hoq sikur s'e kishte mendjen që të mos e kuptonin graria, mbledhur për të mbushur ujë.
Edhe tani pas kaq kohësh, kur kroi boshatisej mbrëmjeve, vinte shpesh me Lulen, nuk e harronte dot kurrë kruan që kishte ndryshuar rrjedhën e jetës së tij.
Një mbrëmje vjeshte, kur bimësia kishte marrë atë ngjyrën argjend në të verdhë, që i deh njerëzit e i bën ujem, Isi shikonte mendueshëm çesmën, si përherë. Një valë kujtimesh të përziera gjithëfarlloj i gurgulluan zhurmshëm në të gjithë qenien dhe me sytë e mendjes vështroi nëpër kohën e shkuar.
“ Çuditërisht kumti i shpatullës së deles u plotësua pikë për pikë.
Sevdaja, ndoqi ritmin e zemrave dhe natyrshëm me pafajësi mbijetoi. Përmbi vdekjen e hidhur u zbeh morali i vjetër dhe lulëzoi një jetë tjetërlloj. Ditën e martesës, zënë dorë për dore, shkuan te varri i Hënës dhe, me lot në sy, vendosën një tufë lulekaçe e manushaqe që sapo kishin filluar të bulëzonin atë fund marsi.
Iliri hidhte hapat e jetës nën përkujdesjen mallëngjyese të Smahilit. Pesha e fjalës së dhimbshme është tepër e madhe, jashtë çdo përfytyrimi njerëzor se sytë e shuar përtej vdekjes nuk i tret dheri ndaj gjëmë më të madhe s'ka si të ketë. Krojani i ashpër e i sertë u kthye në baba zemërbutë, plot ëmbëlsi. Flokët e verdhë dhe sytë bojë qielli të djalit i kujtonin atij dhe të gjithëve në fshat nusen e hirshme që nuk u harrua kurrë. Shpirti i saj jetoi te i biri edhe për shumë vite.
Miqësia e Kajos me Gorën vazhdoi gjatë edhe mbas tyre nga brezat që erdhën, gjer ditët e sotme, ( hakikati peshon më rëndë se gjaku ).
Zeni, shoku i halleve të pazakonta, mbeti edhe për ca kohë në çetën e Gorës. Ai s'mundi të kthehej se hakmarrja e gjakut nuk u mposht e nuk u shua kurrë, as sot e kësaj dite. Zakoni i lashtë u krasit e u mpak, po nuk u zhduk, la pas hijen e vrazhdë ashtu si zjarri le shpuzën nën hirin e pabesë. ”
- Eh, - psherëtiu Isi, - sa e çuditshme dhe e pakuptuar është jeta!


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •